Ajo që nuk e kishim menduar asnjëherë se mund të bëhej pjesë e detyrueshme e jetës sonë është pikërisht mbyllja e të gjithë neve brenda shtëpive, ndryshe nga ç’bënim ditëve të tjera kur jetesa jonë ishte normale: me vrap për në punë, me kryerje të obligimeve, me takime shkencore e letrare midis një grupi të caktuar njerëzish, me seminare, me ndjekje të ligjëratave në amfiteatro universitetesh, me blerje të librave më të rinj panaireve të ndryshme… Thjesht një jetë që për ne ishte bërë e zakonshme. Duke pasur parasysh kohën në të cilën po jetojmë, secili u bë pjesë e një karantinimi botëror, është shumë e vështirë të thuhet se veprimet e lartpërmendura mund të kryhen ashtu siç i kryenim deri dje. Ndoshta për një kohë e kemi të ndaluar të lëvizim lirshëm për ta parë një film, për ta vizituar një mik, për të pirë kafenë në këndin e njëjtë ku jemi mësuar; ndoshta nuk mund të ecim lirshëm në vendin që ne na fal qetësi ose na frymëzon për vargje lirike, por nuk mund të themi se nuk kemi kohë për lexime e studime më të hollësishme që lidhen me temat e interesimit tonë, apo thjesht, për librat që na plotësojnë.
Kur flasim për këtë të fundit, pranë veprave letrare-artistike e atyre shkencore i kemi gjithmonë profesorët e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, të cilët me zell e mbajnë gjallë frymën e gjuhës sonë, për ta përcjellë atë me dinjitet në brezat e mëvonshëm, herë me anë të fjalës së bukur (letërsisë), e herë me anë të rregullave se si fjala e bukur të shkruhet drejt (gjuhësisë). Në këtë mënyrë ata ndikojnë drejtpërdrejt që tjetri (nxënësi, studenti, lexuesi apo kushdo tjetër) të rendë me gëzim pas një libri derisa ta gjejë e ta bëjë pjesë të bibliotekës së vet, ose të mësojë si ta flasë e ta shkruajë drejt gjuhën amtare.
Për ta kuptuar se me ç’libra i gjetëm në këtë kohë profesorët e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Universitetit të Tetovës dhe se në ç’strehë leximi ishin futur, e realizuam edhe intervistën e mëposhtme. Për lexuesin fisnik që letërsinë e ka njëherësh edhe profesion edhe dashuri jete, besojmë se titujt e dhënë nga ana e tyre do të jenë mundësi e mirë rekomandimi dhe të tillë që do të duan t’i lexojnë menjëherë.
Adelina XHAFERI: Profesoreshë e nderuar, të qenit bijë e një shkrimtari do të thotë të jesh gjithë jetën e rrethuar me mendime artistike, jo vetëm me ato të shkrimtarëve shqiptarë e të huaj, por edhe me ato të njeriut më të afërt (babait tuaj, profesorit të ndjerë Murat Isaku). Do të na thoni diçka për këtë fat tuajin?Pak edhe mbi atë se cilët tituj do ia sugjeroni lexuesit, duke u nisur nga një varg i madh librash të lexuara nga ana juaj, qofshin ata që mendoni se mund të bëjnë kthesë në jetën e tij ose ata me të cilët ju ka gjetur ky karantinim!
Prof. dr. Luljeta ISAKU: Vetë fakti i identifikimit tim nga të tjerët si bija e Murat Isakut, më bën që të kem shumë obligime ndaj atij emri. Të jetosh me një shkrimtar do të thotë të kesh dikë që mbi ty lë gjurmë morali; të dish se kur është mjaft dhe ç’është turp; të kesh gjithmonë një model për formimin e personalitetit. Nuk është e lehtë, por është e kënaqshme. E veçanta e kësaj jetese është obligimi që ke ndaj tij dhe zotësia për t’iu qasur jetës. Të jetosh me një shkrimtar do të thotë t’i lexosh dëshirat në sytë e tij, përpara se të tjerët t’i lexojnë në libra. Është fat i madh të jesh lexuesja e parë e dorëshkrimeve të babait tënd. Unë edhe sot jetoj nën hijen e personalitetit të tij e me urdhrin e tij që juve studentëve të mi gjithmonë t’ju trokas në zemër. Shpesh ju them në ligjërata se të jesh profesor do të thotë të zgjedhësh çka do të flasësh. Këtë po e bëj edhe për veprat që i sugjeroj për lexuesin. Ndoshta pas leximit të tyre i dalin në ndihmë dhe i flasin më tepër nga ç’mund t’u them unë për to:
- “Arka e djallit” – Dritëro Agolli – Është roman që përcjell shumë humor. Në fakt ky humor është tragjik për fatin e njeriut krijues. Dy personazhet e romanit, Cute Babulja dhe Bamkë Dynjaja krijojnë dialogë shumë të veçantë, që bartin peshë të rëndësishme në vepër. Njëri shkruan dhe vepron, si Ezopi, ndërsa tjetri vetëm udhëton dhe vepron, si Nastradini. Është roman tragjik për komleksitetin e natyrës njerëzore dhe për lirinë e kufizuar të mendimit.
- Romanet e Fatos Kongolit (“Lëkura e qenit”, “Jetë në një kuti shkrepësesh” dhe “Bolero në vilën e pleqve”) – Letërsia që krijon Fatos Kongoli është psikologjike dhe psiko-patologjike. Personazhet kryesorë përveç problemeve shoqërore kanë edhe probleme mentale. Ata kalojnë nëpër drama të çuditshme jetësore dhe nëpër histori dashurie të dëmshme. Përmes përjetimesh nga më të ndryshmet ata, dëshmojnë edhe për hapësirat e ngushta jo vetëm të banimit, por edhe të jetës shpirtërore. Personazhet nuk janë heronj. Janë njerëz të zakonshëm të jetës reale: skenaristë, gazetarë, motra medicinale; të moralshëm, të pamoralshëm, lesbike etj. Në këto romane shfaqjet skizofrenike të shoqërisë së sotme shqiptare të tranzicionit lidhen midis të tjerash edhe me faktin e dimensioneve të ndrydhura, të hapësirave të tyre të jetës që kanë qenë të ngushta, të vogla. Kjo padyshim ka ndrydhur edhe botën e brendshme dhe psikologjinë e personazheve. Kjo shfaqet në forma shpesh të dhimbshme.
- “Goja e botës” – Zija Çela – Me tematikën e shtjelluar vepra qëndron afër preokupimeve të botës shqiptare, e cila është me shumë pësime e dilema. Tragjikja dhe grotesku fuqizojnë njëra-tjetrën dhe shkrihen së bashku. Ëndrrat kanë versione të ndryshme, por të gjithë njerëzimi i sheh. Fifara dhe fifarasit nuk janë projeksion vetëm i një Shqipërie. Ky vend dhe këta banorë janë projeksion i shumë qyteteve të ngjashme në botë.
Adelina XHAFERI: Profesor i nderuar, pothuajse gjithë jeta juaj ka kaluar duke u marrë me poezi. Poezitë tuaja shprehin ndjenja mjaft të forta. Për këtë si gjithë të tjerëve, edhe juve për të arritur deri këtu ju është dashur një lexim i madh paraprakisht. Po për lexuesin e sotëm, cilat vepra do t’i sugjeroni, mbështetur edhe në ato që i keni nëpër duar këto kohë?
Prof. dr. Ejup AJDINI: E nderuar, me krijimtari poetike merrem më tepër se dy dekada, duke dashur që me të, të shpreh një botë ndryshe nga realja; botë, të cilën do ta kuptojnë vetëm njerëzit me ngritje morale, intelektuale dhe estetike, ngase këtë qëllim ka arti. Ka shumë vepra që në periudha të ndryshme të jetës më kanë lënë mbresa të mëdha dhe që i kam rilexuar disa herë, por për lexuesin do t’i veçoja veprat, të cilave u jam rikthyer kohës së fundit:
- 1. “Lumi i vdekur” – Jakov Xoxa – Nuk ka gjë më të bukur se të arrish të përshkruash fatin e familjeve shqiptare (familja e Shpiragajve dhe e Tafilajve) në hollësi, përballë padrejtësive të shumta, dhe nga to të nxjerrësh personazhe që e mohojnë realitetin e që nisen për një jetë më të ndritur. Janë fatet e dy familjeve të romanit në fjalë ato që e bëjnë lexuesin të rendë pas tyre, ta dëshirojë fitoren për guximtarët dhe ta pohojë dashurinë e të rinjve (Adilit dhe Vitës) edhe pas mbarimit të romanit. T’i ndjekësh ato në çdo faqe është si ta ndjekësh fatin tënd, fat të njëjtë me çdo shqiptar tjetër.
- “Hamleti” – William Shakespeare – Gjithmonë më kanë lënë mbresa krijimet e Shekspirit. Aty ka një frymë ndryshe, personazhet sa janë pjesë e përditshmërisë sonë, aq janë edhe të panjohur për ne. Kur e them këtë, gjithmonë mendoj në pikat e tyre vepruese. Të tillë e kemi edhe Hamletin, njeriun me dilema të mëdha, të trashëguara edhe në ne, ndonëse kohërat janë të ndryshme. Sa herë që e merr në dorë këtë vepër, mendon se do të zbulosh të vërtetën dhe se do të jesh më i qetë. Por ndodh e kundërta, ai të shtonë edhe një dilemë tjetër.
- “Antigona” – Sofokliu – Janë të shumta veprat letrare, të cilat na njohin me protagonistin që në titullin e tyre. E tillë është edhe “Antigona”, tragjedia e Sofokliut, gjeniut të artit antik grek. Guximi i saj që të varrosë vëllanë e vet edhe përkundër urdhrit të mbretit që ai të mbetet i pavarrosur, tregon për një trimëreshë të madhe përballë ligjeve të kohës. Për të më e rëndësishme ishte plotësimi i detyrës ndaj një të vdekuri, edhe pse u viktimizua, se sa të ishte robëruese e ligjeve mbretërore. Kjo njëherë është edhe ideja e veprës. Shpirti i protagonistes e bën veprën të paharrueshme. Të mos i nënshtrohesh të fortit do të thotë të jesh vetë një i tillë. E mora sërish në duar këtë vepër ngase është e pazëvendësueshme.
Adelina XHAFERI: Profesor i nderuar, studimet që ju i keni sjellë përpara lexuesit japin një frymë ndryshe nga ajo që jemi mësuar të lexojmë. Aty shohim gjëra të reja, të cilat i sillni me një trajtim të ri. Shpesh thoni se nuk bëni pjesë në brezin e poetëve ose prozatorëve, por po të ndalemi në disa nga krijimet tuaja shohim se kanë një lirizëm të fortë. Për ta arritur këtë, ju është dashur lexim i ditëpërditshëm që nga mosha e fëmijërisë. Nga ajo moshë cilat vepra kanë pasur ndikim të madh te ju e që njëherë ju kanë motivuar të bëheni edhe profesor letërsie? Do të na thoni edhe diçka lidhur me atë se me ç’vepra ju gjeti ky karantinim?
Prof. dr. Fatmir SULEJMANI: Komentin për studimet e mia po ua lë lexuesve, ndërsa vetë po ndalem në pyetjet tuaja. Kam shkruar edhe herë të tjera për veprat që kanë përcaktuar rrugën time jetësore, që më kanë motivuar të bëhem mësues letërsie. Sebepi i parë i kësaj rruge u bë vëllai im i madh, që në rininë e tij ishte lexues i pasionuar i romaneve aventuristike. Duhet të kem qenë klasa e pestë a e gjashtë, kur ai më nxiti të lexoj romanet të cilat do t’i përmendi më poshtë. Pas leximit të tyre, letërsia u bë jeta ime. Efekti i parë i këtij “infektimi” ishte ngjallja e dëshirës për leximin e librave të ndryshëm dhe bërjen e një biblioteke personale. Natyrisht, asokohe nuk e kisha as idenë elementare për llojet/ zhanret letrare dhe nuk e dija se kisha lexuar dy-tre libra që përbënin kajmakun e prozës narrative botërore. Thjesht: i lexoja si përralla, pa qenë në gjendje të komunikoj me shtresat abstrakte/ të nëntëshme kuptimore. Andaj, për lexuesin e kohës do t’i ndajë veprat që më shtynë t’i nisesha rrugës së mësuesisë e të letërsisë:
1.“Konti i Monte Kristos” – Alexandre Dumas – E kam lexuar shumë herë gjatë rinisë së hershme, pa u ngopur kurrë me historinë e letrarizuar të heroit fatkeq Edmond Dantesit, i cili u burgos ditën e martesës me akuzën për tradhti dhe u bë pre e shpifjeve të kriminelëve, që donin t’ia marrin pasurinë dhe gruan e bukur. Romani në fjalë është sagë epike mbi dashurinë, drejtësinë, urrejtjen dhe hakmarrjen, e shkruar me fantazi të bujshme dhe me dialogë të gjallë, që e bëjnë për vete edhe lexuesin më indiferent.
2.“Udhëtimet e Guliverit”– Jonathan Swift – Është satirë politike, që ka për hero marinarin Guliver, anija e të cilit fundoset, ndërsa ai papandehur gjendet në ishullin e çuditshëm të popullit të liliputëve, njerëzve me përmasat e pëllëmbës së Guliverit. Mua në veçanti më bëri për vete pjesa e romanit kur Liliputët e dërgojnë Guliverin te mbreti, i cili fillimisht e burgosi, po pastaj e lëshoi të kthehet në shtëpi, pasi ai (Guliveri) u ndihmoi të fitojnë një betejë detare me kundërshtarët e tyre. Siç ju thashë më lart, në kohën kur e lexova për herë të parë nuk e dija se romani i këtij autori ishte vepër alegorike, që thumbon me mjeshtri të rrallë marrëdhëniet ndërnjerëzore në shoqërinë angleze të shek. XVII.
- Para tyre, hiq lektyrat shkollore dhe librat me ilustrime, kisha lexuar tri vëllimet e vogla me titullin “Tregime nga Shekspiri” të përshtatura për mosha të reja nga Charles & Mary Lamb, prej të cilëve më la pa frymë “Otello”, vepra që përcaktoi pasionin kyç dhe profesionin tim jetësor. Është njëra nga tragjeditë më të mira të dramaturgut të madh anglez, Shekspirit. Ajo flet për gjeneralin arap të Venedikut – Otellon, i cili martohet me Desdemonën, bijën e një senatori, përkundër refuzimit kategorik të tij. Pas një kohe, Otello i sinqertë dhe naiv njëkohësisht bie në grackën e nënoficerit Jago, që shpifte se e shoqja po e tradhton me mikun e tij Kasin. Kaq u desh që Otello ta mbysë Desdemonën, për ta vrarë më pas dhe veten, kur kuptoi mashtrimin e Jagos.
Po ndalem pak edhe në veprat që lexoj gjatë këtyre ditëve të qëndrimit të detyrueshëm në shtëpi. Në fakt, në 40 ditët që lamë pas, kam rilexuar vepra të rëndësishme, që gjithsesi meritojnë të lexohen edhe prej të tjerëve. E fillova me romanin “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” të J. Buxhovit, ngase në të janë thënë shumë gjëra me të cilat ballafaqohet sot njerëzimi, ndërsa më pas rilexova me shumë qejf studimet e jashtëzakonshme të akademik Sh. Sinanit:“Camaj i paskajuar” dhe “Hieronymi në botën arbëreshe”. Pjesën e mbetur të kohës jam preokupuar me përfundimin e librit “Për letërsinë”, të cilin shpresoj ta botoj gjatë këtij viti.
Adelina XHAFERI: Profesor i nderuar, po të ndalemi në studimet tuaja, shohim se për trajtim keni marrë kryesisht letërsinë shqipe për fëmijë (prozë/poezi). Nga leximet tuaja, cilat vepra ju kanë lënë mbresa e ju shoqërojnë gjithmonë, qoftë edhe për ndonjë segment të vogël? Cilat vepra i keni në duar këto kohë karantinimi e që do t’i sugjeroni edhe për lexuesin?
Prof. dr. Shefqet ZEKOLLI: Libri ka ndikim pozitiv në orientimin, edukimin dhe argëtimin e njeriut, posaçërisht sa ai është i ri. Ai të fisnikëron mendjen dhe shpirtin. Kjo mbyllje jona në këtë kohë më ka detyruar t’u rikthehem disa veprave, për ta kujtuar edhe kohën time të studimeve e disa të tjera t’i lexoj për herë të parë, ngase një jetë nuk mjafton për t’i lexuar të gjitha. Ndoshta lexuesit të kohës do t’i hyjnë në punë këto tituj:
1.“Nga jeta në jetë – Pse?”– Sterjo Spasse – Kah fundi i viteve ’60, atëherë kur isha regjistruar në shkollë të mesme dhe kur lexoja çka do të më binte në dorë, gjeta edhe këtë roman filozofik. Për të flitej se “bën çudira” dhe se është “i rëndë” për t’u lexuar. Unë u rrita me këtë roman dhe me veprat tjera të këtij autori. Edhe sot i kthehem, ngase përpos personazhit të veçantë për nga paraqitja e tij përballë shoqërisë së kohës, me të më lidh edhe kujtimi mbi të kaluarën time.
- Nga letërsia botërore do të veçoj sidomos veprat e Shekspirit, si: “Makbeth” dhe “Hamleti”. Dy vepra madhështore, të cilat për nga tema kanë pushtuar botën e lexuesve, duke e vënë atë përballë pikëpyetjeve të shumta e të pazgjidhshme. Në kohën kur unë isha ende në shkollë të mesme përkthimi i këtyre veprave ishte nën thjerrëzën e pushtuesit të atëhershëm, por ne sërish i lexonim edhe fshehtas. Ndoshta kjo më ka bërë që të lidhem tepër me to.
- “Dimri i vetmisë së madhe” – Ismail Kadare – Një roman mbresëlënës, të cilin së fundmi e kam sërish në dorë, jo duke u mbështetur vetëm në talentin e autorit të shfaqur që në hapat e para krijuese, por edhe për temën që trajtohet në vepër. Pra është ngjarja e madhe historike, shkëputja e shtetit shqiptar nga kampi sllavo-komunist. Romani ka plot shtresa personazhesh dhe vetëm një bërthamë- shkëputjen shqiptare nga Moska, të cilën njëra ndër personazhet e quan “shenjë të bekuar”. Romani ka pjesë interesante që janë mjaft nxitëse për t’i shkuar deri në fund.
Adelina XHAFERI: Profesor i nderuar, ju i përkisni fushës së gjuhësisë dhe leximet/studimet tuaja lidhen me këtë fushë. Por, të qenit profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe do të thotë të jesh në çdo kohë i rrethuar si me libra gjuhësie, ashtu edhe me libra letërsie. Nga kjo e fundit, cilat vepra do t’i sugjeroni për lexuesin, qofshin edhe ato me cilat ju ka gjetur ky karantinim?
Prof. dr. Izmit DURMISHI: Ç’është e vërteta Adelinë, në kohën kur lexonim letërsi, nuk dinim të mbanim shënime dhe pothuajse çdo gjë na ka shkuar në harresë. Kohën e fundit jam përkushtuar më tepër në një studim timin dhe ndonëse po merrem me gjuhësi gati dy dekada, për lexuesin po i sugjeroj këto tituj veprash, me të cilat ai do ta kalojë më lehtë këtë kohë të vështirë:
- “Dantja i pashmangshëm” – Ismail Kadare – Një histori e shkurtër e Shqipërisë me autorin e “Komedisë hyjnore” D. Aligierin. Vepra synon të ketë për temë boshte leximin e saj edhe në vende ku ishte e ndaluar. Vet Firenca e kishte dëbuar autorin nga vendlindja, ngase vepra në fjalë ishte kumti më i fuqishëm, i cili pasqyronte revoltën kundër padrejtësive që ushtronte pushteti i atëhershëm italian ndaj masës popullore. Kadare i dha kahen meritore kësaj vepre të madhe. Ai shtroi në vepër se Dantes nuk mund t’i iket dot, ashtu siç nuk mund t’i iket dot as ndërgjegjes.
- “Kështjella” – Franz Kafka -Në të autori trajton përpjekjet që bën njeriu për ta njohur botën enigmatike që e rrethon. Me urdhrin e nuk e dimë se kujt, kryepersonazhi i veprës, gjeometri K., e braktis atdheun, gruan, fëmijët dhe niset nëpër mot të lig e rrugë të parrugë, si në ndonjë përrallë të lashtë, për të gjetur diku një kështjellë, që është personifikim i të panjohurës, i asaj që gjithnjë nxit kërshërinë, shpresën dhe premton lumturinë. Një lloj errësire për kryeheroin e veprës është ajo që kërkon, që synon, ajo për të cilën ka sakrifikuar gjithçka. Autori sikur dëshiron t’i tërheqë vërejtjen kryeprotagonistit se, në çdo rrugë që ndjek dhe në çdo punë që kryen, rolin primar e ka vetëdija e njeriut.
- “Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj” – Karl Popper – Flet për intelektualë të mëdhenj dhe rolin që luajnë ata në masë. Autori me gojën plot flet edhe për gabimet e mëdha të tyre; rrëfen disa raste të njerëzve të tillë, të cilët në të kaluarën mbështetën sulmin e vazhdueshëm mbi paqen dhe arsyen. Ndikimi i tyre, që u sfidua shumë rrallë, vazhdon t’i drejtojë gabimisht udhëheqësit, mbi të cilët mbështetet mburoja e qytetërimit dhe po ashtu vazhdon t’i ndajë të njëjtit edhe në kohën tonë. Përgjegjësia për këtë ndarje tragjike bëhet edhe jona, nëse hezitojmë të shprehim kritikën tonë për njerëzit që na udhëheqin keq, pohon autori.
Adelina XHAFERI: Profesoreshë e nderuar, ajo që dimë për ju është studimi i hollësishëm që ua bëni veprave, duke u ndalur në pika mjaft tërheqëse e që njëherë kërkojnë edhe përgatitje paraprake. Po t’ju pyesim se ç’libra në duar keni këtë kohë, jemi të bindur se do të na përmendni jo vetëm ata që lidhen me letërsinë, por edhe libra të natyrave tjera. Po për lexuesin e sotëm cilat vepra do t’i jepni si sugjerim?
Prof. dr. Emine SHABANI: Po të ndalemi në atë se me ç’libra më gjeti ky karantinim i vështirë për të gjithë dhe se në ç’strehë leximi isha futur mund të përmendi shumë tituj, përfshirë aty libra letërsie, psikologjie, filozofie, libra teologjikë etj, ngase nuk mund të them se më plotësojnë vetëm ato të fushës për të cilën jam e përcaktuar. Në të gjitha mundohem të gjejë një mes të artë, ta marr energjinë e jashtëzakonshme dhe ta shoh bashkëveprimin e tyre. Por, për lexuesin e sotëm do t’i jap vetëm të mëposhtmet, me bindjen se do t’ia bëjnë më të lehtë këtë kohë:
- “Orestia” (trilogji)- Eskili dhe “Ifigjenia në Aulidë” – Euripidi – Pjesa e parë e trilogjisë, Agamemnoni nis me përshkrimin e rojtarit që fle mbi çati për të parë shenjën e fitores, zjarrin që duhej të dilte nga Mali i Idës nga Troja. Spontanisht rrëfimi kalon te nisja e anijeve akeje për në luftë, për ta kthyer Helenën e bukur, por deti nuk ka valë. Sipas Kalkas, priftit orakull, Artemisa kërkon sakrificë dhe kurban duhet të jetë vajza e Agamemnonit, Ifigjenia. Ky çast është mjaft interesant. Flijimi ishte kod zakonor popullor edhe pse bëhej për perënditë dhe në këtë rast duhej të flijohej Oresti, por Agamemnoni e flijon vajzën, sepse pasardhësit e fronit duhej të ishin djemtë. Ky akt e zemëron Klitemnestrën dhe të tri pjesët e trilogjisë funksionojnë mbi parimin shkak-pasojë. Skena kur Agamemnoni vendos të flijojë Ifigjeninë është ndër më tronditëset. Kjo na kujton flijimin e gruas në Kalanë e Rozafës. Sipas Eskilit, Ifigjenia flijohet, ndërsa sipas Euripidit, në çastin kur Artemisa u bind në besnikërinë e Agamemnonit, e ngriti Ifigjeninë dhe flijoi një sorkadhe. Secila pjesë të ngërthen brenda vetes duke të detyruar ta pranosh siç është.
- Bibla, Talmudi, Kurani (libra teologjikë) – Natyrisht librat e shenjtë kanë në vete parabola, metafora e alegori që duhet kuptuar tërthorazi/në mënyrë ambivalente, andaj përzgjodha edhe këto për sugjerim. Kjo mënyrë zhvillon mendimin abstrakt te njeriu dhe vlera e tyre për mendimin tim është e jashtëzakonshme. Besimi në Krijuesin e gjithësisë dhe urtësia e mençuria e tij gjendet kudo, në natyrë, në krijesat e gjalla dhe ata jo të gjalla, si dhe te trupi e sidomos truri i njeriut që çdo ditë na befason me mistere të ndryshme !
- Vepra distopike nga George Orwell dhe Aldous Huxley – Analiza krahasuese e veprave rrjedh nga ngjashmëritë dhe dallimet midis tyre me një përqendrim në studimin e filozofisë së rregullit të masave. Në romanet e Orwell-it, analiza përqendrohet në sadizmin e njerëzve që sundojnë me masën, duke përdorur metoda psikologjike që shkaktojnë frikë dhe makth, ndërsa te Huxley strukturat qeverisëse manipulojnë me masat, duke u dhënë atyre droga sintetike e ilaçe të ndryshme që i bëjnë të disponuar e të lumtur. Në vepra mbizotëron ideologjia totalitare, e cila, nëse e shohim hulumtimin e Frojdit, prapaskena e tyre psiko-analitike është një gjendje psikopatologjike, pasojë e fëmijërisë së hershme të pushtetarëve, e individualitetit të parealizuar dhe formimit jo të shëndetshëm në fazën e pjekurisë emocionale (0-6 vjeç), e cila lë pasoja të rënda për njerëzit, nëse nuk trajtohen.
Adelina XHAFERI: Profesor i nderuar, dimë se jeni një ndër poetët e tillë, poezitë e të cilit janë përzgjedhur të përfshihen edhe në antologji evropiane e të përkthehen edhe në gjuhë tjera. Vëllimet tuaja me poezi shprehin një poet me shpirt rebel, të mbushur me dashuri e të ushqyer me vepra letrare. Nga këto të fundit cilat i keni në dorë këtë kohë karantine dhe i sugjeroni të bëhen shoqërues edhe për lexuesit tjerë?
Prof. dr. Salajdin SALIHU: Gjatë kësaj kohe vetëveçimi kam lexuar disa libra eseistikë dhe historikë. Kjo kohë, përpos mbylljes, ka sjellë mjaft hapësirë për t’u marrë me shkrime e me studime varësisht nga natyra e tyre. Veprat të cilat më shoqërojnë në këtë kohë janë:
- “Murtaja” – Albert Camus – I jam rikthyer kësaj vepre, ngase është gjeniale. Ajo flet për epideminë, karantinën, frikën nga vdekja, solidaritetin njerëzor, por edhe për përfitimet meskine në kohë të vështira. Është kjo një vepër, në të cilën ndonëse gjithçka është e sajuar, duket sikur gjithçka është më reale se realiteti. Ja, kjo është letërsia e mirë, universale, e përjetshme!!!
- “Poezi” – Adam Zagajewski – Kam lexuar me nge një përzgjedhje poetike të Adam Zagajevskit. Më pëlqen ky evropian i mirë, që dëshiron të jetë aty ku është miqësia dhe solidariteti njerëzor. Është ky intelektuali që nuk dëshiron një Evropë të përgjumur mbuluar me batanije kufijsh dhe me urrejtjet e moçme. Krijon poezi në dukje shumë të thjeshta, por tepër të thella. Si puna e aisbergut.
3.“Historia e arbëreshëve të Zarës”- Mijo Çurkoviqi – Sapo përfundova së lexuari këtë libërth të botuar në vitin 1922. Autor është Çurkoviqi nga Arbanasi i Zarës. Këtë vepër autori ua kushtonte vendësve të tij. Aty flet për historinë e vendësve dhe përmend shumë personalitete me origjinë arbëreshe. Don M. Çurkoviq ishte kompozitor. Kishte studiuar për teologji dhe muzikë. Si intelektual punoi për ngritjen e vetëdijes kombëtare të arbëreshëve të Zarës. Vepra ka gjëra mjaft interesante, të cilat besoj se do i hyjnë në punë edhe lexuesit.
Adelina XHAFERI: Profesoreshë e nderuar, po të ndalemi në studimet tuaja shohim se vështrimin kryesor e keni te figura e gruas në veprat e Spasses, Migjenit dhe Floberit. Kjo përzgjedhje juaja sjell diçka të pathënë më parë për këtë figurë. Pse pikërisht kjo dhe a ju ka gjetur edhe koha e karantinimit me vepra që në qendër kanë gruan e të tillat i sugjeroni edhe për lexuesin e sotëm?
Prof. dr. Zejnepe ALILI-REXHEPI: Të them të drejtën përzgjedhja e temave me figurën e gruas në qendër, gjithmonë ka qenë në interes timin, duke e njohur psikologjinë dhe shpirtin e saj, por edhe duke dashur ta nxjerrë atë para figurës së mashkullit, që trajtohej më shumë se ajo. Por temat e tilla në studimet e mia kanë ardhur edhe si nxitje nga mentorët e mi, profesor A. Vinca dhe profesor A. Mustafa. Veprat që i kam tani në duar ua sugjeroj edhe lexuesve të tjerë:
1.“Kohë e pamjaftueshme” (kujtime) – Helena Kadare – Një vepër memoar, e mbështetur në kujtesën e një “gruaje”. Vepër e pasur me fragmente jetësore situatash të (pa)zakonshme, për ngjarje krejtësisht të zakonshme. Shënimet e një shkrimtareje (H. Kadare), të ruajtura nga një kohë e pakohë, kur vetvetiu jeta shndërrohej në refleks, duke e humbur vërtetësinë e duhur. Kujtimet shpalosin mendime, përjetime, shprehje…, gjithmonë me të bukurën e sinqeritetit dhe modestisë, që narratoren (autoren) e lartëson për shkathtësinë rrëfimore, teksa vepra del më shumë se përjetim, në fakt, një kryevepër.
- “Portreti i gruas” – Henry James – Subjekt që në qendërzim të rrëfimit ka “përballjen me fatin”, nëpër vijimin e jetës së kryeprotagonistes, ku nganjëherë bëhen zgjedhjet e gabuara. Shpesh, shoqëritë njerëzore e pasqyrojnë dramën e tyre, madje sa e sa herë mbi histori individuale, ku lindin personazhe “të fuqishëm”, që guxojnë më shumë seç u lejohet. Njësoj si në këtë roman, lexuesi ka njohur edhe protagonistet, si: Ema Bovari (“Zonja Bovari”), Ana Karenina, Tereza Deskoire etj… E më pas, një sërë temash mbi fatalitete të tilla, ngrenë parabola e studime shembullore për fatet njerëzore.
- “Emri i trëndafilit” – Umberto Eco – Një kryevepër botërore, që të tërheq brenda një leximi të dyfishtë, si një double coding, me sensin e përzgjedhjes së lexuesit me njohje ndërtekstuale, pra atij me përvojë leximore mbi një shumësi kuptimesh. Midis këtyre, gjithmonë të mbërthen dilema, nëse mund t’i quash bestseller cilësorë apo vepra shkencore-letrare. Shija ime leximore mbetet midis të dyjave!
Adelina XHAFERI: Profesor i nderuar, ju pjesën më të madhe të kohës e kaloni në lexime dhe studime të hollësishme në fushë të gjuhësisë. Por, jemi të bindur se ndoshta “vidhni” pak nga ajo kohë për të lexuar edhe ndonjë vepër artistike, përkrah atyre shkencoreve. Cilat vepra do t’i sugjeroni ju për lexuesin e sotëm, përfshirë edhe ato që së fundmi i keni në duar?
Prof. dr. Berton SULEJMANI: Po! Është e vërtetë kjo. Meqë po merrem më tepër me këtë fushë, koha ime më e madhe kalon duke lexuar libra të kësaj natyre. Për lexuesin po i jap si sugjerim dy vepra shkencore, si dhe një vepër artistike, e cila lë mbresa të mëdha për mënyrën e rrëfimit të hollësishëm.
- “Kronikë në gur” – Ismail Kadare – Në roman shkrimtari ynë duke qenë vetë tregimtar, përpiqet të rishohë me sytë e fëmijës, tetë vitet e para të jetës së tij. Përshkrimi i rrugëve, pjerrësia marramendëse e tyre, prania e gurit, banesat e çuditshme, të mëdha e të fortifikuara, kështjella-burg etj., veç Kadare di që t’i stërhollojë aq bukur. Tjetër që më ka nxitur të zgjedh këtë roman, është edhe gjuha në veprat e Kadaresë. Ky roman më bëri që t’i thelloj disa studime që i kisha filluar më herët rreth funksionit sintaksor të lidhëzës ndërsa, e cila kryen dy funksione sintaksore në fjali. Funksioni përqasor i saj ka përdorim më të dendur në arealin gegë, ndërsa ai kohor, në atë toskë. Ky gjeni i letrave shqipe, e përdorë në të dy funksionet (që nuk ndodh te secili shkrimtar yni). Pra, gjuha e veprës së tij është gjithëpërfshirëse. Madje, gjuha e veprës së Kadaresë në të ardhmen mund të jetë, pse jo, bazë e ndryshimeve/plotësimeve që do t’i ndodhin gjuhës standarde shqipe, siç i kanë ndodhur, po i ndodhin e do t’i ndodhin secilës gjuhë, përkatësisht, secilit komb të qytetëruar. Këtë ide, për herë të parë, e kam bërë publike në konferencën shkencore “Shqipja e sotme dhe marrëdhëniet e saj me gjuhët e tjera” që e organizoi Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren.
- Duke e pasur vokacion timin, sintaksën e gjuhës shqipe, zgjodha veprën shkencore të Mehmet Çelikut “Sintaksë e gjuhës shqipe (përbërësit sintaksorë)”. Është libër me vështrim të ri teorik të ndërtimit sintaksor të gjuhës shqipe. Njëherazi, është edhe vepër urëkaluese nga sintaksa tradicionale tek ajo e përbërësve sintaksorë. E veçanta e këtij libri shkencor, është edhe kujdesi i profesorit Çeliku për t’i ruajtur e kultivuar termat shqipe në vend të termave të huaj, siç ndodh me zëvendësimin e sintagmës me përbërës etj.
- “Gjuha shqipe dhe historia e saj” – Shaban Demiraj – Kjo vepër është një sintezë e studimeve për gjuhën shqipe. Duke filluar nga prejardhja e shqipes, karakteri indoevropian i saj, hipotezat e prejardhjes ilire të shqipes, huazimet e ilirishtes nga greqishtja e vjetër e latinishtja, shqipja dhe gjuhët e Ballkanit, bashkëpërkimet me rumanishten, emërimet e shqipes ndër shekuj etj. Pra, me këtë vepër, ju studentët e mi, por edhe të tjerët që duan të mësojnë për historinë e gjuhës shqipe, e keni shumë të lehtë. Krahas një studimi serioz që ka bë në këtë vepër, akademik Demiraj dëshmon se di të bëj libër, të sistemoj gjërat në mënyrë të kapshme për gjithsecilin.
Adelina XHAFERI: Profesoreshë e nderuar, edhe ju i përkisni fushës së gjuhësisë. Përkushtimin më të madh për lexime e keni në veprat që i përkasin kësaj fushe. Por, si çdo profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe edhe ju gjeni kohë për të lexuar vepra artistike, përkrah punës që bëni. Për lexuesin e sotëm cilat vepra do t’i sugjeroni, mbështetur edhe në leximet tuaja gjatë kohës së karantinimit?
Prof. dr. Zarije NUREDINI: Po, merrem me çështjet e gjuhës, kryesisht me Morfologjinë e gjuhës shqipe. Lënda konsiston në formimin e dijeve sa më të thella nga gramatika. Tani i jetojmë ditët në vrullin e pandemisë, të detyruar të lëvizim me kufizime vetëm për nevoja parësore. Vetëizolimi na dha të kuptojmë miqtë e vërtetë, që jam mirënjohëse për dashurinë dhe kujdesin e tyre pa pritur asgjë në kthim. Nga ditët në vetëizolim marr kohë për lexim, andaj, përveç materialit shkencor që shfrytëzoj për përgatitjen e ligjëratave për mësimin online me studentët e mi të cilët janë të mbyllur si unë, kohën tjetër e shfrytëzoj maksimalisht për lexim (p.s. edhe në letërsi çdo gjë është gjuhë), filma etj., dhe nuk mund të ankohemi se nuk kalon koha. Po corona nuk do të zgjasë përgjithmonë dhe jeta do të kthehet aty ku e kemi lënë. Mbase më kërkuat përshtypjet e mia për librat e lexuar gjatë kësaj kohe, do të veçoja:
- “Simfonia pastorale” – Andre Gide – Është një nga ato vepra që krijojnë paqe të çuditshme në shpirtin e atij që e lexon. Përkimi i titullit me njërën nga simfonitë e Betovenit, ka të ngjarë që nxit brenda lexuesit atë qetësinë e veçantë që mund të japë vetëm muzika. Romani më tepër se një histori dashurie që zhvillohet padiktueshëm nga miqësia e afërt, është roman mbi mirësinë, bujarinë dhe shndërrimin e njeriut në një strehë të madhe për tjetrin. “Simfonia pastorale” është nga ata libra që të zgjojnë dhe të lënë për një kohë të gjatë shijen se ke lexuar diçka të bukur.
- Novelat e Çehovit – Janë krijime të shkurtra, të cilat më bëjnë t’u kthehem gjithmonë. Është sharmi i rrëfimit dhe mprehtësia me të cilën autori e sheh dhe e përshkruan botën, ajo që e ka tërhequr lexuesin e kohës së Çehovit e që e tërheq edhe lexuesin bashkëkohor. Me sigurinë e atij që e di se tjetri s’ka për t’u zhgënjyer, ju ftoj ta lexoni në tërësi veprën e këtij gjeniu të letrave që e tregoi jetën ashtu siç është, me të gjitha hollësitë, çudirat dhe rëndomtësitë e saj.
- “Shpirt pezull” – Margaret Mazzantini – Vepra ka elegancën dhe sensualitetin e romanit italian. E shkruar nga një autore femër, vepra arrin të shpalosë para lexuesit një botë të kompletuar gruaje, edhe kur ajo vuan, edhe kur dashuron, edhe kur thjesht i jepet jetës. Historia e dashurisë dhe pasionit të Italias me personin që e rrëfen ngjarjen është linja kryesore e romanit, përmes së cilës degëzohen një sërë konfliktesh romaneske dhe hapen rrugë për reflektime të ndryshme gjatë leximit. Vepra lexohet si një lutje e gjatë mashkullore për tri gratë e rëndësishme të jetës së tij, si një lutje e gjatë që dhemb.
Adelina XHAFERI: Profesoreshë e nderuar, të qenit profesor letërsie do të thotë të jesh e rrethuar me libra, jo vetëm me ato që lidhen me punën tuaj, por edhe me ato që ju plotësojnë shpirtërisht. Ju përpos angazhimit në universitet ndani kohë edhe për lexime. Cilat libra i keni në dorë në kohën e karantinimit e që i sugjeroni edhe për të tjerët?
Doc. dr. Esmije VESELI: Faleminderit Adelinë! Mësimdhënësi gjatë gjithë kohës është duke lexuar e studiuar, ngase kjo është detyra dhe misioni i tij. Në këtë kohë pandemia ka mbërthyer të gjithë botën dhe ne si pjesë e saj, po mundohemi ta tejkalojmë kohën në mënyrë sa më të organizuar dhe cilësore. Distanca me ju (studentët) le të jetë një zgjidhje e çastit dhe shpresojmë të rikthehemi sa më shpejtë dhe të vazhdojmë aty ku e lamë. Atëherë, librat të cilat i kam lexuar pikërisht brenda këtij izolimi të detyruar janë:
- ,,Juda’’ – Amos Oz- Një ndër shkrimtarët më të lexuar dhe më të njohur në Izrael, dhe jo vetëm. Figurë shumë dimensionale dhe një romansier i shkëlqyer. “Juda” është një vepër me shumë shtresime, provokuese, me historinë e dashurisë, dhe nga ana tjetër trajton teorinë mbi Krishterimin (Kush është Juda i vërtetë?). Përmes një historie personale, familjare dhe qytetëse, ai na çon sërish aty ku dhembja e gërryente vazhdimisht, Izraeli dhe fati i tij, ku dashuria dhe urrejtja ishte e ngjashme edhe për banorin e së njëjtës shtëpi, palestinezin. Ja vlen të lexohet!
- 2. ,,Refleksione etnokulturore” – Izaim Murtezani – Pasqyron çështje të ndryshme që ndërlidhen me një pjesë të trashëgimisë sonë shpirtërore dhe materiale. Njëkohësisht, në sfondin e saj përmbajtësor mund të vërehen edhe vlerat tjera që kanë të bëjnë me mënyrën e jetesës, mënyrën e realitetit objektiv nga paraardhësit tanë mitik dhe tentohet nga ana e autorit të dekodohet përmbajtja e disa ritualeve, praktikave magjike, e narracioneve popullore në kontekst të kohës së ekzistimit të tyre. Një libër që duhet të lexohet!
- Libri i tretë i përzgjedhur është i një natyre krejtësisht tjetër nga ai i ashtuquajtur letrar. Bëhet fjalë për librin ,,Diplomacia” – Henry Kissinger – libër që na paraqet një reflektim mbi marrëdhëniet ndërkombëtare të së shkuarës dhe të tashmes. Kemi të pasqyruara pozitat e shumë shteteve, me fokus SHBA-të, shtetet Evropiane si dhe shtetet tjera të botës. Fillon me një pasqyrim të ngritjes së SHBA-ve, duke filluar nga presidentët si: T. Ruzvelt dhe U. Uillson, i ndjekur nga koncepti i shteteve Evropiane, duke përfshirë marrëdhëniet e tyre në situata të ndryshme gjeopolitike. Paraqiten ndërhyrjet e Amerikës, shkaqet dhe pasojat, si dhe pozicionimi i saj kundrejt fuqive tjera botërore. Përshkruhen ngjarjet më të rëndësishme rreth formulimit të rendit botëror si dhe përmban një kronologji të madhe të dhënash shumë të rëndësishme historiografike. Ja vlen të rreshtohet në mesin e librave të lexuar!
Adelina XHAFERI: Profesoreshë e nderuar, të kesh një shpirti artisti dhe atë ta shprehësh nëpërmjet poezisë, do të thotë të jetosh brenda një bote, në të cilën vallëzojnë fjalët më të bukura. Ju si një e tillë, cilat vepra do t’ia sugjeroni lexuesit duke marrë edhe ato që tani i (ri)lexoni ?
Ass. mr. Vjollcë BERISHA: Unë do t’i rekomandoja këta libra për ata që ende s’i kanë lexuar:
- “Princi i vogël” – Antoine de Sanit-Exupery – Mendoj se bën pjesë tek ata libra që e mbajnë pezull kërshërinë e lexuesit dhe i japin hov të jashtëzakonshëm imagjinatës së tij, duke vënë mënjanë edhe një grumbull mendimesh mbi filozofinë e jetës dhe gjërave të shtrenjta të saj. Ky libër është diçka që shkon e vjen sa te bota e të vegjëlve, e sa tek ajo e të rriturve. Kështu thonë pothuajse të gjithë dhe kështu do ta ndjejë edhe ai që do ta marrë në duar. Do t’ia qëllonim më shumë nëse do të thoshim se ky nuk është një libër për fëmijë, por libër për fëmijën brenda nesh. Atë fëmijën e parritur kurrë. Përmes rreshtave të tij e masim mirë se sa është ruajtur e sa bjerrur ai fëmijë në ne dhe ndjejmë keqardhje për të. Princi i vogël është ai djaloshi nga asteroidi B612 që thotë gjëra të mëdha në një mënyrë të thjeshtë, siç i shprehin zakonisht vocërrakët idetë e tyre mbi botën. Ai, përbri kësaj thjeshtësie sjell konkluzione të urta të rriturish, siç është bie fjala mendimi: “Është fare e thjeshtë: vetëm zemra sheh mirë. Thelbi për sytë është i padukshëm”. Vështrimi që ia bën ai miqësisë, dashurisë dhe humanizmit, si dhe toni i butë e me përkëdheli i rrëfimit, e fut në një botë magjike, gjysmë përrallore cilindo që rreket t’i qaset në derë, duke ia dalë kështu të bëhet përralla e parë ndërplanetare dhe futuriste e fondit të letrave. Shkrimi i kësaj vepre ka qenë për autorin një lloj sfide e politikës që kishte prodhuar luftën dhe një përpjekje për ta kapërcyer dimensionin banal të saj, duke e idealizuar njerëzimin si kategori jopolitike dhe vlerat e përhershme humaniste të tij, pse jo edhe fëmijërore?!
- “Frymë të vdekura” – Nikolai Gogol – “Një libër ku komiken nga kozmikja e ndan vetëm një shkronjë” – Secili që e merr në dorë përfshihet në atë rrëfim që rrjedh, në atë humor lehtësisht thumbues, i cili është brisku që e hap për një ekspertizë tërësore trupin e shoqërisë ruse të shekullit XIX, por që njëkohësisht shpërfaq edhe atavizmat e shoqërisë njerëzore në përgjithësi. Sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë i vezullojnë vlerat kësaj vepre ko(z)mike, që në shqip ka ardhur përmes mjeshtërisë gjuhësore të Dhimitër Paskos. Çiçikovi është heroi kryesor i kësaj vepre, i cili është një ish-nëpunës dogane, që dëshiron të rihyjë në shoqëri duke blerë frymë të vdekura nga çifligarët. Kërkimi i këtyre bujkrobërve të vdekur, procesi i blerjes, thashethemet që u përhapën në sallonet e mbrëmjeve për pozitën e lartë shoqërore të Çiçikovit, situatat e ndryshme që Gogoli i jep me plot humor e që ne na duken gjithnjë e më të afërta, gjithnjë e më të njohura, e bëjnë këtë vepër të rrijë në bibliotekë krah për krah me veprat e mëdha, si: “Don Kishoti”, “Ushtari i mirë Shvejk”, “Goja e kalit” etj. “O sa e trishtë është Rusia jonë” ka thënë Pushkini pasi e ka lexuar në dorëshkrim këtë vepër. Duket paradoksale të zërë vend trishtimi në këtë tekst që të bën kaq herë për të qeshur. Por mu këtu qëndron magjia e kësaj vepre, ku midis vezullimit të humorit, feks vetëtima e trishtimit nga e vërteta e parë në dritë të diellit. Thashethëna në rrethet e shtresës së lartë të shoqërisë se Çiçikovi na qenkësh milioner, e ngjyrosi personazhin e tij, e bëri më të pashëm, më trim, më të ditur e më joshës në sy të të gjithëve. Jo pesha e qeses, por edhe vetëm fjala u krijon ndezulli njerëzve që, ndonëse e dinë se s’kanë për të përfituar gjë nga këta miliona, i qepen pas dhe duan ta kenë vëmendjen e tij. A s’na duket e njohur kjo?!
- “Gjenerali në labirintin e tij” – Gabriel Garcia Marquez – Roman mbi (p)lojën e pushtetit dhe kohës – Është kjo historia tragjike, e ditëve të fundit të gjeneralit Simon Bolivar, i cili pati luftuar 15 vjet për çlirimin e Venezuelës, Kolumbisë, Bolivisë e Perusë nga dominimi spanjoll e më pastaj kishte udhëhequr me republikën e kombeve edhe për 15 të tjera. Autori përqendrohet në ditët e fundit të jetës së Bolivarit, në raportet e tij me pushtetin, me miqtë, dashakeqët, të kaluarën dhe historinë. I plakur para kohe, me pushtetin e lënë, me peshën e rëndë të ditëve të shuara në supe, ai udhëton plot melankoli përgjatë lumit Magdalena, duke vizituar sërish qytetet, duke ripërjetuar triumfet, pasionet, tradhtitë në jetën e tij. Përmes figurës së Gjeneralit, Markezi jep lidhjen e përjetshme që ka njeriu me pushtetin e dikurshëm, pengjet e pendimet që e kaplojnë atë sa herë vendos t’i jap fund, ndjenja këto që e kishin bërë edhe Gjeneralin të rikthehej disa herë, ndonëse kishte premtuar se po ikte. Ky sindrom pushteti e bënte të tundohej prapë për kthim, por sëmundja dhe vdekja qenë më të forta. Shqipja në të cilën flet Markezi përmes mjeshtërisë gjuhësore të B. Shehut është një vlerë e shtuar në kënaqësinë e leximit të këtij libri.
Adelina XHAFERI: Profesor i nderuar, të jetosh brenda një bote të madhe artistike, nuk do të thotë vetëm të lexosh nga të tjerët, por të përfshihesh aty edhe vet, me krijime që vijnë si frymëzim nga autorë të ndryshëm. Ju i përkisni një brezi shkrimtarësh, fryma e të cilëve depërton thellë në shpirtin e lexuesit. Po për lexuesin e sotëm cilat vepra do t’i sugjeroni duke përfshirë edhe ato të cilat në këtë kohë i keni nëpër duar?
Doc. dr. Arlind FARIZI: Sa herë që më duhet të shkruaj diçka, gjithmonë u referohem veprave të njëjta. Ndonëse di çdo fjalë që thonë personazhet brenda tyre, sa herë që i rilexoj, mësoj diçka të re për to ose thjesht i quaj personazhe të pa takuar më parë. Kjo më ndodh kryesisht me veprat e mëposhtme, me të cilat më gjeti ky karantinim e si të tilla i sugjeroj edhe për lexuesin e kohës:
1.“Aksidenti” – Ismail Kadare – Ngjarja dukej më se e rëndomtë – Kështu fillon ky roman mbresëlënës dhe avangard në vete. Një fillim romani ndryshe nga ç’jemi mësuar të lexojmë nga Kadare në veprat tjera, në të cilat kryesisht mbizotëron shiu, vuajtja, dimri dhe zymtësia. Sa më shumë që kërkojmë të zbardhet e vërteta e aksidentit aq më shumë mahnitemi nga përshkrimi i ngjarjeve të romanit, të cilat përveç se të befasojnë, të bëjnë që t’u rendësh pas deri në fund. Vetë natyra e romanit të paraqet një marrëdhënie dashurore të një çifti që përfundon në një humnerë pas gabimit të një shoferi taksie. Personazhet (Rovena dhe Besfort Y.) janë kompleksë, enigmatikë edhe për veten, e të tillë që nuk njohin as ndjenjat për dashurinë postmoderne. Romani ngërthen brenda vetes edhe figura mitike (Ofreu dhe Euridika). Është mahnitës!
- “Identiteti” – Milan Kundera – Gjuha që përdor Kundera në veprat e tij është tërësisht filozofike. Po të marrim ta shohim korpusin kunderain, këtë vepër nuk mund ta lëmë anash tij. Gërshetimi i reales me jorealen e bëjnë romanin të mbetet në mendjen tonë edhe pas një kohe të gjatë, ngase ngërthen dilema që na lindin çdo ditë: Kush jemi realisht? Sa e duam tjetrin/tjetrën? Sa e njohim identitetin e të dashurit/ës sonë? A do ta duam atë nëse përjeton ndryshime? Sa kohë na duhet ta njohim fytyrën e vërtetë? A ekziston një identitet personal në kohë komunizmi? Ku mbetet uni? Pra, të gjitha këto pyetje na lindin përderisa ndjekim fatin e një çifti parisian (Shantalin dhe Zhan-Markun), herë kur femra brengoset se burrat nuk do ta shohin më si dikur, e herë kur mashkulli atë e ngatërron me një të panjohur. A nuk pyesim për këto edhe ne?
- “Harku i Triumfit” – Erich Maria Remarque – Gjithmonë ka romane që të rrëmbejnë në brendinë e tyre dhe të tilla që shkruhen nga shkrimtarë të mëdhenj. I tillë është edhe ky roman autobiografik, brendia e të cilit jep personazhet refugjatë (mjeku gjerman Ravik dhe artistja rumune Xhoana) pa shtet në Paris përpara Luftë së Dytë Botërore; pra jepet Parisi i fundviteve ‘30. Romani motiv tematik letrar ka fashizmin, ndërsa protagonistët gjithmonë i paraqet si të pashpresë, me pikëllim, por që, kur tjetri ka nevojë, janë të gatshëm t’i dalin në ndihmë vetëm që të tregojnë se humaniteti ekziston edhe në kohë lufte e terrori. Ashtu siç kanë lindur dashuritë më të mëdha të personazheve në kohëra krizash, luftërash e shkatërrimesh të ndryshme, edhe Remarku në këtë roman jep një dashuri të tillë e të fuqishme ndërmjet dy protagonistëve, një dashuri jashtë masave të zakonshme, me ngrohtësi e me qetësi të brendshme natyrore. Protagonistët që nuk mundën ta realizonin dashurinë e tyre e të triumfonin në fund, në roman jepen të përndjekur nga hijet e Gestapos. Një krijim i veçantë i letërsisë gjermane!
Adelina XHAFERI: Profesoreshë e nderuar, janë të shumta veprat që njeriu mund t’i sugjerojë për të tjerët mbështetur në një lexim paraprak të tyre ose në atë që është duke lexuar në këtë kohë të karantinimit. Po ju, duke pasur parasysh strukturën e një vepre apo frymën që personazhi sjell në të, cilat vepra i keni në dorë dhe si të tilla i sugjeroni edhe për lexuesin?
Ass. mr. Miranda ILAZI-ARIFI: Një periudhë e tillë kohore, në të cilën mund t’i falësh vetes luksin e leximit, duhet të shfrytëzohet maksimalisht. Me anë të leximit mund të njohim shumë shoqëri, histori, përjetime e sfida nga më të ndryshmet dhe tërë kjo duke pasuruar fjalorin dhe horizontin e njohjes të secilit që e shfrytëzon kohën për lexim. Për lexuesin i sugjeroj:
- “Kronikë në gur” – Ismail Kadare – Vepër e cila bën një pasqyrim të qartë mbi pamjen e një qyteti si Gjirokastra, saqë edhe ata që asnjëherë nuk e kanë vizituar këtë vend, me anë të rreshtave të prozës së Kadaresë iu jepet mundësia të ecin mbi çdo gur të rrugicave të saj. Vlefshmëria dhe mjeshtëria qëndron pikërisht në rrëfimtarin- një fëmijë. Është pikërisht pafajësia e tij që na tregon historinë pa lajka se si ka ndodhur e çfarë kanë hequr shqiptarët nga pushtuesit.
- “Medea” – Euripidi – Një kompleks karakteresh dhe tiparesh në të njëjtin personazh, një shfaqje e pasionit dhe mbizotërimi i këtij pasioni mbi gjithçka që ishte me vlerë në jetën e saj, të Medeas, do të shpërfaq edhe njerëzoren, të mëshirshmen. Mbi të gjitha, na sjell një dimension tjetër se si duhet të duket nëna në syrin e fëmijëve të vet, dhe anasjelltas. Po ashtu edhe sakrifica symbyllur e saj, vetëm e vetëm të arrinte synimin – fitoren mbi tradhtinë.
- “Procesi” – Franz Kafka – Një vepër moderne e shtresuar mbi zbulimin e sekreteve, mbi kërkimin e së vërtetës, në të cilën vet lexuesi prej fillimit deri në fund luan rolin e ndërgjegjësimit t’i përgjigjet një pse-je për të gjitha ndodhitë. Psikologjia dhe mbajtja gjallë e interesit të gjetjeve se si ndodh një gjyq pa gjyqtar e pa fajtor, zhvillon një inteligjencë mbi secilin që e lexon këtë vepër, vetëm e vetëm që të mbizotërojë e vërteta.
Adelina XHAFERI: Profesoreshë e nderuar, jeni në prag të marrjes së titullit magjistër i Letërsisë Shqipe dhe sigurisht që gjatë kohës së fundit, keni lexuar vepra që lidhen me temën tuaj. Po për lexuesin e sotëm cilat vepra do t’i sugjeroni, përfshirë edhe ato me të cilat ju gjeti kjo kohë e karantinimit?
Ass. Kaltrina SADIKI: Megjithëse tema ime e magjistraturës lidhet me mitin, këtë periudhë kam lexuar më tepër vepra të kësaj natyre. Po për lexuesin e sotëm i përzgjodha titujt që më së shumti më kanë prekur dhe që mendoj se ia vlen të sugjerohen veçanërisht në këtë kohë:
- “Festa e Cjapit” – Mario Vargas Llosa – Një libër mbi egon e një diktatori, viktimat e një regjimi, armiqtë e jashtëm e të brendshëm të një kombi e kulture. Një libër mbi shthurrjen dhe psikologjinë e mendimit të diktatorëve, servilëve, ushtarëve, kundërshtarëve politikë, të pasurve, të varfërve, mediumeve, të shtypurve, atyre të cilëve iu është bërë padrejtësi dhe çdo kujt tjetër që frymon në kohë diktature. Magjepsës deri në shkronjën e fundit.
- “Kopshti i Edenit” – Ernest Hemingway – Një libër që na zgjon njëmijë pikëpyetje rreth vetes dhe kufijve tanë. Kush është në të vërtetë njeriu? Sa janë të qëndrueshme bindjet e tij? Si reagon ai kur përballet me diçka krejt të pazakontë? Sa mund të toleronim ne po të viheshim në rolet e kryepersonazheve? Deri ku shkojnë kufijtë tanë?… Një libër mbi kureshtjen e pafund njerëzore!
3.“Mështeknaja e babait”- Lindita Ahmeti- Një lirikë mbresëlënëse. Mite që rikthejnë vëmendjen në ndjenjat më të vjetra, më të thella të njeriut, vetminë, dashurinë, nevojën për identitet. Një libër që lexohet me llupë – pa lënë asnjë fjalë të të ik. Poezi të bukura deri në dhembje.