Prof. Dr. Xheladin Murati | Arsimi është çështje esenciale e çdo shoqërie, për më tepër është nevojë dhe domosdoshmëri – një e drejtë elementare e njeriut e legalizuar dhe e institucionalizuar edhe në Deklaratën universale të të drejtave të njeriut dhe në konventa e dokumente të tjera për liritë dhe të drejtat e njeriut.
Vlen përmendur po ashtu se në të gjitha shoqëritë që pretendojnë të jenë civilizuese, që pretendojnë të përfillen parimet e njohura të demokracisë, shkollimi dhe arsimimi në gjuhën amtare në të gjitha nivelet nuk problematizohet e aq më pak suspendohet. Por kjo ndodhi me shoqërinë shqiptare në Maqedoni në shekullin e kaluar në mënyrë intensive dhe shprehëse që nga viti 1981-1990). Me këtë filloi një jetë shumë e vështirë për shqiptarët në Maqedoni sepse luftoheshi emrat shqipë, prisheshin muret, i pritshin dyert e oborrit.
E drejta e shkollimit dhe e arsimimit në gjuhën amtare është sikurse edhe të drejtat e tjera (për t’u shprehur lirisht, e drejta e punës, e drejta e banimit e të tjera). Pikërisht në këtë kontekst e shqyrtojmë dhunën ndaj arsimit, shkollës shqipe dhe intelektualëve shqiptarë në Maqedoni me theks të veçantë në epiqendren shqiptare në komunën e Tetovës nga viti 1981.
Arsimi dhe shkolla shqipe në Maqedoni në rrugën evolutive të saj ka hasur në tri hendikepe. I pari, shkelet e drejta e arsimimit në gjuhën shqipe. Kjo shkelje drastike filloi që nga viti 1981 dhe në tërë dekadën e nëntë të shekullit XX filloi mbyllja e paraleleve me mësim në gjuhën shqipe në shkollat e mesme. Kjo mbyllje u krye me formimin famoz të paraleleve të përziera, ku mësimi zhvillohej ekskluzivisht në gjuhën maqedonase. Njëherazi, administrata në shkollë u bë në gjuhën maqedonase si libri amzë, ditari, planet vjetore, mujore dhe konspektet, verbalet nga ambledhja e këshillit të arsimtarëve dhe mbledhjet prindëore shkruheshin në maqedonisht, që vite më vonë u bënë në dy gjuhë, siç është edhe sot me dëftesat që merren ne dy gjuhë. Hendikepi i dytë është eliminimi i përmbajtjeve me karakter kombëtar nga lëndët historia, kultura, tradita, letërsia, arti, muzika e të ngjashme. Zhveshja e këtillë reflektonte negativisht në formimin kombëtar të nxënësve.
Hendikepi i tretë ishte largimi i kuadrove të dëshmuar kombëtarisht nga shkolla, nga procesi arsimor.
Në këtë mënyrë u persekutua, u dhunua arsimi kombëtar, jo vetëm në shkollat e Tetovës por gjerësisht në Maqedoni,po me theks dominant në Tetovë me rrethinë.
Mënyra për të luftuar këto hendikepe, te shqiptarët, para së gjithash, krijoi konceptin se shqiptarët janë nacionalistë, irredentistë, separatistë, oportunistë se luftojnë dhe angazhohen për mbylljen kombëtare, getoizimin, izolimin e tyre dhe përjashtimin nga dialogu civilizues e bashkëveprimi me maqedonasit. Me këtë, kurrsesi nuk krijohej bindja te pala maqedonase se shqiptarët janë evropianë.
Filloi me të madhe, pa rezervë, të akuzohet shkolla, me bindje se truri i popullit tone është inteligjenca jonë, arsimtarët dhe intelektualët e profileve të ndryshme. U atakua shkollimi, sepse supozohej se normë morale për të ecur përpara është shkollimi i të gjithëve në gjuhën amtare. Vetëm me shkollë madhështojmë të sotmen, i hapim udhë të nesërmes. Kësisoj arsimi shqip në Maqedoni u bë problem kryesor për politikën e egër komuniste dhe zyrtarët republikanë e komunalë.
Nga koniunktura politike e Lidhjes Komuniste të Maqedonisë u diskredituan, diferencuan, etiketuan, u përjashtuan, u nëpërkëmbën një numër i madh i kadrove arsimorë. Dhuna ndaj arsimit dhe kuadrove arsimorë u krye nën parullën e papërshtashmërisë ideopolitike, që buronte nga monizmi bolshevik, nga pushteti partiak i burokratizuar. Lirisht mund të themi se në këtë drejtim politika antishqiptare dhe proceset e persekutimit të arsimit arriti për kompremetimin e arsimit dhe fatet e njerëzve, por ato nuk qenë të gatshëm të parashikojnë kompremetimin e tyre në sytë e shqiptarëve, madje është edhe më keq se ky persekutim dhe proceset represive ndaj shkollës, arsimit dhe kaudrove shqiptarë, intelektualëve u relizuan me ndihmën e vetë shqiptarëve. Diferencimi dhe dhuna udhëhiqej nga persona të ngarkuar dhe të frustruar nga nacionalizmi.
U realizua ky proces në formë fushate, të pakontrolluar, në emër të pastërtisë së njëmendësisë apo monizmit të egër.
Në emër të diferencimit ideopolitik, politika komuniste antishqiptare arriti të përjashtojë nga shkolla dhe procesi arsimor numër të madh intelektualësh e punëtorë të zellshëm të arsimit. Ky proces që zgjati afër një dekadë dhe për fat të mirë u ndërpre, meqë ndryshoi sistemi, u instalua prulalizmi politik dhe procesi i demokratizimit të shoqërisë.
Megjithatë, dhuna në emër të diferencimit politik si të papërshtatshëm në komunën e Tetovës si komunë më e madhe në republikë, u diferencuan, u përjashtuan, u ndëshkuan u larguan nga shkolla mbi 90 kuadro arsimorë dhe bartës të funksioneve të arsimit. Këtu po i përmendi emrat e tyre individualisht.
U përjashtuan nga LKM dhe puna kuadrot vijues:
Rexhep Osmani, Merie Rushani, Mustafa Arifi, Miftar Zyberi, Abdylbaki Bajrami, Alajdin Demiri, Jashar Kasami, Abdullah Hyseini, Abdylmenaf Rustemi, Vebi Xhemaili, Myhedin Hadri, Alifemi Iljazi, Qemal Limani, Hysnixhevat Yseini, Liman Kurtishi, Imer Imeri, Rexhep Saliu, Shukri Veliu, Latif Ajrullai, Luljeta Isaku, Pervera Bexheti, Nevzat Meazi, Mesut Veliu, Sabri Ramizi, Nijazi Nuredini, Hyreme Gura, Sefo Osmani, Xhevat Kalishta, Abduraman Jakupi, Zaim Zaimi, Refet Neziri, Daut Gura, Eshref Odai, Zeqirja Rexhepi, Alim Kasami, Sadri Saliu, Amet Abduli, Sali Ramizi, Zaim Beqiri, Rexhep Vejseli, Remzi Aliu, Xhavit Baftjari, Sefer Bakiu, Fadil Vehapi, Xhevat Aliu, Ejub Sabriu, Selam Mustafa, Metush Murati (u shkarkua nga drejtori i shkollës në Dobrosht), Isniqemal Sherifi, Shpresa Jusufi, Dilaver Selmani, Agim Isaki, Mehmet Aliu, Ejup Mahmuti, Memish Osmani, Ismet Celebiu, Namik Zulbeari, Nuriman Nuredini, Hamid Iseni, Abdylazis Beluli, Xhemil Zylbeari, Ismailaki Emini, Xhevat Aliu, Shaqir Aliti, Miit’hat Emini (u shkarkua nga BVI e arsimit), kurse nga Enti për Përparimin e Arsimit dhe Edukimit Parashkollor dhe Fillor u larguan këshilltarët pedagogjikë Rufat Beadini, Rami Veliu, dhe Shaip Bajrami, ndërkaq Xheladin Murati u shkarkua nga posti i drejtorit të Entit dhe u përjashtua nga puna keshilltar i pavarur pedagogjik dhe ia ndaluan të punojë në arsim. Ia ndaluan të botojë punime në revista dhe gazeta në Maqedoni, kurse e larguan nga Këshilli për botimin e shtojcës “Peagogu” që dilte çdo të mërkure si shtojcë në gazetën “Flaka e vëllazërimit” për problemet arsimore. Arsyetimet ishin nga më të ndryshmet.[1]
Është për t’u theksuar edhe fakti se kulmi i dhunës në arsim arriti me mësimin e gjuhës maqedonase në paralelet shqiptare nga klasa e parë (edhe pse ajo mësohej nga klasa III). Një funksionar i lart shqiptar (H. R.) i asaj kohe e elaboroi mësimin e gjuhës maqedonase me faktin se atë duhet ta mësojmë si gjuhë amtare. “Kush është kundër saj është kundër shtetit” – thoshte ai në një tubim me arsimtarët. Po pati edhe shqiptarë të tjerë që e përkrahnin dhe angazhoheshin zëshëm dhe fuqishëm për diferencimin e intelektualëve shqiptarë dhe me ngulm luftonin kundër vlerave shqiptare, librit shqip, historisë kombëtare, dijes e të ngjashme (M. E., T. E., A. L., S. A.,etj.) të cilët me vetëdije u ngritën vetë kundër vetes.
Numri i arsimtarëve ndaj të cilëve u shqiptuan masa partiake (vërejtje, vërejtje e fundit, parapërjashtim, vërejtje publike dhe masa disiplinore) është shumë i madh.[2]
Megjithkëtë optimizmi i arsimtarit dhe intelektualit shqiptar nuk humbi, nuk u mposht. Ndjenja e tij bujare dhe arsimdashëse u drejtua në kah tjetër vetëm e vetëm për të siguruar ekzistencën jetësore punonin çfarëdo që mbërrinin (pllakamontues, shitës, tregtarë, shkuan me punë jashtë vendit etj.)
Procesi i diferencimit të kuadrit nuk solli asgjë tjetër përveç nëpërkëmbjes, përçarjes dhe zgjerimit të hendekut midis shqiptarëve dhe maqedonasve, krijoi armiqësi artificiale, ngjalli mosbesim. Prej politikës nacionaliste përfitonin zullumqarët e çështjes shqiptare në Maqedoni. Ndryshime të mëdha ndodhën në suspendimin e vlerave të mirëfillta kombëtare. Kësisoj, programet mësimore nga gjuha shqipe dhe letërsia, nga historia kombëtare, kultura, arti, muzika iu nënshtruan procesit të spastrimit, më saktë u dhunuan, duke i larguar emrat eminentë të shkrimtarëve të vjetër e të rinj, duke i diferencuar ato se zgjojnë dhe nxisin helmim nacional, u vurën nën embargo: P. Vasa, Z. Serembe, N. Frashëri, A. Z. Cajupi, I. Kadare, D. Agolli, S. Spasse, Dh. Shuteriqi, M. Krasniqi, G. Luboteni, R, Qosja etj., u hoqën këmbët kombëtare, u larguan nga muret e klasave fytyrat eminente shqiptare të historisë, të letërsisë, të kulturës. Njëherazi u bë diferencimi i literaturës shkencore, lektyrës shkollore të botuar në Maqedoni (të gjithë autorët shqiptarë nga Shqipëria u larguan nga përdorimi), u larguan hartat gjeografike në të cilat shkruante “Made in Albania”.
Nga lënda e historisë u larguan ato pak përmbajtje dhe tema nga historia kombëtare e afërt dhe e largët.
Me gjithë padrejtësitë dhe suspendimin e përmbajtjeve, përjashtimin e kuadrit arsimor, paralelet e përziera, dhuna u shpreh si urrejtje e grumbulluar, por shqiptarët ishin plot durim, tolerancë, maturi e dinjitet. Kësisoj, politika nacionalisste maqedonase e udhëhequr nga Lidhja Komuniste demonstroi nacionalizmin superior ndaj intelektualëve shqiptarë, ndaj arsimit dhe kulturës shqiptare. Ajo e vërtetoi faktin se nacionalizmi është formacion criminal.
Pavarësisht nga fakti se tendencat e politikës komuniste ndaj arsimit shqip në Maqedoni ishin restriktive, reduktuese dhe dhunuese në dekadën famoze 1981-1990, arsimi shqip përsëri u rimëkëmb, mori hov dhe u realizuan strategjitë madhore të arsimit mbi bazë të vizionit dhe strategjisë, perspektivës dhe parashikimit, operacionalizimit dhe standardizimit me tendencat evropiane të zhvillimit.
Për ta përmbyllur këtë qasje e kam shumë lehtë. Asnjë arsimtar shqiptar nuk ka bërë gjë të keqe, veprim kundër shtetit, cënim të lirisë apo sigurisë, injorim të kulturës dhe dinjitetit maqedonas, por kanë kërkuar liri, barazi, kulturë dhe arsim shqip, të drejta të shprehen lirshëm, të mësojnë historinë dhe të kutivojnë traditën kombëtare, kërkonin libra shqip e të ngjashme. Dhe për këto e gjëra të ngjashme politika nacionaliste maqedonase – komuniste shkaktoi vuajtje, përjashtime, diferencime, dënime, dhunë, largime nga puna, nxiti frikën dhe largimin e intelektualëve shqiptarë jashtë vendit, ndaj tyre u ushtru dhunë e paparë.
Mirëpo, pasi çdo gjë ka fundin e vet, i cili fund lidhet me ndonjë fillim tjetër, kokat e prishura komuniste, me vonesë bëhen të vetëdijshëm për gabimet e bëra, ata e panë se në këtë proces famëkeq shqiptarët nuk kanë pasur kurgjë, pos dëshirës së madhe të mësojnë, të shkollohen, të përparojnë, të jenë të lirë, të barabartë.
[1] Në Vendimin për përjashtimin nga LKM dhe nga puna nr. 08 – 158/1 dt.18. 11. 1981, mes tjerash shkruan:
-drejtori i Entit Xheladin Murati ka lejuar nëpër shkolla libra me autor nga Shqipëria, literatureë të ndryshme nëpër shkolla e sjellë dhe e botuar në Shqipëri e në Kosovë;
-ka lejuar përdorimin e lektyrës për nxënësit e shkollave fillore me 24 autor shqiptar nga Shqipëria e Kosova;
-në lendën e gjeografisë dhe historisë janë bërë lëshime sepse ka pas përmbajtje që kanë nxitur ndjenjat e nacionalizmit shqiptaromadh;
-nëpër shkolla ka lejuar tabllo me fytyra eminente nga Rlindja Kombëtaredhe shkrimtar nga Shqipëria;
-disa përmbajtje të Buletinit që e botonte Enti kanë qenë vetëm në gjuhën shqipe;
-është angazhuar që nxënësit shqiptarë mos e mësojnë gjuhën maqedonase;
-nëpër shkolla ka lejuar përdorimin e hartave gjeografike të botuara në Tiranë;
-temën e doktoratës e merr në Universitetin e Prishtinëss e jo të Shkupit dhe shpesh ka udhëtuar në Prishtinë etj.
[2] Kuadrot ndaj të cilëve u shqiptuan masa vërejtje, vërejtje e fundit, parapërjashtim nga arsimi fillor dhe i mesëm ishte i madh: Latif Sejfullai, Rauf Izeti, Ibraim Veliu, Nijazi Etemi, Havzi Memeti, Nevzat Halili, Amet EmurllaI, Xhelil Arifi, Bajram Saliu, Rakip Mazllami,Sulejman Zenuni, Alishefi Ismaili, Shafi Arifi, Remzi Emshija, Zija Muslia, Amzi Ramani, Raim Alija, Sali Saliu, Ashim Aziri, Zejnulla Zejnullai, Shaban Ziberi, Xhemali Ramadani, Feta Iseni, Medi Sinani, Fauzi Ramadani, Abedin Murati.
Masa vërejtje publike dhe kritikë shoqërore u shqiptua ndaj: Ejup Murtezani, Shaban Idrizi, Alush Xheladini, Daim Iljazi, Hasan Kamberi, Hasan Emini, Selim Veliu, Abdylazis Ismani, Zeqir Memeti, Abdyrais Ademi, Abdurraman Kasami, Rafiz Qufliu, Ruhi Demiri, Veli Arsllani, Taxhedin Beluli, Ramadan Raamadani, Vejsel Rustemi, Sherif Useini, Vedat Ramadani, Azir Ismani.
Masa disiplinore u shqiptuan ndaj: Sadulla Halili, Daut Sulejmani, Iljaz Iseni, Lirie Vejseli, Aliman Fejzullai, Afërdita Abdiu, Zyhra Halimi, Abdurafi Ramadani.