Ndue Dedaj | Disa muaj më parë, nga një shtysë e brendshme, për t’i dhënë impuls leximit ndër miqtë e mi, fillova të paraqes në Facebook disa libra që më kishin lënë më shumë mbresa nga leximet apo rileximet e fundit. Dhe më kujtohet që pata paraqitur, përmes pasazhesh, romanin “Të fejuarit” e Aleksandër Manxonit, veprën “Andrra e Pretashit” të At Anton Harapit, revistën “Shejzat” që e boton Ardian Ndreca në Romë, si vijues e mishërues i denjë i Koliqit etj.
Kisha përzgjedhur dhe të tjerë libra, që do t’i hidhja, kohë pas kohe, si romanin “Ura mbi Drin” të Ivo Andriçit, romanin “Diella” të Martin Camajt, romanin “Në kërkim të fëmijës së humbur” të Ridvan Dibrës, romanin “Secili çmendet sipas mënyrës së vet” të Stefan Çapalikut, romanin “Gurët e vetmisë” të Tom Kukës (Enkel Demit), librin me tregime “Kohë për nuse” të Lazër Stanit e të tjerë.
Ndërkohë në shtyp kisha publikuar një vështrim kritik rreth romanit “Prilli i thyer” të Kadaresë, me rastin e dyzetvjetorit të botimit, një reçensë për romanin “Profeti nga Praga” të Musa Ramadanit, si dhe një ese mbi “Edipin mbret” të Sofokliut, në përqasje me një legjendë mirditase.
Por erdhi pandemia dhe nuk qe më e nevojshme ftesa për të lexuar. Libri që kishte zënë “myshk” nëpër raftet e bibliotekave, befas u kthye te lexuesi që e kishte pas braktisur jo pak. Për ta bërë më kreativ të lexuarit, ditë më parë, mbërrin te miqtë e tij ftesa e shkrimtarit Preç Zogaj, për të paraqitur çdo ditë një kopertinë libri, për dhjetë ditë rresht, por pa shënime të tjera, thjesht që të nxitej leximi dhe jo të vërshonin komentet për librat dhe autorët.
U ndjeva dhe unë i nderuar nga një ftesë e tillë dhe fillova të paraqes titujt e përzgjedhur aty për aty: “Lum Lumi” poezi të Ali Podrimjes, “Dhjata ime”, libër poetik (emblematik) i Ndoc Gjetjes, “Anjeza nuk u zgjua”, roman i Preç Zogajt, “Të gjallë dhe të vdekur”, libër poetik i Ilirian Zhupës, “Udhëtim për në vendin e gjërave që njohim”, libër poetik i Rudolf Markut, “Kryqi i harresës”, roman i Flutura Açkës, “Mbamendjet e mia”, kujtime të At Pierbattista Grumellit, përkthyer nga profesor Vinçens Marku, “Psalm për atin”, libër poetik i Sadik Bejkos, “Trajta të nëpërtymëta”, libër me poezi i Zef Zefit, “Margaritari i një çmendine”, roman i Salvador Gjeçit.
Mund të ishin të tjerë tituj në vend të këtyre, madje dhe të të njëjtëve autorë, por ishte një listë e çastit dhe jo ndonjë “studim” paraprak, ku librat shqyrtohen me syrin e kritikës letrare.
Ishin vetëm dhjetë ditë. Po sikur të ishin dhe dhjetë të tjera? Njëqind… Nga do t’ia nisnim? Ashtu si më parë. Me libra të përzgjedhur sipas të vetmit kriter, atij që lidhet me cilësinë e të shkruarit dhe të tekstit letrar. Ndaj, nëse do të kishim një ditë të njëmbëdhjetë, ja ku na shfaqet, në këtë vazhdë, romani “Ulku dhe Uilli” i Vath Koreshit, libri poetik “Vetmi” i Frederik Rreshpjes, poezitë e Dhori Qiriazit, poezitë e Agim Vincës, tregimet e Faik Ballancës, libra të Gjergj Vlashit, Skënder Buçpapajt, Luljeta Lleshanakut, Ledia Dushit, Isak Ahmetit, Ndue Ukajt, Demir Gjergjit, Mark Simonit, Sami Milloshit, Grigor Jovanit, Rexhep Shahut, Ernest Markut, Alket Bushit etj., krijimtari që dëshiron t’ua bësh me dije të tjerëve.
E vërteta është se çdo listim do të ishte i mangët!… Pas dhjetë emrash që ti shënon, rrinë dhjetë të tjerë, që i njeh apo nuk i njeh, larg ose afër teje. Por kjo nuk është një antologji, nuk është domosdo një hierarki letrare, është më së shumti një ftesë për lexim dhe njohje të autorëve. Dhe si e tillë meriton të vijohet, publikisht ose jo. Fundja, gjithmonë në rrethe lexuesish, aq më shumë krijuesish, janë shkëmbyer libra, dikur dhe ato që ishin të ndaluar nga regjimi. Kjo ka qenë një marrëdhënie fisnike mes shkrimtarëve e jo vetëm, që kurrë nuk u ndërlikua nga të shpërblyerit me “librat e verdhë”. Dikujt asokohe, në këtë mënyrë, i ka rënë në dorë poezia Ezra Pound apo Tomas Eliot, e dikujt tjetër “Lahuta e Malësisë”…
Nismëtari i “grupit” të listimit të dhjetë kopertinave, ku u përfshimë dhe ne, ishte poeti, shkrimtari, eseisti dhe përkthyesi i njohur Rudolf Marku, vlerësues e promovues i krijimtarisë letrare të kolegëve dhe inkurajues i të rinjve. Ani se pa synime të kritikës letrare në këtë mes, ky shpalim është dhe një “gjykim” për letërsinë më të mirë bashkëkohore, shqiptare e të huaj. E këtu na vijnë në ndihmë fjalët e Rudolfit, në përgjigje të një letre që poetesha Natasha Lako i drejtonte atij: “Nëse poezinë dhe krijimtarinë nuk do ta vlerësojnë vetë krijuesit, si mund të presësh vlerësim nga ata që Salvadore Kuazimodo i quante Armiqtë natyralë të Poezisë?”
Por nuk ishte vetëm ky rreth krijuesish që u bë përçues i libër-leximit në këtë formë, të tjera nisma të ngjashme shkrimtarësh kemi vërejtur në rrjetet sociale, që gjithashtu kanë zgjuar interesin për leximin. Kjo qasje listimi e librave është njëra anë e medaljes, ajo e dukshmja, pasi lexuesit iu drejtohen herë pas here shkrimtarëve, pedagogëve e mësuesve të letërsisë, botuesve, bukinistëve, librarëve, punonjësve të bibliotekave që t’iu sugjerojnë libra për lexim. Dhe nuk është vetëm libri artistik që qarkullon me “shkesë” profesionistë, por dhe ai akademik, shkencor, që ka një rreth më të kufizuar përdoruesish.
E ndërsa nisma për të nxitur leximin te të tjerët vazhdon, ndjen se dhe vetë je në kërkim të veprave e autorëve që ende nuk kanë mbërritur sa duhet tek ti, si Luan Starova, Bashkim Shehu, Besa Myftiu, Ardian Kristian-Kyçyku, Lindita Ahmeti, Entela Tabaku…, çka do të thotë se lexuesi është gjithnjë i interesuar për letërsinë e arrirë. Nuk do të ishte e tepërt një vëmendje e shtuar ndaj letërsisë shqiptare, edhe sa u përket nismave të leximit, jo aq për “patriotizëm”, se sa për faktin që ajo krijohet në mbarë trojet shqiptare (në disa shtete) e diasporë dhe ende nuk e ka të lehtë udhën për te lexuesi.
Në mbyllje, duhet thënë se ka dy muaj që është zhvilluar një “panair libri” i një lloji të veçantë, pa stenda libri e blerës në Pallatin e Kongreseve, por me lexues më shumë se më parë. Kjo ishte një sfidë intelektuale e gjendjes së karantinës, ashtu si muzika nga shtëpia etj. Por dhëntë Zoti që t’i kemi mbyllur hesapet me Covid 19, pa me librin shpresojmë të mos ndodhë si kësaj here: “Ra kjo pandemi dhe u pamë”.
/ mapo.al /