Xhelal Zejneli | Alber Kamy (Albert Camus, 1913-1960) është romancier, dramaturg dhe eseist francez. Lindi në Algjer nga babai francez dhe nëna spanjolle. Studioi filozofinë. Gjatë jetës u mor me punë të ndryshme. Arsimimi filozofik dhe përvoja jetësore do të lënë gjurmë në veprat e tij.
Në vitin 1940 vjen në Francë. I bashkëngjitet lëvizjes së rezistencës dhe boton gazetën ilegale Combat. Sapo përfundon lufta, e ndërpret punën e gazetarisë për t’iu dhënë krijimtarisë letrare. Dy vjet pas ardhjes në Francë, në pranverë të vitit 1942 boton në Paris romanin I huaji. Kjo vepër sakaq e bëri Kamynë të njohur dhe i solli famë. Romani shkaktoi habi me stilin e jashtëzakonshëm, por shumë më tepër me temën e re, me botën që e paraqet autori.
Tërhoqi vëmendjen me romanin I huaji (L’ Etranger, 1942). Ideja e absurdit si situatë e njeriut në botë, në këtë roman e mori realitetin e vet artistik të jashtëzakonshëm. Sakaq, pason eseja apo komenti lirik-ideologjik Miti i Sizifit (1943). Preokupimet filozofike kryesore të Kamysë burojnë nga idetë ekzistencialiste për fillimin, kuptimin dhe fundin e ekzistencës njerëzore. Ndjenjat e ekzistencës pa kuptim dhe të situatës pa rrugëdalje, të cilat fuqimisht i theksoi filozofia ekzistencialiste në ngrysjen e shoqërisë borgjeze para Luftës së Dytë Botërore, Kamy i shtjelloi në romanin I huaji.
Heroi kryesor i romanit ndjehet i huaj, edhe në shoqëri edhe ndaj vetvetes, ndaj natyrës njerëzore të vet, për arsye se çdo gjë për të është e huaj dhe e pakuptueshme, ngase e ngulfat njohja e absurditetit të ekzistencës në botë dhe se e humb çfarëdo kuptimi të së ardhmes.
Në romanin “Murtaja” (La Peste, 1947) Kamy shkon një para, duke theksuar simpatitë njerëzore dhe idetë e solidaritetit me të gjithë ata që vuajnë.
Në dramat “Mosmarrëveshja” (1944), “Kaligula” (1044), “Shtetrrethimi” (1948), “Të drejtët”. Kamy gjithnjë më tepër paraqet personazhe të cilët nga filozofia e absurdit dhe e anarkisë kërkojnë rrugëdalje në luftën e angazhuar kundër të keqes dhe tiranisë. Në vitin 1952 boton librin ese “Njeriu kryengritës”, esenë “Vera”.
Në romanin e fundit “Rënia” (1956) Kamy, që të dyja tendencat e theksuara në krijimtarinë e vet i ka paraqitur në sintezë të mundshme.
Në veprat e veta Kamy synon të gjejë rrugëdalje për njeriun.
Nga absurdi Kamy vjen deri te njeriu kryengritës. Më pas mbërrin deri te solidariteti si raport shpëtues midis njerëzve dhe, në fund, deri te besimi në masë, rend dhe harmoni që ka mbizotëruar në botën antike greke.
Kamy është hulumtues i fatkeqësisë njerëzore në botë. Në vitin 1960 humbi jetën në fatkeqësi rrugore afër Parisit.
Në vitin 1957 mori Çmimin Nobel për letërsi.
Ishte një person pa vlera kolektive. Mezi një individ!
“I HUAJI” – Ngjarja e romanit ndodh në Algjer. Hero kryesor është nëpunësi i rangut të ulët Merso (Meursault), një i ri që bënte një jetë banale me njerëz mjaft njerëz të vegjël, të parëndësishëm. Romani është shkruar në vetën e parë. Fillon me konstatimin e thjeshtë: ”Sot ka vdekur nëna”. Që nga kjo fjali e parë e qetë dhe e thjeshtë e romanit, të gjitha ngjarjet ndikojnë njësoj ndaj heroit kryesor, qofshin mjaft të rëndësishme, vendimtare apo të ditëpërditshme.
Pikërisht kjo përditshmëri e parëndësishme e plotëson pjesën e parë të këtij rrëfimi. Qetësia dhe indiferenca me të cilën Mersoja shkon në varrimin e së ëmës, qetësia me të cilën merr pjesë në varrim, vazhdon deri në rreshtin e fundit të librit.
Në jetën e tij nuk ka tronditje. Të kesh shok, vashë, të dalësh me të, të bësh dashuri – kjo është korniza e jetës së tij, kornizë që nga dita në ditë mbushet në të njëjtën mënyrë.
Përnjëherë, një ngjarje sjell ndryshime në jetën e tij. Gjatë një shëtitjeje të rëndomtë në periferi të Algjerisë me një shok dhe me dy vasha, ndodh një konflikt që për Mersonë do të jetë vendimtar: shoku i tij Rajmoni, para disa ditëve ishe zënë me një algjerian. Tani, të shoqëruar edhe nga një vendës tjetër, e takojnë në plazh. Brenda një konflikti të shkurtër, algjeriani e plagos lehtë Rajmonin dhe bashkë me mikun e vet, largohet prej aty, por vazhdon të qëndrojë në plazh.
Sapo e lidhin plagën, Rajmoni dhe Mersoja kthehen, por tani të armatosur me pistoletë. Zënkë tjetër nuk ndodh. Të dyja palët heqin dorë nga zënka. Dhe pikërisht atëherë, kur dukej sikur çdo gjë kishte marrë fund, ndodh kthesa: Mersoja e përcjell Rajmonin deri te dy vashat, ndërsa vetë përsëri kthehet në plazh. Shkon kah vendi ku paraprakisht kishin qenë të shtrirë dy algjerianët. Befasohet kur sheh se ai që ishte rrahur pak para, ende ri shtrirë në po atë vend, por tani i vetëm. Përsëri në dorë të tij e vërejti thikën. Shkëlqimi i tehut në diell, dhe menjëherë pas kësaj, Mersoja e nxori pistoletën dhe qëlloi mbi të. Algjeriani vdiq në vend.
* * *
Pjesa e dytë e romanit zhvillohet në burg. Pa kurrfarë ngjarjesh, përpos marrjeve në pyetje dhe gjykimit të Mersosë. Në këtë pjesë jepen ndjenjat dhe mendimet e heroit të Kamysë, i cili nuk mund të japë kurrfarë sqarimi për veprimin e vet. Po ashtu, nuk mund të gjejë kurrfarë arsyeje për t’u penduar. Nuk gjen as dëshirë për të shpëtuar nga më e keqja – dënimi me vdekje. Dënimin me vdekje e pranon me indiferencë të plotë, i bindur se në fund të fundit, krejt njësoj është, s’ka arsye përse do të duhej të ndërmerrte diçka për ta shpëtuar kokën dhe për ta vazhduar jetën.
Tmerri që shkakton me indiferencën e vet të hapur, pa diskutim është një tmerr që e manifeston njeriu në çastin e zbulimit të kotësisë së jetës, të absurditetit të ekzistimit të vet.
Mersoja shkon në vdekje i qetë, i bindur se ajo në asnjë pikëpamje nuk është më e keqe se jeta, as më e keqe, as më e pakuptimtë, i bindur se ajo është fundi absolut.
* * *
Mersoja nuk qau në varrimin e së ëmës. Nuk u pendua për vrasjen që kishte kryer. Nuk u pendua edhe kur me një akt të tillë mbase t’i shpëtonte dënimit me vdekje. Priftit në qeli i tha: S’kam pse i lutem Zotit. Unë jam ateist. Pyetjes së gjyqtarit: Përse vrave? Për shkak të diellit – iu përgjigj.
Erdha t’ua bëj me dije se, po qe se nuk do të qani në varrimin e nënave tuaja, do të dënoheni me vdekje – Kamy drejtuar studentëve të Harvardit.