Fitnete Rexha është “Artiste e Merituar”. Një ndër këngëtaret më të shquara të muzikës popullore të Shqipërisë së mesme, kryesisht të muzikës popullore qytetare tiranase. Fitnetja bie në kontakt me traditën e muzikës popullore qytetare tiranase në familjen e saj. Vajza më e vogël e Bab Rexh Delisë “Hero i Popullit”, familja krutane e të cilit njihet për vlerat e traditës, kultivonte prej shumë brezash këngën popullore. Ndër këngët më të bukura të kënduara prej F. Rexhës përmendim: “Te selvitë e Namazgjasë”, “Qënke veshur me të bardha”, “Mu aty tek shtatë zymbylat”, “Dy të bukurat në nji derë” etj. Ka regjistruar rreth 200 këngë popullore të Shqipërisë së Mesme. Regjistrimet muzikore të saj gjenden kryesisht pranë Radio-Tiranës. Akademik. Prof. Çesk Zadeja ka thënë se sa herë të dëgjohet kënga popullore e Shqipërisë së Mesme, gjithmonë do të kujtohet këngëtarja Fitnete Rexha.