Sali Bashota | Në letërsinë shqipe, ndër të tjera, janë të njohura veprat autobiografike të autorëve shqiptarë: “Autobiologjia” e Jeronim de Radës, “Burgimet e mia” e Pashko Vasës, “Autobiografia” e Nolit, “Kujtimet” e Mehdi Frashërit, “Kujtimet” e Eqrem bej Vlorës, “Intervistë me vetveten “ e Petro Markos, “Rno vetëm për me tregue” e At Zef Pllumbit etj.
Sipas kujtimeve të Petro Markos në librin e tij “Intervistë me vetveten”
(Retë dhe Gurët), në shekullin XVII, përkatësisht në vitin 1630 u hap e para shkollë shqipe-seminar. Memoaret e një shkrimtari mund të dëshmojnë, jo vetëm për historinë e letërsisë shqipe, por edhe për gjenezën e filleve të civilizimit kombëtar.
Kjo është vetëm një nga shenjat referuese, ku kujtesa kombëtare ende e pret zbulesën e vet edhe në shekullin XXI.
Derisa letërsia përmes gjuhës e krijon identitetin, vepra autobiografike, ku përfshihen edhe ditarët dhe kujtimet, paraqet një lloj të literaturës, e cila është mjaft e përhapur në letërsinë botërore.
Në letërsinë shqipe, ndër të tjera, janë të njohura veprat autobiografike të autorëve shqiptarë: “Autobiologjia” e Jeronim de Radës, “Burgimet e mia” e Pashko Vasës, “Autobiografia” e Nolit, “Kujtimet” e Mehdi Frashërit, “Kujtimet” e Eqrem bej Vlorës, “Intervistë me vetveten “ e Petro Markos, “Rno vetëm për me tregue” e At Zef Pllumbit etj.
Këto vepra dëshmojnë për rëndësinë që mund të kenë memoaret dhe kujtimet në një letërsi kombëtare.
Rrëfimi për një Bibliotekë nacionale mund të sajohet nga shumë fjalë të zgjedhura, të urta, mbase, jo rrallë, edhe të shenjta, të shndërruara në histori apo në gojëdhënë. Kujtesa e saj apo kujtesa për të, mund të shndërrohet, gjithashtu, në një simbol komunikimi me të tjerët dhe prapë do të mbetet si gjithnjë vetëm historia e Librit dhe e Bibliotekës.
Siç është e njohur, tekstet në formën e shkruar e sajojnë dhe i përgjigjen gjenealogjisë së një kombi dhe të një qytetërimi, prandaj çdo popull identitetin e vet e fillon me shkrimin, pra me datëlindjen e shkrimeve të para në gjuhën e tij.
Në këtë kontekst, Biblioteka, si vend i shkrimeve, i dorëshkrimeve, i librave të moçëm e të rinj, i hartave, i fonodokumenteve, i fotodokumenteve dhe i koleksioneve të tjera , e prodhon vetë në kujtesën e shekujve historinë e njerëzimit në periudha të caktuara, madje edhe historinë e fjalës së shkruar.
Tani kujtesa, lidhet me shkrimet e vjetra që u nevojiten gjeneratave të reja.
Portali i përbashkët kombëtar me emrin Kujtesa Shqiptare, doemos, do të kishte rolin kryesor në grumbullimin, seleksionimin, sistemimin dhe digjitalizimin e dokumenteve të veçanta, për t’iu ofruar lexuesit një qasje të lirë në botën e internetit, sidomos për të kaluarën dhe të ardhmen e shqiptarëve, nëpër periudha të ndryshme historike.
Po kështu, Kujtesa Shqiptare, si e tillë, do të mund të përmblidhte imagjinatën e shkrimtarëve, artistëve, teoricienëve, filozofëve, psikologëve, shkencëtarëve etj., pikërisht atë imagjinatë krijuese të shndërruar në vepra të dijeve të ndryshme, që do ta përbënte një Bibliotekë, doemos, me idetë dhe mendimet që, po ashtu, do të funksiononin përmes gjuhës së komunikimit, në shumë rrafshe receptimi.
Kudo në botë, bibliotekat nacionale të çdo shteti, i kanë format e veta të mbledhjes së materialeve të dokumentuara, qoftë të trashëgimisë së shkruar, qoftë të trashëgimisë gojore, për t’i dhënë prioritet historisë, gjuhës, kulturës etj., për të ndërtuar një Depo Qiellore, që e ka kuptimin e Gjithësisë, siç do të thoshte Umberto Eco.
Prandaj, në këtë Depo Qiellore, përparësi do të kenë materialet me vlerë të veçantë dhe unikate kombëtare, që do ta dokumentonin lashtësinë, gjuhën, identitetin, qytetërimin, kulturën etj.
Historia e një kombi, nuk mund të njihet, të shkruhet a të rishkruhet, madje të vlerësohet pa thesarin a trashëgiminë e një biblioteke kombëtare të atij vendi, duke iu rikthyer vazhdimisht kujtesës kombëtare në fazat e zhvillimit të asaj kulture a qytetërimi të lashtë të popullit që i takon.
Biblioteka e humbur, si ajo e Aleksandrisë apo Biblioteka e pushtuar, madje edhe me fondet e saja të asgjësuara në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit XX, siç është Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, si dhe shumë biblioteka të tjera në botë, e kanë krijuar ekzistencën dhe historinë e tyre, në variante të ndryshme të ekzistencës.
Mirëpo, përbrenda plotnisë së identitetit dhe kulturës kombëtare, rrugëtimi ynë historik, i veçantë dhe i përbashkët, kuptohet me kufi të ndarë, nuk ka qenë i njëjtë, pra ka qenë i ndryshëm, prandaj edhe kujtesa e lexuesit shqiptar, iu është nënshtruar, herë diktatit e ideologjisë, herë anatemimit e pushtimit.
Pra, kështu ka ndodhur edhe me kujtesën e lexuesit për një letërsi nacionale, siç është letërsia shqipe, kur ajo madje është ndarë në përparimtare e reaksionare. Pra, kështu ka ndodhur me personalitetet letrare: Gjergj Fishta, Faik Konica, Ernest Koliqi, Anton Harapi, Zef Pllumi, Arshi Pipa etj.
Ekziston kujtesa e lexuesit nëpër kohë dhe hapësirë të caktuar, e cila do të dëftonte se tekstet e shtypura, librat e moçëm, filmat, fotografitë etj., të grumbulluara, të ruajtura, të sistemuara dhe, së fundi, të prezantuara para opinionit, kanë rëndësi të madhe në ndriçimin e asaj që quhet kujtesë kombëtare në retrospektivë, por edhe në perspektivë.
Në këtë pikëshikim, historia dhe kultura shqiptare në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe në viset tjera shqiptare, edhe pse e një shtrati gjenetik, është zhvilluar përbrenda konteksteve të ndryshme shoqërore e politike, jo rrallë, është fragmentarizuar e çintegruar deri në absurditet, duke mbetur, jo rrallë, vetëm si kujtesë shpirtërore nga distanca.
Prandaj, Kujtesa Shqiptare është sajuar me përplot absurde dhe paradokse, sidomos në gjysmën e dytë të shekullit XX , kur ka kaluar nëpër periudha fatkeqësie përbrenda kontekstit ideologjik (në Shqipëri) dhe pushtues ( në Kosovë). Tani dokumentimi dhe prezantimi digjital i kësaj Kujtese kërkon një hulumtim shkencor, pikërisht në ndriçimin e kësaj periudhe tepër të dhembshme.
Në anën tjetër, Kosova nuk ka ndonjë traditë të lakmueshme, sa i përket grumbullimit dhe ruajtjes së dokumenteve më rëndësi kombëtare, për arsye se fati dhe perspektiva e saj është varur nga të tjerët. Në periudhat e pushtimit të saj, sidomos në luftën e fundit, janë shkatërruar, djegur, zhdukur shumë thesare të çmueshme dhe me rëndësi të veçantë kombëtare, por edhe monumente historike e kulturore me vlerë të jashtëzakonshme, të cilat do të tregonin për identitetin shqiptar të saj.
Në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit XX, Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, si dhe shumë biblioteka tjera publike dhe private në Kosovë, kanë përjetuar fate të tmerrshme. Derisa në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës brenda viteve 1991- 1999, janë asgjësuar mbi njëqind mijë ekzemplarë librash të ndryshëm dhe janë shndërruar në kartuç në një fabrikë letre në një qytet të vogël të Kosovës, shumë biblioteka publike dhe private janë rrënuar, shkatërruar dhe djegur. Prandaj, djegia e librave dhe e bibliotekave në Kosovë, është njëri ndër kapitujt më të dhembshëm, nga mund të rrëfehet për përmasat e luftës në Kosovë.
Në vitin 2006, Biblioteka dhe Universitare e Kosovës, e ka inicuar projektin Kujtesa e Kosovës, sipas modelit American Memory ( Kujtesa Amerikane), i Bibliotekës së Kongresit , i cili synon të jetë njëri ndër projektet më kapitale që mund të determinojë rolin dhe misionin e historisë, kulturës, qytetërimit, identitetit, shëmbëlltyrave, personaliteteve, trashëgimisë gojore, trashëgimisë së shkruar në periudha të caktuara historike, me qëllim të prezantimit të kësaj kujtese përmes informacioneve digjitale.
Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, duke e filluar këtë projekt, do të bëhej, gjithsesi, një pikë e veçantë referimi, bashkë me institucionet tjera (muzetë, arkivat, institutet etj.), për të krijuar një koleksion dokumentar, qoftë madje edhe për ngjarjet politike, shoqërore që nuk i përkasin vetëm burimeve të komunitetit kosovar, por edhe më gjerë, që ndërlidhen pikërisht me çështjen shqiptare në kohë dhe periudha të ndryshme.
Në strategjinë e realizimit të një projekti gjithëpërfshirës për themelimin e koleksioneve digjitale të Kujtesë së Kosovës, e cila faktikisht është njëra nga portat e Kujtesës Shqiptare , është më rëndësi bashkëpunimi me institucione të shumta në botë, që i posedojnë dokumentet shqiptare dhe për shqiptarët.
Po kështu, prioritet do të mund të kenë: koleksionet për personalitetet kombëtare me përmasa botërore, siç janë Skënderbeu dhe Nënë Tereza, pastaj koleksionet e librave të rrallë dhe të vjetër, koleksionet e hartave, fotodokumenteve, fonodokumenteve etj.
Në grumbullimin e materialeve me vlerë, në sistemin, përzgjedhjen dhe krijimin e koleksioneve digjitale, rol të rëndësishëm do të ketë informacioni për historinë gojore dhe historinë e shkruar. Në këtë drejtim, kontributi i arkivave, i muzeve, i institucioneve historike, akademike, albanologjike, etnografike në Kosovë, Shqipëri, në viset tjera shqiptare, pastaj në ish-kolonitë shqiptare në Turqi, Itali, Rumani, Bullgari, Egjipt, Amerikë etj., do të ishte me rëndësi të dorës së parë.
Cilat do të ishin burimet për krijimin një koleksion digjital kombëtar në të ardhmen?
Natyrisht, në këtë drejtim do të mund të kenë rol të rëndësishëm shumë pjesëmarrës: në radhë të parë bibliotekat, pastaj arkivat, muzetë, institutet, institucionet e kultit etj. Në ketë drejtim, themelimi dhe funksionimi i bibliotekave presidenciale, i bibliotekave të personaliteteve apo i bibliotekave private etj., do të kontribuonin në afirmimin dhe ndriçimin e vlerave nacionale nëpër periudha të ndryshme të historisë.
Njihen raste të ndryshme në botë ku shumë biblioteka janë shkatërruar dhe nuk janë ruajtur më, ku shumë biblioteka janë djegur dhe nuk janë ndërtuar më. Biblioteka përmes ndriçimit të kujtesës kombëtare, e funksionalizon të kaluarën me të tashmen, duke dhënë vizion për të ardhmen, mirëpo ende në bibliotekat tona mungojnë shkrimet burimore, kujtimet e shkrimtarëve, zërat për figurat e shquara të kombit shqiptar, për personalitetet kulturore, politike, pastaj mungon historia e largët dhe e afërt e Kosovës. Pra, mungon përmbajtja, si dhe ndërtimi i Kujtesës së Kosovës.
Për më tepër, mungojnë burimet historike, trashëgimia kulturore, dorëshkrimet e lashta, dorëshkrimet origjinale, mungon pjesa e historisë së Kosovës, e cila do të mund të gjendej në arkiva dhe biblioteka të Evropës.
Në këtë mënyrë, strategjia e zhvillimit të bibliotekave shqiptare ndër të tjera, e nënkupton edhe funksionalizimin e kujtesës kombëtare përmes një diskursi të ri të shkencës së bibliotekarisë dhe të informacionit. Pra, e reja duke iu rikthyer të vjetrës, do t’i gjejë prioritetet e afirmimit të vlerave elitiste kombëtare nga momentet historike në momente të aktualitetit.
Projekti për funksionalizimin dhe digjitalizimin e Kujtesës Shqiptare, tashti në rrjetin global të Kujtesës Botërore , do ta funksionalizonte një kujtesë të fuqishme kombëtare, qytetëruese e kulturore, fjala vjen, po t’i kishte të gjitha librat a dokumentet e shkruara e të botuara për Skënderbeun dhe Nënë Terezën, si dhe për personalitete të tjera të njohura shqiptare në përmasa botërore në periudha të ndryshme, për të dokumentuar ekzistimin e civilizimit shqiptar në mijëvjeçarë, duke iu referuar edhe koleksioneve të shumta albanologjike, të pranishme në jo pak biblioteka, arkiva, muze në botë.