Prof. Asoc. ANILA ÇEPANI (SEMA) | Zhvillimi i shpejtë i teknologjisë së komunikimit ka ndikuar jo vetëm në mundësitë dhe mënyrat alternative të pjesëmarrjes në komunitete, por dhe në përdorimin e gjuhës, duke mundësuar forma të reja të ligjërimit me karakteristika të dallueshme. Në thelb komunikimi i ndërmjetësuar nga kompjuteri (CMC) mund të ndahet në dy kategori kryesore: komunikimi sinkron dhe komunikimi asinkron. Komunikimi sinkron përfshin përdoruesit që shkëmbejnë ide e opinione në kohë reale ndërkohë që në komunikimin asinkron, të tillë si e-mail, blogjet në ueb, rrjete sociale etj. ndërveprimi nuk ka nevojë të jetë i njëkohshëm, autori dhe lexuesi mund të jenë në kohë të ndryshme dhe kanë mundësi ta rishohin atë që kanë shkruar si nga ana përmbajtësore, ashtu edhe nga ana gjuhësore duke treguar kështu më shumë kujdes.
Përdoruesit e rrjeteve sociale janë të prirur të kenë mënyrën e tyre për të shprehur idetë dhe mendimet ku gjuha përbën kodin kryesor që u shërben për të përcjellë atë që ata kanë për qëllim të thonë. Në këtë lloj komunikimi virtual nëpërmjet internetit, në përputhje me kontekstin e veçantë, ata shfrytëzojnë forma dhe veçori gjuhësore që janë të ngjashme si me gjuhën e folur, dhe me atë të shkruar.
Nisur edhe nga rezultatet e një studimi të mëhershëm, do të doja të ndalesha në dy aspekte kryesore:
- Përshkrimin e veçorive të ndryshme gjuhësore të kësaj forme komunikimi
- Problemet e kulturës së varfër gjuhësore
- Disa nga veçoritë gjuhësore janë:
- tiparet prozodike të gjuhës së folur (intonacioni, ritmi dhe theksi) me anë të të cilave përdoruesit përcjellin gjendjet e ndryshme emocionale;
- shenjat e ndryshme të pikësimit;
- përdorimi i shkronjës së madhe;
- proceset e ndryshme fjalëformuese, si shkurtimet, shkurtesat, kombinimet e shkronjave dhe të numrave, emotikonat etj.;
- elementet morfosintaksore;
- llojet e fjalive etj.
a. Elemente prozodike
Përveç njësive prozodike si theksi, tonet, ritmi, kuantiteti dhe intonacioni me përbërësit e tij, të cilat në të shkruar zëvendësohen me konvencione ortografike si shenjat e pikësimit (presje, pikëpresje, pikëpyetje etj.) dhe stilizimet tipografike për theksim, përdoruesit e rrjeteve sociale përdorin strategji të veçanta, mënyra të reja tekstuale, si përsëritjen e pikësimit, përsëritjen e fjalëve, zanoreve ose bashkëtingëlloreve, emotikonat, zëvendësimin e fjalëve ose të një pjese fjale me simbole të ndryshme ose numra, germat kapitale në mes të fjalëve ose në të gjithë fjalën, në mënyrë që të ndërveprojnë midis tyre dhe të përcjellin përjetime të ndryshme emocionale.
Me anë të përsëritjes së shenjave të pikësimit, bashkëbiseduesit arrijnë të shprehin elemente të ndryshme prozodike si një mënyrë për të kompensuar mungesën e gjesteve të fytyrës, gjuhën e trupit dhe rrethana të tjera kontekstuale të hasura zakonisht në një bisedë ballë për ballë. Më shpesh ndeshet përsëritja e pikëpyetjes, pikëçuditjes dhe pikës, hera-herës të alternuara me njëra-tjetrën.
- Kjo esht mace jo qen…… Po Te ishte qen do e kisha frik
- Frik nga qenet????!!!! Nga njerzit do te thuash.
- Marshalla grupi. Fitore paçi ngahera!!!
Pra, përsëritja e tepruar e shenjave të pikësimit tregon shkallën e intensitetit të ndjesive për ato që po thuhen në bisedë. Sa më i madh numri i shenjave të pikësimit, aq më të forta janë përjetimet e bashkëbiseduesve.
Një tjetër mënyrë për shprehjen e gjendjeve të ndryshme emocionale nga përdoruesit e rrjeteve sociale është përsëritja e zanoreve ose e bashkëtingëlloreve. Nga të dhënat e studimit tonë vihet re se përsëritja e disa zanoreve ose bashkëtingëlloreve të caktuara përdoren në mënyrë kreative në shumë situata për të shprehur qëndrimet emocionale, si lumturinë, gëzimin, zhgënjimin, mërzitjen etj. pa i dalluar në emocione negative apo pozitive.
Përdoruesit e rrjeteve sociale përzgjedhin në mënyrë rastësore zanoren që përsëritin pa e menduar nëse kjo është zanorja e theksuar, ose, përveç bashkëtingëllores së parë, përsëritin edhe bashkëtingëllore në pozicione të tjera të fjalës.
- Sa bukkkkkkur paska dddddale mojjjjj!!!
- Me pelqqqqqqen optimizmi yt…me frymezon edhe mua.
- Shuuumë urime për botimin e libriiiiit!
Në korpusin e komenteve dhe të postimeve vihen re disa fjalë me germa të mëdha ose ndonjëherë i gjithë mesazhi. Kjo është një zgjedhje e bashkëbiseduesve për të vënë në pah fjalën që duan të theksojnë më tepër dhe për të rritur gjendje emocionale të tilla si gëzim, kënaqësi, neveri, frikë etj.
Përdoruesit zgjedhin të përdorin shkronja kapitale për shkak se ato janë vizualisht më të dallueshme në krahasim me shkronjat jokapitale dhe shprehin rritjen e intonacionit për të nxjerrë në pah fjalët që duan të theksojnë më shumë ose të gjithë thënien. Germat e mëdha ndeshen në pozicione të ndryshme të thënies, në varësi të vendndodhjes së fjalës që mbart kuptimin e thënies së bashkëbiseduesit.
- Po nvend qe tbeja kte I bera reset TE GJITH LAPTOPIT!!!!
- Pamje mbresëlënëse e DASHURISË dhe PËRKUJDESJES së vëllait për motrën e vet të vogël!
- KOMISIONI me i mire dhe shume korekt. Ju falenderojme per punen tuaj.
Mjaft të përdorshme dhe që zënë një vend të gjerë në të folurën e përditshme janë pasthirrmat emocionale që shprehin ndijime, ndjenja a vullnetin e folësit, por pa i emërtuar (Hahahaah sa sy lesh jan gazetaret moreee; Aaa sa bukur aaa mashallah; hahaaa te e premtja calon puna:p te përqaputh o zemër.). Po ashtu ato përdoren dendur në mesazhet e rrjeteve sociale një pjesë e të cilave del me variante të ndryshme duke përsëritur elementet e tyre përbërëse.
Pavarësisht se disa prej pasthirrmave janë të përcaktuara për të shprehur kënaqësi, entuziazëm, gëzim, admirim e disa të tjera dhimbje, keqardhje, pakënaqësi, habi, zemërim, frikë etj. përdoruesit nuk e bëjnë këtë diferencim, por përdorin të njëjtën pasthirrmë për ndjesi të ndryshme.
- Uaaaa sa bukur…..dhe ky modeli i flokëve, që i shkoka kaq shumë
- Oboboooo, keto kafshet… sa na pelqejne:)
Çdo gjuhë ka në përbërjen e saj pasthirrma që kuptohen e përdoren prej të gjithëve, por në komente e postime vihet re që nuk huazohen vetëm fjalët nga gjuhët e tjera, por edhe pasthirrmat (Wowowowow, xaxaxaxa, Wehhh, yeahhhhh, uauuuuu, Wuuuu, wwwwaaaaaawwwww)
- Wowowowow goca sa bukur…:)))
- Ke të drejtë bejbi, yeahhhhh
- uauuuuu, sa bukur paske dale dreq:)))
- wwwwaaaaaawwwww, lere qenin moj vajzë por shiko rrugën ku kalon
b. Elemente takografike (tachography) dhe morfosintaksore
Për të shkëmbyer sa më shumë informacion në një mesazh apo postim përdoren mënyra të reja si shkurtime, shkurtesa, shenja konvencionale, kombinime të shkurtimeve me simbole e shenja grafike konvencionale në vend të fjalëve përkatëse.
Disa nga elementet takografike të përdorura më shumë janë emotikonat, logogramet, shkurtimet, shkurtesat apo akronimet.
Emotikoni është përfaqësim i një shprehjeje të fytyrës apo dhe pjesëve të tjera të trupit që përdoret në komunikimet elektronike për të përcjellë ndjenjat e përdoruesit. Efekti i tyre është i menjëhershëm sepse e shprehin qartë ndjesinë e bashkëbiseduesit, p.sh. nëse ai është i gëzuar, përdorimi i emotikonës e përcjell drejtpërdrejt gëzimin te tjetri. Disa emotikona që shprehin gëzim, frikë, zemërim kanë frekuencë përdorimi më të madhe sesa emotikonat e tjera që janë të shumta në numër.
Logogramet kanë të bëjnë me përdorimin e simboleve ose germave të vetmuara për të përfaqësuar fjalën apo një pjesë të saj kur emërtimi i një simboli tingëllon ngjashëm me një rrokje të fjalës, si vër8 (vërtetë), ça ka 3 (çfarë ka të re). (As1herë nuk i dihet udhëtimit & (dhe) ndaj ndihem 5imist (pesimist) x orarin e kthimit; Pse nuk i 3gove (tregove) te gjitha postimet, apo kishe 2shime.
Në të dhënat tona kemi vënë re pak shembuj logogramesh me fjalë të shqipes, sepse përdoruesit përdorin më shumë logograme të fjalëve të anglishtes.
Dukuria e emërtimeve të shkurtuara nuk është një proces i ri që lidhet me gjuhën e internetit në ditët e sotme, pasi ato janë përdorur në gjuhë prej kohësh, por përveç shkurtimeve tradicionale bashkëbiseduesit përdorin shumë shkurtime të reja, duke i reduktuar fjalët në një nga pjesët e tyre (duke hequr ndonjë pjesë në fillim, në mes ose në fund të tyre, ose duke larguar të gjitha zanoret) (Kemi një listë të madhe të të gjitha shkurtimeve të përdorura). (lzt = lezetshëm; mgjs, mgjse, mgjths = megjithëse; mgjt, mgjtht = megjithatë; mrz = mërzitur; zbkr = zbukuroj; zmr = zemër)
Këto shkurtime të reja janë të pastandardizuara dhe gjejnë vend vetëm në komunikimet përmes pajisjeve elektronike. Nga të dhënat e studimit, këto lloj shkurtimesh përdoren më shumë në bashkëbisedimet në dhomat e bisedave sesa në komente apo postime.
Për shprehje tipike të shprehjes së urimeve ose të ndjenjave të ndryshme përdoren vetëm germat e para dhe tashmë shkurtesa të tilla si, tdsh, tkshxh, tkz, klb, klm janë bërë klishe dhe gjenden kudo nëpër biseda të ndryshme. Pavarësisht se i takojnë gjuhës së shkruar, ndonjë prej këtyre shkurtesave është bërë pjesë e komunikimit të përditshëm, jashtë kufijve virtualë nga të rinjtë, por jo vetëm (klb, klm, flm).
klsmm = kalofsh sa më mirë; ntrz = në terezi; spk =si po kalon; tpf =të puth fort; tplq = të pëlqen; tpys = të pyes; amkpt = a më kuptove; ckb = çfarë ke bërë, ç’ke bërë; ckm = ç’kemi; çpb = çfarë po bën
Përdorimi i shkurtimeve dhe i shkurtesave është një zhvillim i natyrshëm i gjuhës së komunikimit nëpërmjet pajisjeve kompjuterike sepse komunikojnë informacion në mënyrën më të shpejtë të mundshme duke kursyer kohë dhe hapësirë.
Është e dukshme se stili i strukturës së fjalës dhe të fjalisë në gjuhën e internetit është thelbësisht i ndryshëm nga ai i gjuhës standarde. Për t’iu përshtatur kontekstit të komunikimit online, bashkëbiseduesit përdorin një gjuhë ku vihet re prirja për reduktimin e formave të fjalëve, thjeshtimin e strukturave, përdorimin e fjalive të shkurtra e të paplota, madje pjesët e fjalive të përbëra ndahen në fjali të shkurtra, pavarësisht se janë të varura nga njëra-tjetra, shmangien nga rendi i drejtë i gjymtyrëve në fjali.
- Problemet e shumta gjuhësore
Të gjitha veçoritë e përshkruara më sipër shoqërohen me një mungesë të theksuar të kulturës gjuhësore. Kjo pakujdesi mendoj se vjen nga dy arsye kryesore: e para, sepse përdoruesit e shqipes në internet jo vetëm që janë të shumtë, por u përkasin kategorive dhe shtresave të ndryshme shoqërore, ku pjesa më e madhe nuk kanë kulturën e nevojshme gjuhësore; e dyta, është mungesa e kohës së nevojshme për të shkruar saktë, sepse përgjigjja duhet të jetë shumë e shpejtë. Shumica e atyre që shkruajnë nëpër listat e internetit bëjnë një numër të madh gabimesh drejtshkrimore, pjesa më e madhe e të cilave vihet re edhe në përdorimin e shqipes në shtypin e shkruar. Dikush mund të thotë se ato janë gabime teknike që bëhen nga mos shtypja e saktë e tastierës së kompjuterit. Është e vërtetë që dhe kjo ndodh shpeshherë, por një sy i fortë e kupton kur gabimet janë të kësaj natyre, e kur ato vijnë nga mosnjohja e rregullave gjuhësore.
Gabimet e vëna re në materialet e bollshme të marra nga forume e rrjete të ndryshme sociale janë të shumta.
Ajo që të bie në sy në vështrimin e parë është mospërdorimi i shkronjave ë dhe ç. Pothuajse të gjithë përdorin shkronjat “e” dhe “c” në vend të tyre, sepse alternimi i tasteve të ndryshëm (Alt+135, Alt+137 etj.) u merr më shumë kohë në kthimin e përgjigjeve. Mospërdorimi i shkronjave ë dhe ç e shëmton gjuhën tonë të shkruar. Një tastierë e posaçme për shqipen që do të kishte dhe shkronjat ë e ç, nuk do të sillte probleme dhe në rastet kur shkruajmë në një gjuhë tjetër. Përveç kësaj, ekziston një program për tastierën, i cili e lehtëson edhe më tepër problemin. Mjafton një instalim i këtij programi në kompjuter e më pas zëvendësimi i përhershëm i tasteve që përdoren shumë rrallë me simbolet ë e ç. Ky zëvendësim gjen përdorim në të gjitha programet kompjuterike, përfshirë këtu dhe internetin.
Në pjesët e teksteve të shkëputura nga bisedat midis shqiptarëve në forume të ndryshme vihet re se gabimet drejtshkrimore dhe gramatikore janë gjithfarëshe:
- Përdorimi jo i drejtë i zanores ë hetohet në shumë raste (zanorja ë herë mungon atje ku duhet e herë shtohet pa qenë nevoja). Këto gabime vijnë si rezultat i mosnjohjes së normave gjuhësore dhe jo nga shpejtësia e të shkruarit.
- Një mangësi tjetër, që besoj se vjen nga mungesa e kohës, është mospërdorimi i apostrofit. Pjesëza mohuese s’ (nuk pothuajse nuk përdoret fare), përemri pyetës ç’ shkruhen bashkë me fjalën.
- Një numër i madh gabimesh vihet re në format e ndryshme gramatikore të fjalëve. Megjithëse u përkasin dialekteve të ndryshme, pjesa më e madhe përdoruesve të shqipes në internet përpiqen të shkruajnë në gjuhën standarde, por pa iu shmangur formave gramatikore dialektore (më shumë gabohet në sistemin foljor, sidomos në pjesoret e foljeve).
- Ndoshta dhe për të shkurtuar kohë, përdoruesit e shqipes në internet e cungojnë formën e së ardhmes të tipit do të punoj në do punoj.
- Shumë bashkëbisedues në internet i shkruajnë fjalët ashtu siç i shqiptojnë ata vetë e jo sipas shqiptimit letrar. Një nga shfaqjet që bie më shumë në sy është përdorimi i q dhe gj në vend të ç dhe xh, po ashtu dhe përdorimi i r në vend të rr e përdorimi i dh në vend të ll dhe anasjellas haset shpesh.
- Mungesa e përshtatjes së fjalëve me njëra-tjetrën vihet re dendur (Gabimet më të shumta vihen re në mospërshtatjen e kallëzuesit me kryefjalën, përcaktorit me fjalën që përcakton).
- Në disa raste, lihen jashtë fjalisë elemente të saj përbërëse, të tilla si nyjat, parafjalët, pjesëzat dhe trajtat e shkurtra. Shumë shpesh këto fjalë funksionale bëhen njësh me fjalët pasardhëse, të cilat shkurtohen gjithashtu duke i hequr zanoret, vihet re dukuria e elizionit etj
- Në rreshtat e shkruar shqip, hasen fjalë e shprehje të huaja nga anglishtja, italishtja e ndonjë gjuhë tjetër. Kjo vjen jo vetëm nga pakujdesia e moskokëçarja, por gjithashtu edhe nga shpejtësia e të shkruarit. Disa fjalë dhe shprehje nga anglishtja e italishtja janë më të shkurtra se përgjegjëset në shqip, ndaj shqipshkruesit i bien shkurt. Një pjesë e konsiderueshme e përdoruesve jetojnë prej vitesh në vende të ndryshme, prandaj u vijnë shumë natyrshëm fjalët e gjuhës që flasin përditë. Ata shkojnë edhe më tej duke krijuar fjalë “të reja”, ku përziejnë rrënjë e fjalës e huaj me ndajshtesat dhe mbaresat e shqipes.
Nga sa pamë në këtë analizën, mund të themi se gjuha e përdorur në rrjete sociale dhe në përgjithësi në internet shfaq elemente që janë të ngjashme si me gjuhën e folur, dhe me atë të shkruar, por më shumë vihet re prirja për të ndjekur modelin e gjuhës së folur; ka karakter spontan, është mjaft e shkujdesur, shkelen rregulla gjuhësore të mësuara që në arsimin e mesëm të ulët.
Është mjaft e qartë se të gjitha karakteristikat e kësaj gjuhe justifikohen me përdorimin e tyre në kontekste të caktuara, por nuk mund të zhvendosen në mediume të tjera komunikimi. Duke pasur parasysh se çdo situatë komunikuese kërkon llojin e vet të gjuhës ose regjistrin e gjuhës, këto elemente nuk kanë asgjë të gabuar dhe, nëse përdoren siç duhet, nuk e varfërojnë gjuhën. Ajo është një varietet që përgjithësisht mbështetet te standardi, por që për rrethanat e përdorimit dhe kategorive të ndryshme të përdoruesve nuk mund të merret si përdorim publik i mirëfilltë (si gjuha e mediave). E rëndësishme është të dish të zgjedhësh për çdo situatë gjuhën më të përshtatshme. Kjo mënyrë të komunikuari është gjerësisht tashmë jo vetëm te të rinjtë, por te te gjithë ata që përdorin kompjuterin e internetin, pa dallim moshe. Kjo gjë nuk mund të shmanget, dhe besoj nuk përbën ndonjë rrezik nëse mbetet thjesht deri në këtë pikë. Por nëse kjo mënyrë të komunikuari bëhet e zakonshme në çfarëdo ambienti apo situate, pra jo vetëm një kominikim i shpejtë mes shokësh, atëherë duhet të shqetësohemi se sa thellë do të shkojë e sa ndikim do të ketë në gjuhë. Kjo mund të përbëjë rrezik sidomos për ata persona që nuk kanë formimin e duhur gjuhësor dhe do të ngulisin në shkrimin e tyre, trajtat e gabuara të fjalëve, pa arritur të bëjnë dallimin se cila është e drejta.
| Gazeta Liberale |