Shoqata për kulturë dhe çështje shoqërore, “Malësia” nga Mali i Zi, e ka botuar numrin XIV me radhë të revistës shkencore “Malësia”. Ky botim i kushtohet 148 – Vjetorit të lindjes së poetit kombëtar, At Gjergj Fishtës. Kryeredaktori i kësaj reviste, Nikë Gashaj, ka theksuar se arsyet që botimi i është kushtuar Fishtës janë të mëdha, ku mes tjerash ai ka përmendur, studimin e thelluar të jetës dhe veprës së Fishtës, i cili në periudhën e sistemit komunist, për arsye politike dhe ideologjike u ndalua më se dyzetë vjet nga mësimi në shkolla e universitete, si dhe nga botimi, studimi në trojet shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës. Sipas, z. Gashaj kjo ndalesë bëri që gjenerata të tëra të mos kishin mundësi ta njohin këtë figurë të madhe të kulturës shqiptare. Ai ka radhitur edhe arsye të tjera që e motivuan përgatitjen e këtij studimi të mirëfilltë shkencor, ku veçohet ndjenja e borxhit ndaj këtij vigani dhe personaliteti të madh të kulturës kombëtare, i cili është nderi dhe krenaria e shqiptarisë.
Në këtë numër të revistës “Malësia”, punimet e tyre i kanë publikuar emra të njohur intelektualësh nga mbarë trevat etnike shqiptare, siç janë: Prof. Dr. Zef Mirdita, Prof. Dr. Lush Culaj, Prof. Dr. Alfred Çapaliku, Prof. Dr. Anton Nikë – Berisha, Prof. Dr. Artan Haxhi, Prof. As. Dr. Orjeta Baja, Prof. As. Dr. Kolë Tahiri, Don Viktor Sopi, Dr. Sc. Ismail Doda, shkrimtari Ndue Ukaj dhe Prof. Dr. Zymer Ujkan – Neziri. Nga Maqedonia e Veriut, është botuar studimi shkencor: “Homeri shqiptar – Gjergj Fishta”, i profesor Xhelal Zejnelit, “Fishta – personalitet profetik i kulturës shqiptare”, i Prof. Dr. Mustafa Ibrahimit dhe “Lidhja e Prizrenit dhe Kongresi i Berlinit në veprën “Lahuta e Malcis” të Gjergj Fishtës”, punim i Prof. Dr. Vebi Bexhetit.
Revista mbyllet me recensionin për Gjergj Fishtën të përgatitur nga Dhurata Myrtollari nga Tirana. Ajo në përfundim të recensionit të saj shprehet se çdo popull vlerësohet kur ai i vlerëson njerëzit që e ngritën atë, qoftë dhe me gjakun e tyre. Ata ngelen të artë në gjurmët e shekujve dhe sa më shumë kalon koha, brezat e kuptojnë vlerën e tyre.