Shoqata për kulturë ,,T R A D I T A” - Tetovë

Me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit, në mbarë hapësirën shqiptare  u realizuan qindra aktivitete të rëndësishme, si: konferenca e simpoziume shkencore, promovime të veprave nga historiografia shqiptare, si dhe një mori  ngjarjesh të tjera kulturore dhe artistike.

Në këtë 100 vjetor, inteligjencia shqiptare sikurse në Republikën e Shqipërisë, Republikën e Kosovës, Maqedoni dhe në mbarë diasporën,  zhvilluan debate të gjera rreth historikut të Shtetit Shqiptar dhe të gjitha zhvillimeve të tjera që e shoqëruan këtë shtet ballkanik deri në vitin 2012. 

Në vendin tonë, në Republikën e Maqedonisë, si momente kryesore që e shënuan 100 vjetorin e Shtetit Shqiptar, dhe që do të kujtohen gjatë, janë: hedhja e gurë-themelit të Sheshit Skënderbeu në Shkup, Kupa e Flamurit në Kodrën e Diellit, organizuar nga Universiteti Shtetëror i Tetovës, Koncerti festiv në Shkup, ku morën pjesë, Kryeministri i Shqipërisë, z.Sali Berisha, Kryeministri i Kosovës, z.Hashim Thaçi dhe Kryetari i BDI-së, z.Ali Ameti, diplomatë të njohur, personalitete nga jeta publike dhe pjesëmarrës e mysafirë nga vendi dhe më gjerë.

Universiteti Shtetëror i Tetovës, si institucion i vetëm i arsimit të lartë në gjuhën shqipe në RM, përpos realizimit të një agjende të ngjeshur në nderim të 100 vjetorit të Shtetit Shqiptar, pikërisht këtë vit historik e përuroi godinën e re universitare. 

Të motivuar nga atmosfera e lartpërmendur, ne një grup miqsh, duke qenë se ishim edhe pjesë e realizimit të disa prej aktiviteteve të rëndësishme në Universitetin Shtetëror të Tetovës, dhe të vetëdijshëm se euforia e 100 vjetorit do kalojë, ndërmorëm iniciativën për të themeluar një shoqatë kulturore e cila do të angazhohet që të mbante gjallë frymën kulturore dhe artistike në qytetin e Tetovës dhe më gjerë.

Me këtë qëllim, dhe si rezultat i konsultimeve të gjera,  më 20 shator të vitit  2012, në Tetovë e themeluam  Shoqatën për kulturë ,,TRADITA”, e cila do të angazhohet në realizimin e këtyre prioriteteve:

- Organizimin dhe kultivimin e veprimtarisë kulturore, artistike, edukative-arsimore, sociale, humanitare dhe të ngjashme; 

-Përparimin e veprimtarive kulturore dhe kultivimin e traditës; 

- Organizimin e  aktiviteteve shkencore dhe manifestimeve artistike;

-Organizimin e seminareve, tribunave, tryezave të rrumbullakëta dhe tubimeve të tjera me karakter kulturor, shkencor, artistik dhe informativ;

- Bashkëpunimi me shoqatat dhe organizatat tjera me orientim të njëjtë në RM dhe më gjerë, etj.

Shoqata për kulturë  ,,TRADITA”, ka: Aktin e themelimit, Statutin dhe Programin e punës.   

''T R A D I T A'', përveç realizimit të ngjarjeve kulturore-artistike, përmes Ueb-faqes zyrtare: www.tradita.org, në vazhdimësi  angazhohet që ta informojë opinionin e gjerë për zhvillimet kulturore në hapësirën shqiptare.

Ju faleminderit !