Prof. Dr. Berton Sulejmani | Përgjithësisht, komunikimi gjuhësor në qytetin e Shkupit është shumë dinamik dhe i shumëllojshëm. Sikurse në çdo qytet të madh, me një popullsi heterogjene, natyrisht që vjen deri te një “laramani” edhe në planin e shprehjes gjuhësore. Numri i madh i popullsisë së ardhur në Shkup (veçanërisht pas tërmetit të fortë të vitit 1963) rezulton me përzierjen e tipareve nga bërthama e vjetër e qytetit me karakteristikat dhe veçoritë e krahinave të ndryshme të Maqedonisë, por edhe të Kosovës etj. (sepse pas tërmetit, në Shkup shpërngulen shumë shqiptarë nga Kosova) në një “përzierje mbidialektore” e cila për (sipas) shumë njerëz/ve i ngjan një stihie.
Kur bëhet fjalë për nxënësit e shkollave të mesme, kategori e folësve që është objekt dhe interes i këtij punimi, mund të thuhet se ata, si kolektiv (grup) kompakt, janë përfaqësuesit më tipik të pasqyrimit të aktualitetit gjuhësor të kryeqytetit. Pjesa më e madhe e gjeneratave të reja janë shkupjanë (pra të lindur në Shkup) kështu që “veçoritë gjuhësore” të paraardhësve janë të eliminuara (edhe pse një pjesë e tyre nuk është eliminuar plotësisht). Disa parametra kanë ndikim të madh në formimin e shprehjeve gjuhësore, ndërsa ato për të rinjtë janë themelore (esenciale), si: mosha dhe statusi gjatë komunikimit. Nuk duhet të parashihet se të rinjtë në këtë moshë janë në një fazë interesante (gjithsesi: vite të stuhishme), në një fazë të (ri)zbulimit të botës rreth tyre; ndjenja e përkatësisë në qarqe të caktuara dhe ndjekjen e “rregullave të pashkruara” të të folurit e përditshëm, sjellja (madje, edhe arsyetimi në disa situata tipike etj.) janë forcë lëvizëse në mënyrën e re e të jetuarit. Kështu nuk mund të neglizhohet as “siguria në vetvete” e nxënësve (siguria psikologjike) që vjen nga ajo ndjenjë e përkatësisë në komunitet (d.m.th.: statusi), madje edhe prestigj në mjedise (rrethana) të caktuara. Vlen të përmendet se shumica e nxënësve të shkollave të mesme kanë një aftësi të seleksionimit gjatë përzgjedhjes / përdorimin e gjuhës pavarësisht nga konteksti pragmatik në të cilin gjenden. Ata, si gjeneratë që edukohen në gjuhën standarde shqipe, kryesisht, në nivel deri diku të lartë edhe e zotërojnë standardin e shqipes (shqipen standarde), lehtë munden të “ri-kodohen” nga stili joformal bisedor (kur komunikojnë ndërmjet tyre), në një stil më zyrtar, më korrekt (p.sh.: kur përgjigjen para profesorit, gjatë bisedës me të panjohur, më të moshuar etj.) dhe anasjelltas. Por qëllimi ynë është që t’i paraqesim disa shmangie më të shpeshta që i bëjnë nxënësit nga standardi i shqipes.
Lënda e gjuhës në shkollat e mesme të Shkupit. Në arsimin fillor dhe atë të mesëm lënda Gjuhë shqipe[1] është lëndë e obligueshme. Fondi i orëve në javë është katër.[2] Nxënësit e shkollave të mesme brenda një viti shkollor kanë 144 orë, ndërsa viti IV 132 orë, sepse maturantët mbarojnë një muaj më herët. Të gjitha këto orë të parapara janë të ndara për letërsi, gjuhë, lektyra, përsëritje, hartime me shkrim etj., megjithatë numri më i madh i orëve i takojnë letërsisë dhe gjuhës. Në planet dhe programet mësimore për veprimtari edukativo-arsimore në shkollimin e mesëm, gjuhë dhe letërsi shqipe, vend të rëndësishëm zënë edhe orët e ushtrimeve të të shprehurit me gojë dhe me shkrim. Kjo është një lëmi tejet e rëndësishme që nxënësit ta përvetësojnë shqipen standarde. Orët mësimore të ushtrimeve e të shprehurit me gojë dhe me shkrim në shkollat e mesme kanë rëndësi të madhe, sepse nxënësit përmes tyre aftësohen për punë të pavarur, për mbledhjen, radhitjen dhe shfrytëzimin e materialit.[3] Metodicientët, vazhdimisht, porosisin që te nxënësit duhet të zhvillojmë ndjenjën dhe dashurinë për bukurinë e gjuhës sonë, nga se ajo është një ndër mjetet më të rëndësishme për fitimin e diturive dhe se niveli kulturor i njeriut gjen mbështetje të fortë në të. Kërkesat e programit shkollor nuk e ndajnë letërsinë nga gjuha dhe as gjuhën nga letërsia. Në shkollën e mesme këto dy fusha përbëjnë një lëndë mësimore, gjuhën dhe letërsinë shqipe. Në këtë punim do t’i paraqesim disa nga shmangiet më të shpeshta të nxënësve nga fusha e fonetikës dhe fonologjisë.[4]
Përdorimi i r-së në vend të rr-së, te nxënësit, vërehet në shumë raste, si në të shkruar po ashtu edhe në të folur. Karakteri fonologjik /r/ ~ /rr/ ruhet mirë në gegërishten, ndërsa në toskërishten është bërë rrafshimi i kësaj gjatësie, duke u shndërruar /rr/-ja në /r/.[5] Në shqipen standarde të folur, sidomos te bartësit jugorë dhe te disa pjesëtarë të gegërishtes jugore vërehet një përzierje e këtyre bashkëtingëlloreve, me kaheje nga /rr/ ~ /r/, përkatësisht të humbjes së opozicionit fonologjik /r/ ~ /rr/[6]. Edhe te nxënësit e shkollave të mesme të Shkupit e vërejmë përzierjen e këtyre bashkëtingëlloreve. Si p.sh.: arati (< arrati); ara (< arra); arita (< arrita); arogant (< arrogant); buburec (< buburrec); bigor (< bigorr); ëndëroj (< ëndërroj); koridor (< korridor); korektor (< korrektor); korigjim (< korrigjim); sharaxhi (< sharraxhi); zhavor (< zhavorr, rërë me gurë të vegjël) etj.
Siç shihet, pra nxënësit në shumë raste përdorin bashkëtingëlloren [r] në vend të [rr]-së. Mospërdorimi drejt i këtyre bashkëtingëlloreve vërehet edhe në të shkruar edhe në të folur (më shumë në të folur).
Një nga parimet bazë të statistikës gjuhësore thotë se sa më komplekse të jenë fonemat në nyjëtim, aq më pak përdoren. Statistika gjuhësore jep të dhëna se fonema /r/ ka denduri më të madhe përdorimi (6,28%), ndërsa /rr/-ja ka denduri të vogël përdorimi (0,50%); /r/-ja përdoret 12,56 herë më shumë se /rr/-ja.[7]
U tha se bashkëtingëllorja /r/ ka denduri më të madhe përdorimi sesa /rr/-ja por edhe u pa se nxënësit në shumë fjalë që përmendëm lart /r/-në e përdorin në vend të /rr/-së). Megjithëkëtë, nuk janë të pakta edhe rastet kur nxënësit e shqiptojnë, sidomos e shkruajnë /rr/-në me vend si në fillim, në mes dhe në fund të fjalës: rrebesh, rrepë, rreze, rrip, rrush, burrë, kurrë, arrë, derr, ëndërr, oborr etj.
Rreth drejtshkrimit dhe drejtshqiptimit të togjeve të zanoreve –ue, -ua. Në shqiptimin e grupeve të zanoreve në fjalët e këtij tipi, si edhe në togjet e tjera, te nxënësit vihen re luhatje të ndryshme, nën ndikimin e shqiptimeve dialektore e të traditës shqiptimore të varianteve letrare. Duhet të kemi parasysh një gjë se disa nxënës i shqiptojnë të plota (botues, dëgjues; grua, dua), por disa të tjerë i rrudhin. Grupin vokalik [ue] dhe [ua] e monoftongojnë në një [u:] të gjatë, si du: (< dua), du:r (< duar), i eduku:m (< i edukuar), i(e) hu:j (< i(e) huaj, gjuhë e hu:j < gjuhë e huaj), lu:j (< luaj), nuk kam besu: (<nuk kam besue, besuar), u zgju: (< u zgjua), më zgju:n (< më zgjuan), shu:j (< shuaj), mu: (< mua), pla:k (plakë), i shoqnu:shëm (< i shoqërueshëm), i vazhdu:shëm (< i vazhdueshëm) etj.
Në mjaft raste kemi vërejtur se emrat me –ues, -yes dhe mbiemrat me –ueshëm, -yeshëm nxënësit i shqiptojnë me –uë apo –u; –ye apo –y: (dëgju:s për dëgjues, mësu:s për mësues, i lexu:shëm për i lexueshëm, i pathy:shëm për i pathyeshëm, përkthy:s i mir për: përkthyes i mirë).
Nga vëzhgimet e bëra te nxënësit, kemi vërejtur edhe këtë dukuri fonetiko-fonologjike, pra përdorimin e togut zanor [ue] ose përdorimin e një [u:]-je të gjatë në vend të togut [ua] si p.sh. blu:j, blu:rje, blu:n (< bluaj, bluarje, bluan), due, du: (< dua), du:r, du:rt (< duar, duart); du:rtrokitëm (< duartrokitëm), du:rthatë (< duarthatë), du:rkryq (< duarkryq) i eduku:m (i edukuar) ftu: (< ftua, pemë) gjuhë e hu:j (< gjuhë e huaj), djali ju:j (< djali juaj), lu:j, lu:jmë, lu:jnë (< luaj, luajmë, luajnë), mu: (< mua), mu:j (< muaj), ru:j, ru:jmë, ru:jnë (< ruaj, ruajmë, ruajnë), rru:j (< rruaj), rru:zë (< rruazë), su:j (shoqes su:j),(< suaj shoqes suaj), shku: (< shkuar), ka shku: (< ka shkuar), shu:j (< shuaj), shu:jta zjarmin (< shuajta zjarmin), shu:jnë (< shuajnë), thu:j (< thuaj), vu:j (< vuaj), vu:jtjet (< vuajtjet), zgju: (< zgjua), më zgju:n (< më zgjuan), i zgju:m (< i zgjuar, i zgjuam nga gjumi).
Rreth zhbuzorëzimit të [y] në [i]. Përdorimi i gabueshëm i zanores [i] në vend të zanores [y], si në të folur ashtu edhe në të shkruar, vërehet te nxënësit e shkollave të mesme të qytetit të Shkupit (sidomos tek ata që vijnë nga rrethi i Karshiakës, Dervenit, Kumanovës dhe disa fshatrave përreth). Ata zanoren [y] në të shumtën e rasteve e zhbuzorizojnë në [i], p.sh. ati (< aty), bashkëqitetar (< bashkëqytetare), bestitni (< bestytni), biro (< byro), di (< dy; di nxënës < dy nxënës), i dianshëm(< i dyanshëm), difish (< dyfish), diluftim (< dyluftim), dishoj (< dyshoj), divargësh (< dyvargës), frimëmarrje (< frymëmarrje), fitirë, fti:r (< fytyrë), gjiq (< gjyq), gjikatës (< gjykatës), gjikim (< gjykim) gjish, gjishe (< gjysh, gjyshe), kriefjalë (< kryefjalë), krielartë (< kryelartë), kriemadh (< kryemadh), krieministër (< kryeministër), krieqitet (< kryeqytet), krieqendër(< kryeqendër), krieredaktor (< kryeredaktor), kriesi (< kryesi), lipës (< lypës), mifti (< myfti), misafir, musafir (< mysafir), ill (< yl), shoku it (< shoku yt).
Shndërrime të [y] në [u]. Ka edhe kësisoj raste kur në vend të zanores [y] të mbarë shqipes, në ligjërimin e shkruar, por edhe në ligjërimin e folur, nxënësit në pak raste përdorin zanoren [u], si p.sh. në vend të fjalës byrek përdorin burek (burektore për byrektore); huxhum në vend të hyxhym; musafir (< mysafir), mushteri (< myshteri), musliman (< mysliman), mufti (< myfti), gjunah (< gjynah) duqan (< dyqan), qumur (< qymyr), trusni (< trysni), e ndonjë fjalë tjetër.
Ndodh që nga nxënësit të përdoren disa fjalë me /u/ në vend që të përdoren me /y/, si: byfe për bufe; gyrbet për kurbet; qyrra për qurra; qyrrafsh për qurrash; syngjer për sfungjer; byrokrat për burokrat; bylmet për bulmet; (i,e) gryjtë për (i,e) grunjtë.
Gabime në përdorimin e grupeve të bashkëtingëlloreve [mb, nd]. Në shqipen standarde është ngritur në normë që togjet e bashkëtingëlloreve të ruhen të plota, si në nyjëtim ashtu edhe në shkrim. Grupet e bashkëtingëlloreve mb dhe nd shkruhen të plota si në fillim, ashtu edhe në trup e në fund të fjalës: mb: mbaj, mbaroj, mbesë, mbetem, mbush, këmbë, kumbull, thembër, gjemb, humb, krimb, plumb, shkëmb etj.; nd: ndaj, nder, ndër, ndërmjetës, ndihmoj, këndoj, mundoj, përmendsh, askënd, fund, kuvend, mund, vend etj.
Përgjithësisht mund të themi se këto grupe të bashkëtingëlloreve nxënësit e shkollave të mesme i ruajnë (i përdorin sidomos në të shkruar), megjithatë jo gjithnjë këto grupe na dalin të tilla, ndonjëherë i gjejmë të asimiluara (përngjashmuara), sidomos në të folur. Në vend të grupit bashkëtingëllor [mb] përdorin një [m] dhe në vend të grupit bashkëtingëllor [nd] përdorin një [n]. Ja disa shembuj: a) përdorimi i [m]-së në vend të [mb]-së: maj (< mbaj), maj mend (< mbaj mend), i (e) marë (< i (e) mbarë), (udha marë < udha e mbarë ose puna marë < puna e mbarë), mledh (< mbledh), mledhje (< mbledhje), amël, ëmël (< ëmbël), ), demel (< dembel), kumëll (< kumbull), zamak (< zambak) etj. Përdorimi i [n]-së në vend të [nd]: neroj (< nderoj), njek (< ndjek), nreq (< ndreq) etj.
Qiellzorëzimi i [ë]-së në [i]. Vlen të përmendet se në gjuhën shqipe kemi qiellzorizim të fonemave zanore me vlerë fonologjike, pra gramatikore dhe qiellzorizim tingujsh pa vlerë fonologjike. Qiellzorizimi i fonemave zanore në gjuhën shqipe ka karakter morfonologjik.[8] Në të folmet e shqipes, krahas palatalizimit të fonemave kemi edhe palatalizim të tingujve. Qiellzorizimi i tingujve zanorë në rrafshin dialektor, veçmas në të fomet e gegërishtes, si dukuri fonetike është e shpeshtë. Zanorja që palatalizohet më shumë është [ë]-ja, sidomos kur është në rrokje të patheksuar.[9]
Në të dy ligjërimet e nxënësve (në të shkruar dhe në të folur), kemi vërejtur, se zanoren gjysmë të hapur të radhës së mesme [ë] në rrokje të patheksuar në shumë pak raste e gjejmë të qiellzorëzuar në [i], si në fjalët: lishon, lishuar (< lëshon, lëshuar; cit. Afrimi e ka lishuar mësimin[10] në vend që të thotë Afrimi e ka lëshuar mësimin), nji (< një), xhimon (< gjëmon; cit. Plaka Nicë xhimoi dhe i tha gjeneralit…[11] në vend që të thotë Plaka Nicë gjëmoi dhe i tha gjeneralit…), likura (< lëkura), digjo, digjoj (< dëgjo, dëgjoj), livore (< lëvore), limoj, limohet (< lëmoj, lëmohet), lipij, lipiva, lipirës (< lëpij, lëpiva, lëpirës), lishoj, lishohet (< lëshoj, lëshohet), livdova (< lëvdova), livroj (< lëvroj), nish (< njësh), niqind (< njëqind) etj.
lishon, lishuar (< lëshon, lëshuar):
Afrimi e ka lishuar mësimin[12]
në vend që të thotë:
Afrimi e ka lëshuar mësimin
xhimon (< gjëmon):
Plaka Nicë xhimoi dhe i tha gjeneralit…
në vend që të thotë:
Plaka Nicë gjëmoi dhe i tha gjeneralit..
Afrikatizimi i [q, gj] në [ç, xh]. Në punimet me shkrim, por edhe gjatë ushtrimeve gojore të nxënësve vërehet kjo dukuri. Nga studimet e shumta dihet që pjesa më e madhe e të folmeve të gegërishtes priren që mesgjuhoret t’i nyjëtojnë si më të përparme, aq sa disa edhe plotësisht i afrikatizojnë[13]. Ky shqiptim më i përparmë ka humbur opozicionin fonologjik /q/ ~ /ç/ dhe /gj/ ~ /xh/, pra është bërë defonologjizimi i tyre në të folmet e Kosovës[14], të Shkupit[15], të Tetovës[16], të Kërçovës[17], të Dibrës[18] etj. Në bazë të gjendjes faktike, te nxënësit, vërejmë dy çifte bashkëtingëlloresh: qiellzore ~ afrikate, por shpeshherë dallimi i tyre nuk del i qartë, d.m.th. nxënësit bëjnë përzierjen e tyre si në ushtrimet me shkrim, po ashtu edhe në ushtrimet gojore. Ja disa fjalë (shembuj) kur në vend të bashkëtingëllores qiellzore është shkruar afrikatja gjegjëse, si p.sh. xhak (< gjak), xhakmarrje (< gjakmarrje), xharpër (< gjarpër), xhashtë (< gjashtë , xhashtë (< gjashtë) orë kemi sot.), i xhatë (< i gjatë), e xhete (< e gjete), xhindet, xhendet (< gjendet), mënxhes (< mëngjes), xheneral (< gjeneral), xherman (< gjerman), xhermanisht (< gjermanisht), xhimnaz (< gjimnaz), xhevrek (< gjevrek), liturxhi (< liturgji), loxhikë (< logjikë), loxhikisht (< logjikisht), hexhemonist (< hegjemonist) etj.
Duke e pasur parasysh moshën e nxënësve, nuk duhet shumë të na habisin shmangiet e tyre nga norma. Sepse, shmangiet e nxënësve nga norma drejtshkrimore dhe drejtshqiptimore e shqipes vijnë si rezultat i disa faktorëve gjuhësorë të jashtëm (komunikimi i shpejtë, pakujdesia rreth përdorimit të standardit të shqipes në shkollë, mospërdorimi i standardit në familje (pra në shtëpi), mospërdorimi i standardit nga (disa) profesorë të lëndëve tjera, mirëpo në shkolla të mesme kemi vërejtur që disa profesorë më tepër kujdes i kushtojnë orëve të letërsisë sesa orëve të parapara për gjuhë etj.).
Literatura e shfrytëzuar:
- Hamiti, Asllan, Fonetika dhe fonologjia e gjuhës standarde shqipe, Shkup 2005.
- Murati, Qemal, Drejtpërdorimi i shqipes dhe kultura gjuhësore, Shkup, 1996.
- Poloska, Agim, Interpretime linguistike, Shkup, 2002.
- Sulejmani, Berton, Gjuha standarde shqipe dhe shkolla (zotërimi i saj nga nxënësit e shkollave të mesme të Shkupit), Logos – A, Shkup, 2011.
[1] Ndërsa në arsimin e mesëm lënda emërtohet Gjuhë shqipe dhe letërsi d.m.th. i shtohet letërsia.
[2] Shkollat e mesme profesionale, gjuhën shqipe dhe letërsinë e mësojnë 3 orë në javë.
[3] A. Poloska, Interpretime linguistike, Shkup, 2002, f.147.
[4] (shih më gjerësisht) Berton Sulejmani, Gjuha standarde shqipe dhe shkolla (zotërimi i saj nga nxënësit e shkollave të mesme të Shkupit), Logos – A, Shkup, 2011.
[5] Asllan Hamiti, Fonetika dhe fonologjia e gjuhës standarde shqipe, Shkup 2005, fq. 131 – 132.
[6] Po aty, fq. 154.
[7] Shih: Anastas Dodi, Shqipja si gjuhë ballkanike në .., f. 759-765.
[8] Asllan Hamiti, Fonetika dhe fonologjia e .., Shkup, 2005, f.204.
[9] Po aty.
[10] Fjalët e një nxënësi të vitit të III, i cili thotë lishon në vend që të thotë lëshon.
[11] Fjalët e një nxënësi tjetër (vitit të katërt) i cili bën përshkrimin e Plakës Nicë.
[12] Fjalët e një nxënësi të vitit të III, i cili thotë lishon në vend që të thotë lëshon.
[13] Asllan Hamiti, Paralelja shqipe në dy fjalorët shumëgjuhësh të Gjorgji Puleskit, Vatra,2005, Shkup, fq 90.
[14] Idriz Ajeti, Rreth disa veçorive të të folmeve të shqiptarëve të rrethit të Preshevës dhe të Bujanovcit, Kërkime gjuhësore, Prishtinë, 1978, fq. 192.
[15] Haki Ymeri, E folmja shqipe e Karshiakës, Shkup, 1997.
[16] Remzi Nesimi, E folmja e Dërvenit, (punim doktorate në dorëshkrim), Prishtinë, 1988.
[17] Qemal Murati, E folmja shqipe e rrethit të Tuhinit të Kërçovës, Studime gjuhësore II (Dialektologji), Prishtinë, 1989, fq. 18.
[18] Naim Basha, E folmja e qytetit të Dibrës, Studime gjuhësore II (Dialektologji), Prishtinë, 1989, fq.163.