Fillimi | Personazhe | Elda Sorra, kur Shqipëria josh më shumë sesa Hollivudi

Elda Sorra, kur Shqipëria josh më shumë sesa Hollivudi

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image Elda Sorra, kur Shqipëria josh më shumë sesa Hollivudi

Një dasmë në oborrin e shtëpisë poshtë pallatit dhe ahengu që nuk sos mund të jenë rasti më i mirë për të urryer lagjen, traditat dhe dasmorët, me kusht që mos të kesh ikur nga Shqipëria në vitet ’90. Atëherë kjo jo vetëm që nuk tingëllon si torturë, por është një nga kujtimet më të bukura. Të paktën për aktoren Elda Sorra që ka ikur nga Shqipëria me familjen që kur ishte 11 vjeç dhe një dasmë në oborr nuk e ka gjetur kurrë më në Gjermaninë strikte, madje as në Berlinin multikulturor pa komplekse, ku jeton prej tetë vitesh. Është një nga ato të pakta gjërat shqiptare që i mungon atje ku është, por kjo nuk do të thotë që pjesës tjetër i ka hequr një vizë të trashë përsipër. Përkundrazi. Tashmë që është aktore profesioniste, me disa role në teatrot dhe filmat gjermanë, skenën, por edhe kinemanë shqiptare, do i dëshironte me gjithë zemër. Dhe rivendosja e marrëdhënieve me tokën e origjinës ka nisur. Ajo është pjesë e filmit “Bota”, me protagonist Artur Gorishtin dhe regji të Iris Elezit, i cili ka përfunduar xhirimet dhe është duke u montuar në Romë, për t’u shfaqur, sipas parashikimeve, në fund të pranverës.

Xhirimet e filmit “Bota” kanë përfunduar para pak kohësh. Aktualisht, me çfarë po merreni?

Në këtë moment të gjitha projektet e filmave janë mbyllur. Dhe këtë muaj është faza për audicione për në teatrot në gjithë Gjermaninë.

Si u bëre pjesë e “Botës”?

Iris Elezin, regjisoren e “Botës” e kam takuar rastësisht në Berlinale. Që në momentin e parë ne u kuptuam pa folur shumë dhe e dinim që do bëjmë diçka së bashku. Pastaj Irisi më nisi skenarin dhe më bëri ofertën për të luajtur një rol në filmin e saj.

Mbase duhet të them që roli nuk është shumë i madh ose shumë i rëndësishëm për filmin, por për mua është roli më i bukur sepse është roli im i parë në kinemanë shqiptare. Dhe për këtë aspekt jam shumë e gëzuar që regjisorja Iris Elezi dhe producentja e filmit Sabina Kodra më dhanë mundësinë të bëja këtë hap.

Sa afër parashikon të jesh pas kësaj me kinemanë shqiptare?

Para 10 vjetësh, kur isha ende në shollën e aktrimit, kam bërë një shkëmbim me shkollën time dhe me Akademinë e Arteve të Tiranës, por të them të vërtetën, me kinemanë shqiptare deri tani nuk kam pasur lidhje fare. Kur mbarova shkollën, fillova të punoja si aktore gjermane që jam, në teatër dhe filma gjermanë. Dëshira dhe mundësia që të bashkëpunoja me Shqipërinë erdhi më vonë, kur ika në Berlin dhe takova rastësisht ekipin shqiptar që erdhën për Berlinale. Unë mendoj që ky ishte momenti kur unë dhe Shqipëria ishim gati për njëri-tjetrin…Kështu që shpresoj dhe me shumë dashuri e emocione pretendoj të jem pjesë e kinemasë shqiptare! Dhe për Shqipërinë do ishte mirë- se aktore më të mirë nuk kanë për të gjetur:).

Para se të shkoje në Berlin, cilat kanë qenë stacionet tuaja që në çastin që u larguat nga Tirana?

Unë ika nga shtëpia në moshën 20-vjeçare në Këln, për të studiuar në shkollën e aktrimit. Më përpara mbarova gjimnazin dhe isha volejbolliste profesioniste. Jetoja me familjen në një vend shumë të vogël dhe me shumë pak të huaj. Dhe ky ishte mbase fati ose shansi im, që nuk kisha alternativë tjetër përveçse të bëhesha dhe unë aq gjermane sa të tjerët, duke mësuar shumë shpejt gjuhën dhe përshtatur me jetën perëndimore. Mbasi mbarova shkollën, erdhi momenti kur duhet të vendosja se çfarë do studioja. Unë e kisha ditur gjithmonë që duhet të bëhesha aktore, por nuk e kisha shprehur dëshirën, as në shtëpi, as shoqërisë. Kështu që për gjithë të tjerët ishte diçka e papritur.

Pse pikërisht aktore? Dikur duhet ta kesh marrë këtë vendim…

Fakti që unë u bëra aktore nuk ishte vendim, ishte një dijeni dhe një parandjenjë ose vizion shumë i fortë që e kam pasur që fëmijë. Kështu që nuk kisha rrugëdalje tjetër!

Si janë përthyer te ty rolet e ndryshme që ke pasur në teatër dhe film?

Në fillim të karrierës kisha dëshirë të luaja vetëm në teatër, sepse kam një dashuri të madhe për teatrin. Më vonë më erdhi një ofertë e mirë për një film dhe me atë produksion fillova të dashuroj filmin dhe magjinë e tij. Në teatër kam pasur fatin për të luajtur gjithmonë rolet kryesore. Por gjithashtu kam luajtur dhe role në filma, kinema dhe seriale. Çdo rol ka bukurinë e vet, të pavarur nga rëndësia, por kam pasur role si Elektra ose Antigona, po gjithashtu Bernardën nga “Shtëpia e Bernarda Albës”, që i kam luajtur me shumë qejf dhe me sukses.

Cili është kujtimi më i bukur gjatë këtyre përvojave?

Roli i Bernardës! M’u bë shumë qejfi që ma dhanë mua, por gjithashtu e kisha dhe frikë. Dhe pasi mbaroi premiera, unë kuptova tek reagimi i publikut dhe te vetja ime e ndjeva gjithashtu, që doli diçka shumë e veçantë. Ditën tjetër erdhi lajmi që një teatër tjetër shtetëror kishte interes që ta luanim dhe atje. Për mua ky aspekt ishte kompliment i madh!

Po roli më i vështirë?

Për mua të gjitha rolet të vështira janë, deri në momentin kur unë filloj e kuptoj instinktivisht dhe emocionalisht se çfarë karakteri është dhe pastaj fillon procesi i punës. Unë nuk njoh në literaturë ndonjë rol që mund të them që është e lehtë për ta luajtur….

Cili është roli që ëndërron të kesh?

Në film ndonjë rol aksion, me armë! Në teatër “Medea“!

Po në skenat shqiptare do doje të luaje?

Po, me shumë qejf dhe shpresoj që do të vijë momenti kur të vijë një ofertë e tillë nga Shqipëria për të luajtur në Teatrin Kombëtar.

Cilat janë tiparet e kinemasë hollivudiane dhe asaj europiane, që i dallon ato nga njëra-tjetra në sytë e tu? 

Unë mendoj që filmat në Europë kanë më shumë histori dhe më shumë guxim për tema njerëzore që Hollivudi nuk i trajton shumë. Sepse është një industri gjigante që është e varur më shumë ndaj parave sesa artit, kurse filmi europian është më intim, më duket mua, ka historinë e vet dhe duke pasur vende të ndryshme në Europë, secili me problemet dhe historinë e vetë, kinemaja i trajton në një mënyrë më autentike dhe jo shumë të shtirur.

Domethënë, Hollivudi nuk është një ëndërr për ty?

S’ka qenë asnjëherë. Kështu që do ishte mirë po të më bjerë rruga, se e bëj pa emocione .

Të jesh aktore në Gjermani të ofron një jetë interesante dhe luksoze, si mund të imagjinohet së largu dhe së jashtmi?

Jeta si aktore këtu është shumë e vështirë dhe shumë e bukur në të njëjtën kohë.

Konkurrenca është jashtë mase e fortë dhe sakrificat që duhen bërë janë të jashtëzakonshme. Por mbase këto aspekte dhe momentet e veçanta në skenë ose film e bëjnë këtë jetë luksoze. Por gjithashtu këtu, dhe veçanërisht në Berlin, arti ka shumë mbështetje dhe vlerësim nga shteti dhe shoqatat. Dhe për këtë aspekt ndihem e lumtur që kam mundësinë dhe aftësinë të punoj në Europë. Dhe për të njëjtin aspekt kam shumë respekt dhe dashuri për aktorët në Shqipëri, sepse mendoj që nuk kanë gjithmonë mundësitë optimale.

Dikur ju keni thënë që arrini të shpreheni plotësisht në rolet tragjike. Pse kjo ngarkesë? Kaq të vështira kanë qenë vitet e ambientimit në Gjermani, apo nuk është thjesht prej saj?

Vitet në Gjermani ishin të vështira, por problemet ishin shumë më përpara…

Kështu që as vetë nuk e di pse e fus veten kaq shumë në siklet për të luajtur rolet tragjike . Mbase sepse ndihem në shtëpi kur kam këto ndjenja… nuk e di…. por emocionalisht dhe psikologjikisht unë kam shumë dëshirë për të kuptuar situatat dhe ndjenjat e errëta njerëzore \dark në thellësi.

dallon diçka në interpretim nga aktorët vendas, që ndoshta vjen nga origjina jote?

Ngaqë dhe unë jam aktore vendase, nuk shoh shumë ndryshim ndërmjet meje dhe të tjerëve. Mbase ndonjëherë kur jam shumë e emocionuar del ose shihet diçka e veçantë, që unë mendoj ka lidhje me temperamentin tim dhe me background-in tim shqiptar.

Të ka penguar apo të ka ndihmuar ky background ndryshe?

Deri tani nuk kam pasur pengesa prej background-it, ose nuk i kam ndjerë unë. Mbase më shumë më ka ndihmuar nga mënyra e veçantë e lojës ose tipareve të mia.

Për çfarë gjërash shqiptare të merr malli në Gjermani?

Vetëm për një gjë. Për një dasmë shqiptare në bahçe, me aheng, siç bëheshin atëherë kur kam qenë fëmijë.

Prej tetë vitesh Berlini është zgjedhja juaj. Çfarë të pëlqen më shumë nga ky qytet?

Berlini nuk është gjerman. Berlini është pa gjykim, me shumë hapësirë dhe liri në çdo aspekt. Fushatat e artit janë jashtëzakonisht interesant dhe ka shumë lëvizje në çdo fushë dhe aspekt. Këtu është jeta gjallë në aspektet pozitive dhe negative. Dhe ka kafet më të bukura. Unë në Berlin u emancipova dhe u përparova, duke pasur parasysh faktin që kam background shqiptar. (mapo.al)

 

 

Shtoni në: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg

Komente (0 dërguar):

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
OPINION
image

Universiteti i Kombit dhe Kombi i Universitetit

Selam Sulejmani Universiteti i Tetovës për shqiptarët e vendit tonë dhe më gjerë paraqet “Atdheun” e ...
 Më tepër
FOTOGALERI
PROFILE
image

Krijimtaria e të parit kompozitor të muzikës së kultivuar shqiptare

Kompozitori i veprave të para të muzikës së kultivuar shqiptare dhe i sa e sa ...
 Më tepër
image

Dua Lipa: Femrat do ta udhëheqin botën

Dua Lipa është një ndër këngëtaret më të famshme shqiptare në arenën ndërkombëtare. Krahas shumë ...
 Më tepër