Fillimi | Opinione | Kam diplomë, por nuk kam punë!

Kam diplomë, por nuk kam punë!

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image

Teuta Nunaj- Liberalizimi i arsimit të lartë në vitin 2004, rriti mundësinë për të rinjtë shqiptarë që t’i drejtohen auditorëve universitare. Ky aksesim, u pa dhe u zhvillua së paku në dy drejtime. Në drejtimin e parë, të gjithë ata studentë që nuk fituan të drejtën për të vazhduar studimet në një universitet publik, apo ata që nuk fituan në degën e preferuar, kishin një mundësi më shumë, për ta vazhduar studimin e tyre universitare në një shkollë të lartë private, pa u ndierë të përjashtuar. Dhe në këtë rast, nuk ka asnjë gjë të keqe, përveç se një mundësie më shumë për studim, që kishte çdo i ri shqiptar dhe jo vetëm, por që shoqërohej edhe me një mundësi financiare, për të përballuar koston e studimeve. Në një drejtim të dytë, ky liberalizim, u dha mundësinë edhe nxënësve të dobët, që të kryenin një universitet, pa u testuar në nivel mesatareje, aftësie apo kapaciteti, për të vazhduar këtë nivel studimesh. Kjo do të thotë, që hapja e universitetit u pa edhe si një biznes fitimprurës për drejtuesit, të cilët hynë në një treg vakuum, ku kishte një kërkesë të lartë për t’u diplomuar, gjë e cila solli që edhe ofertat e universiteteve, (ose një pjese prej tyre) të ishin nën një nivel mesatar. Mjaft që studentët të paguanin dhe në fund të një periudhe 3 apo 5 vjeçare diplomën, do e kishin në xhep. Ky liberalizim në një ambiguitet me kërkesën për diploma, solli që numri i të regjistruarve nga 50 mijë, që ishte në 2004-ën, pas dhjetë viteve, të arrijë në 160 mijë.

Kjo do të thotë se, të diplomuarit në çdo fund viti akademik, janë në një numër të konsiderueshëm dhe në krahasueshmëri me vendet e reja të punës që hapen çdo vit, ka një proporcion shumë të madh, në favor të të diplomuarve. Ndaj edhe lindi fenomeni, që u quajt sipas huazimit nga ekonomia si: “inflacioni i diplomave”. Ajo çka ndryshoi nga politikat e qeverive ndaj papunësisë, ishte thjesht niveli i arsimimit të të papunëve. Pasi i njëjti kontingjent të rinjsh që kur nuk kishin punë pasi mbaronin shkollën e mesme, për të mos ngelur “pa punë”, i drejtoheshin shkollave të larta. Në këtë mënyrë, niveli i papunësisë mbetej i ulët. Por, kur diplomoheshin pas tre viteve, ata sërish rreshtoheshin si të papunë, por tashmë me një status tjetër, atë të një “intelektuali” me diplomë, si i papunë. Ky është një nga problemet madhore, që shkaktoi tranzicioni shqiptar dhe politikat afatshkurtra të qeverisë, kundrejt arsimit shqiptar.  Problemi kryesor, nën këndvështrimin e kësaj analize, nuk qëndron vetëm te kjo mospërputhje që ofron tregu, por edhe te cilësia e studentëve që dalin nga këto auditorë. Kushdo që ka patur qoftë edhe një mundësi, apo lidhje me auditorët, ka parë, ka ndjerë dhe ka prekur drejtpërdrejti, se niveli i studentit shqiptar, është në rënie. Ka mungesë interesi për të dëgjuar, për të mësuar apo edhe për të lexuar.

Problemi i të diplomuarve, më shumë se tregu ka nevojë, mendoj se nuk është vetëm problem shqiptar. Kudo në botë, ndodh që para se të stabilizohet me një punësim në profesionin që ka studiuar, një i ri, të jetë punësuar në një tjetër punë, jashtë profesionit të tij. Puna nuk duhet parë si turp. Ndaj ne duhet të largohemi nga ky kompleks, që duam apo nuk duam, e kemi me vete dhe na shoqëron, gjatë të gjithë jetës sonë. Kuptohet, që në këtë kategori të trajtuar nuk përfshihen të gjithë të rinjtë student shqiptarë, por pjesa më e madhe e tyre, sigurisht që po. Në një vështrim të shpejtë, që unë u hodha lokaleve të Tiranës, si pjesë e një studimi, të cilët janë të vendosur pranë zonave më të frekuentuara të studentëve apo pranë fakulteteve të shumta të universiteteve private dhe publike, nuk gjeje një tavolinë të lirë. Në pjesën më të madhe të tyre, ishin të rinj. Në antipod, bibliotekat, i gjen të zbrazura, tek – tuk me ndonjë student të interesuar për dijen.

Ndaj sot, edhe më shumë se kurrë lind domosdoshmëria jetike për hartimin e strategjive konstruktive, të mirë-studiuara, të prekshme dhe me objektiva të qartë dhe të mundshme për realizim, për periudha afatgjata dhe jo afatshkurtra apo afatmesme që t’i konvergojnë kohëzgjatjes së pushtetit politik, të partive fituese në zgjedhjet e radhës parlamentare. Ku në bazë të këtyre strategjive, arsimi të trajtohet si vlerë kombëtare në shërbim të vendit, për të formuar elitën e ardhshme të cilët pas 20 viteve duhet të marrin në dorë drejtimin e fateve të vendit. Dhe 20 vjet nuk janë shumë; ja 24 vjet i kemi kaluar në tranzicion. Dhe 10 vitet e fundit kanë sjellë një degradim të arsimit, si asnjëherë më parë. Është e dhimbshme, por reale se interesi i të rinjve për dijen ka rënë, ndërsa kërkesa për të marrë nga jeta pa u lodhur, është rritur. Pikërisht kjo është një nga shqetësimet më të mëdha. Po rritet një brez me kërkesa minimale ndaj vetes dhe të tjerëve, që nuk investojnë në formimin e tyre, që presin të ardhura në mënyrë konstante nga prindërit, që kërkojnë të punësohen me “miq” ose me anë të partisë ku militojnë. Quo vadis? Nuk e dimë... Ajo që dimë është vetëm dëshira e mirë, që situata të ndryshojë për më mirë.. (shekulli.com.al)

 

Shtoni në: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg

Komente (0 dërguar):

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
OPINION
image

Hamdi Mediu: Arkitektura e urave të Pollogut-Tetovës

Studimi u prezantua në Tribunën shkencore, me temë: “Roli i monumenteve historike në zhvillimin e ...
 Më tepër
FOTOGALERI
PROFILE
image

Krijimtaria e të parit kompozitor të muzikës së kultivuar shqiptare

Kompozitori i veprave të para të muzikës së kultivuar shqiptare dhe i sa e sa ...
 Më tepër
image

Dua Lipa: Femrat do ta udhëheqin botën

Dua Lipa është një ndër këngëtaret më të famshme shqiptare në arenën ndërkombëtare. Krahas shumë ...
 Më tepër