Dr. Zejnepe Alili – REXHEPI | Lirika e Migjenit trajton ngjarje të aktualitetetit të kohës, në kontinuitet me kohën, me përjetimin, duke vënë në shënjestër hipokrizinë dhe devijimet shoqërore të viteve 20-30 të shekullit XX. Me bindjen se misioni i intelektualit është që të ndikojë në emancipimin e brezave, Migjeni shpalos imazhin e brendshëm të shoqërisë dhe pozitën e gruas në shoqërinë e paarsimuar, thuajse aspak, pra i pasqyron trazimet dhe botën përreth saj…, ndonëse poeti botën e parasheh si një kaos ku arti do të pësojë kapitullim shpirtëror, ai vepron mbi parimet e realizmit kritik dhe shfaq një dozë optimizmi për të yshtur forcën shpirtërore mbi fatalitetin dhe pasivitetin, mbi plogështinë morale.[1] Ai është i hapur edhe në trajtimin e shumë çështjeve shoqërore, qoftë edhe përmes formës fragmentare ose miniaturale të këndvështrimit realist, me ç’rast ndërfutet në psikologjinë dhe ndërgjegjen e kësaj shoqërie që gruan e lë në mjerim, e zhvesh nga dinjiteti njerëzor.
Figura e gruaja, e trajtuar në poezinë e Migjenit, jepet me të gjitha detajet jetësore, të cilat rishfaqen si imazh i patjetërsueshëm i temave sociale, me përvijimet ekzistenciale të jetës së saj, ku Migjeni e vlerëson dhe e lartëson figurën e gruas, gjë që mirëfilli e dëshmon në poezinë erotike. Gruaja për të është qenia më e dashur, edhe pse nganjëherë e brishtë dhe e pakapshme. Për të i sajon epitetet më të bukura, si: hyjneshë, stërzane, pëllumbeshë… buzëmanushaqe e fletëza trandafilesh, që vijnë si shprehje ndjesish të një përjetimi, sa të çiltër, aq edhe fatal, në të njëjtën kohë. Në realitet, gruaja, figurën e së cilës Migjeni e percepton nga përditshmëria, është qenie e përbuzur, e nëpërkëmbur, grua që e humb krenarinë pa dëshirën e saj, e shtyrë nga gjendja e vështirë sociale.
Pavarësisht vendit, kohës, sakrificës… gruaja si imazh i një dimensioni gjithkohor është shtytje, frymëzim për poetët e të gjitha kohërave, ndonëse madhështia e një artisti nuk peshohet me nxitjen e ndjenjave të mira, por, qëndron në stilin madhështor, në shkathtësinë krijuese të tij për t’u bërë mjeshtër i gjetjes së ambicieve dhe logjikës që e përdor gjatë prurjeve artistike. Me veprën e Migjenit, me lirikën e viteve 20-30 të Asdrenit dhe me lirikën e L. Poradecit, letërsia shqiptare emancipohej nga trysnia e poetikës tradicionale dhe artikulonte shprehjen e saj moderne.[2] Migjeni, krahas poezive sociale, filozofike, refleksive, ku tregohet tejet i suksesshëm, shkruan edhe një cikël poezish erotike që në proporcion me vëllimin poetik Vargjet e lira”, dhe natyrisht me vitet e pakta të jetës, sigurisht që s’është pak, aq më tepër kur poezia e tij e mban vulën e kohës, është inspirim dhe gjakim i poetit. Për këtë thuhet se metafora Kulla e fildishtë u dedikohet poetëve të mëdhenj, të zgjedhur që e krijojnë poezinë estetike. Poezia e motivit erotik, brenda ciklit Kangët e rinisë, i jep një freskim lirikës dhe përkushtimit të këtij poeti ndaj motivit social, si dhe mjerimit në shoqërinë shqiptare. Poezitë e këtij motivi janë të kultivuara mirë, mbase e shënojnë fijen e skajshme të traditës dhe sjellin vargje plot risi, si për nga ideja, ashtu edhe për nga struktura.
Poezia erotike, në kohën kur shkruan Migjeni, veç më kishte krijuar një traditë. Në këtë temë ishin dëshmuar krijues të shumtë shqiptarë, si: Zef Serembe, Naim Frashëri, Andon Zako-Çajupi, Ali Asllani, Lasgush Poradeci…, të cilët dashurinë si motiv e patën frymëzim të përhershëm. Në krahasim me ta, Migjeni tregohet më i kursyer në realizimin e kësaj poezie, është më diskret dhe ndiesinë e tij arrinë me mjeshtri ta fsheh nga lexuesit kureshtarë. Përmes poezisë erotike …autori i këndon një dashurie që, fatkeqësisht, qe tragjike ashtu siç qe tragjik edhe fati i poetit, që shumë herët ia dha lamtumirën jetës. Varësisht se për çfarë faze të dashurisë shkruan poeti, vërehet se në poezinë e tij dominon ndjenja e lumturisë apo ajo e dhembjes[3].
Poezia erotike sajohet mbi situata dramatike duke e shpalosur gjendjen e krijuar, që e përjeton shpirtërisht Migjeni, me një laryshi temash nga më të ndryshmet përjetime. Ato janë të pakta në numër, vetëm dhjetë sosh. Poezitë e para të ciklit, si: Ekstaza pranverore, Dy buzë, Sonet pranveruer, të cilat formësohen nga një shpërthim ndjesor, fillojnë si stinë pranvere, marrin vrull e bëhen festë në shpirtin e poetit. Fillimisht, çdo gjë duket si një mrekulli, tek sa e përkëdhel një fresk i lehtë/Ekstaza pranverore, ndjenjë që sa vjen e thellohet, bëhet një trazim i papushtueshëm që e josh deri në përjetimin që le gjurmë/Dy buzë, mandej lumturia s’ka fund, ajo tufëzohet për të mbetur kujtim i përjetshëm si një/Sonet pranveruer. Më pas, poeti sikur i shfrenon ndjenjat e tij, nis e bëhet më enigmatik, mbase e ka të patjetërsueshme këtë gj, si në poezinë: Z.B., Ndeshja, Nji natë dhe Lutje. Ndjesia që përshkruhet në vargjet e këtyre poezive është si një shpërthim i ngulfatur, pa jehonë e reflektim, sepse rezulton të jetë ndonjë dashuri e përligjur, e ndaluar… Dy poezitë tjera: Mbas tryezës dhe Hidhet e përhidhet, janë shfrym kundër jetës së shfrenuar të rinisë dhe hipokrizisë, ku çdo gjë është fundosur në botën e vetëmashtrimit, kur karakteri i një grupi të rinjësh luhatet si fluskë, vetëdija u është kthyer në iluzion. Në poezinë e fundit të ciklit: Malli rinuer, poeti është vetvetja. Ai e parandjen fundin, andaj për çdo gjë ka mall. Trishtimi i bëhet shoqërues i pandashëm i jetës, melankolia dhe vetmia, po ashtu. Tani më, në dhomën e poetit gjen vetëm kujtimin për një vallëzim të largët të një çifti rinor. Çdo gjë tjetër për të asocon në Kangët e fundit, si ritmi i çasteve të fundit të jetës. Edhe poezia e motivit erotik, gati përherë ka fund fatal, ndoshta pse në opinionin shqiptar, jo vetëm në kohën e autorit, por në përmasa më të gjera, dashuria shihet me sy të dyshimtë, përherë kritik, ndoshta nga bindja se femra i thyen kodet kanunore të nënshtrimit dhe fatit të saj në duart e burrit…
Megjithëse, cikli i poezive erotike të Migjenit analizohet gati ndryshe nga çdo studiues, sepse figuracioni në to kapet tjetërsoj dhe perceptohet ndryshe, më duket më e arsyeshme të shkoj sipas kronologjisë së poezive në vetë ciklin Kangët e rinisë, ku erotika është vetëm personalizim i ndjeshmërisë së poetit, pra një antitezë – si përjetim i bukur dhe dështim tronditës. Kur lexohen poezitë erotike, të krijohet bindja se dashuria si përjetim, në vargun migjenian, vjen si drithërimë a fresk pranveror, por që e pushton tërë qenien e tij, ku njohim shprehjen artistike, përcaktimin tematik të tij për të hyrë në vorbullën e kësaj ndjenje shpërthyese, herë të hareshme – herë si klithje, përmes së cilës i drejtohet botës.
Në këto poezi, ai nuk e zbulon shigjetën e Amorit, as mollën e Adamit, por shkruan për to si përjetim lirik i baraspeshës dhe i prishjes së harmonisë që individit i sjell ky përjetim.
Poezia Ekstazë pranverore tingëllon si një hymn i stinës së re …dhe pranvera erdhi…,[4] thotë poeti, si një shkëndijë për të ardhmen, si ai dielli alegorik që e paralajmëron më parë Migjeni. Poezia mund të zbërthehet, si: pranverë vetjake (mbase një këndellje shpirtërore e poetit shëndetlig), si shpërthim erotik, që e pushton një kohë djaloshin – poet, madje edhe si diell i shumëpritur për t’u parë mbi nënqiellin e Shqipërisë.
Poezia është një simbol i fuqishëm, që lind dhe e mbërthen të tërin, si në ekstazë, shpirtin e poetit, dhe e bën të shpërthejë si dashuria dhe triumfi i jetës. Ndjeshëm vihet re prirja estetike e një shpirti delikat që entuziazmohet e kumbon si lyra e Orfe-ut. Madje, asht njëmend nji ekstazë e shpirtit të ringjallun, e këndueme ndër vargje si jone muzike që i thurin lavde natyrës së freskët, me pika t‘ argjante vese. Me rreye t’ arta dielli, me ciercërime dallnyshash e bylbylash.[5]
Vargjet e poezisë, plot ritëm, ngrihen mbi ngjyrat e aktualitetit të jetës, prandaj nga studiues të ndryshëm mund të ketë disa shpjegime, si nuanca ngjyrash, mbështjellur me tis fshehtësie që të shpien në disa asociacione. Disa kritikë letrarë mundohen që të gjejnë shpjegimin e duhur për subjektin dhe mesazhin e kësaj poezie, por alternativat vazhdojnë të ndjehen dukshëm. Ndoshta e bardha prezanton ndjenjën e çiltër të poetit, atë ndjenjë sublime që e përjeton ndaj vashës së tij; e zeza, pikëllimi i poetit për jetën që dita-ditës pret të shuhej; e kuqja, si gjaku, si drita e zjarrtë e diellit që Migjeni e quan alegorik, si vetë liria e shumëndërruar e popullit të shtypur ndër shekuj. Tani, pranvera është pranë, …dhe pranvera erdhi, thotë poeti me entuziazëm dhe nuk ngurron të bëhet paralajmërues i stinës së ngrohtë, si shpirti i tij, si vetë dashuria njerëzore.
Në vargjet e poezisë Dy buzë, shpirti migjenian është më i hapur, ai pranon se mallëngjehet për vashën sykaltër, përjeton ekstazë pranverore për buzët e saj të flakta… e kjo s’është tjetër pos një ndjenjë që e mbërthen poetin fjalëpakë e natyra e tij e heshtur pranverë rrezaton: Dy buzë të kuqe,/dy dëshira të flakta,/që afshin ma thithen,/gëzimin ma fiken,/si fantazma hiken/nder do bota të larta…[6] Bukuria e vashës, e perceptuar përmes shqisave të poetit, merret për bukuri universale, pa i munguar vlera artistike. Arsyeshmëria për tiparet femërore, këtu, përkon plotësisht dhe është në harmoni me përshkrimin e vashës së traditës. P.sh.: me vargjet Dy buzë të kuqe/dy dëshira të flakta ruhen vijat e rregullta të përshkrimit popullor.
Shpejt ndeshemi me ndjenjën e trazuar, të personalizuar të poetit, ku çdo gjë vjen në forma antitezash. Fillon si çdo dashuri që vjen befas, të josh për të të zënë në grackë, e të rrëmben deri në marrosje. Madje, pikërisht buzët, qofshin të kuqe e të përgjakura, si në vargun e Migjenit, qofshin të përflakura si qershi, si në vargun popullor, s’ka rëndësi, mjafton të kujtojmë se ato janë refleksi më i shpeshtë i dashurisë. Edhe kur s’kanë ndonjë kuqëlim të natyrshëm, por, sipas Mira Meksit, janë të lyera me një shtresëzë të kuqi buzësh…[7] krijojnë prelud dashurie.
Subjekti lirik i kësaj poezie e vë poetin-protagonist kundrejt ndjenjës rrëmbyese që godet pa mëshirshëm dhe me ato … Dy buzë si të përgjakta, lë vragë në jetë.
Nëse në shumë poezi shprehet tragjika e gruas, këtu shprehet dhembja e djaloshit që ndeshet me bukurinë fatale të gruas që dashuron, por kjo ndjenjë e njëanëshme e bën atë të vuajë dhe me mall ta kujtojë këtë përjetim dashurie, tani më të mërguar. Meqenëse, poezia Dy buzë mban një përjetim personal të poetit, subjekti lirik ka pathos realiteti, ku ruhet forma poetike përmes një sajimi estetik të mrekullueshëm që edhe sot bukurtingëllon si një melodi tërheqëse.
Poezia Sonet pranveruer, është poezi mjaft e realizuar artistikisht, ku pranverës i këndohet hymn, si stina e ngrohtësisë së përgjithshme njerëzore, por edhe si asocim i dashurisë, për të cilën këndohet si përsiatje, apo si ndjenjë e rezervuar, megjithëse nënkuptohet se dashuria është substrat sublim.
Poezia s’është e llojit alternativë, megjithëse përmes kësaj poeti aludon në dy qëllime:
Në lirinë universale që e ëndërron poeti si një e nesërme e afërt, si një vizion lirik mjaft të ndjeshëm, sikurse në poezinë Parathanja e parathanjeve, pra kur poeti pret pranverë në vendin e tij, e flet për lirinë prej gaforeje…
Në lirinë vetjake, që e quan: stina e dashurisë, koha e ringjalljes së natyrës, e bashkë me të edhe rigjallërimi i shpirtit. Ai e ndjen ngrohtësinë e stinës që e josh në përjetime të reja personale, andaj, jo rastësisht, edhe ciklin Kangët e rinisë e fillon po me këtë poezi.
Poezia përkon gati tërësisht me Nji lule vjeshtet, të Gjergj Fishtës, ku si një zë personal, me mesazhe universale, sjell kontrastin e thellë ndjesor. Që të dyja poezitë i sendërton ligjërimi i brendshëm me nota prekëse që jep një domethënie të figurshme letrare.
Poezia e Migjenit sjell vargje të një ritmi të matur, e kur poeti i këndon, atëherë e ndien thellë frymëzimin e tyre. Përgjithësimi artistik, jep mendime e gjykime mbi vetë dashurinë, për të arritur në domethënien e saj shoqërore, krahas asaj jetësore. Është shkruar me sinqeritet ndiesor e sensibilitet artistik, pa ndonjë stisje. Çdo lexues që njihet me krijimtarinë letrare të Migjenit, mund të thoshte: Ai është drita që shtegton me ne! Por, në këtë shtegtim ka dhe një nuancë trishtimi të ndjeshëm.
Ndonëse poeti e parandien fundin e jetës dhe atë e merr vetëm si një vjeshtë në parakalim, natyrshëm edhe dashuria që ai ndien sikur i afrohet një perëndimi. Tërë entuziazmi i tij ka hove të shfrenuara, sepse bashkëveprojnë si dy simbole të fuqishme, tejet domethënëse: pranvera – vjeshta, jeta – vdekja. Kështu, peizazhi i një lulëzimi pranveror bëhet vjeshtë e shpirtit. Meqë, pranvera e mbulon të shkuarën dhe e thekson ftohtësinë që pason ia lë vendin vjeshtës që zbarkon në shpirtin e poetit.
Poezia e Migjenit krijohet me një funksion lirik si shprehje e botës së brendshme, përmes ndërgjegjes, ndjenjës, përsiatjes…, shpërthen në formë pasioni, dhe mbi të gjitha puqet në koinçidencë me shpirtëroren. Pavarësisht si përfundon dashuria që ai ndien, mjafton që ajo lind si një ndjenjë e çiltër midis sfidash të shumta, gjë që e përshkruan bukur Benedetto Croche, se edhe format e shpirtit janë të dallueshme, jo të ndara.
Në poezinë, Z.B., Migjeni reflekton një ndjenjë sublime, ku lirizmi merr krahë mbi kaltërsinë qiellore të syve të vashës, zojushës Bojka, që poeti e adhuron, e i përkushtohet…
Poeti është i hapur, nuk e vret shumë mendjen për transparencën e vargut, as të ndjenjave… dhe fuqishëm e shijon bukurinë që i ofron kjo dashuri. Bukurinë e vashës e jep fare natyrshëm, pa ia pleksur atë falsitetin e femrës së qytetëruar. Këtu gjejmë një krahasim të bukur të vargjeve me poetin rus A.S.Pushkin, i cili në poezinë kushtuar A.P.Kernës, thotë: N’andrralla jete zhurmëkote,/Në dhembje brengash e mërzi,/Më grishte larg fytyra jote/Dhe zëri yt plot ëmbëlsi.[8] I brumosur me të njëjtin tharm poetik, me të njëjtin frymëzim për vashën që i fanitet si ëndërr: Pranverë, o kohëz dashurie,/Ç’më mbushe plot me pikëllim./sa mall sërish ti po më bie/Në shpirtin tim, në gjakun tim…[9],
Poezia Z.B. është një poezi autobiografike, nëse mbështetemi në të dhënat më të sakta e më të plota jetësore, të dy studiuesve, Ali Llunjit dhe Rinush Idrizit, në lidhje me sqarimin se cila është Bojka Nikolla, ku ata japin shpjegime interesante, duke i analizuar korrespodencat e Migjenit dërguar miqve, kushërinjëve, motrave dhe natyrisht zonjushës Z.B., të cilën Migjeni e quante Bolka (dhimbje).
Po të kërkojmë një analogji frymëzuese në krijimet poetike të Migjenit dhe De Radës, mund të thuhet që nuk vijnë nga i njëjti këndvështrim. Kur De Rada e shkroi Këngët e Milosaos, deklaron: unë në të derdha shumë ëmbëlsi e mallëngjim,[10], ndërsa Migjeni në poezitë erotike pushtohet nga një mallëngjim e pikëllim, por që artikulohet përmes një toni modern poetik. Dashuria që e përjeton Migjeni përngjet në një shfrym të një revolucioni të fuqishëm erotik, por që shumë shpejt bëhet e pamundur, mbetet e paarritshme (mbase nga vdekja e hershme) edhe pse, për nga tema, ideja, figuracioni, melodia e vargut, kuptimësia e fjalës, kjo poezi vargëzohet me të tjerat, si në harmoni të një ansambli.
Do të dëshiroja, që këtë dashuri të pafat ta quaj idila poetike migjeniane, meqë ajo është një përjetim, që pushton ndjensinë dhe kujtimin më të bukur të poetit. Dashuria për Bojkën është një imazh real dhe nuk i ngjan asaj ndjenje purteke të adoleshencës.
Poezia Ndeshja, nuk e ka atë bukurinë e formësimit ekzaltues, të disa poezive paraprirëse, meqë vë në pah një ndjenjë më të molisur, plot mllef që të mbërthen qysh në vargjet e para, që tingëllojnë si një çast i imagjinuar, larg reales. Çdo gjë nis një natë, kur kjo grua, që nuk emërtohet, i fanitet si në ëndërr. Po e bukura e kësaj dashurie, mbase imagjinare qëndron në shprehjen grua a hyjneshë, që flet qartë për ndjenjën e lartë fisnike që ushqen poeti për gruan shqiptare. Fjala o grue vjen si një tingëllimë e ëmbël që shkaktojnë epitetet zonjushë, o vashë, zanë, hyjneshë, perëndeshë, etj.
Tema e kësaj poezie përkon me poezinë e Zef Serembes, kur i këndon vashëz së tij në distikun Vashës së largët.[11] Të duket se që në fillim ai e parandjen fundin fatal, sepse i paraprinë fati i lig, madje estetika e dhembjes së dashurisë artikulohet me figurat ku ëndrra e hershme rinore bëhet dëshpërim i thellë, një shpresë e parealizueshme. Në rrethanat e një jetese të vështirë, …gruaja ishte e privuar nga pavarësia e mendimit dhe e veprimit, prandaj dashuria në të cilën ajo do ta realizonte qenien e vet njerëzore dhe shoqërore ishte e pamundur.[12]
Edhe Migjeni i jep trajtë karakteristike vargut të tij, ai nuk jep detaje të shumta sikurse Serembe, e ruan logjikën si ndjesi e brendshme për të mos u hapur shumë, për të qenë më i përmbajtur. Një dashuri e përflakur, e pakthyeshme e pushton Migjenin, në poezinë Ndeshja, përderisa në sonetin Asaj që dikur më dashuronte, të Serembes, dashuria përshkohet nga një ritëm i vrullshëm shpirtëror, sendërtohet me simbole hyjnizuese: amshim, zjarr, nur…,
Ky përjetim, për poetin, nuk është vetëm kalim kohe, as ndonjë nocion filozofik, por një ndjenjë e pasuar nga një kujtim i paharrueshëm. Kjo grua e bukur, me portretin e një hyjneshe bëhet ideal i tij. Portreti i saj imponohet si mishërim i ëndrrave të poetit. Edhe pse vargu – refren O grue, që u ndeshmë… ngjan si një dhimbje e thellë që si përgjërim del nga shpirti i poetit, megjithatë nganjëherë dashuria vihet në situata të çuditshme… përfundon si një idilë duke lënë pas vetes vetëm frikë e dhimbje tek poeti i vetmuar. Poezi të së njëjtës temë dhe dimension artistik gjejmë te: E. A. Poe, Korbi, Bodleri, Zonja me kapele, Një kalimtareje, Çajupi, Mikes, si dhe Naim Frashëri, në ciklin Bukuria, ku i këndoi përjetimit të dashurisë në formë përsiatjesh filozofike. Dashuria për të qe një idilë, plot sensualitet, sikurse në sonetit e Migjenit, ku në frymën meditative, me nota intime i këndohet shpirtit plot pasion.
Gruaja e ëndrrave të poetit është në mes hyjnores – qiellores dhe reales – tokësores. Migjeni, me anë të figurës së hyjneshës e formëson idenë poetike për gruan, si burim i pashtershëm i bukurisë dhe si pjesë e pandarë e idealit të së bukurës, andaj edhe poeti bie në këtë grackë, s’u reziston dot hireve të hyjneshës së tij. Me këtë sikur e përvijon kultin e femrës e të dashurisë, të kënduar me aq finesë e përkushtim. Në këtë poezi, madhështinë poetike e krijojnë metaforat e antitezat që e ravijozojnë këtë poezi, si: zjarr – akull, dashuri – tradhëti, afsh – vrer, jetë – vdekje… Përmes figuracionit të dendur poetik, veçmas metaforës, ai shpreh sensualitetin dhe brishtësinë e femrës, si dhe elegancën e tij plot finesë të një poeti me shije delikate.
Talenti krijues i Migjenit, në poezinë Nji natë, rrjedh si rezultat i individualitetit të tij të formuar në përmasa reale të një ndjeshmërie të thellë, të përjetimeve që marrin shtytje nga realiteti politiko-shoqëror i vendit të tij. Të perceptuarit e gjendjes shoqërore, ashtu siç është, e bën poetin që të ruajë ngjyrën e lirikës, në vargun e tij, ku del në pah një botë e tërë refleksesh të rëndësishme, përmes të cilave Migjeni mundohet ta fisnikërojë vetëdijen dhe qenien njerëzore. Mirëpo, ndjenja e tyre ka formë të brishtë, fluide. Poeti dhe vasha që dashuron janë dëshmitarë dhe përjetues të kësaj pasigurie jetësore. Ndonëse, përshkruhet si një dashuri platonike, bukuria është virtyti ideal që e frymëzon poetin kur në një delir shpirtëror i këndon gruas, të cilën e quan: grue a hyjneshë.
Poezia e shprehur në formë narrative, sjell lirizëm të natyrshëm, ku shpaloset ndjenja e gruas, në harmoni me përjetimin e saj dhe lumturinë e pafundme që zgjon te poeti. Edhe pse poeti, si në dehje, e shpalos qartë talentin poetik dhe inteligjencën kritike, që si virtyte e formojnë personalitetin e Migjenit dhe disiplinën shpirtërore për të qenë përsiatës i vëmendshëm gjatë vargëzimit të kësaj dhe një sërë poezish tjera.
Poezia Lutje sendërtohet nga thërrmija lirike që më tepër kanë imazhin e një fluidi ndjesor për t’i dhuruar poetit dashurinë që e ëndërron. Vargu paraprirës i poezisë, si refren i të gjitha strofave: Të lutem, o perendi,[13] vjen si një përgjërim shpirtëror, për realizimin e një dëshire, një ëndrre, ku akordet e një simfonie do ta bëjnë përjetësisht të lumtur. Kjo lloj ndjesie, ku bukuria e vashës hyjnizohet, ndërsa dashuria idealizohet, shpeshherë i ka pushtuar edhe poetët e tjerë, si: Naim Frashërin – Bukuria, A. Z. Çajupin – Dashuria, Zef Seremben – Fytyra e saj, Lasgush Poradecin…, etj.
Poezitë: Nji natë dhe Lutje vijnë tok si një tufë ndjesish ku dashuria shpërthen pas një meditimi të gjatë, pas lutjesh të pafundme drejtuar Perëndisë, si një simfoni drithërimash të ndjellura nga gruaja – hyjneshë. Migjeni, siç duket, e ka lexuar poetin amerikan, Edgar Alan Po-e dhe njihet me ëndërrimet e tij kur e shkroi poemën Korbi. Poezia Nji natë ka për refren shprehjen grue a hyjneshë që të përkujton po atë thirrjen ritmike, me shumë mall, për të dashurën Lenorë. Këtu përdoret simboli me ç’rast korbi simbolizon dhembjen, vdekjen, fatalitetin, prandaj paraqitet me ngjyrë të zezë dhe nga ana tjetër busti i Minervës, ku pushon korbi, është i bardhë, që simbolizon çiltërsi dhe një tjetër trinitet të rëndësishëm: gruan – amësinë – përjetësinë. Që të dy këto simbole Korbi dhe busti vendosen në një ambient siç është biblioteka, logjikisht kjo simbolizon horizontin e dijeve të poetit.
Edhe te Migjeni, në vargun e fundit të poezisë Lutje: e kurr, e kurr ma mos të zgjohemi[14] na e përkujton refrenin e poemës Korbi: kurrë më – kurrë më, ku pikërisht përsëritja e ndajfoljeve mban intensitet erotik të mjaftueshëm.
I nisur nga aktualiteti i jetës në rrethanat shoqëroro-politike të vendit, duke e vrojtuar shoqërinë e shthurur që dita-ditës zhytet në humnerën e jetës, përplot hipokrizi e banalitet, Migjeni, paraqet disa skena të tilla në poezinë Mbas tryezës.
Në këtë poezi lakuriqësohet jeta e të rinjve aristokratë, ëndrrat e tyre boshe, të ndrydhura në pakuptimësinë e jetës që bëjnë. Si skllevër të tundimeve të tyre për kënaqësi e aheng, ata e zbehin moralin dhe karakterin njerëzor. Bëhen robër të jetës së natës, zbrazin gotat e mbushura me verë e xhepat me para, pra banaliteti i jetës që bëjnë i zhvleftëson tërësisht. Me përshkrimin e duhur e imtësirat e goditura, shkrimtari e satirizon këtë shtresë shoqërore të ngritur në piedestal, duke dëshmuar se vlera e tyre është një hiç.
Është tejet simbolik titulli Mbas tryezës, sepse çdo gjë ndodh në tryezën ku pihen e cakërrohen gotat…, por urimet janë tejet banale, sepse gjithçka është falso. Në tryezë, natë për natë luhet beteja e shpirtit edhe ashtu të zhveshur nga fisnikëria. Çdo gjë për ta mbyllet në atë hapësirë të përcaktuar. Po kjo ëndërr, mbase e trishtë, ky falsitet i joshjes së përkohshme e nxjerr në pah jetën e shthurur të rinisë, të cilët monotonia dhe banaliteti i jetës i shpie drejt kurtheve pa rrugëzgjidhje. Rendi shoqëror e çorodit qytetarin dhe e shpie në përçartje, me ç’rast ndodh edhe humbja e identitetit dhe nëpërkëmbja e moralit.
Përfundimi
Preokupimi i Migjenit njeh më shumë shtrirje tematike, si: mjerimi social dhe mynxyra e jetës që vjen si rrjedhojë e këtij mjerimi, ballafaqimi i botës së re me botën e vjetër – mendimet prapanike të botës patriarkale, si dhe filozofia e jetës së individit përballë shoqërisë.
Qëllimi personal i autorit, në prozë nuk është i patjetërsueshëm, sikurse në poezi, ku të paktën mund të shprehet në një formë protestuese, megjithatë ai mbetet në suaza të problematikës aktuale, duke gjetur shprehjen e krijimeve më të favorshme për gruan dhe vështirësitë në jetën e saj.
Fillimi i shekullit XX, gjegjësisht vitet ‘20-‘30, kohë kur shoqëria shqiptare shënon ngecje ekonomike, trazime të mëdha shoqëroro-politike, rënie sociale e me këtë edhe rënie të theksusr morale… kohë kur përkeqësohet edhe më jetesa në familjet shqiptare. Atëherë, ç’mbetet të themi për vështirësitë në jetën e gruas? Në të vërtetë, cila është filozofia jetësore e saj? Cila është ëndrra që i jep forcë për mbijetesë?
Migjeni, si mjeshtër i përsiatjes së situatave jetësore të mjediseve shqiptare, si shkrimtar që depërtoi në brendinë shpirtërore të gruas, përshkruan skena reale që ravijëzojnë përjetime e fate femërore. Në veçanti, e tipizon gruan si personazh i patjetërsueshëm i subjektit letrar, ashtu si në vetë jetën, ndez sinjalin e interesimit të hollësishëm prej vrojtuesi, për ta marrë atë në mbrojtje, duke depërtuar në botën psikologjike të saj dhe përmasat e shtrirjes së kësaj bote, në rrethin shoqëror ku ajo vepron.
Literatura e shfrytëzuar
- Baliu – Dreshaj, Myrvete, Konteskti i shkrimit, Prishtinë, 2004.
- Beqiri – Krifca Mirlinda: Femra në poezinë shqipe të decenieve të para të shekullit XX, në Studime albanologjike (Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup), nr. 1, Shkup.
- Bulo, Jorgo:Magjia dhe magjistarët e fjalës, Tiranë, 1998.
- Demir, Zekije: Feminizmi modern dhe postmodern, “Logos A”, Shkup-Prishtinë-Tiranë, 2006.
- Eko, Umberto: Të thuash gati të njëjtën gjë, “Dituria”, Tiranë, 2006.
- Fetiu, Sefedin: Vepra e Migjenit dhe kritika e saj, Prishtinë, 1984.
- Ferri, Lyk, Homo Aesthetikus – Shpikja e shijes në epokën e demokracisë, Tiranë, 2002.
- Grup autorësh: Antologji për gruan, Tiranë, 1978.
- Kadare, Ismail: Migjeni ose uragani i ndërprerë, “Rilindja”, Prishtinë, 1990.
- Kadare, Ismail: Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe, B. “8 Nëntori”, Tiranë, 1991.
- Kryeziu, Resmije: Personazhi i gruas në letërsinë shqipe në mes dy luftërash,”Rilindja”, Prishtinë, 1977.
- Kulla, Ndriçim: Mendimi kritik letrar shqiptar (1870 – 1945), “Plejad”, Tiranë, 2004.
- Meat, Herbert George: Mendja, qenia deh shoqëria, Prishtinë, 2001.
- Meksi, Mira: Buzë të panjohura gruaje, “Jehona” nr. 2-3, Shkup, 1997.
- Migjeni, Vepra 1, (Zgjodhi e përgatiti për shtyp: Rrahman Dedaj), “Rilindja”, Prishtinë, 1980.
- Migjeni, (Zgjodhi: Dr. Ali Aliu, në 60 – vjetorin e vdekjes), “Rilindja”, Prishtinë, 1998.
- Palushi, Petrit: Shkrimtari dhe anatema, Tiranë, 1995.
- Qosja, Rexhep, Kontinuitete, “Rilindja”, Prishtinë, 1972.
- Shapllo, Dalan: Dukuri dhe vepra letrare, Tiranë, 1974.
[1] Dalan Shapllo, Dukuri dhe vepra letrare, Tiranë, 1974, f. 198 – 199.
[2] Jorgo Bulo, Magjia dhe magjistarët e fjalës, Tiranë, 1998, f. 67.
[3] Mirlinda Krifca – Beqiri, Femra në poezinë shqipe të decenieve të para të shekullit XX, në Studime albanologjike (Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup), 209, nr. 1, Shkup, f. 131 – 152.
[4] Migjeni, Vepra 1, (Zgjodhi e përgatiti për shtyp: Rrahman Dedaj), “Rilindja”, Prishtinë, 1980, f. 89.
[5] Ndriçim Kulla, Mendimi kritik letrar shqiptar (1870 – 1945), “Plejad”, Tiranë, 2004, f. 239.
[6] Migjeni, Vepra 1, “Rilindja”, Prishtinë, 1980, f. 91.
[7] Mira Meksi, Buzë të panjohura gruaje, “Jehona” nr. 2-3, Shkup, 1997, f. 11-17
[8] A. S. Pushkin Vjrersha e poema, (Në shqip nga: Jorgo Bllaci), Tiranë, 2002, f. 18
[9] Po aty, f. 59
[10] Anton Nik Berisha, Mbi strukturimin modern poetik të Këngëve të Milosaos, – 1836, të De Radës, Studime albanologjike, viti V (6), nr. 1. Tiranë, 2000, f. 115
[11] Zef Serembe, Vepra 1, “Rilindja”, Prishtinë, 1985, f. 37
[12] Resmije Kryeziu, Personazhi i gruas në letërsinë shqipe në mes dy luftërash,”Rilindja”, Prishtinë, 1977, f. 272.
[13] Migjeni, (Zgjodhi: Dr. Ali Aliu, në 60 – vjetorin e vdekjes), “Rilindja”, Prishtinë, 1998, f. 59
[14] Migjeni, (Zgjodhi: Dr. Ali Aliu, në 60 – vjetorin e vdekjes), “Rilindja”, Prishtinë, 1998, f. 59