Behixhudin SHEHAPI | Me qëllim të ndriçimit të historisë së Tetovës me shkrime dhe dokumente autentike, e përktheva tekstin e “kitabe”s ose mbishkrimin në hyrje të Xhamisë së Pashës ose Allaxhës (E Larme) në Tetovë, e njohur në përmasa botërore dhe e regjistruar edhe në UNESKO si trashëgimi kulturore botërore.
Kjo xhami është në fazën e nominimit për mbrojtje edhe nga kjo organizate e kombeve të bashkuara. Këto shkrime zgjuan një interesim të veçantë te miqtë e mi, dashamirët e artit të mirëfilltë si dhe nga popullata e gjerë e cila është e interesuar dhe kureshtare të dijë sa më shumë për këtë monument dhe për pashain filantropin të njohur tetovar, Abdurrahman pashën.
Këto ditë merrem më tepër me hulumtimet mbi personalitetin e pashait të njohur nga Tetova të shek. 19, Abdurrahman pasha. Në historinë e këtyre anëve ai do të mbetet i shënuar si donator ose ndërtues i Xhamisë së Pashës në Tetovë, monument i cili zë vend të rëndësishëm në trashëgiminë kulturore të përmasave botërore.
Sa është unike kjo xhami me dekorimin e vet, po aq unik është edhe mbishkrimi në hyrje të saj. Prej aty kuptojmë shumë për këtë personalitet ekstravagant me plot kolorit ashtu si është piktoreske edhe xhamia e tij.
Mbishkrimi në gjuhën osmane në hyrje te xhamisë, prej ku e mësojmë datën e ndërtimit apo të rindërtimit të saj, fascinon me narracionin si lëvdatë e përgatitur për bamirësinë e pashait dhe fisnikërinë tij të pashoqe. Po e publikoj për herë të parë në gjuhën shqipe, i cili është pjesë e disertacionit tim. Falënderime të veçanta që ky mbishkrim të publikohet edhe në gjuhën shqipe u takojnë Dr. Mehmed Zeki Ibrahimi, i cili nga osmanishtja e përktheu në turqisht dhe Ahmet Selmanit, i cili përkthimin tim në shqip e rregulloi në aspektin letrar, si dhe fotografit Dritan Abdiji, i cili i bëri fotot të mbishkrimit, përkatësisht te Xhamisë së pashës.
“Prijësi bamirës, i cili është emnak me Abdurrahman ibn Avfin (as’habi qiram- bashkëkohanik i profetit), Ai që urdhëron të mirën dhe që largon të keqen, Më i madhi nga Miri Miranve (tituj fisnikësh), Abdurrahman Pasha,
Me bëmat e tij ec në rrugën e as’habve, Me sinqeritet dhe zemërgjerësi, mbrojtësi i Tetovës,
Me punë të dobishme që bëri, kalon me radhë Fadilin, Xhaferin dhe Hetemin,
Një shëmbëlltyrë e zgjedhur dhe me karakter të fortë, me çka dëshmon se vjen nga një familje fisnike, Ai në çdo pikëpamje është prijës i virtyteve të kohës së tij, Prej fillimit të drejtimit të vet ai çdoherë merret me punë bamirësie,
Ky veprim i tij njerëzor mundëson që çdo ditë këtu të mblidhen mijëra njerëz, Madhështia e tij në vazhdimësi shihet në veprat që i bën për popullin.
Zemra e tij bujare është përplot me lavde nga puna e dobishme, Thënë shkurt ai ndihmoi që kjo faltore e lartë të ngrihet sërish nga themeli, Ç’është e vërteta ai i dha një pah dhe ngjyrim të ri kësaj ngrehine, Ngase dukja e saj krejt e re teksa filloi të përdoret, e ndriçoi atë, duke e shndërruar në parajsën e nëntë,
Prej këtu, kur do të lexohet Kurani nga thellësia, do ta dëgjojnë edhe engjëjt në gjithësi,
Në çdo anë të stolisur me zbukurime e piktura të shumta,
Minberi dhe mihrabi po shndrisin nga mermeri më i bukur,
Bukuria e galerisë ua shton kënaqësinë vizitorëve, Ata që e dëgjojnë Kuranin nga ky vend janë zemërpasur si Nafiu (poet lirik), Shiko kandilat e saj gjatë ditëve të agjërimit, do ta shohësh si shpërndahet anembanë shkëlqimi i dritës së saj.
Ai që e viziton këtë faltore, nëse fal dy reqat namaz për nder të Zotit, shkarkohet nga shumë mëkate me të cilat është ngarkuar,
Tashti me këtë ngrehinë edhe Tetova si vendbanim u bë e njohur,
Le të vijë gjindja e saj që të luten këtu duke u përulur, Le të luten robërit e Zotit dhe pas kësaj le t’i ngrenë duart lart, ngase është vaxhip, Fjala e tyre “Amin” le të depërtojë deri në shtatë kate të qiellit,
Ata që kryejnë lutje natë e ditë, në çastet kur imami dhe muezini i lartësojnë zërat e tyre, le të ndihmojë kjo për zgjatjen e jetës së këtij bamirësi, jo vetëm të tij, por edhe të anëtarëve të familjes dhe vëllezërve të tij, Zoti i Plotfuqishëm figurën e tij të çiltër ta lartësojë dhe ta kënaqë në të dyja botërat, Mos të shohë asgjë të keqe deri në Ditën e Gjykimit,
Edhe unë, shkruesi i këtyre fjalëve, kur e pashë atë me veshjet e tij të bukura ngjyrë argjendi që rrëngjejnë, Me thjeshtësinë time fillova t’i shkruaj të vërtetat këtu, Me shpresë se do të fitoj një sevap në këtë mbishkrim, thura një lavdëratë, T’i shkruaj fjalë të bukura për shëmbëlltyrën tij e cila përshtatet edhe me natyrën time,
Andaj, kur do të vijnë njerëzit që të luten pesë herë, le ta shohin këtë datë: “Abdurrahman Pasha, shkëlqimi yt e bëri shumë të ndritshme këtë faltore” (1833 v.),
Mashallah,
Mbishkrimin e përpiloi dervish Mehmed Muradi”.