“Mijëra qytetarë u ngritën më 20 shkurt të vitit 1991 për të shembur simbolin e komunizmit, pak muaj pasi regjimi i vjetër që po jetonte ditët e tij të fundit kishte lejuar pluralizmin politik. Rrëzimi i monumentit të Hoxhës u nxit nga greva e urisë e ndërmarrë nga disa qindra studentë për t’i hequr universitetit emrin e tij”,-njoftoi sot Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”.
20 shkurti është caktuar si Dita e Kujtesës Kombëtare për Martirët dhe Viktimat e Regjimit Komunist.
Ajo shënoi në fakt edhe fundin e diktaturës në Shqipëri.
Pamjet e atyre ngjarjeve, në sheshin ‘Skënderbej’ bënë xhiron e botës dhe e vunë edhe një herë Shqipërinë në fokus të zhvillimeve ndërkombëtare.
Rrëzimi i përmendores së diktatorit Enver Hoxha do të shënonte edhe ndarjen me të shkuarën dhe fillimin e një epoke të re, atë të demokracisë.
Tek ‘Shtëpia me Gjethe’ sot hapet ekspozita ‘Qëndresa’, dhe do të zhvillohet një bashkëbisedim me z. Fatmir Merkoçi, protagonist në rënien e monumentit. /syri.net/