I lindur në vitin 1929, Jürgen Habermas konsiderohet një nga filozofët më të rëndësishëm të kohës sonë. Duke përfaqësuar gjeneratën e dytë të shkollës së Frankfurtit, ai sapo ka botuar në Gjermani një histori të madhe të filozofisë në dy vëllime. Një evropian i bindur, autor i shumë librave filozofikë, ai shpjegon pse Evropa duhet të ndihmojë vendet anëtare me më shumë borxhe, si Italia dhe Spanja, të cilat janë prekur më rëndë nga pandemia e Covid19. Filozofi gjerman analizon ndikimet etike dhe politike të krizës shëndetësore që ka vënë në pikëpyetjet edhe vetë Bashkimin Evropian.
Çfarë mendoni se zbulon nga pikëpamja etike, filozofike dhe politike kjo krizë globale e shëndetit?
Nga një këndvështrim filozofik, vërej se pandemia imponon mbi të gjitha, një impuls refleksiv, i cili deri më tani ka qenë ‘biznes’ i ekspertëve: ne duhet të kuptojmë më qartë padituritë tona. Sot, të gjithë qytetarët po shohin se si qeveritë e tyre duhet po marrin vendime me një vetëdije të qartë për kufizimet e njohurive të virologëve që i këshillojnë. Politikanë të zhytur në pasiguri rrallë herë janë parë në këtë shkallë dhe kaq shumë. Ndoshta kjo përvojë e pazakontë do të lërë gjurmë në vetëdijen tonë publike.
Po sfidat etike me të cilat përballemi në këtë krizë cilat janë?
Mbi të gjitha, unë shoh dy situata të cilat ka të ngjarë të ndikojnë në dinjitetin tonë njerëzor. Kushtetuta gjermane në nenin e saj të parë garanton që “Të gjithë kanë të drejtën e paprekshmërisë së jetës dhe integritetit fizik”: situata aktuale ka sjellë atë që quhet “përzgjedhje” e cila kushtëzon edhe kohën e duhur për të hequr bllokimet e kontrollin. Rreziku i paraqitur nga mbingopja e shërbimeve të urgjencës në spitalet tona – një rrezik që ka frikësuar vendet tona dhe që tashmë është bërë realitet në Itali – ngjall skenarë të fatkeqësive të cilat ndodhin vetëm gjatë luftërave.
Kur pacientët duhet të pranohen në një numër shumë më të madh sa sa jemi në gjendje të trajtojmë siç duhet, mjekët detyrohet në mënyrë të pashmangshme të marrin një vendim tragjik, se kët të trajtojnë. Kështu lind tundimi për të shkelur parimin e rreptë të barazisë për trajtim pa marrë parasysh statusin shoqëror, origjinën, moshën, etj., Tundimi për të favorizuar, për shembull, fëmijët më të vegjël është kostot për më të moshuarit. Dhe, edhe sikur të moshuarit të pranonin vetë të vetë-flijoheshin, me një gjest të admirueshëm moral, mjeku përsëri do të ishte përballë “krahasimit të vlerës” së një jete njerëzore me një tjetër, duke u kthyer në një vendimarrës ndërmjet jetës dhe vdekjes?
Gjuha e “vlerës”, e huazuar nga ekonomia, është edhe më e rëndë sepse bëhet nga këndvështrimi i vëzhguesit. Por, kjo është e padrejtë. Vlerësimi I duhur do të ishte nëse e trajtojmë çështjen duke vënë veten tonë në vend të personit që e përjashtojmë. Nga ana tjetër, etika mjekësore është në përputhje me Kushtetutën dhe bazohet në parimin se nuk duhet të “zgjedhësh” një jetë njerëzore apo një tjetër. Etika i dikton mjekut, edhe në situata tragjike, të udhëhiqet ekskluzivisht nga parimet që kanë një shans të lartë suksesi për këdo pacient.
Dhe situata tjetër cila është?
Me vendimin për kohën e duhur për t’i dhënë fund kontrollit. Mbrojtja e jetës, e cila është e domosdoshme jo vetëm në aspektin moral, por edhe në atë juridik, mund të gjendet në kundërshtim me logjikën e llogaritja utilitare. Politikanët kur bëhet fjalë për përzgjedhjen mes dëmit ekonomik apo shoqëror nga njëra anë dhe parandalimit të vdekjeve nga ana tjetër duhet t’i rezistojnë “tundimit utilitar”. A duhet të rrezikojmë një “ngopje” të sistemit shëndetësor, dhe për këtë arsye nivele më të larta të vdekshmërisë, për të ringjallur ekonominë dhe për të zbutur kështu katastrofën sociale të një krize ekonomike? Të drejtat themelore i ndalojnë institucionet shtetërore të marrin ndonjë vendim që mundëson vdekjen e personave fizikë.
A nuk rrezikojmë ta shndërrojmë gjendjen e jashtëzakonshme në një rregull demokratik?
Kufizimi i një numri të madh të të drejtave të rëndësishme të lirisë natyrisht duhet të mbetet për një kohë të caktuar. Ky përjashtim, siç u përpoqa të tregoja, bëhet në emër të mbrojtjes me prioritet të së drejtës themelore të jetës dhe integritetit fizik. Në Francë dhe Gjermani, nuk ka asnjë arsye për të dyshuar në besnikërinë e udhëheqësve ndaj Kushtetutës. Fakti që kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, po përfiton nga kriza, shpjegohet me evolucionin e gjatë autoritar të regjimit hungarez, për të cilin Këshilli Evropian ka pjesën e vet të fajit.
Pse Evropa po e hedh poshtë idenë e krijimit të një “koronabondi” i cili mundëson marrjen kolektive të barrës së madhe financiare të kësaj krize?
Ju jeni duke prekur një çështje të aktualitetit korent i cili vë në dyshim edhe vetë ekzistencën e bashkimit monetar. Vendet anëtare me borxhe më të larta, si Italia dhe Spanja, po preken veçanërisht nga kriza, pa qenë përgjegjëse për të. Ata duhet të ndihmohen nga shtetet e tjera anëtare nëse dëshirojmë, përballë presionit spekulativ tregjet financiare, të ruajmë euron dhe rrjedhimisht thelbin e vetë BE-së. Dhe nuk ka dyshim se vetëm prezantimi i “koronabondeve”, të mbështetura edhe nga Franca, sigurojnë një mbrojtje efektive në këtë drejtim. Këto kredi të garantuara për një kohë të gjatë nga të gjitha shtetet anëtare të eurozonës janë të vetmet që sigurojnë që vendet e Jugut të kenë qasje në tregjet e kapitalit. Unë nuk shoh një tjetër zgjidhje alternative, kaq të dobishme sesa ky propozim. Dhe manovrat e shmangies së ministrit gjerman të financave – të cilat kolegu i tij francez nuk duhet ti pranojë në asnjë rast – nuk janë të përgjegjëshme.
“Cili është qëllimi i BE, nëse nuk tregon, në këto kohë të koronavirusit, se evropianët po luftojnë së bashku për një të ardhme të përbashkët?”, shkruanit ju në një apel të përbashkët me intelektualë të tjerë, botuar në “Le Monde” dhe “Die Zeit” më 2 Prill.
Miqtë e mi dhe unë e shtruam këtë pyetje për qeverinë tonë, për kancelaren tonë Angela Merkel dhe për Ministrin tonë të Financave Olaf Scholz (SPD). Të dy edhe sot, ngulmojnë me kokëfortësi në politikat e kryera për dhjetë vjet për krizën e vendeve të Jugut, që ishte në avantazhin më të madh të Gjermanisë dhe vendeve të Veriut. Shumica dërrmuese e politikanëve gjermanë kanë frikë se një qëndrim më pajtues nuk u pëlqen zgjedhësve të tyre. Sidomos pasi ata vetë janë përqendruar dhe kanë përhapur vetëkënaqësinë e të qenit kampionë të eksportit botëror, një nacionalizëm ekonomik, që media e mbështet gjerësisht. Ekzistojnë të dhëna krahasuese empirike, të cilat tregojnë se qeveria jonë, me këtë nacionalizëm, ka ndikuar tek popullsia jonë, duke i ulur ndjeshmërinë evropiane.
Si e shpjegoni që nacional populizmi ka pushtuar botën intelektuale dhe hapësirën publike evropiane?
Ndikimet e populizmit kudo në Bashkimin Evropian, që kërkojnë strehim prapa barrikadave kombëtare, para së gjithash janë të përbëra nga dy gjëra: zemërimi i ngjallur nga fakti që shteti kombëtar ka humbur kapacitetin e tij të veprimit politik dhe nga një lloj reagimi intuitiv mbrojtës ndaj sfidave reale politike. Përkundër kësaj ajo që ne duhet të bëjmë është të pranojmë se vetëm vetë-afirmimi demokratik i një Evrope të bashkuar është në gjendje të na nxjerrë nga ky ngërç post-demokratik.
Si do të mund të ruhet fryma e Bashkimit Evropian?
Argumentet dhe termat e zgjedhur nuk ndihmojnë shumë kundër pakënaqësive. Vetëm një thelb i fortë evropian i aftë të veprojë dhe të sigurojë zgjidhje konkrete për problemet e tanishme do të mund të dëshmohet i vlefshëm. Për këtë ia vlen të luftosh.
/Përktheu: Mapo.al/