Abdulla Mehmeti | Urime të gjithë punonjësve të shëndetësisë, mjekëve, motrave, teknikëve dhe të gjithë personelit të shëndetësisë, të cilët aktualisht ndodhen në frontin e madh kundër pandemisë së koronavirusit, për mbrojtjen e shëndetit dhe jetëve të njerëzve, në vendin tonë dhe kudo në botë!
***
Dita Botërore e Shëndetit festohet çdo vit në 7 prill, në 193 vende anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Caktimi i Ditës Botërore të Shëndetit është një nga aktet e para zyrtare të OBSH-së. 7 prilli është dita e miratimit zyrtar të kushtetutës së OBSH-së, kështu kjo ditë na kujton pikërisht atë moment të rëndësishëm të veprimtarisë së OBSH-së. Që prej vitit 1950, Dita Botërore e Shëndetit i kushtohet një çështje të caktuar specifike që përbën shqetësim botëror.
Këtë vit, fatkeqësisht e gjithë bota përballet me pandeminë e koronavirusit Covid-19, dhe kjo ditë aktualisht shënon betejën më të madhe të punonjësve të mjekësisë, mjekëve, motrave dhe personelit mjekësor për mbrojtjen e shëndetit dhe jetëve të mijëra njerëzve të prekur nga virusi tinëzar, i cili po shuan mijëra jetë njerëzish në shumë vende të botës.