Donika Dabishevci | Proza poetike si formë e ndërmjetme, kalimtare, mes poezisë dhe prozës, edhe pse ruan karakteristikat zhanrore të të dyjave, funksionon si formë e pavarur letrare. Prania e një dinamike kuptimesh e nuancash poetike të fjalive, e një narracioni e fabule të përhirë, si dhe, gjithashtu, prania e një forme të përfytyrueshme të personazheve (si në ëndrra), e një dialogu të tkurrur dhe monologu monopolizues, si formë e të shprehurit të mendimit, e bëjnë prozën poetike të ketë tipare afruese me prozën e shkurtër. Ndërsa që, emocionaliteti, përjetimi, mendimi sintetizues, prania e figurës, ritmi i fjalisë, si dhe rima e brendshme me shkrirje në formën e asonancave e konsonancave, e përafrojnë me poezinë, duke i dhënë prozës poetike muzikalitet të veçantë dhe unik.
Në prozën poetike, zakonisht rrëfehet në vetën e parë njëjës – unë, nga ku nis e përfundon shumë herë identifikimi i autorit me narratorin nëpërmjet një rrëfimi tejet personal – për dallim nga proza (tregimi) ku dominon referencialiteti, një distancë nga pozicioni i të rrëfyerit dhe dëshmive narrative, prej nga kujtesa narrative lidhet me një të kaluar – si dëshmi mitike a historike. Në planin e pranisë së figurës – metafora dhe simboli, janë dominante të prozës poetike, ndërsa që fryma simboliste e tekstit është një prej komponentëve që mban pushtetin për të identifikuar tiparin dallues të prozës poetike.
Pra, veçantia dhe mëvetësia e kësaj forme artikulohet pikërisht përmes shkrirjes së këtyre elementeve poetike dhe prozaike, që integrojnë brenda tekstit situata dhe kuptime që lidhen më shumë me dramatikën e brendshme shpirtërore se sa me epikën e të ndodhurave.
Studiuesja Dhurata Shehri thotë se shprehja prozë poetike synon shfaqjen e një tendence moderne për të fshirë kufijtë mes dy fushave të shkrimit, prozë dhe poezi dhe në të njëjtën kohë, për të fshirë karakterin normativ të rregullave që pretendonin të ruanin privilegjin e poezisë.[1] Ndërkaq, studiuesi tjetër i letërsisë Kujtim Shala zbërthen formulimin poemth në prozë, i cili është njëri ndër sinonimet e termit prozë poetike, duke theksuar se fitohet nga një shënjues kategorie (poemth) e nga një shënjues forme (prozë), që, siç thotë ai, tashmë (pra është fjala për poemthin) “braktis[2]” formën e njohur, për formën e “huaj”[3] për të.
Ose thënë ndryshe poezia heq dorë nga forma klasike strukturale, ndërsa proza “e humb narracionin prozaik, të cilin e barazon me narracionin e sforcuar lirik”.[4]
Nismëtar i krijimit në këtë formë – pra në formën e prozës poetike, konsiderohet të jetë Sharl Bodler, me “Poemthat në prozë”, ndërsa pas tij, kjo formë është përhapur në të gjitha letërsitë e zhvilluara evropiane e botërore. Forma posaçërisht mori hov nga fundi i viteve të ‘80-ta të shekullit XX. Revistat letrare të cilat më herët hezitonin të pranonin letraritetin unik të prozës poetike, tashmë kishin pranuar veçantinë e saj, duke i botuar prozat poetike afër soneteve dhe tregimeve të shkurtra.
Tradita – derivimet letrare të prozës poetike
Në letërsinë shqipe, proza poetike si formë e mëvetësishme letrare, u shfaq në Periudhën e letërsisë moderne. Shfaqja e saj lidhet me kalimin e Periudhës së romantizmit dhe tejkalimin e poetikës së saj, kur, krahas formave ekzistuese, filloi shkrimi edhe në forma të reja letrare, ndër të cilat edhe forma e prozës poetike, e cila pasoi nën ndikimin e lojës së formave e të zhanreve në letërsitë e mëdha evropiane.
Në letërsinë shqipe, nismëtarë të kësaj forme letrare janë Faik Konica, Mithat Frashëri, Ernest Koliqi dhe Martin Camaj.
Faik Konica, në prozë fillon me një varg prozash poetike, si: “Një liqen”, “Anës liqenit”, “Bora”, “Malli i mëmëdheut” etj., të botuara në gazetën “Albania”. Këto proza të shkurtra shënjojnë, njëkohësisht, fillimet e një forme të re krijuese në letërsinë shqipe që do të njihet si prozë poetike. Këto krijime japin një shpërthim të beftë të bukurisë së natyrës, duke u përforcuar më tej në impresione të brendshme të botës së autorit, ku tiparet vizuale bëhen një me përjetimin, duke u zgjeruar në një rrjet kuptimesh të shumëfishta të figurës. Ky autor, duke luajtur me forma të larmishme shprehëse, arrin të nuancojë kuptime e domethënie teksti që përbrenda kanë mbërthimin e subjektit, i cili gjen udhën e vet të refuzimit të realitetit nëpërmjet artikulimit në mënyrë radikale të të gjykuari e të reflektuarit kritik, që përpiqet të zbulojë se çfarë ka dashur të thotë nëpërmjet të folurit ironik dhe frymës satirike dhe stigmatizuese.
Midhat Frashëri njihet si autori që shkroi librin e parë në prozë me pikësynim të qartë strukturimi zhanror – një formë të pastër të prozës poetike, duke u identifikuar edhe nëpërmjet empirisë së shkrimit si kodifikues i rregullave të hartimit të kësaj forme të prozës. Pra, ky autor i jep elementet e pastra të këtij zhanri, nëpërmjet simbolizimit e përshkrimit të ndjenjës e të mendimit, duke arritur të japë ndërlidhje të fuqishme elementesh të diskursit e të figurës së prozës poetike. Në veprën “Hi dhe shpuzë”, Midhat Frashëri shfaqet një mjeshtër i një emocioni shumë të thellë e te vrullshëm, që më pastaj shpërbëhet e përbëhet në diçka tjetër në mendjen e lexuesit – si një ndjenjë romantike e simboliste, e lidhur fort me nota të veçanta me melankolinë, nostalgjinë, frikën, mërzinë e shqetësimin njerëzor. Prozën e këtij autori e dominojnë realitete të ndjenjave intime e të dashurisë, që përfshijnë përvijime që janë sprovë e situatave që konstituojnë një realitet në vetvete refleksiv e filozofik me emocionalitet të theksuar dhe mbi të gjitha gjuhë të një identiteti krejt personal. Dallimi esencial mes këtij autori dhe veprës së tij “Hi dhe shpuzë”, me vepra e autorë të tjerë bashkëkohanikë të tij, është qasja autoriale që të merret me tema tërësisht personale brenda një formë të prozës poetike si identitet i qartë zhanri.
Ndërkaq “Pasqyrat e Narçizit” të Ernest Koliqit janë proza poetike simboliste, që dominohen nga metafora dhe simboli. Duke u lidhur në raport intertekstualiteti me Mitin e Narcizit, te “Pasqyrat e Narçizit“, autori aplikon trajta e nuanca sipas ligjeve të të menduarit simbolik që të ngarkojë më pastaj gjithë botën e prozës poetike me përmbajtje simbolike. Narcizi antik shfrytëzohet si referencë simbolike dhe duke u rikontekstualizuar në kohë, dhe për hak të ideve krejtësisht të tjera, rikonstruktohet subjekti i një Narcizi që ka vetë-identitetin dhe afërsinë e Narcizit që tashmë mund të quhet i Koliqit.
Në secilën prej shtatë poemthave në prozë, përmes paraqitjes së momenteve që përcaktojnë kthesa dhe që shënojnë lidhjet e dukshme me shenjat nacionale, duke i ndërlidhur kohët – të shkuarën me të tashmen, shprehen transformimet e ndjenjave dhe të mendimeve të autorit, që në fakt reflektojnë kërkimin e identitetit të tij shpirtëror e krijues. Pas peripecive, dështimeve, por edhe refuzimeve të njëpasnjëshme të pasqyrimit, synimi realizohet krejt në fund, atëherë kur arrihet shtegdalja, duke krijuar iluzionin e qenësisë dhe të veprës gjatë kohës kur gjithçka motivohet nga një botë metafizike, nga një zë, në procesin e krijimit – shkrimit. E potencuar edhe nga vetë autori, e vërtetëdukshme edhe në tekst, por e përmendur edhe nga kritika, “Pasqyrat e Narçizit” thuhet të jenë një lloj biografie letrare e autorit.
Martin Camaj është autor i një mënyre krejt të re të të shkruarit të prozës poetike, e cila është e pasur edhe me narracion edhe me personazhe. Kjo vërehet në veprën “Dranja”, e cila duke qenë tërësisht simboliste arrin të sublimojë botën e mitologjisë e të përrallës në një version krejt individual e personal të botës e të diskursit. Himnizimi i atdheut dhe shenjave tjera nacionale, paralelizmi mes vuajtjeve të breshkës dhe rashtës së saj me njeriun e mërguar, në këtë rast autorin larg vendlindjes, prania e mitit, çmitizimi dhe rimitizimi njëkohshëm, kuptimet e shumta simbolike dhe motivet e një bote të frymës nacionale e universale, e bëjnë këtë përmbledhje tipike simboliste; edhe pse nuk është në vargje si madrigali tradicional, gjuha prozaike përmban një marrëdhënie të fuqishme me figurën ashtu siç e mban një relacion të fuqishëm emocional me diskursin në gegnishte, që mund t’i japë lexuesit sensin e thellë se si gjuha gege bart frazeologji e forma shprehëse që kanë autonominë e kuptimit dhe të domethënies në vetvete.
Premisa të prozës poetike në shekullin e ri letrar[5]
Proza poetike, në fillim të shekullit XXI, rimerr forma dhe trajta autonome të reja, duke zgjuar kërshërinë krijuese te disa autorë në Kosovë dhe Shqipëri edhe pse mund të themi se karshi formave të tjera letrare, proza poetike te ne, krahasuar me letërsitë e tjera, veçanërisht evropiane, është më pak e sprovuar si trajtë zhanri e shkrimi; mbase shkaku i natyrës specifike të diskursit e natyrës komplekse të temave për t’ua gjetur gjuhën e artikulimit poetik ose edhe të një relacioni të ftohtë të kritikës duke mos e trajtuar mjaftueshëm këtë fenomen zhanri si teori e praktikë e shkrimit apo duke mos e përdorur si referencë pozitive sa i përket perceptimit të vlerës estetiko-letrare të fiksionales së prozës poetike.
Në Kosovë gjurmë të prozës poetike – në formën e saj të pastër ose të përzier me një notë epike më të theksuar të tregimit të shkurtër e gjejmë te Teki Dërvishi, Zejnullah Rrahmani, Arif Demolli, Sali Bashota, Mufail Limani etj.
Në prozën e Teki Dervishit dhe Zejnullah Rrahmanit, fryma lirike, edhe kur është dominuese, komunikon së brendshmi me forma e trajta të lehta epike duke i ndërthurur ato motivueshëm.
Në veprat “Tregime nga Ballovci” dhe “ 99 rruzaret prej smaragdi” të Zejnullah Rrahmanit, kemi një rrëshqitje nga natyra e elementeve kanonike të tregimit drejt një lirizmi që ka më vete trajta të refleksioneve ku gjithçka motivohet ose nga një botë metafizike ose nga një dëshmi autobiografike e autorit.
Si tekst me status të plotë të prozës poetike është përmendur të jetë edhe parathënia e Rrahman Dedajt në “Gjërat që s’preken”. Kritiku Rexhep M. Shala këtë e ka cilësuar si rast ekstrem, duke theksuar se në esencë ky krijim shërben vetëm si formë dhe kontekst prozaik për vargjet e nxjerra nga konteksti lirik i poezive.[6]
Sali Bashota është njëri prej autorëve të letërsisë në Kosovë, tek i cili vërehet dukshëm preferenca e të shprehurit nëpërmjet një gjuhë të brishtë poetike. Bota e tij poetike është e shtrirë midis temave universale e personale. Në vëllimin poetik “Plagomë”, mes poezive janë të strukturuara edhe disa proza poetike, që janë referencë për të hyrë në botëkuptimin e subjektit lirik. Ato janë të rimuara dhe nxjerrin pozicionin e subjektit. Dallon posaçërisht proza poetike “Java e shqipshkrimdhembjekrijimit”. Në paralelizëm me krijimin biblik të botës, ditët e javës shfaqin antagonizmat e kësaj bote. Harta e prerë e etnisë, trupi i anatemuar, realiteti i gozhduar si Krishti, kasaphana kritike e shoqërive letrare, trimi që ikën, “Rilindja e okupuar” dhe, në fund fare, një ankth njerëzor i rrëfyer siç thotë autori nga këndi i zemërimit orvelian. Dhe, poeti nuk mjaftohet me kaq. Bukuria, dashuria, frymëzimi, shkrimi, shënjimi i mospajtimit me vendin, botën, e jetën, indiferencën, injorancën e absurdin zënë vend në përmbledhjen tjetër me proza poetike “Ëndrra në parajsë”. Të gjitha këto te Sali Bashota shpërfaqen me një gjuhë poetike që ka tashmë një trajtë të veten të veçantë artikulimi e shfrimi të ndjesisë e të emocionalitetit.
“Libër për një natë” i Mufail Limanit, përmban një cikël prozash poetike, të cilat i përçon një vijë e idesë, me një strukturë e sistem të qartë mendimi e substance tematike. Përmes gjuhës së imazheve, shprehjes ekspresive, dëshmisë – si esencë e fakt jetësor, strukturohet një libër për qytetin, duke i dhënë udhën në kuptimin konceptual përfaqësimit të letërsisë urbane, që ka përbrenda të shkrirë evidencat e hapësirës e të kohës të lidhura në një kontekst.
Konteksti kohor dhe shenjat historike shfaqen herë si dëshmi “Kosova para dhe gjatë lufte”, herë si reminishencë apo intertekstualitet – “Janina”, apo edhe si citat “Unë ty moj të kam dashur”. Malli për Prishtinën e fëmijërisë shpërfaqet nga pozicioni i një vëzhguesi pasiv që fundoset në kujtesën e fortë, kurse shikimi nga pozicioni perspektiv jep projektimin e së ardhmes. Në tërë librin mbizotëron një atmosferë ankthi ku kërkohet të zgjohet vetëdija e emocionaliteti njerëzor, ndërsa interferon e shkuara (si dëshmi e hidhur a si mall) dhe e ardhmja (si pritje, iluzion e ankth). Të tashmes që ka dëshminë e vrazhdët të represionit- sikur i iket. Individi tejkalon mundësitë e veta qoftë edhe përmes ëndrrës, dhe tentimi i pashpallur për të dalë edhe nga natyra e vet jep tragjiken në gjithë peshën e saj. Fillim e fund kërkohet bashkëbiseduesi; femra – si prani fizike e dashuri shpirti, ikën e kthehet, është e pranishme e mungon, duke u identifikuar me ndjenjën dhe emocionin. Drama njerëzore është e lidhur me kujtimin, dufin, pikëllimin, keqardhjen, delirin, ëndrrën, që bëhen subjekt i diskursit poetik. Dhe, subjekti – filozofi. Me lojën e gjuhës poetike – përshkrimin e figurën etj., krijohen finesa e shprehje kuptimesh me domethënie të veçanta, duke u bërë kështu konstanta stilistike të identitetit autorial të tekstit.
Në Shqipëri proza poetike ka krijuar shenjat identifikuese me autorët: Ridvan Dibra, Shpëtim Kelmendi, Agron Tufa, Mimoza Ahmeti etj.
Ridvan Dibra në përmbledhjen “Vetmia e diellit”, provon një strukturë organizimi shprehës nëpërmjet një mori figurash e sentencash autoriale, ku bota dhe kuptimi i esencave të saj, empiria dhe mendimi për to gjejnë ekzistencën e tyre në ambiguitetin dhe paradoksin që kanë përbrenda vetë gjërat dhe fenomenet. Në këtë kontekst del në pah një dialog midis pamjeve fizike e metafizike të gjërave, fenomeneve e nocioneve për to, ku qenia, sendi apo koncepti – fjala, bëhen objekt i prozës poetike. Ky autor arrin të sublimojë e të dendësoj shprehjen me kuptim e domethënie, sa shumica e tregimeve të tij përfundojnë me vetëm disa fjali, apo edhe me një fjali të vetme.
Brenda librit “Oazet e paradites” të Shpëtim Kelmendit gjendet cikli me 9 proza poetike “Trajta dashurie” – të veçanta në kuptimin e botës narrative, por edhe për nga mënyrat e përdorura te foljeve. Te “Darka e fundit në dëshirore”, “Natë dhe shi në pjesore”, “Trallisje në urdhnore” etj., vetë teksti poetik figurohet sipas sistemit të trajtave e të mënyrave të përdorura të foljeve. Prozat poetike të këtij autori janë të shkruara në një gegnishte të latuar e të pasur me shprehje e kuptime – një gjuhë e mbështetur mbi venerime në sensin e gjetjes së implikimeve kuptimore për njeriun, dashurinë, frymëzimin jetësor e krijues, ku shkrihet subjekti me objektin, përjetimi me dëshminë, mendimi me arsyen. Proza e Shpëtim Kelmendit ka shumë ekspresion, tëhollime, ritëm e muzikalitet të brendshëm. Mendimi, idetë, stili janë në funksion të formave të reja shprehëse. Tendenca për një diskurs ndryshe, për një formë të veçantë shprehje e mendimi, duke asimiluar dhe kapërcyer nëpër modele paraprake të gjuhës poetike të letërsisë së traditës e asaj moderne shqipe, e bëjnë këtë autor të veçantë në zhanrin e prozës poetike.
Edhe Agron Tufa shkruan një tip proze poetike eksperimentuese. Te prozat poetike brenda librit “Fryma mbi ujëra”, përmes gërshetimit të figurave, funksionit të shenjave të pikësimit, imazheve poetike, emocioneve dhe mendimeve sublime, ky autor arrin të japë sekuencat e një vizioni të pafund të vrojtimit e të kuptimit – më qartë apo më fshehtë, duke dhënë relevancën e ekzistencës dhe kuptimit të gjërave. Tufa arrin të krijojë një dialog dinamik dhe mbresëlënës me lexuesin përmes një dëshmie e kuptimi të dramatizuar.
Në librin “Absurdi koordinativ” – Mimoza Ahmeti, përvetëson – të themi e ka të vetën drithërimën e emocionalitetin e çuditshëm të të rrëfyerit e të të shprehurit për gjërat me delikatesën e shpirtin e ndjeshëm femëror. Uni – flet për veten, për atë se si reflekton bota në te dhe si shfaqet ai ndaj botës. Aty shfaqet individi autentik që nuk pranon skemat artificialisht, me një tendencë ikjeje drejt kërkimit të kuptimit të jetës deri në absurd, p.sh. tek vuan nga ndarja me trikon, më shumë se me njerëzit e dashur. Autorja jo rrallë bëhet edhe vetë pjesë e fiksionit, e shkrirjes së kufirit midis reales e fiksionales, duke aplikuar të menduarit për gjërat që buron nga heshtja. E gjithë kjo jepet me një shprehësi dhe të folur elokuent, duke ruajtur rrjedhën e natyrshme të perceptimit gradual të gjërave dhe mendimit për to.
Shazim Mehmeti është njëri nga autorët e letërsisë shqipe në Maqedoni, që ka lënë shenja të veçanta në formën e brishtë të prozës poetike. Mehmeti ka krijuar identitetin e tij shprehës – të botës e të stilit. Autori – subjekti rrëfyes ka dhembjen e ndjenjën krejt personale për t’i perceptuar e për t’i shpjeguar gjërat në lëvizje dhe në qetësinë e tyre. Te ky autor vihet theksi te një realitet i shpirtit dhe mendjes për veten, ndjenjat, emocionet, meditimet, mundimet, raportin me mjedisin, natyrën, botën, ndërkaq që për të treguar fuqinë e tij njohëse e perceptuese, jep dëshminë e përshkrimit të realitetit, natyrës, mjedisit, pamjes së personazheve, etj. Subjekti rrëfyes qoftë nga distanca, qoftë akter i drejtpërdrejtë i një situate a gjendje, zbulon besimin dhe përkushtimin e tij ndaj parimeve morale në mënyrë implicite – nëpërmjet rrëfimit e përshkrimit; kjo është pjesë e virtytit edhe e personazheve tek të cilët kemi ndjesinë dhe arsyen për të gjykuar e reaguar ndaj të metave të natyrës njerëzore.
Përmbyllje
Në përmbyllje, dua të them se ky kërkim ka synuar të përcjellë evidencat, duke karakterizuar e herë-herë edhe vlerësuar, për rrjedhën, kahet dhe fenomenet themelore të prozës poetike, duke u mbështetur në tekstet e këtyre autorëve të letërsisë shqipe.
Jam përpjekur të shënjojë autorë dhe probleme, me shpresë që kjo sfidë leximi të pandehet si një kërkim që synon të veçojë shenjat e një leximi individual e personal, i cili ka kërkesën për të sjellë disa rezultate mbi këto modele të prozës poetike, me pretendimin se teksti ka zgjuar motivueshëm orientimin për një karakterizim të gjithë këtij korpusi autorësh e veprash, ku leximi ecën pas shenjave të tekstit dhe nuk i lëshon ato.
Literatura :
- Ahmeti Minoza, Absurdi koordinativ, Marin Barleti, Tiranë, 1996
- Bal Mieke, Narratology, University of Toronto Press, Toronto, 1999
- Bashota Sali, Ëndrra në parajsë, Rozafa, Prishtinë 2006
- Bashota Sali, Plagomë, Rozafa, Prishtinë, 2004
- Richard D.E. Burton, Boudelaire Charles, Britanica Biographies, 2008
- Booth, Wayne, The Retoric of Fiction, University of Chicago press
- Camaj Martin, Dranja, Faik Konica, Prishtinë, 2002
- Castle Gregory, The Blackwell Guide to Literary Theory, Oxford: Blackwell Publishing, 2007
- Cudden J.A, The Penguin Dictionary of Literary Terms and Literary History, Penguin Books,1991
- Genette Gerard, Palimpsest: Literature in the Second Degree, UNP, 1997
- Frashëri Midhat, Vepra, Rilindja, Prishtinë, 1996
- Hamiti Sabri, Tematologjia, ASHAK, Prishtinë, 2005
- Hamiti Sabri, Bioltera, Një teori e shkrimit dhe e leximit, Faik Konica, Prishtinë, 2000
- Kelmendi Shpëtim, Oazet e paradites, Globusi R. Tiranë 2006
- Koliqi Ernest, Vepra 1, 2, Pasqyrat e Narçizit, Rilindja 1996, Prishtinë
- Konica, Faik, Vepra 1, 2, Rilindja, 1995, Prishtinë
- Limani Mufail, Libër për një natë, MM, Prishtinë 2006
- Man Paul de-Allegories of Reading, New Haven 1979
- Shala M. Kujtim, Shekulli i letërsisë shqipe, Buzuku , Prishtinë 2004,
- Shala M. Rexhep, Analiza-Kognicioni dhe modelimi, Neokultura, Prishtinë, 2010
- Shehri, Dhurata, Koliqi mes malit dhe detit, Onufri, Tiranë 2006
- Todorov Tzvetan, Poetika e prozës: Studime të zgjedhura dhe kërkime të reja rreth rrëfimit, Panteon, Tiranë, 2000
- Tufa Agron, Fryma mbi ujëra, Fjala, tiranë 2007
- Vinca Agim, Psalmet e rrënjës, Brezi 9, Tetovë, 2007
- Zawacki Andre, Accommodating comodity: The Prose Poem, Antioch rewiev, Summer 2000
[1] Dhurata Shehri, Koliqi mes malit dhe detit, Onufri, Tiranë 2006, fq. 50
[2] Për tendencat e tejkalimit të formave të kujtesës letrare konvencionale, shih Sabri Hamiti, Bioletra – Një teori e shkrimit dhe leximit, Faik Konica, Prishtinë, 2000, fq .29-33
[3] Kujtim M.Shala, Vepra e Vetmisë, Buzuku, Prishtinë, 2005, fq.119
[4] R.M.Shala, Analiza-Kognicioni dhe modelimi, Neokultura, Prishtinë, 2010 fq.49
[5] Në pamundësi për të gjetur një përkufizim të ri, për letërsinë shqipe që shkruhet në hyrje të shekullit XXI, Sabri Hamiti këtë periudhë e quan shekulli i ri letrar. Shih “Temataologjia”, ASHAK, Prishtinë 2005, f. 238.
[6] R.M.Shala, Analiza-Kognicioni dhe modelimi, Neokultura, Prishtinë, 2010, fq.48