Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, në ceremoninë zyrtare të hapjes, ka bërë me dije edhe çeljen e fondit të përkthimit nga gjuha shqipe në gjuhë të huaj, si një ndihmesë që u jepet autorëve shqiptarë, për të kaluar kufijtë.
Drejtorja e QKLL-së Alda Bardhyli e quajti promovimin e librit shqip në skenën ndërkombëtare si një nga prioritetet e këtij institucioni.
“Promovimi i librit dhe autorit shqiptar në gjuhë e kultura të tjera do të jetë në fokus të punës së Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit. Ky fond është një ftesë për gjithë botuesit e huaj që të aplikojnë deri më 20 korrik. Por mbështetja jonë nuk do të mbetet vetëm në këtë fond. Ne kemi nisur komunikime me institucione ndërkombëtare të librit për të krijuar më shumë hapësira dialogu për autorët shqiptarë”, tha Bardhyli. Sipas saj, QKLL do t’i japë mundësi autorëve shqiptarë të jenë të pranishëm në ngjarjet kryesore të librit në rajon, si një mënyrë për të promovuar vlerat tona më të mira.
I themeluar në vitin 2015, ky fond synon promovimin dhe mbështetjen e përkthimit të letërisë shqipe në mjedisin ndërkombëtar. Gjatë këtyre viteve janë mbështetur 11 përkthime të veprave të autorëve të rëndësishëm të letrave shqipe si: Fatos Kongoli, Luljeta Lleshanaku, Bashkim Shehu, Ridvan Dibra, Stefan Çapaliku, Ardian Vehbiu, Mira Meksi, e të tjerë.
Gjatë këtyre tre viteve janë vënë në dukje dhe vlerësuar për bashkëpunimin përkthyesit e huaj: Esperanza Roces Gonzales, Evelyne Noygues, Caterina Zuccaro, Lucia Paprckova, Anna Couthures, Valentina Notaro, etj.
Edhe pse ky fond u krijua për të ndihmuar me përparësi përkthyesit e huaj që përkthejnë nga gjuha shqipe, nuk kanë munguar dhe mbështetjet për përkthyesit shqiptarë që kanë tashmë një njohje dhe një përvojë të gjatë në përkthimet në gjuhë të huaj. Kjo nisur nga nevoja e ngutshme dhe boshllëku që ekziston në formimin e përkthyesve të rinj të interesuar për të përkthyer nga gjuha shqipe.
Përmes këtij Fondi, Ministria e Kulturës kujdeset gjithashtu për të vendosur standardin e respektimit të së drejtës së autorit si një nga kushtet e domosdoshme për t’u përzgjedhur.
Mësohet se kjo thirrje do të jetë pjesë e përhershme e politikave të QKLL-së për të promovuar kulturën dhe librin shqip në kultura të tjera. Ajo synon të mbështesë përkthimin e veprave më të rëndësishme të letërsisë shqipe në prozë, poezi, eseistikë etj.
Ministrja e Kulturës Elva Margariti, e pranishme në ceremoni, bëri një tjetër premtim për librin, teksa lajmëroi se do të ketë rishikime të aktivitete që nuk janë realizuar.
“Deri në fund të vitit do të garantojmë disa fonde të posaçme për botime të reja, që nuk ishin të parashikuara, por me të gjithë rishikimet e aktiviteteve që nuk kemi mundur t’i realizojmë për shkak të pandemisë, mendojmë që është e drejtë që t’i kanalizojmë drejt librit, pasi ai është i vetmi që nuk na braktisi në këto kohë të vështira.”, tha Margariti.
E konceptuar si një hapësirë bashkëkohore, QKLL tashmë ka nisur punën për të vijuar me prioritet në shërbim të librit shqip.
“Tashmë libri ka një institucion dedikuar atij, ne do të mbështesim Qendrën në vizionin e saj në shërbim të librit në vend”, siguroi Ministrja Margariti.
Vetëm një javë më parë QKLL hapi fondin e letërsisë për fëmijë, një ftesë për të mbështetur autorët shqiptarë që shkruajnë në këtë gjini.
Sipas Bardhylit, situata e krijuar me Covid 19 ka bërë që të kërkohet një formë e re komunikimi përmes librit, në rrugët e reja që t’i jep teknologjia.
Si aplikohet?
Kërkesa për këtë fond duhet të dorëzohet nga një botues i huaj, i pajisur me licencë botimi, përmes përfaqësuesit të tij ligjor. Botuesi duhet të sigurojë të drejtat e autorit para se të aplikojë ose të paktën të jetë në proces të sigurimit të së drejtës së autorit, një proces që duhet të përfundojë deri në afatin e dorëzimit të aplikimit, specifikuar në kontratën e përkthimit (kontrata origjinale duhet të jetë në gjuhën shqipe ose në anglisht). Botuesi gjithashtu duhet të paraqesë kontratën me përkthyesin, kontrata origjinale duhet të jetë në gjuhën shqipe ose në anglisht. Po ashtu në faqen e QKLL thuhet se botuesi duhet të paraqesë një fragment nga libri origjinal dhe përkthimi i tij (20 faqe standarde, afërsisht 1800 karaktere për faqe, me hapësirë). QKLL është e angazhuar të parandalojë çdo keqpërdorim, abuzim ose kopjim të tekstit të përkthyer. Pas miratimit të mbështetjes financiare, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit do të nënshkruajë një kontratë me botuesin. Financimi i plotë apo i pjesshëm i përkthimit të siguruar nga QKLL, do të transferohet në llogarinë e botuesit.
Gazeta Liberale