Kohët e fundit Shtëpia botuese “Fan Noli” ka vënë në qarkullim një libër shumë të rëndësishëm me titull FASHIZMI: Një Paralajmërim, të znj. Madeleine Albright, shqipëruar nga përkthyesja e mirënjohur Engjëllushe Shqari.
Ky libër përfaqëson një shqyrtim personal dhe ngulmues të fashizmit në shekullin XX dhe të mënyrës se si trashëgimia e tij po formëson botën e sotme, shkruar nga një prej punonjsëve civilë më të admiruara të Amerikës, e para grua që arriti të bëhej Sekretare e Shtetit.
Shekulli XX u karakterizua nga përplasja midis demokracisë dhe fashizmit, duke krijuar pasiguri në lidhje me ekzistencën e lirisë njerëzore dhe duke lënë pas miliona të vdekur. Duke marrë parasysh këto tmerre, njeriu pret që bota të mos i pranojë pasardhësit shpirtërorë të Hitlerit dhe Musolinit, nëse lindin në epokën tonë.
Te vepra Fashizmi: Një Paralajmërim, Madeleine Albright rrëfen përvojat e saj nga jeta si fëmijë në Evropën e shkatërruar nga lufta dhe nga karriera e saj e shquar si diplomate.
Fashizmi, sikundër tregon Albright, jo vetëm që mbijetoi gjatë gjithë shekullit të njëzetë, por tani ai përbën një kërcënim më djallëzor për paqen dhe drejtësinë ndërkombëtare se në çdo kohë tjetër që pas Luftës së Dytë Botërore. Vrulli i demokracisë që përfshiu botën me rënien e Murit të Berlinit ka bërë hapa mbrapsht. Në shumë vende, faktorët ekonomikë, teknologjikë dhe kulturorë po e dobësojnë qendrën politike, duke fuqizuar ekstremet e djathta dhe të majta.
Fashizmi: Një Paralajmërim është një libër për kohën tonë, por që ka vlerë për të gjitha kohërat. Shkruar me mençuri nga dikush që jo vetëm e ka studiuar historinë, por edhe ka ndihmuar në formësimin e saj, thirrja për t’u ngritur na jep mësime që duhet t’i kuptojmë dhe shtron pyetje, të cilave duhet t’u përgjigjemi nëse duam të shpëtojmë veten, duke mos përsëritur gabimet tragjike të së shkuarës.
Te vepra Fashizmi: Një Paralajmërim, M. Albright lidh historinë e saj personale me historinë e fashizmit në Itali me Benito Mussolinin dhe në Gjermani me Adolf Hitlerin në fillim të shekullit të 20-të, pastaj kalon te veprat e diktatorëve më modernë. Ajo flet për përvojën e saj, duke treguar faktet që lidhen me ardhjen në pushtet të çdo fashisti, dhe më pas duke u mbështetur në periudhën kur ishte Sekretare e Shtetit e SHBA-së. Nga të gjitha agjencitë botërore kjo vepër cilësohet si një nga librat më të rëndësishëm të të gjitha kohëve. Siç pohon filozofi George Santayana: “Ata që nuk kujtojnë të kaluarën, janë të dënuar ta përsërisin atë”. Fashizmi: Një paralajmërim është një vështrim tejet i kthjellët për gjendjen e botës së stome, shkruar nga një grua që njeh shumë mirë rreziqet e natyrshme në fashizëm. Zonja Albright e nis librin e saj duke analizuar se ç’ është fashizmi dhe cila është origjina e tij në Itali me Musolinin në vitet ’20, dhe më pas me Hitlerin në Gjermani në vitet ’30. Ajo analizon arsyet pse fashizmi u ngrit në radhë të parë, gjë që i shtyu njerëzit të pranojnë liderë të tillë si Hitleri dhe Musolini, Franko dhe Kim Il Sung; ajo analizon se si erdhën në pushtet këta njerëz, si e gjetën veten në pozicione që u lejuan atyre të shkaktonin vuajtje kaq të mëdha për qytetarët e tyre.
Demokracia dhe fashizmi u përplasën gjatë shekullit të 20-të. Dikush mund të ketë kujtuar se pas rënies së Hitlerit dhe Mussolini fashizmi vdiq. Përkundrazi, ai jo vetëm që qëndronte, por ngriti kokën e tij të shëmtuar edhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, duke përbërë një kërcënim të tmerrshëm për paqen botërore dhe të drejtat e njeriut.
Që demokracia të triumfojë, njerëzit jo vetëm që duhet të informohen, por edhe të flasin. Ne duhet të analizojmë të kaluarën, të shohim se si ajo ndikon mbi të tashmen dhe t’u kushtojmë vëmendje paralajmërimeve për të krijuar një të ardhme më të mirë për tërë njerëzimin.
MADELEINE ALBRIGHT punoi si sekretarja e gjashtëdhjetë e katërt e shtetit amerikan nga 1997 deri në 2001. Karriera e saj e shquar përfshin gjithashtu poste në Shtëpinë e Bardhë, në Capitol Hill, dhe postin e ambasadores amerikane në Kombet e Bashkuara. Ajo banon në Uashington, D.C dhe në Virxhinia.