Abdulla Mehmeti | Qytetarët e Maqedonisë, në periudhën sa zgjat kjo pandemia aktuale e Covid-19 duhet të kujdesen për veten e tyre dhe të afërmit, duke i respektuar urdhrat e organeve kompetente dhe rekomandimet e ekspertëve të mjekësisë, por assesi nuk duhet të frikësohen dhe bëjnë panik, ose t’i frikësojnë të tjerët, sepse pasojat nga frika në gjendje të izolimit në shtëpi për një kohë të gjatë, si dhe mungesa e informacioneve të mjaftueshme se çka ndodh në botë dhe në vendin tonë, në këtë situatë që nuk e kanë përjetuar ndonjëherë tjetër më parë, sigurisht që shkakton shqetësime, frikë, pasiguri, dëshpërim, trauma dhe pasoja në gjendjen mendore dhe shpirtërore të njerëzve.
Me qëllim të parandalimit të këtyre pasojave, në këtë gjendje kur flitet vetëm për anët negative dhe pasojat nga kjo pandemi në vendin tonë, qytetarët kanë nevojë ta dinë të vërtetën dhe t’i njohin përmasat reale të kësaj fatkeqësie që i ka goditur, si edhe qytetarët e të gjitha shteteve të tjera, në rajon dhe në botë, gati gjithë njerëzimin e botës.
Kujdes maksimal nga secili, por assesi përhapje frike e paniku, sidomos te fëmijët dhe të moshuarit!
Ja çfarë thonë të dhënat statistikore zyrtare në vendin tonë, sa njerëz lindin, sa ndërrojnë jetë nga vdekja normale dhe sa kanë ndërruar jetë si pasojë e infektimit me koronavirusin Covid-19, por të kombinuar edhe nga sëmundje kronike (të mëhershme) të viktimave:
Të dhëna statistikore për Maqedoninë Veriore:
1. Çdo vit ndërrojnë jetë nga vdekja e natyrshme (dhe incidentet) afërsisht 19 727 persona, apo 1 643 në muaj, ose 54 persona në ditë;
2. Çdo vit linden afërsisht 21 333 fëmijë, ose 1 777 linden çdo muaj, ose 59 fëmijë linden çdo ditë;
3. Gjatë një muaji sa zgjat zyrtarisht pandemia në vendin tonë, numri i përgjithshëm i të infektuarve është afërsisht 663 raste të konfirmuara, ndërsa numri i personave që kanë ndërruar jetë nga ky infektim (kryesisht i përcjellë edhe me sëmundje të tjera kronike) në vendin tonë shkon në 30 persona deri më sot.
Një falënderim dhe mirënjohje duhet t’u drejtohet institucioneve shëndetësore të vendit, mjekëve dhe personelit mjekësor, organeve të rendit dhe vetë qytetarëve, të cilët kanë treguar një kujdes dhe disiplinë të jashtëzakonshme për mospërhapjen e këtij virusi dhe parandalimin e pasojave më të rënda.
Rrini në shtëpi, kujdesuni për pastërtinë dhe shëndetin tuaj, sidomos për shëndetin mendor, pa frikë dhe panik! Nuk jemi të vetëm në këtë luftë, por bashkë me ne është i gjithë njerëzimi i botës.
Zoti ju ruajt të gjithëve!