Mbi të gjithë dua Stendal-in, pasi vetëm tek ai tensioni vetjak, tensioni historik, vrulli i jetës janë një gjë e vetme, tension linear romanesk. E dua Pushkinin, sepse është qashtërsi, ironi dhe seriozitet. E dua Heminguej, sepse është matter of fact, understatement, dëshirë për lumturi, trishtim. E dua Stevenson-in sepse duket se fluturon. E dua Çehov-in sepse nuk shkon më larg se sa shkon. E dua Conrad-in sepse lundron në humnerë e nuk na fundos. E dua Tolstoj-in sepse nganjëherë më duket se jam gati për t’ia kuptuar sekretin e në të vërtetë asgjë. E dua Manzon-in sepse deri pak më parë e urreja. E dua Chesterton-in sepse donte të ishte Voltair-i katolik e unë doja të isha Chesterton-i komunist. E dua Flaubert-in sepse pas tij nuk mund të mendosh të bësh si ai. E dua Kipling-un e Libra të Xhunglës. E dua Nievo-n sepse e kam lexuar shumë herë e jam zbavitur si herën e parë. E dua Jane Austen-in sepse nuk e lexoj kurrë, por jam i lumtur që ekziston. E dua Gogoli-in pasi deformon me dëlirësi, ligësi, e masë. E dua Dostojevskin sepse deformon me koherencë, furi dhe pa masë. E dua Balzakun sepse është vizionar. E dua Kafkën, sepse është realist. E dua Maupasant-in sepse është sipërfaqësor. E dua Mansfield-in sepse është inteligjente. E dua Fitzgerald-in sepse është i pakënaqur. E dua Radiguet-in sepse rinia nuk kthehet më. E dua Svevo-n, sepse duhet edhe të plakemi. E dua…
Italo Calvino, në një libër duke këshilluar lexuesit e tij italianë, përse të lexohen klasikët ndërton “babelin” e shkatërruar të shkrimtarëve në pritshmërinë e veprës, duke ndihmuar edhe përtej kufijve orientimin e lexuesit klasik, pavarësisht gjuhës për nga letërsia e mirë, ajo që përmbush dhe realizon mendimin; ndërsa historia jonë letrare sporadike, e ndërprerë, e persekutuar, e djegur vazhdon ende t’i lërë në një situatë kaotike lexuesit, të paorientuar në tregun e botimeve, dhe në kurrikulat shkollore.
Kështu referuar Calvinos, i vendosur në pozicionin e lexuesit, thellësisht i ndjeshëm i letërsisë, që është i prirur të përtypë çdo gjë e për më tepër nisur nga punët e tij profesionale, ka ndërtuar një sistem leximi për autorë që preferon, e që i lidh me substancën e tyre poetike, “ushqimi” te të cilët shkrimtari italian beson. Në fakt pasi “shërben” me arsyet e leximit të klasikëve Calvino thotë se “arsyeja e vetme që mund të jepet është të lexosh klasikët është më mirë se sa të mos i lexosh”. Dhe nëse ndonjë njeri kundërshton, Calvino citon Cioran-in (që nuk është klasik, por mendimtar bashkëkohor që vonë ka nisur të përkthehet në Itali): Ndërsa përgatitej kukuta, Sokrati po mësonte një melodi flaut. “E ç’po të duhet?- e pyetën. “Ta di para se të vdes”.
Në këtë rast, (te libri Përse të lexohen klasiket, botimet Aleph, përkthyer nga Viola Adhami) në një kapitull më vete ai qartëson mbi ndjeshmërinë e leximit, duke dhënë disa propozime që lidhen me përkufizimin e klasikëve, arsyet pse ata janë të lexueshëm për gjithë jetën:
1. Klasikët janë ata libra për të cilët zakonisht dëgjon të thuhet: ‘po rilexoj…’ dhe kurrë ‘po lexoj…’. Kjo sipas Calvinos nuk vlen për rinin, moshë në të cilën takimi me botën e me klasikët si pjesë e saj, është pikërisht si takimi i parë. Përjashton hipokritët shkrimtari, që kanë turp të pranojnë se nuk kanë lexuar asnjë libër të famshëm, dhe për t’i qetësuar “mjafton t’u vësh në dukje se sado e gjerë të jetë gama e leximeve “formuese” të një individi, gjithmonë mbetet një numër i madh veprash thelbësore që ai nuk i ka lexuar”.
Kush e ka lexuar gjithë Herodotin, gjithë Tukididin…apo ciklin e romanve të ‘800-ës? Balzaku në Francë fillon të lexohet në shkollë dhe nga botimet në qarkullim vazhdon të lexohet dhe pas mbarimit të saj. Ironia e Calvinos shkon për lexuesin italian, ku ai shpreh bindjen se Balzaku do renditej në fund. Edhe te ne, nga një sondazh nëpër librari është e njëjta përgjigje, më fatale për lexuesin.
Në Itali thotë Calvino të apasionuarit e Dickensit përbëjnë një elitë njerëzish që kur takohen menjëherë fillojnë të kujtojnë personazhe e episode si të flisnin për njerëz të njohur. Në letërsinë shqiptare ende nuk ka hyrë kjo psikozë, dhe klubet letrare janë inekzistente. Takimet janë sporadike dhe gjithë e më rrallë flitet për letërsinë klasike, duke pasur parasysh që vijmë nga një përvojë letrare kur bëhej letërsi kolektive, dhe në këta 27 vjet numërohen me gishta vepra që të identifikohen me personazhet që sjellin në jetë.
Quhen klasikë ata libra që përbëjnë pasuri për atë që i ka lexuar dhe dashur; por përbëjnë pasuri jo më të vogël për atë që ka fatin t’i lexojë për herë të parë në kushte më të mira shijimi…
Leximet në rini mund të mos jenë frytdhënëse, por mund të jenë formuese, pasi u japin trajtë përvojave të ardhshme duke dhënë modele, korniza, terma krahasimi, skema kualifikimi, shkallë vlerësimi, shembuj bukurie: të gjitha gjëra që vazhdojnë të funksionojnë edhe pse librin e lexuar në rini mund ta mbani mend pak apo hiç fare. Për Calvinon duke rilexuar librin në moshë të pjekur, ndodh që t’i rizbulosh këto konstante që tashmë bëjnë pjesë në mekanizmat tanë të brendshëm, e që ua kishim harruar prejardhjen. “Kjo është forcë e veçantë e veprës, që si e tillë harrohet, por që e lë farën e saj”.
Klasikët janë libra që ushtrojnë një ndikim të veçantë, si atëherë ku nguliten e bëhen të paharrueshëm, ashtu edhe kur fshihen pas rrudhave të kujtesës, duke e maskuar nga një pavetëdije kolektive ose vetjake.
Për këtë arsye, në moshë të rritur, duhet të ketë një periudhë që t’u kushtohet leximeve më të rëndësishme të rinisë. “Nëse librat nuk kanë mbetur të njëjtët, ne, sigurisht kemi ndryshuar dhe takimi është një ngjarje tërësisht e re”.
Çdo lexim i një klasiku është lexim zbulues si herën e parë.
Çdo lexim për herë të parë i klasikut, në të vërtetë, është rilexim.
Klasiku është një libër që nuk ka reshtur kurrë së thëni atë që kërkon të thotë.
Klasikët janë ata libra që mbërrijnë te ne duke mbartur gjurmën e leximeve që kanë paraprirë leximin tonë e mbas shpine gjurmën që kanë lënë në kulturën apo kulturat që kanë përshkuar
Kjo thotë Calvino vlen si për klasikët antikë ashtu dhe për modernët. Kur vjen te përvoja e leximit të Odisesë, shkrimtari thotë se nuk mund të harrojë çka është nënkuptuar përgjatë shekujve nga aventurat e Odisesë, që e çojnë në dilema nëse këto kuptime ishin të fshehura në tekst, apo janë veshje të mëvonshme, deformime a zgjerime. Përballë vë Kafkën, duke hedhur poshtë ligjshmërinë e mbiemrit “kafkian”, që është ndeshja më e shpeshtë, e përdorur vend e pa vend. Ndërsa kur lexohet Etër e bij të Turgenjevit, apo Djajtë e Dostojevskit nuk mund të mos mendoj thotë Calvino se si këta personazhë kanë vazhduar të rimishërohen deri në ditët tona.
“Leximi i një klasiku duhet të na rezervojë disa të papritura në lidhje me imazhin që ne kishim për të, më parë”. Për këtë, sipas Calvinos nuk është kurrë e mjaftueshme këshilla për një lexim të drejtpërdrejtë të teksteve origjinale, duke shmangur sa të jetë e mundur bibliografinë kritike, komentet, interpretimet. “Shkolla dhe universiteti duhet të na shërbejnë për të kuptuar se asnjë libër që flet për një libër nuk do të thotë më tepër se libri në fjalë; ndërsa bëjnë gjithçka për ne, ne besojmë të kundërtën. Përmbysja e vlerave është shumë e përhapur: parathënia, aparati kritik, bibliografia përdoren si perde tymi për të fshehur atë çka teksti ka për të na thënë, e që mund ta thotë vetëm nëse lihet të flasë pa ndërmjetës…”.
Klasiku është një vepër që shkakton pareshtur një pluhurizë diskutimesh kritike mbi veten, por vazhdimisht i hedh ato pas krahëve.
Klasikët janë libra që sa më shumë beson se i njeh me të dëgjuar, aq më tepër kur i lexon vërtet, të duken të rinj, të papritur, të pabotuar.
Mbi këtë, vendosja e marrëdhënies vetjake më këdo që e lexon. “Nëse shkëndija nuk ndizet, nuk mund të bëhet gjë: klasikët nuk lexohen nga detyrimi apo respekti, veç nga dashuria. Përveçse në shkollë: mirë a keq, shkolla duhet të të njohë me një numër klasikësh, ndër të cilët ti më pas mund të zbulosh “klasikët” e tu”. Përplasja me librin që do të bëhet libri “yt” në arsyen e Calvinos ndodh vetëm me leximet spontane.
Klasik quhet libri që konfigurohet si barasvlerës i gjithësisë, njësoj si talismanët antikë. Ky përkufizim e çon shkrimtarin drejt idesë së librit të plotë, duke sugjeruar ëndrrën e Mallarme-së, si klasikët mund të vendosen në një marrëdhënie të kundërt, në antitezë. Calvino krijon një zbavitje përfshirëse në këtë përvojë duke sjell rastin se çfarë bën e mendon Jean Jacques Rousseau i ngjall një dëshirë për ta kundërshtuar, kritikuar, për t’u zënë me të. Dhe kjo, ka të bëjë me temperamentin e tij, që e bën antipatik – thotë Calivino, që për këtë arsye shpjegon se nuk do ta lexonte, por megjithatë e rendit si një nga autorët e tij të zemrës. Pra, thotë:
Klasiku “yt” është ai ndaj të cilit nuk mund të jesh indiferent e që të shërben për ta vendosur veten në marrëdhënie a ndoshta në kundërshti me të.
Duke parë veprën si vazhdimësi kulturore, që kur përdor termin “klasik”, nuk bën dallim për nga vjetërsia, stili, autorësia, pra për Calvinon:
Klasiku është një libër që vjen para gjithë librave të tjerë klasikë, por kush ka lexuar të tjerët më parë e pastaj lexon këtë, menjëherë e dallon vendin që ai zë në gjenealogji. Calvino është i sigurt se pas këtij përkufizimi do dalin problem që lidhen me pyetje si: Përse të lexojmë klasikët, kur mund të përqendrohemi në lexime që na bëjnë ta kuptojmë më mirë kohën tonë? dhe “Ku ta gjejmë kohën e qetësinë mendore për të lexuar klasikët, të mbytur siç jemi nga moria e shtypit mbi aktualitetin?
Shkrimtari thotë se duke pasur parasysh se sa kushton “koha-lexim” do të jetë person fatlum ai që për t’u mbrojtur, duhet të mos i lexojë gazetat, mos të joshet kurrë nga romani i fundit, apo nga anketimi i ri sociologjik. Me këtë qëndrim të rreptë, Calvino thotë se të lexosh klasikët duhet të përcaktosh “nga ç’pikë”, po i lexon, ndryshe si libri ashtu dhe lexuesi humbasin brenda një reje pa kohë. Idealja: ta dëgjoje aktualitetin jashtë dritares.
Është klasik ai libër që pritet ta veçojë aktualitetin në një zhurmë sfondi, por që në të njëjtën kohë, nuk mund të bëjë pa këtë lloj zhurme.
Është klasik ai libër që zgjat si zhurmë sfondi dhe atje ku aktualiteti më i papajtueshëm sillet si padron. Mbetet fakt se leximi i klasikëve është në kundërshtim me ritmin tonë të jetës, si dhe me eklektizmin e kulturës sonë, që nuk do të arrinte kurrë të krijonte një katalog të veprave klasike që na duhen. Shembulli që përmend Calvino për këtë argument është se kushte të tilla u krijuan për Leopardin, për shkak të jetës së tij në shtëpinë e babait, kultit të antikitetit grek e latin, dhe bibliotekës së mrekullueshme të trashëguar nga i ati…
Sot as nuk mendohet një edukim klasik si ai i të riut Leopardi. Ndërkohë që titujt e vjetër janë pakësuar, të rinjtë janë shtuar në të gjitha letërsitë dhe kulturat moderne. Me këtë thotë Calvino nuk mbetet gjë tjetër, veçse secili nga ne të shpikë një bibliotekë ideale të klasikëve.
“…Klasikët na shërbejnë për të kuptuar kush jemi e ku kemi mbërritur dhe prandaj italianët janë të domosdoshëm, pikërisht për t’i krahasuar me të huajt, dhe të huajt janë të domosdoshëm pikërisht për t’i krahasuar me italianët”. Duke folur për letërsinë e tij klasike, atë italiane, Calvino prek çdo letërsi. Kjo e jona sidomos, shqiptare që shkruhet në një gjuhë të vogël ende nuk e ka ngritur bibliotekën e klasikëve të saj, edhe pse autorët “flenë” aty, të shpërfillur nga zyrtarizmi, gati për t’i shërbyer lexuesit kush jemi, dhe për t’u krahasuar me të huajt…! Mapo.al