Shelly Sanders është një gazetare dhe noveliste kanadeze, e cila e filloi karrierën e saj duke punuar si reportere televizive për CHEX-TV në Peterborough, Ontario. Ajo ka punuar në punë të ndryshme duke përfshirë një detyrë në Bordin e Arsimit të Torontos. Nisi të shkruante si gazetare për botimet kombëtare duke përfshirë Toronto Star, Revista Maclean, Canadian Living, National Post, Reader’s Digest, etj, dhe u botua si Shelly Sanders Greer në shumicën e artikujve të saj. Pas 20 vitesh si gazetare e pavarur, Sanders shkroi romanin e saj të parë, Rachel’s Secret, “Sekreti i Rakelës” një trillim historik, botuar në vitin 2012.
Kur e pyeta Shellin, se cili është libri që do të dëshironit t’a kishit shkruar ju, ajo m’u përgjigj: Do të kisha dashur të kisha shkruajtur romanin e autores Anita Diamant, “Tenda e Kuqe”, një tregim i fuqishëm që rrëfen se si jeta mund të ketë qenë për gratë gjatë kohërave biblike. Është një shembull i përsosur i trillimit historik, personazhet e të cilit janë aq të fortë sa që vazhdojnë të qëndrojnë me lexuesin shumë kohë pasi t’a kenë mbaruar së lexuari.
Bashkëbisedoi Esmeralda Kraja
Znj. Sanders, duke nisur nga fëmijeria juaj, ku u rritet dhe si ishte jeta juaj familjare?
Kam lindur në Toronto, Ontario Kanada, ku jetova për shtatë vitet e para të jetës sime. Unë isha më e madhja nga 3 fëmijët e lindur nga një baba shitës dhe një nënë që ishte mësuese. Që nga lindja, unë isha plot energji, vazhdimisht duke hyja në telashe dhe bëja rrëmujë. Mësuesit asokohe shkruajtën në raportet e tyre se unë flisja shumë, nuk u kushtoja vëmendje dhe isha impulsive. Duke parë mbrapa ne kohë, jam e sigurt se do të isha diagnostikuar me ADHD, por kjo nuk ekzistonte në fund të viteve ’60 dhe në fillim të viteve ’70. Në vend të kësaj, unë u etiketova si një fëmijë me probleme. Kur isha 7 vjeçe, ne u transferuam në Rolling Meadows, Illinois, ku bashkova kulturat amerikane dhe kanadeze derisa u transferuam përsëri në Kanada, kur isha gati të filloja shkollën e mesme.
Cila është formim juaj?
Formimi im është kanadez, me të dy prindërit nga Montreal, Quebec, por me prejardhje angleze. Ne nuk kishim fe në familjen tonë, dhe që në moshë të re, kërkoja një drejtim shpirtëror, duke shkuar me miqtë në kisha dhe duke u ftuar te fqinjët tanë çifutë për darkat e së Premtes Shabbat (Shabat). Pavarësisht nga unë, gjyshja nga nëna ishte një hebreje ruse që i shpëtoi një masakre dhe e fshehu besimin e saj deri në ditën kur vdiq. Këtë e zbulova kur isha 18 vjeçe dhe isha gati të shkoja në universitet. Unë nuk e kam marrë kurrë seriozisht Judaizmin derisa lindi fëmija im i parë në vitin 1993. Hulumtimi im drejton shkrimet e mia sot.
Si dhe kur filluat si karrierën si gazetare dhe shkrimtare?
U pranova në programin e gazetarisë të Universitetit Ryerson pasi mbarova Bachelorin e Arteve në Letërsinë Angleze. Pas vitit tim të parë, mora një punë si reportere në televizion; kjo përvojë e formësoi qartazi karrierën time.
Shkrimtarja kanadeze Alice Munro dikur ka thënë “Lumturia e vazhdueshme është kuriozitet”. A mendoni se keni diçka të përbashkët me të?
Alice Munro është autorja ime e preferuar e tregimeve të shkurtra, dhe unë i lexoj shpesh tregimet e saj, për të mësuar prej saj dhe për të gjetur prehje në fjalët dhe personazhet e saj. Jam dakord me thënien e saj elokuente: “Lumturia e vazhdueshme është kuriozitet”, pasi kurioziteti ushqen jo vetëm shkrimin tim, por edhe jetën time. Ka kaq shumë gjëra që dua të di dhe të lexoj mbi ta, rusishtja (gjuha e të parëve të mi), Chagall (artisti im i preferuar që më frymëzon), libra (trillime dhe jo trillime), histori hebraike dhe gjenealogjia ime (ne jemi të formuar nga njerëzit që erdhën para nesh). Po të humbisja ndjenjën time të kuriozitetit do të ishte si të humbisja çdo shans lumturie. Do të ishte një jetë me mëndje të mpirë, pa kënaqësinë që marr nga kurioziteti im i lindur.
Zonja Sanders, ne do të donim të dëgjonim pak për librat tuaj, historinë dhe jetën e protagonistëve tuaj.
Romani im i parë, Rachel’s Secret u frymëzua pikerisht nga arratisja e gjyshes sime nga një masakër ruse. Unë nuk kam shkruar për pogromin që ajo përjetoi, përkundrazi, u përqëndrova në Pogromin e Kishinevit të vitit 1903 pasi ishte pogroma e parë e madhe e shekullit të 20-të dhe u përhap nga një botues i gazetës Hitleresque. Duke parë se si titujt e rremë ndeznin një masakër kundër Judenjve, duke shkatërruar komunitetin, kjo u bë e rëndësishme për mua.
Protagonistja e parë, Rachel Paskar, bazohet në karakterin e gjyshes time, një grua e vendosur që çau përmes universitetit të Kalifornisë, dhe u diplomua në Biznes në gjuhën e saj të pestë. Ajo kërkonte më shumë për veten nga sa gratë arrinin në përgjithësi në atë kohë, po kështu bën edhe Rachel Paskar. Ajo është një feministe e hershme që nuk interesohet për rolin tradicional të gruas dhe nënës.
Protagonisti i dytë, Sergei, është imagjinar, megjithëse babai i tij është një person aktual, siç janë shumica e personazheve në të tre librat e mi. Sergei, një djalë i krishterë rus, i rritur nga një baba antisemit, është i kundërti i Rakelës. Marrëdhënia e tyre, e cila fillon me armiqësi, evoluon ndërsa ngjarjet shpalosen dhe të dy fillojnë të shohin gjërat përmes syve të të tjerëve.
Duke qenë se jam edhe gazetare, kam dashur që romanet e mia të jenë sa më të saktë historikisht. Nëse shkruaj për një ngjarje tragjike, ku janë vranë njerëz në mënyrë të pamëshirshme, unë i nderoj jetët e tyre duke i bërë ata sa më realista që mundem. Kjo më pat hapur edhe debate me botuesin tim, i cili mendonte se skena e pogromit ishte shumë e dhunshme. Unë nuk pranova ta reduktoj, duke i theksuar se e kam bazuar në dëshmitë e të mbijetuarve. Kam kaluar një vit duke hulumtuar këtë pogrom, njerëzit dhe vendin përpara se të shkruaj një fjali, për t’u siguruar që është njëkohësisht bindëse dhe faktike.
Libri im i dytë, Premtimi i Rachel-it, është një vazhdim i tregimit të Rachel, i frymëzuar përsëri nga ikja e gjyshes sime në Shanghai, ku Hebrenjtë u pranuan pa letra. Sergei, ndërkohë, përfundon të punojë në një fabrikë në Moskë, duke hasur në kushte të këqija të pune që çojnë në pjesëmarrjen e tij në rebelimin e së Dielës së Përgjakshme, që la të vdekur një numër të madh rusësh të paarmatosur.
Libri i tretë në The Rachel Trilogy, Hope of Rachel, shënon udhëtime tronditëse për Rachel dhe Sergei, të cilët kanë frikë se mund të mos shihen më përsëri. Rachel dhe familja e saj udhëtuan në drejtim të Kalifornisë, të njëjtin udhëtim që bëri gjyshja ime, në ndjekje të stabilitetit në Amerikë. Sergei pastaj arrestohet në Shën Petersburg. Nga atje, ai është i detyruar të bëjë një udhëtim të rrezikshëm për jetën, drejt punës së detyruar në Siberi.
Këto libra kanë marrë disa çmime, dhe janë quajtur Notable Books “Libra të Dallueshëm” nga Shoqata e Bibliotekave Hebraike, dhe tani përdoren në kurrikulat e Holokaustit në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada.
Çfarë ju frymëzon të shkruani? Kush ka qenë ndikimi juaj më i madh? Cilat libra kanë ndikuar më shumë tek ju?
Si shumica e shkrimtarëve, unë frymëzohem nga histori që ndjej të nevojshme të tregoj. Në rastin tim, këto ngjarje i kanë rrënjët në historinë e familjes time, gjë që i bën ato më personale për mua. Unë shkruaj çdo ditë dhe e dua sfidën e vazhdueshme për të gjetur fjalët e duhura. Shumë shkrimtarë kanë ndikuar tek unë, nga Alice Munro, J. D. Salinger deri tek Laura Ingalls Wilder. Por libri që më ka ndikuar më shumë është “Të vrasësh zogun përqeshës” i Harper Lee. E kam lexuar për herë të parë kur isha në klasën e shtatë dhe mbaj mend që jam tronditur nga egërsia e të bardhëve ndaj njerëzve me ngjyrë. Më hapi sytë ndaj racizmit, jetës në jug dhe ndaj fuqisë së trillimit historik.
Në të kaluarën ju keni thënë: “Herën e parë që kam lexuar “Ana Karenina” jam tërhoqur nga afera skandaloze e Anës dhe Kontit Aleksei Vronski. Akoma mendoni kështu?
Unë jam akoma e magjepsur nga lidhja e Anës me Kontin Aleksei Vronski, sepse lidhja e tyre ishte e bazuar në dashuri, jo në detyrim, mbi të cilin bazohej martesa e saj. Kjo ishte si një dritë që veproi fuqishëm në çeshtjen e grave të asaj kohe, të cilat trajtoheshin si qytetare të klasit të dytë, dhe shërben si kujtesë për rëndësinë e vullnetit të lirë, të privilegjit tonë për të bërë zgjedhje ndërsa fitojmë pjekuri, një privilegj që nuk ndahet nga gratë në perandorinë Ruse.
Cila është një mesazh që do t’i jepnit femrave të brezit të ri?
Mesazhi im për femrat e reja, që përfshin edhe vajzat e mia, 24 dhe 26 vjeç, është që të ndjekin pasionin e tyre. Do të kaloni pjesën më të madhe të jetës tuaj duke punuar, kështu që sigurohuni të bëni diçka që doni, punën që dashuroni ose do ndjeheni pëerjetësisht të mjera. Paraja është e rëndësishme deri në një farë mase, e unë kam mësuar se nuk është aq e rëndësishme sa mendoja. Ne nuk kemi nevojë për gjëra të tepërta, ne kemi nevojë për sfida, për shanse që të mendojmë në mënyrë krijuese, t’i zbatojmë idetë tona, ta bëjmë këtë botë një vend më të mirë.
Falënderimet e mia Shelly Sanders për kohën që më dedikuat në këtë bisedë.
Faleminderit për konsideratën Esmeralda. Maj, 2020
Esmeralda Kraja është bashkëthemeluese dhe drejtuese e projektit “MUZAT”. Pasi ka përfunduar rreth 70 intervista dhe dëshmi karriere të sukseshme me femra nga e gjithë bota, nga Veriu në Jug, nga Lindja në Perendim, ajo po përgatitet t’i publikojë ato në një libër, duke sjellë portrete nga më të ndryshmet si: shkrimtare, aktiviste, aktore, pilote avioni, filantrope, bisneswmens, muzikante, arkitekte, avokate, sportiste, balerina etj.
Në librin që po përgatitet, do të gjeni intervistën me stilisten e cila ka veshur Tiffany Trump, artisten dhe kaligrafen që ka disenjuar “Saudi pavilion logo at Shanghai 2010”, balerina nga “Opera National De Paris”, “Zurich Ballet”, “The Bolshoi Theater of Moscoë”, dhe balerina tangoje nga Argjentina, vajzën e biskotave që ka magjepsur familjen mbretrore të Dubait, gazetaren që ka intervistuar gjatë karrierës së saj Mel Gibson, Oprah Winfrey, Dolly Parton, etj, disajnër për Google, Balenciaga, USA Today, Red Bull, Bentley, Porsche, Audi, etj. patinatore akulli nga tre shtete të ndryshme me tituj kombëtare e ndërkombetare. Këta janë vetëm një pjesë e pjesëmarrëseve. I ftuari i vecante në këtë libër është mister dhe nuk bëhet publik deri në daljen e librit.