Dr. Rovena Vata | Mjeti kryesor për të ndërtuar një vepër letrare është fjala. Por që kjo fjalë të kuptohet thellë, të bëhet e prekshme, e dukshme dhe e kuptueshme është e nevojshme të punosh më të, të këmbëngulësh dhe ta çosh drejt përsosjes së saj.
Rasti që e specifikon këtë fakt, si nga ana letrare, ashtu edhe nga ana gjuhësore është shkrimtari i ekzilit Martin Camaj, i cili askush më mirë se ai nuk ka luajtur me fjalën.
Gjuha është edhe mjeti me të cilin krijohet vepra letrare, edhe trajta reale e të cilën jeton letërsia[1] dhe shkrimtari.
Ky rol e merr rrugëtimin e vet që nga Rilindja Kombëtare e deri në ditët tona. Emra të shquar të shkrimtarëve tanë si: Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Anton Zako Çajupi, Mitrush Kuteli, Ernest Koliqi, Martin Camaj, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Ali Podrimja, Fatos Arapi, e dhjetëra të tjerë me krijimtarinë e tyre kanë dhjetëfishuar numrin e fjalëve e të kuptimeve, që shqipja ka futur në përdorim. Librat e tyre kanë qenë e mbeten shembull i këtij procesi krijues e të vazhdueshëm.
Duke qenë krijim artistik, vepra e vërtetë letrare është edhe krijim gjuhësor, shkrimtari krijon dhe derdh objekte gjuhësore e estetike. Për të arritur synimet e veta të shumanshme, letërsia shfrytëzon të gjitha mundësitë paraqitëse e shprehëse të ligjërimit. Shkrimtarët përmes fjalës i japin vlerë veprës, e rinojnë atë, krijojnë imazhe, ide dhe ndjesi nga më të çuditshmet. Kur përdoren me vend fjalët na emocionojnë, na përçojnë mendime dhe ndjenja, ngjarje dhe histori të kohës që jetojmë apo të kohëve të shkuara. Shkrimtarët punojnë me të gjitha anët e gjuhës: që nga tingujt e mjetet e veçanta e deri te organizimet e mëdha, tipat e ligjërimeve e stilet. Fjalët e fjalitë në veprën letrare kanë kuptimet e vlerat që vijnë nga visari kulturor i shqipes, po kanë edhe një kuptim të dytë, një domethënie artistike. Ky plan i dytë artistik është një tipar themelor i ligjërimit letrar[2].
Letërsia ka të bëjnë me magjinë e ligjërimit letrar e artistik. Në kërkim të variacionit, ajo thyen lehtësisht standardin gjuhësor dhe, duke e përdorur gjuhën shqipe, krijon e krijon vazhdimisht.
Përmes këtij procesi krijues, letërsia pasuron mjetet e shprehjes dhe shprehësinë, pa të cilat në gjuhën standarde do të krijoheshin zbrazëti të pariparueshme[3].
Ajo çfarë duhet të theksohet është fakti se gjuha artistike e letërsisë është një gjuhë ndryshe, është shmangie në mënyrë të qëllimshme nga norma. Në rastin e Martin Camajt, i cili prodhoi letërsinë e ekzilit, gjuha artistike është mjet për të qëndruar brenda etnisë shqiptare në kuptimin më përfshirës të fjalës[4], por është edhe mënyra për t’i ikur gjuhës së sistemit, që nuk e lejoi të qëndronte në vendin e tij, ai ishte i dënuar përjetësisht, që të shijonte vendlindjen dhe gjuhën e të parëve.
Jeta e tij ishte një jetë e jetuar larg Shqipërisë dhe letërsia e tij u zhvillua në një tjetër tokë, jo në tokën mëmë, letërsia e Martin Camaj është zhvilluar në ekzil. Prurja letrare e Martin Camajt në fondin e letërsisë shqipe ka qenë dhe do të mbetet një ngacmim i përhershëm për studiuesit e letërsisë, kurse për gjuhëtarët pasuri gjuhësore e shprehur përmes fjalës së tij artistike. Gjuha e veprës së Martin Camajt-autori i ekzilit, është një gjuhë e begatë dhe e veçantë për fondin e gjuhës shqipe, e cila duhet të studiohet edhe më shumë në të ardhmen.
Ndihmesa e shkrimtarëve në kulturën e një vendi është e pazëvendësueshme. Ajo është vetjake dhe kombëtare, ndihmesë që në një prerje tjetër kundrohet edhe si prurje artistike edhe si prurje gjuhësore. Ata prijnë me krijimtarinë e tyre në zgjerimin, në thellimin dhe në pasurimin e mundësive shprehëse të shqipes me fjalë e përmes fjalës. Vepra letrare e tyre është njëkohësisht krijim artistik e krijim gjuhësor[5].
Pesha e fjalës dhe letërsisë së ekzilit të Martin Camajt qëndronte si dhe në vargjet e tij, po ashtu edhe thellësinë e saj të kombinueme me trajtën e jashtme të gdhendun deri në thjeshtësí të skajshme. Punët që i kishte sidomos për zemër, i thoshte në mënyrë sidomos joimponuese dhe modeste, shpesh me dy-tri fjalë a me nji gjysmëfjalí. “Mos me u përlye”, tha për shembull në vend të nji logoreje të gjatë. Edhe pse të befasonte me përgjigje e qëndrime të papritura e jo konvencionale, fjala e tij kurrë nuk ishte zhangëlluese. Etiketimet dhe insinuata në nivel personal që bâhen shpesh mes letrarëve shqiptarë, Camajt i ishin absolutisht të hueja. Ai fliste shkoqun, me argumente e parime.
Po aq skrupuloz që ishte në të folunit e të vepruemit, ai sillej edhe me krijimet e tij letrare. Poezitë i konsideronte “fëmijtë e mi” dhe i përpunonte, lëmonte e gdhendte aq sa nji prind i mirë e rrit dhe edukon fëmijnë para se me e lëshue me e marrë botën ndër sy. Çdo botim i nji vepre ishte nji luftë e vërtetë e Camajt me skrupujt e tij dhe, si nji prind plot dashní për fëmijnë e vet, e kishte vështirë me i thanë lamtumirë fëmijës[6]. Rol kryesor dhe me shumë peshë në këtë proces zhvillimi e pasurimi luajnë shkrimtarët, qofshin poetë apo prozatorë. Letërsia artistike është laboratori, ku krijohen fjalë të reja, ku sintaksa përpunohet më shumë se në çdo formë tjetër ligjërimi. Gjuha e veprës së Martin Camajt ka një vend të veçantë në letërsinë shqipe. Gjuha e veprës së tij ka sjellë ndihmesë të çmuar në pasurimin e shqipes në të gjitha nivelet e sidomos në leksik, në gramatikë e në regjistrat stilistikorë.
Letërsia në përgjithësi, por edhe ajo e Camajt në veçanti, na jep modelet e gjuhës më të lëvruar, modelet më të bukura të ligjërimit, e cila përbën shfaqjen estetike të shqipes. Zbulimi i fuqive shprehëse të shqipes, i aftësive që ajo jep për krijimtari me origjinalitet përbën një nga ndihmesat e shkrimtarëve për kulturën shqiptare[7].
Studiuesi Xhevat Lloshi shprehet se “Duke qenë një krijim artistik, vepra letrare në një kuptim të caktuar është kurdoherë edhe një krijim gjuhësor, një eksplorim i mundësive të shqipes deri atëherë të pashfrytëzuara në atë mënyrë. Çështja nuk është vetëm te fjalët e reja. Madje te shumica e shkrimtarëve neologjizmat nuk janë aq të shpeshta dhe në pjesën më të madhe janë neologjizma stilistikë, domethënë nuk janë fjalë të përftuara për të plotësuar leksikun. Një vepër letrare me vlera të vërteta artistike është në vetvete një fjalë e re, një neologjizëm[8].
Një rol të rëndësishëm në krijimtarinë e letërsisë së ekzilit – rasti Martin Camaj e kanë luajtur edhe tri faza, si p.sh: Në fazën e parë ndihet mbështetja e fuqishme në mjetet shprehëse tradicionale e folklorike. “Mali e vërrini” përbën botën rreth të cilës sillet nervi poetik. Në fazën e dytë kemi pasurimin e elementeve shprehëse me struktura më të komplikuara gjuhësore, duke mos iu larguar kurrsesi tharmit të motiveve vendase. Dhe në fazën e tretë motivi vendas mitizohet, “thahet” e shndërrohet në një substancë me esencë të fortë. Nga njëra te tjetra arti i tij bëhet përherë e më formal larg strukturave tradicionale të ideve të ditës dhe synon të bëhet universal.
Fjala ishte e para që kur bota mori dukjen e saj ndër deje të njeriut. Fjala asht bartësja e të pathënave, për t’u bërë të thëna, për të kumtue brendinë që krijuesi (zoti) nuk i dha gojë, por i dha mundësinë me u diktue e me u shpërfaq përmes mendimit. Mendimi rreshket e godet, pjekët e peshohet, bahet tharm për me mbajtë mbi rreshta të saj atë çka shpirti i një njeriu jo heshtak, kërkon urat mes njerëzve mos me i lanë si tela të varuna në ajër, që i shkund furtuna e egër e motive… E kam fjalën e shpirtit me ju kundërvue atyne që armik e kanë të thanunat e shpirtit[9].
Gjatë regjimit komunist dihej se letërsia duhej t’i përmbahej disa kritereve të kohës dhe rezultatet dihen: Letërsisë i caktohet një program dhe vepra letrare duhet të jetë sendërtim i këtij programi. Ajo skematizohet, banalizohet në nivelin e tekstit dhe të ideve deri në atë shkallë sa shndërrohet në një lloj publicistike propagandistike. Përkundër këtij modeli Camaj e ka poezinë qëllim, jo mjet. Për këtë arsye ndoshta Camaj bën pjesë ndër të paktët autorë që i përkushtohet poezisë së pastër. Ai ndjek kështu modelin e Mjedës dhe Poradecit. Ai e shkruan poezinë për të fiksuar mendimin dhe ndjenjën, botën dhe sendet e saj.
Në jetën e një populli ka periudha ngritjeje, zhvillimi të vrullshëm dhe progresi të pandalshëm, por ka edhe periudha ku shfaqen forca ndaluese e penguese, që çojnë në gjymtimin dhe shformimin e jetës, të kulturës e të shkencës, për shkaqe të një logjike të mbrapshtë e absurde. E tillë qe periudha 50-vjeçare komuniste, që la në heshtje personalitete të shquara të shkencës dhe të artit shqiptar e botëror. Njëri ndër ta, viktimë e përjetshme e komunizmit, qe Martin Camaj, një nga më të mëdhenjtë e letrave shqipe dhe të gjuhësisë shqiptare.
Pushteti diktatorial komunist e denigroi veprën e Camajt, e mbuloi me heshtje duke dashur që t’i harrohet emri, t’i pluhuroset vepra, të mos i njihet kontributi si atdhetar i kulluar, si mjeshtër i madh i letërsisë dhe si albanolog ndër më të shquarit. E ndërsa emigracioni shqiptar e çmonte çdo ditë e më tepër këtë vigan të letrave shqipe, prapa perdes së hekurt që ishte ngritur ndërmjet Shqipërisë dhe botës perëndimore, nuk depërtonte as emri, as vepra e tij. Për këtë arsye shteti diktatorial komunist nuk mori mundimin ta shante e ta sulmonte, sepse për shqiptarët ai nuk ekzistonte. Prandaj për një gjysmë shekulli atij i mungoi lexuesi shqiptar, i mungoi frymëmarrja e atdheut, i mungoi pulsi i jetës shqiptare. E gjithë kjo luftë bëhej sepse ai mundi të dalë në botën e lirë ku zhvilloi talentin e tij të rrallë duke mbetur për gjithë jetën një shqiptar i vërtetë. Tërë jetën e tij punoi për vendin e vet, në një kohë që të gjitha fijet me të ishin të këputura dhe shteti zyrtar nuk deshi asnjëherë ta njihte kontributin e tij.
Camaj duke qenë në këto kushte ishte i detyruar që të ikte jashtë kodit të përcaktuar duke zgjedhur kodin etik dhe kodin estetik[10]. Camaj siç e përmendëm edhe më sipër luajti me fjalën për të krijuar letërsinë e tij dhe letërsia e tij foli vetëm shqip, kjo e realizuar përmes magjisë së fjalës artistike. Magjia e fjalës së Camajt zë fill që në titujt e poezive të tij si: Tingujt e parë, Kur kërcen Dila, Nji ditë e ka edhe korbi, Dita e malit tem, Valle Rugove, Gjakmarrja, Kishte ardhë një mik, Elegji e parë, Kujtimi i vjeshtës, Hija e lisit, Vendit tem, Kthimi, Leni lumejt, Darkë malsore, Disa herë në jetë, Mikpritja e Lejes, Grishje, Koha e lules, Mes Shëngjergjave, Zanat apo Orët, Na prekme detin me dorë, Trashgimi, Âsht nji qytet i vjetër, Gjarpijt e zez, Korbi, Fill i gjetun, Nji zog lëngon, Mospërfillje, Qokthi eci mbi sende, Mysafir i papritun në Berishë, Gjarpni e grueja, Retë e oqeanit, Nji poeti të sotëm, Fragment, Dreni plak, Dy brezni, Dallëndysha, Hoqa fletën e librit të parë, Grueja më mëngji, Rrëfim i heroit, Tregim i thjeshtë, Vend i thyeshëm, Vera polare, Gjarpni e fëmija, Qyteti i lodrave, Emnimi i sendeve, Atmosferë, Magjia e tekstit.
“Studentat e mij të vjetevet ’70,
Lodroshin në terracën mbi krye bilard,
E më pyetën me zane t’imta ganjunësh.
Çka fshehet ndër ato fletë? Têja,
Ajo që të breu pêthin e jetës?
Fjalët me tingull hundor e provojnë këtë,
Kur ti flet.
Dhe unë iau prita:
“në këtë palimpsest zbulova hijen
e fjalës në thellësinë që s’shihet”[11]. (Poezia: “Magjia e tekstit).
Shkak tjetër janë përbërësit, ndofta, mënyrat dhe teknikat letrare të papëlqyeshme në Shqipëri, ndër to, edhe liria e përdorimit të formave, ato që zyrtarisht cilësoheshin dekadente borgjeze, ndikime të huaja dhe reaksionare. Me këtë rast, vë në dukje jo pa ironi edhe ngushtësinë dhe vulgaritetin e kërkesave të asaj metode. “Në letërsinë time ka edhe elemente rrymash letrare që nuk pëlqehen në Shqipni, ndër to edhe liria e përdorimit të formave. Në formë nënkuptoj edhe gjuhën sepse edhe fjalët që duhet të përdorë shkrimtari janë të caktueme në Tiranë: ka fjalë e forma “socialiste” apo “kombëtare” e asosh “reaksionare”, të ndalueme” (Shënime për një intervistë dhanë Zërit të Amerikës, 1990/1991).
Kjo shihet mjaft qartë edhe nga vjeljet që kemi bërë gjatë shkrimit të tij në prozë:
Ndërkaq të bijtë lëshonin shtat; dhe në përpjesëtim i rritej grues vullneti i vet e i delte tash e parë fjala kundërshtare kundrejt të shoqit (V.III, f. 22).
Këto fjalë ia çonte ajo të shoqit përmes të bijve (V.III, f. 22).
Dhe të gjithë i niste me një grusht miza në shpinë e fjalë të randa (V.III, f. 23).
Fjalët e fundit e binin në mend Nikën dhe paqohej (V.III, f. 23).
Fjalët e tij burrnore tmerronin shtazë e njerëz dhe depërtonin jehonë prej shkambit në shkamb dhe shuheshin tue ranë pushim larg ndër gjije e humnere (V.III, f. 24).
Breznitë e hershme përtace kishin qitë fjalën se edhe po t’i bahej mundi (V.III, f. 25)
Ndodhi që gjatë ditës burrë e grue me u gjetë vetëm për vetëm, asnjeni s’ia sillte fjalën shoqit (V.III, f. 27).
Mbasi fjala të marrë dhenë, ndokush ma i kujtueshëm mund t’i ndërrojë ndonjë imtësi, si vendin e ngjarjes apo shton emna vetjesh që paskan pasë gisht në këtë apo në atë punë, ndërsa koha lehet prej të gjithëve ndërdyzash, pothuejse, e pacaktueme si shumë e shumë sende të tjera (V.III, f. 29).
Vetëm dyshimi se Nika qenka i lidhun me shpirtën të fuqishëm, atje në kunorën e bjeshkës, ua preu vrullin fjalëve të dheut (V.III, f. 31).
Ti nuk largohesh shtëpie pa fjalën time, a more vesh? (V.III, f. 34).
Por ishte edhe e vërtetë se Kola, burrë i peshuem në fjalë e në sheje, dinte të largonte çdo rrezik palngut e familjes (V.III, f. 42).
Por ma në fund u kujtue edhe ai vetë se disa skajime i kishte përsëritë nja disa herë dhe e preu fjalën tue u ngritë e tue vu poçin e rakisë në vendin e vet, në ballin e votrës, në gëvoskën e punueme në mur (V.III, f. 45).
Fjalë mbas fjale e rreth mbas rrethi erdhën e i ranë në vesh sistemit lajmet se dikush fshehej ndër male, në bjeshkën e Ripës (V.5, f. 38).
Ujku don mish, i thonë një fjalë të lashtë, prandej luftëtarët e vjetër, ndonëse të majun e të shtymë në mot për t’iua mbathë edhe një herë krepave e gergjeve përjetë (V. 5, f. 39).
I gëzosh, pra, dhenat e Gurrave brez mbas brezi! Po të thom me një fjalë për të gjitha! (V.8, f. 70).
Urimi tingëlloi sikur Kola t’ia kishte falë atë trevë Nikës, aty për aty, me një fjalë. (V.8, f. 70).
Nikën e shtangën fjalët, u zbe, mandej u pa se si i këcen gjaku dhe i çohet delli në ballë (V.8, f. 70).
..me një mori fjalësh të buta e të kumbueshme..(V.8, f. 70).
Si ndër kuvende fisi-vërejti Nika-edhe sonte s’i le gja mangut fjalës që askund nuk të rrëshqiti vendi (V.8, f. 70).
…që fshehej ma fort në tingullin e fjalës së Nikës se në gazin e tij (V.8, f. 71)
Tha Nika në vete, fare i paquem ngase kujtohej se fjala e vëllaut tjetër kishte qenë ma e sinqertë (V.8, f. 71).
PËRFUNDIME:
Prurja letrare e Martin Camajt në fondin e letërsisë shqipe ka qenë dhe do të mbetet një ngacmim i përhershëm për studiuesit e letërsisë, ku letërsia e tij u zhvillua jashtë truallit shqiptar, pra në ekzil.
Vepra e Martin Camajt fiton vlera në rrafshin gjuhësor dhe letrar në dy aspekte: e para, ndonëse autori ndodhej larg atdheut dhe shqipfolësve, me intuitën e sensin e tij gjuhësor, po e ndiente atë zhvillim që kishte pësuar e po pësonte gjuha shqipe, kryesisht në shek. XX, duke u përpjekur që edhe ai të lërë gjurmë; e dyta, një vepër e shkruar në një gegërishte letrare, larg skemave arkaike të së folmes krahinore, ku edhe sot kemi çfarë të marrim si në rrafshin leksikor, por edhe në atë gramatikor, pasi ai përdor një gjuhë të thjeshtë, të pasur, të zgjedhur, një gjuhë tepër plastike e të rrjedhshme.
Martin Camaj përmes letërsisë së tij na dha modelet e gjuhës më të lëvruar, modelet më të bukura të ligjërimit, e cila përbën shfaqjen estetike të shqipes.
Shkrimtarët përmes fjalës i japin vlerë veprës, e rinonjnë atë, krijojnë imazhe, ide dhe ndjesi nga më të çuditshmet. Kur i përdoren me vend fjalët na emocionojnë, na përçojnë mendime dhe ndjenja, ngjarje dhe histori të kohës që jetojmë apo të kohëve të shkuara. Skrimtarët punojnë me të gjitha anët e gjuhës: që nga tingujt e mjetet e veçanta e deri te organizimet e mëdha, tipat e ligjërimeve e stilet. Fjalët e fjalitë në veprën letrare kanë kuptimet e vlerat që vijnë nga visari kulturor i shqipes, po kanë edhe një kuptim të dytë, një domethënie artistike. Ky plan i dytë artistik është një tipar themelor i ligjërimit letrar.
Letërisa ka të bëjë me magjinë e ligjërimit letrar e artistik. Në kërkim të variacionit, ajo thyen lehtësisht standardin gjuhësor dhe, duke e përdorur gjuhën shqipe, krijon e vazhdimisht krijon. Përmes këtij procesi krijues, letërsia pasuron mjetet e shprehjes dhe shprehësinë, pa të cilat në gjuhën standarde do të krjoheshin zbrazëti të pariparueshme.
BIBLIOGRAFIA:
Beci, Bahri, Gramatika e gjuhës shqipe, EDEFA, Tiranë, 2004.
Çabej, Eqrem, Vepra, III, Prishtinë, 1976.
Camaj, Martin, revista: “Kritika”, Trimestrale Shqiptare 1, Lirika, Tiranë, 2010, f. 95.
Camaj, Martin, Vepra, vëllimi i dhjetë, Tiranë, Onufri, Tiranë, 2010.
Camaj, Martin, Vepra, vëllimi i dytë, Tiranë, Onufri, Tiranë, 2010.
Camaj, Martin, Vepra, vëllimi i gjashtë, Tiranë, Onufri, Tiranë, 2010.
Camaj, Martin, Vepra, vëllimi i katërt, Tiranë, Onufri, Tiranë, 2010.
Camaj, Martin, Vepra, vëllimi i nëntë, Tiranë, Onufri, Tiranë, 2010.
Camaj, Martin, Vepra, vëllimi i parë, Tiranë, Onufri, Tiranë, 2010.
Camaj, Martin, Vepra, vëllimi i pestë Tiranë, Onufri, Tiranë, 2010.
Camaj, Martin, Vepra, vëllimi i shtatë, Tiranë, Onufri, Tiranë, 2010.
Camaj, Martin, Vepra, vëllimi i tetë, Tiranë, Onufri, Tiranë, 2010.
Camaj, Martin, Vepra, vëllimi i tretë, Tiranë, Onufri, Tiranë, 2010.
Dizdari, T, Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe, 2005.
Domi, Mahir Ajeti & Idriz, Gjuha letrare kombëtare dhe bota shqiptare sot, në: “Konferenca shkencore, Gjuha letrare kombëtare dhe bota shqiptare sot”, Tiranë, 2002.
Fjalori i gjuhës së sotme shqipe, Tiranë, 1980.
Gramatika e gjuhës shqipe 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë, 2002.
Hysa, Enver, Dukuri e prirje të formimit të fjalëve në shqipen e sotme letrare, në: “Gjuha letrare kombëtare shqipe dhe epoka jonë”, Tiranë, 1988, Enver Hysa, Formimi i emrave në gjuhën shqipe, Tiranë, 2004.
Islamaj, Shefkije, Çështje të sinonimisë në gjuhën shqipe, Prishtinë, 2005.
Kostallari, Androkli, Mbi disa drejtime të përsosjes së sistemit e të strukturës së gjuhës sonë letrare, në: “Studime mbi leksikun dhe formimin e fjalëve në gjuhën shqipe”, III, Tiranë, 1989.
Lanksch, Hans-Joachim, Kujtime për Martin Camajn, në: revistën “Mehr Licht”, nr. 29, Tiranë, nëntor, 2006.
Lloshi, Xhevat, Stilistika e gjuhë shqipe dhe pragmatika, Tiranë.
Memisha, Valter, Shqipja standarde dhe letërsia, në: “Aktet e Konferencës së dhjetorit”, 2010.
Vata, Rovena, lënda: “Shkrimi kreativ”, tema: Mbi stilin e autorëve, rasti: Martin Camaj, Gjakovë, 2017.
Vata, Rovena, Miti i malit në letërsinë shqipe: Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Migjeni, Martin Camaj, Naimi, Tiranë, 2013.
Vata, Rovena, Urë fjalësh midis Letërsisë dhe Antropologjisë, Enti Botues “Gjergj Fishta”, Tiranë, 2015.
Xhuvani, Aleksandër, Kompozitat, në: “Studime mbi leksikun dhe mbi formimin e fjalëve në gjuhë shqipe”, 2, Tiranë, Tiranë, 1972.
[1] Xhevat Lloshi, Stilistika e gjuhë shqipe dhe Pragmatika, Albas, ribotim i vitit 2015, f. 242.
[2] Po aty, f. 117.
[3] Valter Memisha, Shqipja standarde dhe letërsia, në: Aktet e Konferencës së dhjetorit, 2010.
[4] Rovena Vata, Urë fjalësh midis Letërsisë dhe Antropologjisë, Enti Botues “Gjergj Fishta”, Tiranë, 2015, 156.
[5] Valter Memisha, Shqipja standarde dhe letërsia, në: “Aktet e Konferencës së dhjetorit”, 2010.
[6] Hans-Joachim Lanksch, Kujtime për Martin Camajn, në: revistën “Mehr Licht”, nr. 29, nëntor, Tiranë, 2006, f. 4.
[7] Xhevat Lloshi, Stilistika e gjuhë shqipe dhe pragmatika, Tiranë, f. 241-242.
[8] Po aty.
[9] Rovena Vata, lënda: “Shkrimi kreativ”, tema: Mbi stilin e autorëve, rasti: Martin Camaj, Gjakovë, 2017, fl. 34.
[10] Rovena Vata, Miti i malit në letërsinë shqipe: Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Migjeni, Martin Camaj, Naimi, Tiranë, 2013, f. 217.
[11] Martin Camaj, revista: “Kritika”, Trimestrale Shqiptare 1, Lirika, Tiranë, 2010, f. 95.