Prof. Dr. Asllan Hamiti | Kultura gjuhësore është pjesë përbërëse e kulturës së përgjithshme shoqërore dhe individuale. Shqipja standarde ka marrë një rrugë të mbarë të përsosjes së përhershme, pasurimit, herrjes dhe zhvillimit të hovshëm. Gjuha, siç dihet, është pasqyrë e kulturës dhe e të arriturave të gjithmbarshme të një populli, por edhe e çdo pjesëtari të tij. Ajo pëson ndryshime, zhvillohet e pasurohet vazhdimisht. Por, ky zhvillim i gjuhës varet prej njerëzve që e flasin atë. Gjuha standarde shqipe në Maqedoni po përdoret në institucionet arsimore, në mjetet e informimit, në veprat letrare e shkencore, në tekstet shkollore etj.
Mjetet e informimit, si shtypi ashtu edhe radioja e televizioni, kanë rëndësi të madhe jo vetëm si mediume më masive të informimit publik, por edhe si mjete e burime për formimin gjuhësor të lexuesve, dëgjuesve dhe të teleshikuesve, meqë drejtpërdrejt ndikojnë për përhapjen dhe ngulitjen e normës letrare te e gjithë popullata shqiptare në Maqedoni e më gjerë. Prandaj, gjuha e gazetave, e radios dhe e televizionit duhet t’u përgjigjet rregullave drejtshkrimore e drejtshqiptimore të shqipes standarde.
Marrë në tërësi, norma e shqipes standarde dukshëm po zbatohet në shkollat shqipe, në mjetet e informimit publik etj. Megjithkëtë, jemi dëshmitarë se në praktikën gjuhësore shpeshherë po thyhen normat në të gjitha rrafshet, si në rrafshin leksikor, sintaksor (si pjesë më të lëvizshme të gjuhës e më të eksponuara ndaj ndikimeve të huaja), në rrafshin morfologjik, fonetik e fonologjik etj. Disa gazetarë, redaktorë gjuhësorë, përkthyes, lektorë, korrektorë etj., nga pakujdesia, puna e ngutshme, joserioziteti në punë, papërgjegjësia ose nga mosnjohja e mjaftueshme e normave të shqipes standarde, bëjnë gabime gjuhësore të natyrave të ndryshme.
Jo rrallë vërehen ndikime të sintaksës së huaj në ndërtimin e fjalive dhe të periudhave; përdorimi i panevojshëm i periudhave të gjata e të ndërlikuara, ku pështjellohet mendimi deri në moskuptim.
Shkelje të normave të shqipes standarde paraqet edhe përdorimi i panevojshëm i fjalëve të huaja. Siç dihet, varësisht nga shtrirja gjeografike, përkatësia administrative nëpër disa shtete ballkanike, kontakti shumëshekullor përfshirë lidhjet historike, ekonomike, kulturore me gjuhë të tjera etj., ka laramani sasiore të huazimeve leksikore nëpër të folmet shqipe. Thënë ndryshe, si në shqipen me vazhdimësi tokësore e gjuhësore, ashtu edhe në shqipen e diasporës diku ka më pak e diku më shumë fjalë të huaja: greke, turke, sllave, neolatine etj.[1] Disa nga këto fjalë të huaja janë mishëruar thellë në të folmet dialektore, kanë përhapje të përgjithshme në tërë shqipen dialektore. Një numër i konsiderueshëm fjalësh të tilla janë bërë edhe pjesë e leksikut të gjuhës standarde shqipe. Këto më vështirë zëvendësohen me fjalë të shqipes, edhe pse ekziston një mundësi e tillë. Por, ka edhe të tilla që kanë përhapje të ngushtë territoriale (në një krahinë, në një grup të folmesh, në disa të folme, në një të folme). Fjalët e këtilla nuk janë të pranueshme për normën leksikore letrare. Përveç ndikimit të vijueshëm të italishtes (sidomos në Shqipëri), kohët e fundit në shqipen letrare vërehet një ndikim gjithnjë e më i madh i anglishtes. Rritja e numrit të fjalëve angleze dhe në përgjithësi e fjalëve të huaja është thyerje e normës leksikore e stilistikore të shqipes.[2] Parimisht, sa më pak fjalë të huaja të përdorim në ligjërimin tonë, do të ishte aq më mirë.
Procesi i globalizimit (që nga forcat e mëdha çmohet si shumë i rëndësishëm për zhvillimin e tregut të lirë dhe për shoqërinë e hapur, për zbatimin e parimeve të demokracisë dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në përpjesëtime botërore), po bëhet rrezik për kulturat dhe gjuhët kombëtare. Ndikimi i gjuhëve të mëdha në gjuhët e vogla edhe deri më tani ka qenë i madh. Por, me procesin e globalizimit, gjuhët e popujve të vegjël janë edhe më të rrezikuara. Anglishtja është bërë dhe si duket do të jetë edhe mëtej gjuhë me prestigjin më të lartë në botë. Ajo edhe tani si gjuhë zyrtare ose gjysmëzyrtare përdoret në më shumë se 60 shtete, kurse vend të posaçëm zë edhe në 20 vende të tjera. E gjithë bota e kulturuar kujdeset të mësojë anglishten; nga sasia e përgjithshme e informatave në kujtesën e sistemeve elektronike, 80% janë në anglisht. Nën ndikimin e anglishtes shkombëzohen gjuhë amtare. Mund të parashikohet se me globalizimin e botës, në dy shekujt e ardhshëm do të vdesin gjysma e gjuhëve të popujve të vegjël.[3]
Shqiptarët e Maqedonisë janë dygjuhësorë: përveç gjuhës amtare dinë edhe maqedonisht e ndokush edhe turqisht ose ndonjë gjuhë tjetër. Maqedonishtja ka qenë dhe sot e kësaj dite është gjuhë zyrtare, gjuhë e shkollimit sipëror të një numri të konsiderueshëm shqiptarësh, gjuhë që krahas gjuhës amtare zhvillohet në shkollat fillore e të mesme që nga klasa e tretë. Ajo ka përhapje shumë më të madhe se gjuha shqipe në mjetet e informimit, në jetën publike, shoqërore, sportive, administrative e shoqërore. Në këtë gjendje diglosie janë huazuar shumë sllavizma, konstrukte fjalësh, janë krijuar kalke e sintaksa e ligjërimit shqip në Maqedoni është vërshuar nga renditja e natyrës sllave. Edhe pse parimisht shumica e gazetarëve shqiptarë përpiqen ta ruajnë natyrën e shqipes, duke respektuar parimin sa më pak fjalë e ndërtime të huaja në ligjërimin tonë, është aq më mirë; megjithkëtë ndikime nga maqedonishtja hetohen mjaft shpesh.
Marrë në përgjithësi mund të themi se tekstet shkollore të arsimit parauniversitar në gjuhën shqipe në Maqedoni janë të një niveli jo të kënaqshëm. Për një gjendje të këtillë të palakmueshme fajin e kanë së pari institucionet përgjegjëse shtetërore. Për shkak të kompensimit material të vogël për libra shkollorë në konkurset që shpall Ministria e Arsimit dhe e Shkencës e Maqedonisë arrijnë pak dorëshkrime. Autorët e kanë për detyrë të dorëzojnë dorëshkrimin të përgatitur edhe teknikisht, duke përfshirë të gjitha skicat, vizatimet e kopertinën. Ashtu siç dorëzohet nga hartuesit, në formatin PDF shtypshkronja e nxjerr në letër. Për të përpiluar një tekst të mirë, hartuesi apo hartuesit duhet të kenë përgatitje profesionale bashkëkohore, të njohin materien që shtjellojnë, të kenë njohuri të shkëlqyera metodike e didaktike, të njohin mirë shqipen standarde, të jenë piktorë dhe kenë aftësi në përdorimin e kompjuterit, në veçanti ato të përgatitjes teknike të tekstit. Njerëzit e këtillë me të gjitha këto aftësi e shkathtësi janë të rrallë ndër ne. Hartimi i librave shkollorë kërkon punë ekipore profesionale, e këtë nuk mund ta sigurojë konkurruesi meqë nuk është e sigurt se pikërisht dorëshkrimi i tij do të përzgjidhet nga komisioni recensues dhe se ato pak mjete që i jep porositësi nuk mjaftojnë për të mbuluar shpenzimet materiale e as për të siguruar një honorar të vogël për pjesëmarrësit e grupit.
Në këto kushte dhe rrethana tejet të rënda, mosinteresimit të organeve gjegjëse për shkolla shqipe cilësore, përfshirë edhe tekstet shkollore në gjuhën shqipe në Maqedoni. Në këtë kumtesë do të shtjellojmë gjuhën e teksteve shkollore të kimisë të arsimit fillor në Maqedoni.
Siç dihet, teksti shkollor është burim i diturisë dhe mjeti mësimor i formësuar në pikëpamje didaktike për arritjen e qëllimeve edukative-arsimore në mësim dhe nxënie. Ai duhet t’i mundësojë nxënësit që të arrijë standarde të caktuara njohurish dhe ta nxisë zhvillimin e aftësive:
- a) në fushën kognitive për të kuptuar, për të zbatuar njohuritë, për të analizuar e sintetizuar;
- b) në fushën afektive për të zhvilluar aftësitë e pranimit dhe të përvetësimit të vlerave dhe si pikësynim kryesor – formimin e personalitetit; dhe
- c) në fushën psikomotorike për të përvetësuar shkathtësi, nxitur të menduarit dhe për të jetësuar në praktikë njohuritë e fituara.[4]
Marrë në përgjithësi mund të themi se tekstet shkollore të arsimit parauniversitar në gjuhën shqipe në Maqedoni janë të një niveli jo të kënaqshëm.
Për të përpiluar një tekst të mirë, hartuesi apo hartuesit duhet të kenë përgatitje profesionale bashkëkohore, të njohin materien që shtjellojnë, të kenë njohuri të shkëlqyera metodike e didaktike, të njohin shqipen standarde e të shkruajnë atë në një stil të përshtatshëm për moshën e nxënësve etj.
Niveli gjuhësor i librave shkollorë të përkthyera nga maqedonishtja në shqip është edhe më e palakmueshme. Përkthehen pothuajse të gjitha librat e arsimit fillor dhe të mesëm, përveç librave të gjuhës shqipe. Në pjesën dërmuese të këtyre librave gjejmë gabime gjuhësore të natyrave të ndryshme, si:
- përkthim të fjalëpërfjalshëm me sintaksë të maqedonishtes;
- përdorimin e larmishëm e të panjësuar të termeve;
- mospërdorimin me vend të emrave në rasa;
- përdorimin e shumë fjalëve të huaja në vend të fjalëve shqipe;
- gabime kuptimore, aq sa në tekste shkollore mund të gjejmë edhe fjali me kuptime të errëta ose periudha të gjata e të pakuptueshme;
- po kështu, gjejmë edhe gabime të shumta drejtshkrimore, të natyrës fonetike e morfologjike, veçmas në përdorimin e ë-së, rr-së, y-së, q-së, gj-së etj.
Mësimi i kimisë si lëndë më vete te ne fillon në klasën VII e vazhdon në klasat pasuese, ndërsa në klasat paraprake nxënësit marrin bazat e shkencave natyrore (kimisë, fizikës e biologjisë) në lëndën mësimore dituri natyre.
Në vrojtimin tonë në librat e kimisë për arsimin fillor në Maqedoni arritëm të hetojmë disa mangësi gjuhësore, por jo edhe aq sa mund të gjesh përgjithësisht nëpër tekste të tjera mësimore të përkthyera:
- Në vend të disa fjalëve të huaja, do të ishte më mirë të përdoreshin fjalët shqipe tani më mjaft të përhapura, si: peshore precize (f. 17) – peshore e saktë; definicion (f. 20) – përkufizim; kuantitet (f. 24) – sasi; mënyrë direkte (35) – mënyrë e drejtpërdrejtë; presion (f. 78) – trysni; esencial (52) – themelor; medicinë (f. 52) – mjekësi; inorganike (f. 58, duhet: joorganike); nomenklaturë (f. 74, 80, 85, 101, 110) – emërtim, emërtesë etj.
- Përdorimi i gabueshëm i fjalëve për nga kuptimi, si: … dhënia e elektroneve (f. 6, duhet: lirimi i elektroneve); Pranë vetive të përbashkëta … (f. 36, duhet: përveç vetive të përbashkëta…); Bërllogu prej metali që duhet të reciklohet (f. 39, duhet: Mbetjet metalike që duhet ricikluar …; Gjatë të fotografuarit të freskave, ngjyrat kanë qenë të futura në mallter ose gjips (f. 42, duhet: Gjatë pikturimit të freskave, ngjyrat paraprakisht janë përzier me llaç ose gjips…; nga provat e zhvilluara (f. 98, 125, duhet: nga provat e bëra);
- Aty-këtu gjejmë edhe gabime në renditjen e fjalëve në fjali, sipas topikës së fjalëve në maqedonishte: Përqindja më e lartë në organizmin e derrave, i takon yndyrave (f. 122, duhet: Yndyrat janë përbërësit kryesorë të organizmit të derrave) etj.
- Gabime drejtshkrimore të natyrës fonetike e morfologjike, si: shqytrojmë (f. 6) – në vend të formës normative shqyrtojmë; më lehtë liron elektrone se sa metali … (f. 13, duhet: sesa); është sjellur (f. 29, duhet: është sjellë); do t’a gjejmë (f. 13, duhet: do ta gjejmë); munden ta ndajnë (f. 46, duhet: mund ta ndajnë); përshkak (f. 65, 90, duhet: për shkak); për tu lidhur (f.72, duhet: për t’u lidhur); me ç’rast lirohet (f. 75, 77, duhet: me çrast); janë nxjerrur (f. 69, duhet: janë nxjerrë);[5] egzistojnë (f. 78, 80, 81; duhet: ekzistojnë, ka); shum (f. 124, duhet: shumë); në munges (f. 134, duhet: në mungesë); tani më e din (f. 132, duhet: tani më e di); gjithëmonë (f. 26, duhet: gjithmonë); qirinjët (f. 75, duhet: qirinjtë); ato shkrihen (f. 75, duhet: ata shkrihen).
- Përdorimi pa nyjë i përemrit të pakufishëm: … në shumë procese tjera ... (f. 6); mungon nyja i, e ose të, pra duhet: në shumë procese të tjera. … mund të nxirren të gjitha madhësitë tjera (f. 17, duhet: madhësitë e tjera). Kështu është edhe te rastet tjera (f. 10, duhet: rastet e tjera). Metale tjera (f. 33, duhet: metale të tjera). Metalet tjera (f. 37, duhet: metalet e tjera). Kështu është edhe tek numri i madh i kompozimeve tjera organike (f. 64, duhet: Kështu është edhe te shumica e kompozimeve të tjera organike). Disa komponime tjera (f. 122, duhet: disa komponime të tjera).
Teksti i kimisë, si edhe i librave të tjerë të arsimit fillor të përkthyer, lëngon në disa vende edhe nga përdorimi pa vend i shenjave të pikësimit, veçmas në përdorimin e presjes, si duket nën ndikimin e tekstit në maqedonisht.
Për të pasur rini të arsimuar e të edukuar duhet të kemi edhe tekste shkollore cilësore e pedagogë të mirë. Njohuritë që nxënësit i marrin në shkollimin fillor, janë të dobishme për gjithë jetën.
Prandaj, në të ardhmen të gjithë ata që përfshihen në përgatitjen dhe botimin e teksteve shkollore: Ministria e Arsimit, hartuesit, përkthyesit, redaktorët, recensentët, lektorët, korrektorët, ilustruesit, përpunuesit teknikë, botuesit etj., këtë veprimtari të rëndësishme për gjithë shoqërinë dhe ardhmërinë tonë duhet ta kryejnë më me përkushtim, përgjegjësi e profesionalizëm.
Teksteve shkollore duhet kushtuar shumë më tepër kujdes sesa deri më tani si në pikëpamje përmbajtjesore, ashtu edhe në pikëpamje metodike-didaktike e gjuhësore, sepse “çdo të mbjellim, do të korrim”.
[1] Të folmet në Shqipëri kanë qenë më fort nën ndikimin e italishtes e të greqishtes, ndërsa të folmet e Kosovës dhe të Maqedonisë nën ndikimin e gjuhëve sllave. Gjuhët neolatine në Shqipëri kanë ndikuar me rrugë të drejtpërdrejtë, ndërsa në shqipen e ish-Jugosllavisë me ndërmjetësimin e serbishtes e të maqedonishtes. Terminologjia teknike në Shqipëri ka shumë huazime nga italishtja e frëngjishtja, kurse në Kosovë e Maqedoni nga gjermanishtja: khs. ashensor dhe lift, autostradë e autoban, celular e mobil, bagazh e gepek etj. Dallimet e tilla janë të pranishme edhe në gjuhë të shteteve të njësishme. Në shqipen këto janë rezultat i veçimit të gjatë të shqiptarëve, por dallimet e tilla leksikore gjithnjë e më shumë po zvogëlohen, sidomos me mëvetësimin e Kosovës nga Serbia dhe në Maqedoni me sigurimin e mundësisë së shkollimit më të gjerë të shqiptarëve në gjuhën amtare edhe në shkollimin sipëror, me përmirësimin e statusit të shqipes si gjuhë e dytë zyrtare në komunat me mbi 20% shqiptarë.
[2] Hajri Shehu, Rreth anglicizmave në mjetet e sotme të informimit masiv, Studime filologjike nr. 3-4, 2002, Tiranë, f. 92-100
[3] Rexhep Qosja, Kongresi i Drejtshkrimit – tridhjetë vjet pas, Studime filologjike nr. 3-4, 2002, Tiranë, f. 31-36.
[4] Ministria e Arsimit dhe e Shkencës e R. së Maqedonisë, Byroja e Zhvillimit të Arsimit, Koncepcioni për tekst shkollor të arsimit fillor dhe të mesëm, Shkup, maj, 2006, f. 7.
[5] Dihet mirëfilli se foljet apofonike që mbarojnë me –ll, –ll rr në pjesore nuk marrin ndajshtesën -ur. Pra, duhet kam sjellë, kam mbjellë, kam marrë, kam korrë e jo kam sjellur, kam mbjellur, kam marrur, kam korrur etj.