Zija Çela | Tashmë “veteran” i ekraneve tona televizive, Adi Krasta është gjerësisht i njohur për individualitetin e spikatur, po aq sa për krijimtarinë e tij vazhdimisht novatore. Si erdhi në skenën e Teatrit Kombëtar? Teksti u cilësua Monolog, por ishte më tepër se i tillë. Për nga tematika aktuale, për nga struktura dhe temperatura e fjalës (plus temperaturën e artikulimit), teksti tingëlloi në skenë si “Apologjia Krasta”. Me shenjat e patjetërsueshme autoriale, ai erdhi luftarak, por edhe siç u shpreh vetë, i ndërgjegjshëm dhe i përunjur.
Adi Krasta foli pa oponencë në sallë. Foli në praninë e një “garde” besnikë të idesë kundër prishjes së teatrit, pro restaurimit të tij. Megjithatë, synimi kryesor do të ketë qenë që mesazhi të përcillej përtej sallës, për t’u bërë sa më virusal në mediat sociale. Asnjë trupë teatrore dhe asnjë individ nuk mund t’u imponojë të gjithë qytetarëve një unifikim, pra përbashkimin në një mendim. Kjo vetëkuptohet. Por skena e Krastës ia doli të përcjellë mesazhin se, nga ana tjetër, çdo qytetar e ka për detyrë të mendohet dhe të bëhet aktiv për fatet e trashëgimisë kulturore.
Nëse e Vërteta nuk mund të jetë monopol i askujt, ngaqë është relative, Adi Krasta ka vite e vite që e shpall publikisht “relativitetin” e tij. Dhe unë e duartrokas për Mosnënshtrimin, për Kurajon Civile e Profesionale, e duartrokas për Shpirtin e Lirë, në një kohë kur shumë kolegë të letrave dhe arteve tregohen përbindësha për gjërat e vogla mes tyre, ndërsa qyqarë kokulur për problematikat e mëdha, të ashtuquajturat “me zarar”.
(PS: Për arsye shëndetësore, propozimin skenik të “Apologjisë Krasta” e ndoqa nga ekrani.)