Entela KASI | Është krejt e pakuptimtë se si në shekullin e kapërcimeve të mëdha teknologjike, ende ne të mos jemi kthyer te rrënjët e peshës sonë të ‘gurit të palexuar’, i cili rëndon dhe na jep specifikën e përbërjes së lëndës për të qenë kështu një mozaik i plotësuar, për t’i ofruar botës me origjinalitet, identitetin tonë gjuhësor në udhëpërshkrimin e shkrimit të letërsive, përmes gjuhëve të secilit etnitet, komb dhe atdheut të gjithsecilit.
Në këtë univers të dijes për njerëzimin i cili mbështillet me lëndën e trupëzuar në etno-kulturë, origjinaliteti dhe gjuha për shkrimin e lëndës letrare, është dhe mbetet mjeti, të cilit, gjithsecilit prej nesh na duhet t’i afrohemi për të mundësuar atë që në udhëpërshkrim mund të na ishte dukur, ndoshta e pamundur.
Ndodh që mozaiku të jetë i plotë, edhe pse një pjesëz apo gur i tij, dikur ekzistent, mund të jetë lënë apo mund të ketë mbetur gjithkund në ajër, pa u vendosur në tokën e caktuar të tij, për t’ia dhënë plotësimin e domosdoshëm vetes dhe imazhit të vetë kësaj ngrehine, e cila në rastin tonë mbetet një dokument identiteti, jo thjesht letrar, por edhe pasuri e pazëvendësueshme për secilin vend, e secilën gjuhë të botës.
Roli i shkrimtarit arbëresh – F. A. Santorit – është i përmasave të jashtëzakonshme. Rëndësia e tij na sjell një përjetim të një dimensioni të gjerë të traditës kulturore, të gjuhës dhe sidomos të historisë së popullit shqiptar. Ai në këtë rast na çon tek arbëreshët, te një botë e shpërngulur prej trungut, njerëzish etnikisht shqiptar, të cilët kur shkuan, ashtu si e përcakton Kadareja, morën me vete edhe identitetin e botës së arbrit, e cila edhe sot mbetet, sa unikale, aq edhe e konservuar me vetëdije kombëtare, vetëdije kjo në të cilën përmes gjuhës së nënës shkruhet edhe letërsia, përfaqësohet edhe kultura, jeton edhe identiteti….
‘Asnjë komb nuk rrezikon të shuhet për shkak të mungesës së lirisë’[1]….do të shkruante Kadareja te Mosmarrëveshja. Në këtë këndvështrim, kombet mund të shuhen, jo prej mungesës së lirisë, por në liri, rreziku për shuarjen e tyre, është edhe më serioz.
- Bota e Arbrit në përpjekje të shkrimit të gjuhës shqipe dhe Santorit si shkrimtar
*‘Gjithë atyne t arbëneshëve gji ta marrënë me e xgjedhunë e me xanë’
Secila gjuhë është tingull i “musica mundi”[2] – apo muzikës së botës në shtratin e koraleve ku gjuhët janë atje njëra pas tjetrës, gjuhë që në përpjekjet e tyre për t’u shkruar kanë kaluar nëpër tallazet e historisë së ndërtimit të kombeve-shtete, duke u shndërruar kështu në monumente të popujve të tyre duke u bërë dëshmi të identitetit kombëtar. Evropa me lëvizjen e saj të reformës, të frymëzuar nga Martin Luteri, edhe një herë iu kthye rrënjëve të saj të identitetit evropian, duke i paraprirë lëvizjes së Rilindjes Evropiane, duke e lartësuar kështu kulturën e shkrimit të gjuhëve kombëtare në të cilat do të shkruheshin librat e religjionit, por edhe të letërsive evropiane[3]. Nëse shqiptarët do të sillnin në këtë lëvizje panevropiane dëshmi të përpjekjeve të veta për shkrimin e gjuhës shqipe, përveç shkrimit të gjuhës, ata do të sillnin edhe dijen për një kulturë të hershme autoktone në themelet saj, së bashku me letërsinë krishtere të asaj periudhe, e cila do të ndërtonte kështu bazamentin e qëndrueshëm mbi të cilin do të ngrihej krejt ngrehina e letërsisë në gjuhën shqipe, e cila u shkrua përgjatë shekujve, duke na lënë përjetësisht një dëshmi autentike qytetërimi për identitetin kulturor dhe historik të shqiptarëve.
Duke pasur parasysh historinë e përpjekjeve të shkrimtarëve të parë në gjuhën shqipe, të peripecive dhe të sfidave me të cilat ata u përballën në përpjeke të shkrimit të shqipes në periudhën kur vetë Evropa përballej me reformën, kundërreformën dhe islamizimin që vinte prej Perandorisë Osmane, duhet theksuar se bota e arbrit dhe bota shqiptare u gjendën kështu në këtë moment të historisë, në qendër të një tronditjeje të madhe nëpër të cilën ky komb u desh të ringrihej për të shkruar historinë e tij të vështirë të ekzistencës dhe të shpëtimit, në mungesë lirie dhe në përplasje të interesave të ndryshëm, që Evropa kishte në imazhin dhe programin e vet.
Historia na e ka dëshmuar këtë tronditje të madhe, duke na sjellë të vërtetën e lartësimit por edhe të shuarjes së kombeve në tërmetet e saj të herëpashershme, por në këtë rast shkrimtarët, e sidomos ata të vjetrit-etërit, na e kanë dëshmuar edhe një herë vitalitetin dhe fuqinë e një kombi i cili ka mundur, jo vetëm t’i rezistojë rrënimit, por edhe të lartësohet dhe të ngrihet në historinë e tij të vështirë të mbijetesës, duke u lënë brezave një dëshmi historike qytetërimi, të pakontestueshme për kombin shqiptar si komb evropian në zemër të saj.
Nëse fjala ishte e para, duke iu referuar biblës – apo Vulgatës, e cila do të hapej drejt popujve në gjuhët e tyre, ashtu si Luteri e solli në gjuhën gjermane, në krahun tjetër, në brigjet e Ballkanit perëndimor, BUZUKU do të sillte te Meshari (i pari arketip kanonik)[4], jo vetëm pjesë të Biblës së parë në gjuhën shqipe të vjetër, por edhe një pasuri të pafundme gjuhësore, si lëndë e një burimi të pashtershëm të cilës mund t’i kthehen shkencëtarët e gjuhës, studiuesit e letërsisë dhe të historisë, albanologët, por edhe kritikët, për të kërkuar dhe dëshmuar vlerat autentike të këtij monumenti të gjuhës shqipe.
Dikur në librin e shënimeve në muzeun e gjuhëve moderne në Hungari, duke vizituar edhe shtëpinë muze të Ferenc Kaziskit, reformatorit të gjuhës hungareze, ndjeva se sa e rëndësishme është për ne në Shqipëri, të kemi një muze të shkrimtarëve të vjetër – Buzukut, Budit, Bogdanit, Bardhit, duke pasur parasysh se të gjitha kombet e Evropës i kanë lartësuar etërit e vet të shkrimit të gjuhëve kombëtare, si paraprijës të letërsive kombëtare[5].
Nuk është aspak e rastësishme që edhe dëshmia e parë e shqipes së shkruar vjen me formulën e pagëzimit të Pal Engjëllit. Një formulë e tillë është edhe dëshmia e parë e shkrimit të gjuhës hungareze. Kjo formulë paraprijëse sjell në vëmendjen e botës, dëshminë e identitetit еvropian të shqiptarëve, si pjesë e një kulture evropiane në Ballkanin perëndimor, duke e afruar këtë popull me Evropën si kontinent dhe kulturë, njehsuar nga përkatësia jo thjesht gjeografike.
Ende bota e sotme e ka një ëndërr, sjelljen e letërsive nga gjuhët e vogla drejt gjuhëve të mëdha, globale, të cilat kanë kolonizuar lexuesin nga veriu në jugun e saj, prej lindjes në perëndim. Që nga fëmijëria e saj, në historinë e qytetërimeve antike e deri në kohët e sotme moderne, kur takohet kufiri i bukurisë së artit, kufijtë gjuhësorë, gjeografikë dhe identiteti treten përballë artit universal të letërsisë, në të cilin njerëzimi mbetet çështja dhe retorika e tij e përjetshme.
Të shkruash, të krijosh vetveten, do të thotë të jetosh ndryshe, të jesh brenda një bote gati ideale si gjendje dhe të mbërrish në pikëtakim me sublimen, duke zbuluar thellësinë e qenies njerëzore. Do të thotë sikur je në një planet ku ti dallon anët më të errëta dhe më të ndritura dhe në këtë mënyrë arrin të kuptosh botën përmes një qetësie të thellë, të cilën e ke përfituar prej tronditjes më të madhe, sepse je pjesë e planetit, si njeri dhe si krijues. Ky është poeti, shkrimtari, shkruesi i letërsisë, krijuesi.
Edhe gjithësia në vetvete e ka një fillim, një çast krijimi që nga ajo që njerëzimi e ka njohur dhe pranuar si Big Beng[6] (Shpërthimi i madh).
Ende në këtë shpërthim njeriu i është afruar vetes për të kuptuar dhe shkruar veten, qenien e tij të rrethuar nga mjedisi me identitetin gjuhësor, etnik, kulturor, zakonor, përveçse social, administrativ dhe politik, duke mbartur në thellësi të ekzistencës së tij si qenie me lëndë fizike, psikike dhe shpirtërore. E gjithë kjo lëndë e cila i drejtohet burimit, krijon lumin i cili krijon shtratin dhe e gjithë kjo lëvizje, derdhje, ka filluar diku prej një pike të vetme duke iu kthyer burimit, duke u mbushur prej tij. Në shtretërit e lumenjve janë krijuar qytetërimet, kulturat e lashta dhe sot në modernitetin e botës ne kemi mbartur historinë tonë me dëshminë e fjalës, e cila na është dhënë si dhurata më e çmuar, për të shkruar vetveten.
E sollëm gjithë këtë tekst për të vendosur në bazamentin e një këndvështrimi të tillë Santorin si shkrimtar, duke e lexuar atë në atë mënyrë që Francine Prose e përcakton ’Reading like a ëriter”[7] – të lexosh si shkrimtar (përshtatur nga unë dhe citimi im).
SANTORI, ky shkrimtar i shekullit të XIX, në fillimet e tij si dishepull ndjek gjurmët dhe frymëzohet prej De Radës dhe ndjek njëkohësisht rrënjët dhe gjurmët e të parëve, sidomos Bogdanit. Nuk është aspak i rastësishëm fakti që ai shërbeu edhe si murg edhe si përkthyes i Bogdanit, por edhe si përshtatës i Ezopit, duke na konfiguruar kështu jo vetëm vetveten por dëshminë e një shkrimtari dhe intelektuali të kohës së vet. Për të dhe për De Radën, rëndësia e gjuhës së cilës i përkasin, etnisë me të cilën janë lindur, rrënjët me të cilat janë vendosur dhe ngulitur në një tjetër tokë, ku një tjetër Shqipëri krijohet brenda një shteti, etnie dhe kulture pritëse, bën që kjo e dyta të mos asimilojë të parën, atë të vendit që morën me vete të parët e tyre në zhvendosjen masive të programuar nga një perandori orientale e cila synonte edhe vetë oksidentin. Në këtë mjedis, Santori sjell: Botën e Arbrit në përpjekje të shkrimit të letërsisë, të gjuhës shqipe mbi një trashëgimi letrare-gjuhësore tërësisht shqiptare, në rrugën e Buzukut, Budit, Bogdanit, F. Bardhit, duke na lënë një dëshmi letrare të identitetit evropian të shqiptarëve në kulturën antropologjike botërore të dijes për shqiptarët.
‘Gjithë atyne t arbëreshëve gji ta marrënë me e xgjedhunë e me xanë’ – pikërisht kjo fjali e shkëputur nga Frang Bardhi, duket se shpall një testament për gjeneratat e shqiptarëve të cilët do ta vazhdonin traditën e shkrimtarëve të hershëm të shqipes, në kapërcyell të rilindjes shqiptare, duke mpleksur brenda saj romantizmin dhe humanizmin tërësisht shqiptar në zemër të Evropës, e cila mbetet sa konservatore, por aq religjioze dhe letrare.
- Përpjekja për të shkruar gjuhën përmes teksteve letrare të Santorit në veprën e tij si shkrimtar
*Nga Buzuku te Santori, retrospektivë e kujtesës kur në sfondin e saj qëndron përpjekja për të dokumentuar dijen për shqiptarët – rëndesa e kësaj dije autentike.
U Doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herë se gluha jonë nuk kish të ndigluom n së Shkruomit shenjtë,n së dashunit së botës sanë desha me u fëdigunë, për sa mujta me ditunë , me zdritunë pak mendetë e atyne që ndiglonjinë;përse ata të mundë mernë sa i naltë e i mujtunë e i përmishëriershim anshtë Zot ynë atyne qi ta duonë m gjithë zemërë. U lus mbas sodi ma shpesh të uini m klishë, përse ju kini me gjegjunë ordhëninë e Tinëzot[8]
Nëse do të ndalonim për një moment duke iu kthyer në retrospektivë kujtesës historike, duke qëndruar te Buzuku, te Kolofoni që gjendet në Meshar, do të sillnim përpjekjen e cila nis prej dashurisë për shkrimin e gjuhës dhe për evidencimin e kulturës së shqiptarëve në këtë mjedis evropian të tronditur. Në këtë mundim për të sjellë dijen në gjuhën e kombit, për të cilin ata shkruajnë dhe flasin me lutje dhe shumë përkushtim, dallohet dashuria për gjuhën dhe për popullin të cilit ata i përkasin. Alfabeti që ata kanë përzgjedhur për të shkruar gjuhën shqipe është alfabeti latin, i cili me kalimin e kohëve ka dëshmuar përshtatshmërinë e shqiptarëve me këtë lloj alfabeti, pasi kjo gjuhë, shqipja, duke qenë edhe indoevropiane, si gjuhë e Evropës, tepër e rrallë dhe si një nga më të vjetrat e saj, mund të shkruhet vetëm përmes këtij alfabeti në të cilin kultura e Evropës së lashtë rigjeti vetveten dhe formën e vet të shkrimit.
SANTORI, murgu shërbestar[9] i cili jetoi në shekullin XIX (1814-1894), i njohur për dy vepra me karakter fetar, do të shkruante Këngëtoren arbëreshe në moshën 20 vjeçare, e cila u botua tre vite pas Milosaos dhe mban vulën e De Radës, së cilit ia kishte lexuar veprat. Ai pa dyshim mbetet një prej autorëve të rëndësishëm, i cili nga karakteri është romantik, nga tipologjia rilindës dhe prej botëkuptimit – një humanist i madh i cili beson në iluminimin e botës së arbrit dhe sjell në vëmendjen e botës letrare karakterin sublim të letërsisë duke prekur temat me një projeksion universal. Botëkuptimi i tij është edhe vetë bazamenti i veprës së tij e cila përfshin poezinë, tregimet, romanin, satirën, dramën, po ashtu edhe përshtatjen dhe përkthimin e Cuneus Prophrtarum të Bogdanit, brenda veprës së tij fetare ‘I krishteri i shenjtëruar’ prej 230 faqesh. Nën përkthimin e Santorit janë edhe 112 fabula të Ezopit. Përveç këtyre, ai është edhe autor i një gramatike.
Albanologu R. Elsie e vendos Santorin te poetët romantikë dhe e quan shkrimtar me talent origjinal. I lindur në krahinën e Kozencës, ku edhe studioi për prift, hyri në Manastirin françeskan të urdhrit të Reformës në San Marko Arxhentano, e në vitin 1858 e braktisi urdhrin e murgut përgjithmonë. Punoi si mësues dhe derisa u shua, jetoi në famullinë e Shën Jakupit, në vitin 1894.
Tituj veprash nga Santori [10]
1) Këngëtorja arbëreshe;
2) Vallja e haresë së madhe;
3) I burgosuri politik;
4) Ruzaria e Shën Mërisë së Virgjër;
5) I krishteri i shenjtëruar;
6) Emira;
7) Jeroboam;
8) Lekë Dukagjini;
9) Sofia Kominiate;
10) Ushtari shqiptar;
11) Panaini e Dellja;
12) Kolluqi e Sorofina;
13) Brisnadi, Letixia e Ulladheni;
14) Filaredi, Rozaria dhe Emilia;
15) Miloshini, Virgjinia, Njidja dhe cubi;
16) Familja fusharake;
17) 112 fabula të Ezopit.
Sipas kësaj renditjeje, Santori ka një vepër e cila ka një numër titujsh, ku lëvrohen gjini letrare të ndryshme dhe në këtë këndvështrim ajo ka një gjerësi dhe dimension të tillë e cila kërkon vëmendjen e albanologëve dhe të studiuesve të letërsisë në gjuhën shqipe për t’i kthyer Santorit vendin e tij të munguar në mozaikun e saj dhe në trashëgiminë tonë letrare.
Këngëtorja arbëreshe[11] të cilën ai e shkroi në moshën 20 vjeçare, një himn i dashurisë dhe i bukurisë së natyrës, e botuar së pari me vulën e De Radës, u ripërgatit për shtyp në vitin 1914 nga Francesco Solano dhe më pas në Tiranë nga Andrea Varfi. Këngëtorja shqiptare prej së cilës po shkëpusim të renditura poezitë e poshtë radhitura, rendit këto botime:
- Il canzionere Albanese di C. Santore (edizione del 1846 ?, Biblioteca Civica di Cozenca) [Këngëtorja shqiptare]
- Il Canzionere Albanese di G. Santore (italisht – arbërisht)
- Il Canzionere Albanese, Francesco Antonio Santori (Francesco Solano 1975)
POEZI nga Këngëtorja arbëreshe e Santorit
Për dírë për namurí shúmë vjershe shkrùajata,
Moj ndë ktë zemër namurí së ndìeta:
Ndë gjéllë sa mbeta ndonjë kopile së rùata,
E vetëm at[ë çë] dhiovasa anì rrefyeta
Qeva ndë dhé, e tas me dhenë së lùata
E ndë të mira dhe, e tas me dhenë së lajta,
Se nd’atë [të ]liga [të] tíj su lajta,
Se nd’atë [të] shkurtur mot çë vasha rùata
Isha pa ftesë e mengu ç’ishin pyeta.
VJERSHI I.
O Vash çë pjeksur sìell ari këshén’
E ua të mjerit më tramaksën gjín’:
Kur ti pâ skamndil ka kroi vjén
Je gola arë ndë shpatulla[t]të fryn,
Ti bëne kuqe,e ballët të shkëlqén;
E të tjerat përtej nën kopile nxín:
Sa syu gazór j’e qeshmja bùzë vëlén
Së thom u gjë, se ká malli shppín’
VJERSHI II.
Trendafile çë ndë maj fjetat gjelbon
E prëhërin e hapën e kuqe tupit nën,
Dëlirë jep pjaxhír e dhénë e hardhon:
Ashtu ti, vashë, harénë mbi të tjera zgjon,
Se ku ti gjënde vashat bukuron
E shpivet ku pushon me faqe i bën
Ndér sa më njeriu nëng e dëglon;
E ndë katunde, ku t’arrovsh, ng’anxën.
VJERSHI III.
Kur ti këndon mbi të qetë vëhet puhîa
E troli e driza e bari rrí të ndienj’
E zogu ambnór pushon te lajthîa.
E njëë buríth lë dheun të gërryenj’
E lot’t [f]shín pa sqep [e] mjera Rëdhîa.
U vetë pa levrosí më faqen lónj
Me lot të tharta e më m’avron hjidhîa,
Sa menu kam fuqi shokët t’i penj.
(Radhonjtë e zjarrit, Francesco Antonio Santori, Il Canzionere Albanese, trascrizione, traduzione italiana e note a cura di Francesco Solano, 1975)
ODHÌ e I.[12]
O! Via prír ballin e bórdhë
……
Atë parrajsë bukurîe
……..
Me një gaz hajdhosi gjínë
…….
Si lulja çë del nga gjembi
…..
Nanì gjithë mbi tyj thërret
….
Qeshën, vajzë, syt’e zes
………
Bóllët [të]ënd ylet gëzon[13]
Fton hënën të të shóhë
Dielli vejn më ndën të njóhë
Bukurín çë të larton
Po ndë zemrën ai të paftë,
O skamure,-ahìena thotë-,
Kush ndë dhe të ftohtë të shtyti?…….
CANGKIEGLE I VALES
Fake motti ckish nderruar;
Gkiaccu e i trimave t’Arbrésch
Nengk derdhej mëë si gliuum;
Po ampnia kishe pushùar
Te goort e mocëme: e trimat
Bashk me vashat t’Abresha
Me chentim cë glimusoneonnej
Dridhin vale nder katundet,
Cuur namuri daaglë e daaglë
Zsu të mblinej nd’atto zemra
Te tiin pâ-mundurur fukii.
- Bukuria në art
Bukuria në art është pikërisht ai çast kur teksti i shkruar takon pikën sublime të lartësimit duke u shndërruar kështu në tekst me vlerë letrare për t’u studiuar jo vetëm nga filologët por edhe nga estetika si çështje e krijimtarisë letrare duke marrë në konsideratë mjetet shprehëse për përcjelljen e kumtit i cili kodifikohet jo vetëm përmes lëndës, formës por edhe përmbajtjes së kodeve, kumteve, mesazheve dhe mënyrës së tyre të transmetimit.
Këngëtorja arbëreshe (shqipe), në strukturë dhe kompozicion shëmbëllen sidomos me poemën Këngë të Milosaos bir i sundimtarit të Shkodrës të De Radës, por ndryshe nga De Rada, Santori i këndon dashurisë ndërmjet vashës dhe djalit fshatar arbëresh. Ndjenjat, kujtimi, përmallimi, ëndërrimi, në Këngëtoren shqipe vijnë të kushtëzuara dhe të nxitura shpirtërisht dhe emocionalisht vetëm nga dashuria. Lirizmi bëhet mbizotërues dhe personazhi heroi lirik i saj gjendet në pozitën e njeriut që dyshon në jehonën e dëshiruar të ndjenjës. Santori është lirik. Ai është lirik në poema, lirik në dramë, në novelë dhe në roman. Ai mbështetet fort në bazamentin e lirikës popullore, ruan edhe prirjen e tyre burimore, duke nxitur njëkohësisht kuptime. Duket sikur bukurisë i këndon këngëtari popullor, por në të vërtetë këngëtari popullor nuk i ka kënduar ndonjëherë bukurisë në këtë përmasë, përveçse poeti i cili zgjedh nga burimi i popullit elementet më të bukura të stilit me të cilin trupëzon fjalën, ndërsa mjetet shprehëse marrin një fuqi të përmasave të jashtëzakonshme. Në eposin tonë popullor, Tanushës i është kënduar në një mënyrë të tillë, ndërsa Santori këtë mënyrë e projekton dhe e sublimon në art, duke e shndërruar në një tekst, të cilit duhet t’i drejtohen jo vetëm filologët, albanologët por edhe estetika si shkencë e letërsisë.
Santori e çliron vargun[14] prej normave klasike të vargut tradicional të kultivuar të poezisë shqipe. Ai u paraprin formave më të larta, duke e bërë kështu bazamentin në të cilin do të marrë formë krejt vepra e tij letrare e cila duket sikur të ketë zënë fill prej Këngëtores shqipe…
Tekstet e Santorit kanë një rëndësi të madhe dhe të padiskutueshme për sa i takon vlerës si dëshmi të autenticitetit të tyre për letërsinë në gjuhën shqipe. Ky autenticitet i dëshmuar në vepra është një dëshmi, jo vetëm qytetërimi për dijen në kulturën e dijes antropologjike për shqiptarët, por edhe për përpjekjet me të cilat kjo kulturë është përballur për t’u identifikuar në kulturën evropiane si dëshmi qytetërimi.
Nga Buzuku te Santori – retrospektivë e kujtesës[15]
Ndërsa Buzuku ruan trajta të gramatikalitetit latin dhe njëkohësisht ndjehet agramatikaliteti i gjuhës së shkruesve, te Santori evidencohet shprehia e gjuhës së botës së arbrit dhe njëkohësisht fjalë të gjuhës italiane të cilat vendosen në tekst, të përshtatura apo të shqipëruara, duke iu bashkëngjitur trupit të tekstit letrar me një lehtësi të dorës së talentuar të shkrimtarit, i cili, ashtu si shkrimtarët e vjetër shqiptarë, është lindur me gjuhën e vet, duke dëshmuar edhe një herë veçantinë e gjuhës me të cilën ata janë lindur dhe artikulimin e mendimit në gjuhën me të cilën ata janë lindur, duke i rezistuar ‘azilit bilingual’ të formimit kulturor dhe intelektual. Duke pasur parasysh periudhën në të cilën kanë mbërritur këto dëshmi të sfidës me historinë e vështirë të mbijetesës së një kombi të rrezikuar për t’u asimiluar apo për t’u shpërbërë nën rrezikun e lëvizjeve panevropiane, në kufij të rrezikimit prej islamizimit që vinte prej Perandorisë Osmane, apo edhe shpërbërjes prej rrezikut të copëtimit gjeografik të trojeve shqiptare nën ndërthurjen e interesave të fuqive evropiane në një rajon ballkanik gjithmonë të tronditur dhe përgjithmonë në bashkëjetesë të vështirë me fqinjët, të cilët midis lëvizjeve dhe tronditjeve të Evropës, kishin zgjedhur të ishin në një aleancë të përhershme prej së cilës do të dilnin gjithmonë fitimtarë, ndërsa në krahun tjetër, botës së arbrit iu desh të përballet me pikëprerjen e interesave të këtyre aleancave, evropiane dhe jo evropiane, për të shpëtuar kombin duke ndërtuar një prej monumenteve të kombit, gjuhën shqipe dhe letërsinë e kësaj gjuhe, nën përpjekje të jashtëzakonshme njerëzore dhe intelektuale, duke luajtur kështu në majat më të larta të diplomacisë, me të cilën iu desh t’i imponohen një Evrope, sa të krishterë po aq edhe konservatore në themelet e saj dhe në botëkuptimin e saj, si filozofi dhe entitet unikal në historinë e botës.
Evropa, atdheu i kombeve dhe i religjionit[16], duke iu kthyer rrënjëve të saj në historinë e lëvizjeve panevropiane, do të përballej edhe një herë me rëndësinë e kulturës kombëtare dhe me identitetin gjuhësor të çdo populli, i cili në themel të tij ka gjuhën dhe fenë. Në këtë rast, religjioni i krishterë do të përkthehej në të gjitha gjuhët e saj. Këtu zuri fill edhe rruga nëpër të cilën do të kalonte letërsia e Evropës e cila do të shkruhej në gjuhët kombëtare, ndërsa në këtë moment të rëndësishëm të historisë së kombeve, autorët e vjetër, me përpjekjet e tyre kolosale do t’i bënin udhë letërsisë në gjuhën shqipe, e në këtë rrugë do të udhëtonte edhe Santori me tekstet e tij të cilat mbeten një pasuri e madhe për trashëgiminë tonë letrare – kulturore, kombëtare.
Në këtë pikëpamje theksohet edhe një herë hapësira e botës arbërore me dimensionin e saj të pasosur dhe me pasurinë e saj të pashtershme, si pjesë integrale e kulturës së botës evropiane me të cilën kjo kulturë ka bashkëjetuar si pjesë ë pandashme dhe tepër e rëndësishme e saj.
Tekstet e tyre njëkohësisht kanë një vlerë të padiskutueshme në fushën e diplomacisë si një model referimi për arketipa të diplomacisë, për vlerën e tyre në historinë e shkrimit të gjuhës shqipe, jo vetëm nga forma por edhe nga përmbajtja dhe kumti diplomatik të cilin ato e përmbajnë në vetvete.
Në përmbyllje të këtij mendimi, edhe një herë prej teksteve, vjen si dëshmi mundimi, me të cilin këtyre shkrimtarëve u është dashur të përballen qysh në shkollimin e tyre, formimin e tyre dhe vënien e kësaj dije në shërbim të kombit të vet, duke mos anashkaluar asnjëherë përpjekjet që u është dashur të bëjnë deri në shtypshkrimin e veprave monumentale të letërsisë shqipe, kur në hapësirat në të cilat ata jetuan dhe punuan, procesi i shtypshkrimit të veprave i takonte një udhe tjetër të mundimshme, një golgote të pafundme, që nga momenti i marrjes së lejes ’inprintum’ deri në finalizimin e lëndës në formën e librit të shtypur, aromën dhe vlerën e të cilit nuk mund ta zëvendësojë në asnjë kohë, asnjë teknologji e avancuar e kohëve moderne.
Në tekstet e shkruara prej tyre, ne kemi sot një dëshmi të mundimit me të cilin këta shkrimtarë do të përballeshin në jetën e tyre si individë, ku fati i tyre njerëzor ishte tërësisht i kondicionuar nga fati i atdheut, i kombit dhe i gjuhës, së cilës ata i përkasin, të lindur në këtë identitet kombëtar dhe gjuhë, të rrezikuar për t’u asimiluar apo për t’u zhdukur, me sfidën që u përballën, duke e vendosur pikërisht gjuhën në bazamentin e identitetit kombëtar të shqiptarëve, si një dëshmi të përjetshme dhe të pasosur të dijes antropologjike për shqiptarët.
- Përmbledhje: Shqip- Anglisht
Tekstet e Santorit kanë një rëndësi të madhe dhe të padiskutueshme për sa i takon vlerës si dëshmi e autenticitetit të tyre për letërsinë në gjuhën shqipe. Ky autenticitet i dëshmuar në vepra është një dëshmi, jo vetëm qytetërimi për dijen në kulturën e dijes antropologjike për shqiptarët, por edhe për përpjekjet me të cilat kjo kulturë është përballur për t’u identifikuar në kulturën evropiane si dëshmi qytetërimi.
The texts of Santori have a great importance because they have the value of authentic testimony for the Albanian Language Literature. This authenticity declared into ëritings it is not only a testimony of civilization for the knoëledge of the Albanian anthropology, but also a testimony for the challenges ëithin this culture ëhich is faced to identify itself into the European culture as a testimony of civilization.
[1] Mosmarrëveshja, Kadare, botime Onufri
[2] Muzika e botës, – Shkrimtari me dhe pa atdhe Translation and linguistic rights, International PEN- Entela S. Kasi
[3] Shqipëria Europiane dhe moskuptimi, Entela Kasi – Gazeta Shqip
[4] Kodikët e Shqipërisë në kujtesën e botës, Shaban Sinani
[5] Qyetërimi dhe Kultura historike, Entela Kasi, Albania
[7] Reading like a writer, Francine Prose, New York times- edition
[8] Kolofoni, Buzuku, Meshari
[9] R. Elsie, autorë shqiptarë
[10] Historia e lëtërsisë shqiptare, 1983
[11] Përcaktim për Këngtoren shqiptare, E. Kasi
[12] Vargjet e para në secilën strofë të kësaj ODHI
[13] Strofa e plotë për të evidentuar bukurinë në art, shënim i imi
[14] R. Qosja, Frangjisk Anton Santori ( 1819-1894)
[15] Përcaktim i imi, vështrim krahasues
[16] Shqipëria europiane dhe moskuptimi, E. Kasi, Gazeta Shqip