Prof. Dr. Emin Kabashi | Romani është gjinia më e madhe letrare. E kanë thënë të gjithë studiuesit e vyer të kulturës evropiane, e kanë thënë edhe studiuesit shqiptarë, e ka thënë në mënyrë eseistike edhe Ismail Kadare, emri emblemë i letërsisë shqiptare të shekullit që lamë pas dhe të këtij që sa kemi hyrë. Deshëm apo nuk deshëm ne shqiptarët e të gjitha trojeve, kudo që jemi, edhe ata në mërgatën e madhe dhe tragjike, edhe këta jashtë kufijve të Shqipërisë londineze, edhe shqiptarët që po bëhen gati të kremtojnë 100-vjetorin e Pavarësisë së Shtetit shqiptar, ai është emri më i madh i letërsisë sonë. Kultura botërore, pra jo vetëm ajo evropiane, me kulturën shqiptare sot e që shumë kohë, komunikon, jep dhe merr informacionin kulturor të përmasës kombëtare shqiptare, përmes veprës së Kadaresë.
Në letërsinë shqipe, qoftë edhe në atë pjesë të kësaj letërsie që mban emrin e Kadaresë, periudha të caktuara historike, ngjarje të mëdha dhe tragjike, me peshë për ecjen historike të popullit shqiptar, nuk janë bërë tema trajtimi në romanin shqiptar, as të pas viteve ’90, kur pas rënies së sistemeve ideologjike, mendohej se letërsia do të çlirohej nga barra e këtyre ideologjive dhe do të ecte me hap normal. Por, të gjithë studiuesit shqiptar, kudo që janë e që kanë informacion të mjaftueshëm për zhvillimet e letërsisë shqipe, e thonë dhe mund ta thonë se nuk ndodhi kështu.
Arsyet janë të shumta, por një pjesë e tyre i takon atij ritmit të brendshëm të ligjësive të zhvillimit të artit letrar, që nuk respekton përherë normat e jetës shoqërore të akëcilit sistemi politik e ideologjik.
Romani i letërsisë shqipe pas viteve ’90 dhe ngjarjet e historisë kombëtare
Ngjarjet e mëdha historike, ato që kanë bërë kthesa, tragjike a pozitive në jetën historike të popullit shqiptar, kanë ndodhur dh kanë shkuar. Po ashtu, edhe fytyrat e njohur të këtyre ngjarjeve nuk janë më. Vepra artistike, sidomos romani, i akëcilit shkrimtar shqiptar, temë e të cilit kanë qenë ngjarje të mëdha historike në jetën tonë, ishte, është dhe do të jetë pronë e të mirave shpirtërore të shqiptarëve. Vepra e këtillë artistike, ndihmon, kultivon dhe mban gjallë kujtesën historike, e pse jo edhe kujtesën kombëtare të brezave të shqiptarëve, që nuk kanë qenë pjesëmarrës të atyre ngjarjeve të mëdha historike. Prandaj, nëse çdo gjë mund të harrohet, ato ngjarje historike as nuk bën, , as nuk duhet, po as nuk mund t’i harrohen. Ngase faktet historike janë më kokëforta se ideologjia e çdo sistemi shoqëror.
Romani shqiptar i pas viteve ’90-të, sa duket pakëz i hutuar pas izmave moderne, pas shëmbëllimeve jashtë arealit të historisë kombëtare, pjesën më të madhe të ngjarjeve të mëdha historike, ose i ka tejkaluar në heshtje, ose i ka trajtuar siç krijuesit e vlerave folklorike. Kurse këtu po flasim për vlerën e mirëfilltë të romanit shqiptar pas viteve ’90-të, kur andej e këndej kufirit të Shqipërisë londineze kishin rënë sistemet ideologjike, brenda të cilëve ishte krijuar dhe ishte zhvilluar romani shqiptar modern.
Siç edhe në periudha të tjera kohore të zhvillimit të romanit shqiptar, edhe në romanin e pas viteve ’90-të kanë në ndërtimin e tyre strukturor ngjarje nga periudha të ndryshme të historisë shqiptare, por ngjarje që kanë në bërthamë përpjekjet dhe luftërat për liri të shqiptarëve, janë përherë e më të rrallë.
Përmasa kombëtare e ngjarjeve historike dhe e personazheve
Historia e popullit shqiptar e ndërthurur me atë të popujve fqinjë, si dhe të atyre që kishin pushtuar gjatë historisë tokat tona, është tema e përhershme e disa prej romaneve më të realizuar artistikisht. Ka periudha historike, ka ngjarje të mëdha me peshë historike brenda atyre periudha, që lexuesi shqiptar nuk i njeh mirë, as nga faktet historike, e të mos flasim nga përjetësimi i tyre artistik Kësisoj, prandaj, pa romanet e Ismail Kadaresë, zor se do të kuptohej tërësia e ngjarjeve të jetës historike të popullit shqiptar nën pushtimin e Perandorisë osmane. Njëra prej perandorive me përmasa kontinentale, sepse shtrihej në tri kontinente, pa romanet e Kadaresë në këtë temë, do të ishte vetëm një skelet i njohurive tona edhe për jetën e brendshme të shqiptarëve, e të mos flasim për zhvillimet historike në përmasën e atyre ngjarjeve. Krijues të tjerë të romanit shqiptar kanë shtjelluar duke ngritur në art ngjarje të tjera të mëdha në ejtën historike të popullit shqiptar. Të këtillë, duke filluar nga Sylejman Karsniqi, i cili para pak kohe u nda nga lexuesit shqiptar, nga Petro Marko, nga Dritëro Agolli, nga Rexhep Qosja, nga Fatos Arapi, nga Skëmder Drini e ndonjë tjetër, duke zënë në gojë pa qëllim të tipologjisë së krijimtarisë së tyre romanorew, vetëm më të veçantët e letërsisë sonë, e deri te emrat e brezit më të rinj, siç janë Ridvan Dibra e Sefedin Fetiu, apo Mehmet Kraja e Agron Tufa, Elivira Dones, që trajton çështje ekzistencës së etnokulturës nëpër rrënimet e ngjarjeve të mëdha tragjike të historisë sonë e deri te fenomenet e reja pas rënies së sistemit ideologjik, siç janë keqpërdormi i njeriut dhe shfytyrimi i tij moral dhe shoqëror (romani Yjet nuk vishen kështu), apo pasojat e mëdha për jetën e individit, siç në ndonjë roman të Diana Çulit, apo të Besnik Mustafait, kur përmasa e ngjarjeve të mëdha të historisë sonë kombëtare ngërthehet vetëm brenda jetës së një individi, apo të një rrethi të ngushtë shoqëror, siç ndodh në disa romane, po me temë Perandorinë Osmane të Jusuf Buxhovit.
Siç edhe në një pjesë të romanit shqiptare të ara viteve ’90-të, edhe te pjesa më e madhe e prodhimit romanor shqiptar pas viteve ’90-të, për fat të keq, gjeografia kombëtare, ose nuk është element përbërës i poetikës së tyre, ose edhe nëse është, ajo del e ndarë, siç është në fakt politikisht. Por, përmasa e tragjikes së kësaj ndarjeje politike nuk hetohet, ose nuk trajtohet fare në pjesën më të vyer të romanit shqiptar. Pra, njëri nga përbërësit e përkatësisë kombëtare të një etniteti, siç janë në këtë rast shqiptarët, nuk është shumë i pranishëm në romanin shqiptar të pas viteve ’90-të. Në kohën e zhvillimit të letërsisë shqipe brenda sistemeve të ndryshme ideologjike, të pas Luftës së Dytë Botërore, ndoshta ndër të rrallët që përmasën e hapësirës së gjeografisë kombëtare e kanë të plotë, është romancieri Sulejman Krasniqi, sigurisht, siç kemi thënë në një rast, nga malli për vendlindjen, që është vizioni parak për përmasën e gjeografisë së atdheut.
Përmasa e historisë sonë kombëtare në romanin shqiptar të pas viteve ’90-të aq sa kemi informacion kulturor dhe aq sa kemi arritur ta përcjellim këtë prodhimtari, e për të harruar për një çast modestinë, kam pretendimin se informacioni është mjaft i plotë kurse përcjellja e zhvillimit të romanit shqiptar të pas këtyre viteve mjaft këmbëngulës.
Janë të rrallë romanet që kanë trajtuar ndonjë ngjarje me peshë kombëtare nga ngjarja më e rëndësishme e historisë moderne shqiptare, nga ngjarjet e Lidhjes shqiptare të Prizrenit. Titujt e tyre mund të numërohen në gishtat e një dorë. (Sulejman Krasniqi, Mic Sokoli, Sefedin Fetiu, Në humbëtirat e kohës, Emin Kabashi, Nusja dhe lufta, e ndonjë tjetër). Të mos flasim pastaj për ngjarjet e mëdha që sollën Pavarësinë e Shtetit shqiptar, sidomos luftërat çlirimtare të viteve 1908-1912. (I. Kadare, e ndonjë tjetër).
Nuk ka asnjë roman që i ka përballuar kohës me vlerën e tij për Luftën e Parë Botërore.Nuk ka asnjë roman i pas viteve ’90-të, për luftërat ballkanike, kurse edhe ndonjë i tillë që është shkruar më herët, nuk kapërcen vlerën e krijimeve folklorike. (A. Istrefi, Lëshoma hisen e diellit, etj.-fare). Sa di unë, e kam mendjen se e di, ngase e kam ndjekur me vëmendje zhvillimin e romanit shqiptar të pas këtyre viteve, nuk ka asnjë roman me temë për luftërat shqiptaro-malazeze. Si mësim, edhe për ditët e sotme, qoftë për shtresën e intelektualeve shqiptar, qoftë për komunitetet fetare kudo të shqiptarët, do të ishte veprimi i Fishtës kur pas këtyre luftimeve të përgjakshme, e kur kontrolli ndërkombëtar, as që merrte mërzi se i cilës etni ishte ai popull që e banonte Shkodrën me rrethinë, ai nxjerrë nxënësit e tij rrugëve të Shkodrës për ta vënë Flamurin kombëtar në vend të atij ndërkombëtar. (Dihet për romanin e shkrimtarit S. Drini, Vraje tradhtinë, që mbase është vepra më e realizuar dhe e vetme për këtë ngjarje të përmasës kombëtare në letërsinë moderne shqipe)
Periudha kohre që ka gjetur më së denduri trajtim në romanin shqiptar pas viteve ’90, sidomos në Shqipërinë londineze është ajo pas rënies së sistemit ideologjik në Shqipëri, por lë anash ndonjë titull, që i përballon harrimit me vlerën artistike, pjesa më e madhe tyre, nuk kanë arritur t’i shpëtojnë pasqyrimit bardh e zi të realitetit të atyre ngjarjeve. Pra, të pasqyrimit, jo të këndvështrimit, as të shqyrtimit, as të shtresimit artistike brenda strukturës së këtyre romaneve, por të pasqyrimit, sepse nuk kapërcejnë nivelin e këtij përkufizimi.
Letërsia që krijohet në Kosovë, edhe ajo në Maqedoni, por edhe ajo në mërgatën shqiptare, kudo që është nëpër botë, as që mund të bëhet fjalë se gjen një roman me vlerë në të cilin trajtohen këto ngjarje, sepse sa duket jashtë kufijve të shtetit amë, Shqipërisë, më tragjike ishte pushtimi, sesa sistemet ideologjike dhe bashkëjetesa e shqiptarëve më këto sisteme.
Përfundim
Një ngjarje tjetër shumë e rëndësishme në jetën historike të shqiptarëve, e cila pas ngjarjeve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, është e vetmja ngjarje historike me përmasë kombëtare, deshën apo nuk deshën ta pranojnë shqiptarët, dhe qendrat e vendosjes ndërkombëtare, e që është Lufta Çlirimtare e pjesës së shqiptarëve që i kishin lënë dhe kishin mbetur pa atdhe, si Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB), si dhe Lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në pjesën e tokave shqiptare në Maqedoni. E di që për këto ngjarje, e di që për këto procese historike që kanë hapur këto luftëra janë kënduar këngë, janë shkruar drama të dobëta, janë shkruar plotë vëllime me poezi që ndryshojnë pak nga vëllimet me këngë folklorike, por nuk di të jetë shkruar ndonjë roman me vlerë letrare. Dikush mund të thotë se për krijuesin, një prej parimeve është edhe distanca kohore. Por, këtë rregull e prish i pari Ismail Kadare, kur shkroi romanin e tij, Krushqit janë të ngrirë, të vetmin, për ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë.
Pasi këtë Seminar Ndërkombëtar e organizon Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe pasi u përmenden ngjarjet e vitit 1981, mund t’u them se as letërsia që krijohet në këto hapësira, nuk ka asnjë vepër me vlerë për këto ngjarje.
Burimet:
Sefedin Fetiu, Poetika e romanit shqiptar, Prishtinë, 1992
Rexhep Qosja, Tri mënyra të shkrimit shqip, Tiranë, 2005
Shaban Sinani, Për prozën e Kadaresë, Tiranë, 2009
Fatmir Alimani, Katër K. , Tiranë, 2005
Tefik Çaushi, Universi letrar i Kadaresë, Tiranë, 1993
Floresha Dado, Letërsi e painterpretuar, Tianë, 2010
Xhonatan Kaller, Teori letrare, Prishtinë, 2001
Milan Kundera, Arti i romanit, Tiranë, 2001
Bajram Krasniqi, Poetika e romanit historik shqiptar, Prishtinë, 1985
Çështje të romanit (Përg.nga Hysni Hoxha), Prishtinë, 1980