Fillimi | Shoqata për kulturë dhe art ''Tradita" | Projekte | Në Tetovë u mbajt Edicioni III me radhë i manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”

Në Tetovë u mbajt Edicioni III me radhë i manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image Në Tetovë u mbajt Edicioni III me radhë i manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”

Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” dhe Gjimnazi “7 Marsi” – Tetovë, me rastin e 21 marsit – Ditës Botërore të Poezisë e organizuan Edicionin III me radhë të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”.

Në këtë veprimtari kulturore u theksua se me organizimin e këtij manifestimi realizohet një nga projektet e njohura të kulturës sonë, duke përmbushur në këtë mënyrë një detyrim që artdashësve të qytetit rrëzë Sharrit t’u ofrohet sa më tepër veprimtari letrare. Organizatorët vlerësuan njëherazi se këto ngjarje ngërthejnë në vetvete simbolikën e ngritjes së përbashkët në lëmin e arsimit, shkencës, kulturës, artit, si dhe në fushën e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit dhe subjekteve të ndryshme kulturore.

Edicionin III të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike” e shpalli të hapur kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”, Selam Sulejmani, i cili në fjalën e tij veçoi para auditorit se nëpërmjet poezisë, krijimeve të ndryshme artistike dhe performancës muzikore, vijnë në shprehje  nxënësit, studentët, shkrimtarët dhe poetët. Duke organizuar veprimtari letrare, ne bashkërisht dëshmojmë se jemi pjesë e pandarë e zhvillimeve kulturore që organizohen gjithandej në botën e qytetëruar – shtoi ai.

“Sot i gjithë globi, në ditën e saj e nderon poezinë - gjuhën amtare të racës njerëzore. Prandaj, edhe ne në Tetovë,  jemi në unison të plotë me objektivin kryesor të UNESKO-s që 21 Marsin – Ditën Botërore të Poezisë, ditën e universit artistik, ta shndërrojmë në ditë feste të letërsisë, ku fjala e ka mundësinë e lirisë, ku artisti me imagjinatën e tij artikulon ide universale që kanë të bëjnë me artin, me atdheun, me dhembjen, me dashurinë si dhe me shumë e shumë motive të tjera. Letërsia është e vjetër po aq sa të folurit. Ajo u rrit nga nevoja e njeriut për të dhe nuk ka ndryshuar, përpos që është bërë edhe më e nevojshme. Ajo shoqërohet me bukurinë, një bashkim suprem dhe si e tillë refuzon ta shkurorëzojë artin nga jeta dhe dashurinë nga perceptimi. Fillet e poezisë janë të hershme, sikundër janë të njohur poetët që e kanë krijuar atë në të gjitha zhanret e saj” – theksoi Selam Sulejmani.

Ai po ashtu deklaroi se studiues të njohur të letërsisë thonë se poezia, sidomos ajo lirike, ka lulëzuar që në shekullin VII-V para erës së re në Greqinë e lashtë, me poetët e njohur si Alkeu, Pindari dhe Arkiloku, për të vazhduar me krijimet poetike mbresëlënëse te romakët apo edhe te persët në shekujt XII-XV, ku ndërmjet tjerëve shquhet poeti i madh Omar Khajami, i përkthyer nga Noli.

“Në shekullin XIII, shfaqen lirikë të shquar në Itali si Kavalkanti, Giani, me në krye Dante Aligierin. Periudhës së Rilindjes i përkasin emra të mëdhenj si Petrarka në Itali, Ronsardi në Francë dhe Shekspiri në Angli. Në shekujt XVIII - XIX, kemi një varg poetësh të vendeve të ndryshme që shquhen me vokacionin e tyre, poetët modernë të simbolizmit, periudhë në të cilën u botua vëllimi poetik “Lulet e së keqes”Bodlerit dhe veprat e poetëve të tjerë.

Letërsia shqiptare, në veçanti ajo gojore është e pasur me lirika të bukura që shpeshherë kanë qenë frymëzim edhe për poetët e krijimtarisë artistike. Ne të gjithë i kemi të lexuara dhe i kemi të njohura vargjet poetike të Naim, të Pjetër Zarishit, të Filip Shirokës, të Çajupit, të Asdrenit, të De Radës, të Zef Sermbes etj. Në shekullin e kaluar, në letërsinë shqiptare paraqiten emra eminentë, si: Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Fan Noli, Ernest Koliqi, Lasgush Poradeci, etj, pa i harruar edhe poetët dhe krijimet e tyre që kanë pasur dhe që vazhdojnë të kenë ndikim të jashtëzakonshëm te lexuesi shqiptar dhe jo vetëm, siç janë: Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Fatos Arapi, Bardhyl Londo, Dhori Qiriazi, Visar Zhiti, Esad Mekuli, Ali Podrimja dhe shumë e shumë të tjerë” – theksoi në fjalën e tij kryetari i Shoqatës “Tradita”.

Në emër të Komunës së Tetovës, me fjalë rasti i përshëndeti të pranishmit Ahmed Qazimi, i cili i përgëzoi organizatorët për shënimin e Ditës Botërore të Poezisë dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim në projekte të tilla kulturore.

Referatin kryesor për rëndësinë e poezisë e paraqiti para të pranishmëve presidentja e Qendrës PEN nga Shqipëria, z-nj. Entela Klasi, e cila me këtë rast u shpreh se ndihej e nderuar dhe lumtur që merr pjesë në këtë ngjarje letrare-artistike.

“Më lejoni të ndaj me ju të gjithë ndjenjën e gëzimit që jemi të gjithë së bashku në këtë vend, për të nderuar poezinë, artin e krijimit në edicionin e tretë, Shtigje poetike, që tashmë është shndërruar në traditën më të bukur, nga Shoqata për kulturë dhe art - Tradita, me qendër në Tetovë. Në këtë ditë, dëshmohet trashëgimia mbarëbotërore e poezisë, në gjuhët e gjithë secilit krijues, prej poetëve, krijuesve të këtij arti mistik, magjik, ku njeriu, qenia më e bukur e krijuar, rikrijon vetveten, si frymë, si lëndë, si kulturë, si identitet, pavarësisht mjedisit, kohës, kufijve, kufizimeve me të cilat udhëton, jeton nga antikiteti në modernitet. Temat për të cilat ne shkruajmë jemi ne. Me këtë dua të them se kur shkruajmë ne krijojmë qenie veten. Thënë shkurt: shkruajmë njeriun në thellësitë dhe dimensionet duke dëshmuar njeriun. Kjo nuk mund të kryhet pa gjuhën, pa gjuhën e gjithë secilit autor, sepse ne jemi lindur me gjuhë, ajo që quhet gjuha e nënës, në të cilën njeriu mendon dhe shkruan gjithçka që shqisa ka parë, gjithçka që intelekti ka përmbledhur, gjithçka që duhet thënë”, theksoi Entela Kasi.

Ajo po ashtu vuri në dukje se gjithçka që është shkruar prej etërve të letërsisë së gjuhës shqipe, nga BuzukuMeshar, nga Pjetër Budi, nga Bogdani, nga Marin Barleti, nga Lekë Matrënga, në kohën e shkrimit të gjuhëve kombëtare në Evropën që po rilindte, ishin pikërisht këta patriarkë, etër të ndritur që përmblodhën në vepra dijen për shqiptarët, dijen kulturore, antropologjike dhe etnike.

“De Rada, Jeronimi ynë, me Këngë të Milosaos, shënjon në vepër letrare gjithçka që ndodhi me ne, vepër kjo ku dëshmohet ekzistenca e njeriut shqiptar të botës së Arbrit, në botën e madhe të letërsisë. Gjuha shqipe, e cila është një nga gjuhët e rralla dhe të vjetra të botës, ishte një gjuhë e ndaluar. Kjo dëshmohet nga arkivat që mbajnë dokumentet. Në botën e qytetëruar janë ndërtuar muze për gjuhët. Le të imagjinojmë ne një muze të gjuhëve, të gjuhës shqipe, në të cilin së paku të kishim vepra origjinale, dorëshkrime, e libra të parë kur Gutenbergu, i mundësoi formën që libri i botuar ka. Le të imagjinojmë sot muzeun si një muze të letërsisë, ku do të kishte jo vetëm emra por vepra letrare, poezi. Them poezi sepse poezia ishte e para, pastaj erdhi romani në letërsinë shqipe, po ashtu edhe në letërsinë botërore. Nëse ne jemi këtu, në manifestimin letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”, në Gjimnazin “7 Marsi” në Tetovë, në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe nëse shohim emrat e shkruar, ne shohim një muze të krijimit. Kjo nuk është retorikë. Le të lexojmë së bashku nga Gjon Buzuku, Budi, Bogdani, Barleti, Matrënga, De Rada, Serembe, Naim Frashëri, Fishta, Imzot Fan Noli, Lasgush Poradeci, Filip Shiroka, Mitrush Kuteli, Migjeni, Abdylazis Islami, Esad Mekuli, Camaj, Jusuf Gërvalla, Ali Podrimja, Azem Shkreli, Adem Demaçi, Beqir Musliu, Murat Isaku, Teki Dervishi, Resul Shabani, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu, Petro Marko, Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi, Frederik Rreshpja, Havzi Nela, Musine Kokallari, Imzot Vinçens Prenushi, At Zef Pllumi, një konstelacion hyjnor në tërësinë e këtij muzeu yjesh, ne ndriçohemi nga kjo dritë. Në këtë univers letrar të poezisë dhe të letërsisë shqipe, Kadare, autoritet letrar i përmasave të letërsisë botërore, ka krijuar Shqipërinë e përjetshme, Shqipërinë historike në vepër letrare tashmë të njohur nga bota ndërkombëtare e letrave. Kjo na bën të besojmë se çfarë fuqie shprehëse paska pasur kombi e gjuha shqipe për t’i dhënë njerëzimit letërsi të shkëlqyer.

 Po të ndalemi te Nëna Terezë, Shën Tereza, përsëri ne shohim një vepër të përjetësuar të sublimuar, një dëshmi humaniteti të njerëzimit, për dinjitetin e njeriut, për dashurinë për njeriun” - deklaroi mes tjerash në referatin e saj tematik Entela Kasi, presidente e Qendrës PEN nga Shqipëria.

Në Edicionin III të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike” u mbajt edhe orë letrare në të cilën morën pjesë emra të njohur poetësh dhe shkrimtarësh nga Tetova e më gjerë,  Klubi  letrar i nxënësve të Gjimnazit “7 Marsi”, u prezantua një program i pasur artistik i realizuar nga nxënësit e kësaj shkolle si dhe nga studentët e programit muzikor të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës.

Për kontributin e veçantë në zhvillimin e kulturës, në kultivimin e traditave atdhetare, të gjuhës, të historisë, si dhe përkushtimin për arritjen e aspiratave kombëtare, Shoqata “Tradita” në këtë manifestim u ndau MIRËNJOHJE  Gjimnazit “7 Marsi” - Tetovë dhe PEN Qendrës nga Republika e Shqipërisë.

Realizimi i Edicionit III të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike’’ u mbështet financiarisht nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe i njëjti i paraprin organizimit të disa veprimtarive të tjera - arsimore, shkencore, kulturore dhe artistike të shoqatës “Tradita” për vitin 2019.

 


 

Shtoni në: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg

Komente (0 dërguar):

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
OPINION
image

Universiteti i Kombit dhe Kombi i Universitetit

Selam Sulejmani Universiteti i Tetovës për shqiptarët e vendit tonë dhe më gjerë paraqet “Atdheun” e ...
 Më tepër
FOTOGALERI
PROFILE
image

Krijimtaria e të parit kompozitor të muzikës së kultivuar shqiptare

Kompozitori i veprave të para të muzikës së kultivuar shqiptare dhe i sa e sa ...
 Më tepër
image

Dua Lipa: Femrat do ta udhëheqin botën

Dua Lipa është një ndër këngëtaret më të famshme shqiptare në arenën ndërkombëtare. Krahas shumë ...
 Më tepër