Të nderuar miq,
me rastin e kësaj dite të shënuar kam nder dhe kënaqësi, t’ua përcjell urimet më të sinqerta nënave dhe motrave tona për festën e tyre – festën e 8 Marsit. T’u shprehim nderimin dhe mirënjohjen e pakufishme për kontributin e dhënë në të gjitha fushat e jetës.
Ne të gjithë e kemi të njohur rrugën e vështirë nëpër të cilën ka kaluar emancipimi i femrës, sidomos në rajonin tonë, në të cilin emancipimi i shtresës më vitale të shoqërisë sonë e përjetoi diskriminimin e pamerituar në arsim, shkencë, kulturë dhe në lëmi të tjera shoqërore. Mirëpo, femra, si shtylla kryesore e familjes dhe shoqërisë, kurrë nuk u dorëzua, nuk rreshti së kërkuari të drejtat e saj që i takojnë, si kudo në botën e civilizuar.
Në vendin tonë, do të ishte e paimagjinueshme që ne të synonim t’i përmbushnim objektivat e femrës shqiptare, pa themelimin e Universitetit të Tetovës, i cili që në ditët e para të veprimtarisë arsimore dhe shkencore, ofroi një koncept të ri jetësor për shqiptarët në Maqedoni, solli frymën iluministe pa dallim gjinie, feje e përkatësie tjetër.
Duke Ju uruar edhe një herë festën, shpreh besimin e plotë se kontributi intelektual e jetësor i femrës, veçanërisht i gruas shqiptare, mbetet një përbërës i rëndësishëm për avancimin e mbarë shoqërisë.
Prof. Dr. Vullnet Ameti
Rektor i Universitetit të Tetovës