Fillimi | Opinione | STUDIM / Bashkimi kombëtar shqiptar sfidë serioze për diplomacinë e Fuqive të Mëdha

STUDIM / Bashkimi kombëtar shqiptar sfidë serioze për diplomacinë e Fuqive të Mëdha

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image

Ky punim shkencor është prezantuar në Konferencën shkencore me temë: “LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT DHE ÇËSHTJA KOMBËTARE SOT”, të organizuar nga Shoqata për kulturë dhe art ,,Tradita”, në Tetovë, më 10 qershor 2015.

Prof. Dr. Zeqirja Rexhepi

Marrëdhëniet ndërkombëtare funksionojnë mbi disa principe, të cilat vendosen nga Fuqitë e Mëdha. Ata janë vendosur zakonisht pas ndonjë ngjarje të madhe historike.

Në shek. XIX marrëdhëniet ndërkombëtare funksionuan mbi bazë të principeve që u vendosën në Kongresin e Vjenës; pas Luftës së Parë Botërore këto marrëdhënie i përcaktonte Lidhja e Kombeve; në përfundim të Luftës së Dytë Botërore marrëdhëniet ndërkombëtare u ravijëzuan në Jaltë; ndërkaq në përfundim të Luftës së Ftohtë, Rendi Ndërkombëtar i Jaltës u korrigjua, duke filluar një etapë e re historike, i njohur si Rendi i Ri Ndërkombëtar.

Bashkimi kombëtar i shqiptarëve vazhdon të mbetet si një nga sfidat me serioze, në rrafshin ballkanik dhe evropian, me të cilën përballet diplomacia e Fuqive të Mëdha. Jam përpjekur që temën time, Bashkimi kombëtar sfidë serioze për diplomacinë e Fuqive të Mëdha, ta vendos atë në rrafshin historik, përkatësisht në faza të caktuara, kur përcaktohej harta politike e Evropës, filluar nga periudha e shpërbërjes së Perandorisë Osmane e deri në shpërbërjen e Jugosllavisë Federative dhe krijimin e Kosovës si shtet i pavarur.   

 Sfida shqiptare në kohën e Kongresit të Berlinit

 Në gjysmën e dytë të shek. XIX, nën ndikimin e ideve të Revolucionit Francez dhe të lëvizjeve tjera kombëtare që zhvilloheshin ndër popujt tjerë, edhe ndër shqiptarët zgjimi kombëtar kishte arritur një nivel shumë të lartë. Zhvillimi i ngjarjeve në kohën e Krizës Lindore – 1875-1878, i vunë në lëvizje edhe shqiptarët. Për dallim nga lëvizjet e mëhershme, të karakterit feudal, në gjysmën e dytë të shek. XIX, lëvizja tek shqiptarët mori karakteristika kombëtare. Ideologët e Lëvizjes Kombëtare, iluministët shqiptarë të kohës, për dallim nga ata që ishin të lidhur për interesa personale me pushtetin e Portës së Lartë, e kishin vërejtur rrezikun e madh nga rrënimi i Perandorisë Osmane. Andaj, nuk është për tu habitur se pjesa më vizionare e ideologëve të Rilindjes u vunë në ballë të organizimit politik kombëtar, për të fokusuar potencialet e brendshme shqiptare kundër pretendimeve hegjemoniste të popujve fqinj. Një nga format e organizimit politik me karakter kombëtar, e cila doli në skenën historike në gjysmën e dytë të shek. XIX ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Të nxitur nga zhvillimi i ngjarjeve të kohës (Lufta ruso-turko e vitit 1877-78 dhe epilogu i saj, Traktati i Shën Stefanit), ideologët e shquar të Rilindjes Kombëtare u alarmuan me çrast u tubuan në Prizren, tre ditë para se të fillojë punimet Kongresi i Berlinit, ku formuan për herë të parë institucione me karakter kombëtar - Lidhjen Shqiptare, me organet e saj. Me pak fjalë u krijua një Institucion politik kombëtar, i cili do të përfaqësojë të gjitha trojet etnike shqiptare.

Ajo që është për tu theksuar, ideja fundamentale që u hartua nga Lidhja e Prizrenit është unifikimi i trojeve etnike shqiptare, ide e cila mbijetoi në të gjitha kohërat, pavarësisht zhvillimit të ngjarjeve që ndodhën më vonë, pra një ide që vazhdon të mbetet aktualе edhe në kohën e sotme.

Pas shpërthimit të krizës lindore në Bosnjë dhe Hercegovinë më 1875, fqinjët e shqiptarëve, Serbia dhe Mali i Zi, në luftë me Osmanët pësuan disfatë. Disfatat e tyre, i vunë në lëvizje diplomacinë cariste të Rusisë, e cila synonte të zgjerojë ndikimin e saj në hapësirën sllavo-ortodokse në Ballkan. Nga ana tjetër, diplomacia vigjilente angleze propozoi të mbahej një konferencë ndërkombëtare, ku do të shqyrtoheshin çështjet e ngritura nga Rusia. Konferenca i filloi punimet në Stamboll, më 24 dhjetor 1876. Ndërkohë, Porta e Lartë ndërmori një manovër diplomatike duke e shpallur Kushtetutën, me çka u deklaroi përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha se të gjitha çështjet do të zgjidheshin në kuadër të Kushtetutës. Por, me insistimin e Rusisë konferenca ndërkombëtare do ti vijojë punimet në Londër.

Deri sa konferenca ndërkombëtare në Londër i zhvillonte punimet, Rusia ishte në kërkim të aleatëve tjerë evropian për luftë kundër osmanëve. Orvatja e diplomacisë ruse pati sukses – në Budapest të Hungarisë lidhet një marrëveshje e fshehtë midis Austro-Hungarisë dhe Rusisë, e cila nënshkruhet më 15 janar 1877, e hartuar mbi platformën e miratuar gjashtë muaj më parë në Rajhshtat, e plotësuar me një shtojcë më 18 mars 1877. Marrëveshja ruso-austriake e Budapestit siguronte neutralitetin e Austro-Hungarisë në luftën ruso-turke, ku si këmbim Austria do të pushtonte Bosnjën dhe Hercegovinën. Austria siguroi edhe një premtim nga Rusia, sipas të cilit në Ballkan nuk do të vendosej asnjë shtet i madh që mund të kërcënonte sigurinë austriake apo për të bllokuar zgjerimin e ndikimit politik dhe ekonomik austriak në Ballkanin Jugor dhe Lindjen e Afërme.

Një rëndësi të veçantë rreth zhvillimeve politiko-territoriale në Ballkan luajti Kongresi i Berlinit, i cili vendosi për zgjidhje në tryezën diplomatike çështjet rreth krizës që kishte shpërthyer në rajonin ballkanik, pas luftës ruso-turke dhe Traktatit të Shën Stefanit. Por, edhe përkundër përpjekjeve të Lidhjes së Prizrenit për të imponuar ndonjë far zgjidhje të çështjes shqiptare, kërkesat e Lidhjes nuk u shqyrtuan. Ndërkaq, Porta e Lartë nuk tregoi gatishmëri për të biseduar rreth kërkesave të Lidhjes Shqiptare, në veçanti rreth unifikimit të katër vilajeteve, përkundrazi sapo përfundoi Kongresi i Berlinit, Porta e Lartë në vend të bisedimeve me krerët shqiptarë, dërgoi ushtrinë për të shuar Lidhjen.Ajo kishte plane tjera – synonte që nga myslimanët e Perandorisë të krijojë kombin turk.

Pas Kongresit të Berlinit, marrëdhëniet ndërkombëtare u zhvilluan mbi principe të ruajtjes së gjendjes ekzistuese apo siç njihet me fjalorin diplomatik status-quo. Parimi në fjalë e dëmtonte kauzën shqiptare, sepse popujt tjerë ballkanik i kishin avancuar statuset e tyre përmes shteteve të pavarura ose autonomive, me çka u jepej mundësia për zhvillimin e tyre dhe për të bërë plane që në një rast të ardhshëm të konfrontimit me Perandorinë, të pushtojnë edhe pjesët e mbetura të saj në Ballkan, administrimet perëndimore të së cilës ishin troje shqiptare.  

Në gjysmën e dytë të shek. XIX, edhe përkundër faktit se Perandoria Osmane kishte marrë tatëpjetën e saj dhe mund të eliminohej nga Lëvizjet Kombëtare të popujve ballkanikë, Fuqitë e Mëdha nuk lejonin shpërbërjen e P. Osmane për dy arsye kryesore:

E para, ata kishin plane tjera për zgjerimin e ndikimit të tyre në rajon, dhe

E dyta, ata mendonin se shtetet e reja kombëtare në Ballkan do të prishnin Rendin Ndërkombëtar – ekuilibrin e forcës.

Tridhjetë e katër vjet pas Kongresit të Berlinit, pra më 1912, status-quo-ja u shemb me fillimin e Luftës së Parë Ballkanike. Vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913), provuan dështimin e atij parimi të shumëpërfolur.   

Pas ngjarjeve të mëdha që ishin zhvilluar në vitin 1912: Kryengritja e Përgjithshme Shqiptare, Lufta e Parë Ballkanike dhe akti i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, diplomacia e Fuqive të Mëdha u vu para një fakti, i cili nuk mund të anashkalohej, pra të njohë edhe Shqipërinë e pavarur. Fuqitë e Mëdha në parim e njohën shtetin e pavarur shqiptar, por pa përcaktuar territorin se ku do të shtrihej ky shtet. Është për tu theksuar se, përcaktimi i territorit të Shtetit Shqiptar ishte një sfidë më vete për diplomacinë evropiane, e cila u ngarkua me fajin historik, apo thënë ndryshe padrejtësinë që iu bë popullit më të vjetër të kontinentit. Dy kriteret kryesore, mbi bazë të cilit ishin krijuar shumë shtete-kombe në Evropë: kriteri historik dhe kriteri etnik, nuk u përfillën, ndërkaq u përfill kriteri i raportit të forcave.  

Mbështetësja e vetme e Shqipërisë së pavarur ishte diplomacia austro-hungareze, e cila gjithashtu bënte pazare për të ruajtur interesat e saj në rajon. Megjithatë, Austro-Hungaria ishte e vetmja fuqi, e cila ushtronte trysni mbi pushtuesit e rinj të trojeve shqiptare (Serbia, Mali i Zi dhe Greqia), të cilat nuk dëshironin të lëshonin “prenë e kapur”. E mbështetur edhe nga Gjermania, Austro-Hungaria ushtronte trysni për largimin e ushtrive të huaja nga Shqipëria e Londrës. Më 17 tetor 1913 Austria i drejtoi një ultimatum Serbisë nga e cila kërkoi të respektonte territorin shqiptar dhe të tërhiqte trupat e saj brenda tetë ditëve.

 

Sfida shqiptare në përfundim të Luftës së Parë Botërore

 

Në qoftë se pranohet fakti se, diplomacia ekziston për të parandaluar konfliktet, atëherë Lufta e Parë Botërore është një dëshmi e cila shpalosi disfatën e diplomacive të Fuqive të Mëdha.

Interesat egoiste të kombeve të mëdhenj e hodhën qytetërimin evropian në një konflikt më të madh që kishte ndodhur gjatë historisë. Ana pozitive e këtij konflikti ishte dalja në skenën e marrëdhënieve ndërkombëtare e SHBA-së dhe e Presidentit të saj, Udro Uillson, i cili personalisht do të merr pjesë në Konferencën e paqes në Paris, më 1919. Uillsoni, duke e njohur historikun e vendeve dhe kombeve evropiane, hodhi poshtë parimin e diplomacisë evropiane të ekuilibrit të forcës, e me këtë edhe status-quo-në, dhe propozoi vetëvendosjen si parim për zgjidhjen e çështjeve territoriale të kombeve evropiane. Sipas Uillsonit, nuk ishte vetëvendosja ajo që prishte ekuilibrin, por ishte mungesa e saj që shkaktonte luftëra midis kombeve në Evropë.

Ideja e Presidentit të SHBA-së, gjatë punimeve të Konferencës së Paqes së Parisit njihet si dokument i “Katërmbëdhjetë Pikave”, midis të cilave përmenden edhe marrëdhëniet midis shteteve dhe kombeve evropiane: liria e popujve dhe bashkëpunimi i tyre, marrëveshjet, integriteti territorial...Në propozimin e Uillsonit, për të siguruar paqen midis kombeve evropiane, parashihej sigurimi kolektiv, për realizimin e të cilit u krijua Lidhja e Kombeve, një organizatë ndërkombëtare që parashihej të përkujdeset për ruajtjen e paqes në Botë.

Doktrina e Uillsonit për vetëvendosjen dhe sigurimin kolektiv e hodhën diplomacinë e Fuqive të Mëdha evropiane në një terren të panjohur.  

Propozimi i Uillsonit, për aplikimin e parimit të vetëvendosjes me rastin e përcaktimit të hartës politike të Evropës së kombeve nuk u mor parasysh, e kjo do të thotë se harta e re evropiane u krijua mbi kritere egoiste të fituesve. Kështu, mbi territoret e dikurshme të administruara nga Austro-Hungaria u krijua një shtet i ri “eksperimental”, siç ishte Mbretëria e Jugosllavisë, e cila përfshinte Serbinë dhe Malin e Zi, duke u shtuar edhe Bosnjë dhe Hercegovinën, Kroacinë dhe Slloveninë.

Çështja shqiptare e cila kishte mbetur si një zgjidhje gjysmake nga Konferenca e Londrës vazhdoi të mbetet pezull... në hije të “çështjeve të mëdha” evropiane dhe ballkanike.

Më duhet të theksoj se, po të aprovohej propozimi i Presidentit të SHBA-së, Udro Uillson, për aplikimin e vetëvendosjes, diplomacinë evropiane do ta çonte në kahe të zgjidhjes së të gjitha çështjeve të hapura, të cilat kishin mbetur pa u zgjidhur gjatë historisë, pra edhe të çështjes shqiptare.   

 

Sfida shqiptare në përfundim të Luftës së Dytë Botërore

 

Henry Kissinger, njëri prej diplomatëve më të mëdhenj të shek. XX, mes tjerash do të konstatojë, se “Sistemi Ndërkombëtar i padrejtë herët ose vonë vihet në rrezik”. Pra, Sistemi Ndërkombëtar i Versajës, mundi të qëndrojë më pak se dy dekada.  

Mirëpo, parimet mbi të cilat funksiononin marrëdhëniet ndërkombëtare, zakonisht mund të ndryshonin pas zhvillimit të ngjarjeve të mëdha. Një rast i tillë iu dha brezit të ri të diplomacisë së Fuqive të Mëdha, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore.

Me shtrirjen e Luftës së Dytë në Ballkan, çështja shqiptare e ka sfiduar edhe diplomacinë e Fuqive Fashiste. Pas shpërbërjes së Mbretërisë së Jugosllavisë, më 1941, diplomatët fashistë Çiano dhe Ribentrop në Marrëveshjen e Vjenës, e avancuan zgjidhjen territoriale të Shqipërisë. Mirëpo kjo zgjidhje nuk ishte mbi bazë të shtetit sovran, por mbi bazë të një shteti protektorat i Italisë. Ndërkaq, edhe pse “Shqipëria Italiane” nuk u krijua nga vullneti politik i kombit shqiptar, megjithatë kjo iu dha rast shteteve fqinje (Greqia), në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, të fajësojnë Shqipërinë dhe ta vënë atë në bankën e të akuzuarve, si aleate të fashizmit me qëllim të zhbërjes së saj nga harta politike evropiane.

Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, Bota funksionoi sipas parimeve të vendosura në Jaltë. E kjo ishte ndarja e sferave të interesit sipas principit ideologjik. Në Konferencën e Jaltës, të mbajtur nga 4-11 shkurt 1945 diplomacia e vendeve fituese përcaktuan Rendin Ndërkombëtar, i cili hapi një serë problemesh ndërkombëtare të mëvonshme.

Në Deklaratën e Jaltës mbi Evropën e çliruar, të nënshkruar nga Stalini-Çerçili dhe Rusvelti, midis tjerash thuhet: “Presidenti i BRSS, Kryeministri i Mbretërisë së Madhe dhe Presidenti i SHBA-së u konsultuan në interes të përbashkët të popujve të vendeve përkatëse e të atyre të Evropës së çliruar. Ata deklarohen dakord për zbatimin e një politike të përbashkët për të tre qeveritë e tyre gjatë periudhës së përkohshme të paqëndrueshmërisë së Evropës së çliruar... e kjo me qëllim që të ndihmohen popujt e Evropës së çliruar të zgjedhin me mjete demokratike problemet e tyre politike dhe ekonomike më urgjente.

Konferenca e Jaltës praktikisht hapi një etapë të re historike, e cila i ndau kombet dhe shtetet evropiane mes përmes – Jalta përgatiti ndarjen e Evropës në dy blloqe.

Shqiptarët, duke iu përgjigjur thirrjes dhe platformës së Kartës së Atlantikut dhe parimeve të saj, për një botë të re me të ardhme më të mirë, morën pjesë aktive në Luftën Antifashiste, duke shpresuar në zgjidhjen e çështjes së unifikimit kombëtar. Por, edhe kjo shpresë mbeti e parealizuar.

Në rrethana të polarizimit evropian, të përcaktuara nga Fuqitë e Mëdha, shqiptarët u lanë në sferën e ndikimit komunist. Kjo ndodhi edhe për faktin se, komunistët shqiptarë në Shqipëri, kishin arritur ta shtinë në dorë pushtetin qysh gjatë luftës.

Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, në Evropën e ndarë, kombi shqiptarë edhe brenda sferës së ndikimit komunist ishte i ndarë më dysh: shqiptarët në Shqipëri dhe shqiptarët në Jugosllavi, që nuk kishin kurrfarë komunikimi brendakombëtar deri në kohën e rënies së sistemit komunist. Pra, në qoftë se kishte ndonjë komb evropian që ishte i ndarë më keq, ky ishte kombi gjerman, i cili paguante tagrin për krimet e fashizmit.

 

Sfida shqiptare në përfundim të Luftës së Ftohtë

 

Rendi botëror i vendosur pas Luftës së Dytë Botërore, mbi bazë të ndarjeve ideologjike, me rënien e sistemit komunist detyrimisht do të rishqyrtohej. Parimet mbi të cilat do të mbështetej Rendi i Ri Botëror mund të duken nga deklarata e Presidentit të SHBA, Xhorxh Bush: “Ne kemi një vizion të një partneriteti të ri të kombeve që e tejkalon Luftën e Ftohtë. Një partneritet i bazuar në konsultimin, bashkëpunimin dhe aksionin e përbashkët, veçanërisht nëpërmjet organizatave ndërkombëtare dhe rajonale. Një partneritet të cilin e bashkon parimi dhe shteti ligjor. Një partneritet, qëllimet e të cilit janë të shtojë demokracinë, të shtojë begatinë, të shtojë paqen dhe të shkurtojë armët”,[14] dhe pasardhësit të tij, Bill Klinton, i cili shprehet: “Gjatë Luftës së Ftohtë ne u përpoqëm të përmbushnim një kërcënim ndaj ekzistencës së institucioneve të lira. Tani ne përpiqemi të zgjerojmë rrethin e kombeve që jetojnë nën këto institucione të lira, sepse ëndrra jonë është ajo ditë, kur idetë dhe energjitë e çdo njeriu në botë të shprehen plotësisht, në një botë demokracish të lulëzuara që bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe rrojnë në paqe”.

Në përfundim të Luftës së Ftohtë, krahas rënies së sistemit komunist dhe daljen në skenë të sistemit parlamentar shpërbëhet edhe Jugosllavia. Me këtë sërish rilindi shpresa për bashkimin kombëtar të shqiptarëve. Ideja e dikurshme e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për bashkimin e trojeve shqiptare sërish e sfidoi diplomacinë e Fuqive të Mëdha. Mirëpo, menjëherë pas ribashkimit të Gjermanisë, më 3 tetor 1990, diplomacia e Fuqive të Mëdha shpejtoi që përmes organizatës së Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (KSBE), në nëntor 1990, në konferencën e mbajtur në Paris aprovon dokumentin, i njohur si “Кarta për një Evropë të Re”, sipas të cilit përcaktohen parimet themelore rreth marrëdhënieve ndërkombëtare në Evropë. Midis këtyre parimeve theksohen: tre parime kryesore:

 1. Integriteti territorial i vendeve të Evropës;

 2. Mosmbështetja e forcës ushtarake, dhe

 3 .Zgjidhja e kundërthënieve përmes rrugës paqësore.

 Parimet që i vendosën Fuqitë e Mëdha, në të vërtetë mbyllën shtegun e mundshëm për të rihapur çështje të pazgjidhura kombëtare, siç ishte dhe çështja shqiptare.

Në rrethana të reja të krijuara pas shpërbërjes së Jugosllavisë, në vend të unifikimit kombëtar, diplomacia e Fuqive të Mëdha, shqiptarëve të ish-Jugosllavisë u ofron zgjidhje të pjesshme: shtet të ri me emrin Republika e Kosovës (shqiptarët e Kosovës) dhe të drejta kombëtare mbi bazë të përqindjes etnike (shqiptarët e Maqedonisë).

Më duhet të theksoj se Shteti i Kosovës u krijua pas shtypjes së rëndë dhe gjenocidit të shtetit serb kundër shqiptarëve, pas së cilës shpërthen kryengritja shqiptare nën udhëheqjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjendja e krijuar në hapësirat shqiptare të ish-Jugosllavisë nxiti diplomacinë e Fuqive të Mëdha të organizojnë Konferencën në Rambuje. Me ndërmjetësimin e diplomatëve të të ashtuquajturve vende të “Grupit të kontaktit”, synohej një zgjidhje kompromisi midis palëve në konflikt, të cilën Serbia nuk e pranoi. Pas këtij vendimi serb pasoi intervenimi i Aleancës Veriatlantike, e cila realizoi largimin e trupave ushtarake serbe nga Kosova, me çka i hapi rrugë procesit paqësor dhe vullnetit të shumicës etnike për shpalljen e shtetit të pavarur.

Ndërkaq shqiptarët e Maqedonisë, pas një konflikti të armatosur në vitin 2001, midis formacionit ushtarak e njohur si Ushtria Çlirimtare Kombëtare dhe forcave ushtarako-policore maqedonase, arritën të imponojnë një zgjidhje kompromisi, e njohur si Marrëveshje Kornizë. Esenca e kësaj marrëveshjeje është se u ndërrua koncepti etnocentrik i shtetit në koncept multietnik. Në frymën e Marrëveshjes Kornizë u hartua edhe Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë.

Edhe në rastin Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, diplomacia e Fuqive të Mëdha luajti rolin kryesor, pa të cilën pa të cilën konflikti mund të zgjerohej dhe të merrte përmasa të gjera.  

Në të dy rastet, pra të Kosovës dhe të Maqedonisë, bashkimi kombëtar i shqiptarëve mbeti viktimë e parimeve të diplomacisë së Fuqive të Mëdha.

Përfundim

 

Marrëdhëniet ndërkombëtare në Evropë, në shek. XIX dhe XX janë zhvilluar sipas disa parimeve të përcaktuara, në binarë të së cilave diplomacia do ta zhvillojë veprimtarinë e saj. Këto parime nuk mbështeteshin mbi baza morale, por mbi disa koncepte, të cilat kishin për bazë forcën. Parimet, në linjat e së cilave lëvizte diplomacia, në esencë patën të vetmin synim: imponimin e zgjidhjeve në favor të ndonjë Fuqie apo të ndonjë blloku fuqish me interesa të përafërta. Në rrethana të këtilla kundërthënëse, popujt e vegjël mund të luanin vetëm rolin e “veglës” apo “viktimës”. Fatin e viktimës e pati edhe njëri nga popujt më të vjetër të kontinentit, populli shqiptar.

Realitetet politiko-kombëtare në Evropë, gjatë historisë janë krijuar sipas modelit të shtetit-komb apo kombit-shtet (modeli francez apo ai gjerman). Mirëpo, cilido model të përfillej, në rastin shqiptar, në qoftë se ndër parimet bazë mbi të cilat funksiononin marrëdhëniet ndërkombëtare, do të futej vetëvendosja apo plebishiti, si një e drejtë e patjetërsueshme, kurrë nuk do të vinte në pikëpyetje çështja kombëtare e popujve. Me këtë, edhe kombit shqiptar do ti jepej mundësia e përmbylljes së procesit të formësimit të realitetit politik. Më duhet të theksoj se, shqiptarët e mbyllën çështjen e formësimit të brendshëm kombëtar – çështje që varej nga vetë pjesëtarët e tij, por nuk arritën ta mbyllin edhe çështjen e formësimit territorial-politik, çështje kjo që varet nga parimet, të cilat përcaktohen nga qendrat e vendosjes ndërkombëtare.

Ideja për unifikimin e trojeve etnike shqiptare, në kohë të ndryshme u emërtua me nocione të ndryshme, varësisht nga politikat ditore. Kështu, në periudhën pas Kongresit të Berlinit, u emërtua si Autonomi e katër vilajeteve (Kosovës-Manastirit-Shkodrës-Janinës), në periudhën e Luftës së Dytë Botërore u emërtua si Shqipëri e Madhe, në kohën moderne është aktuale Shqipëri Etnike... Pra, në esencë ideja e Lidhjes së Prizrenit, për unifikimin e shqiptarëve, vazhdoi të mbetet një ëndërr parealizuar për të gjithë shqiptarët, e cila kurrë nuk u shtrua për tu zgjidhur në tryezat e diplomacisë ndërkombëtare, dhe të merr epilogun përmbyllës – pra, gjithnjë mbeti një çështje për tu dëshiruar.  

Edhe përkundër faktit se, bashkimi kombëtar shqiptar mbeti sfidë për diplomacinë e Fuqive të Mëdha, ajo kurrë nuk u shtrua si një zgjidhje e tërësishme. Për hir të së vërtetës, ajo u shtrua për tu zgjidhur, por në mënyrë parciale: kështu ndodhi në Londër 1913... Rambuje 1999... Ohër 2001.

Ndodhi kështu edhe për faktin se, ndonëse kombi shqiptar e mbylli çështjen e formësimit të brendshëm të identitetit kulturor, megjithatë është i vetmi komb në Ballkan që nuk arriti të krijojë një qendër të fuqishme politike, ekonomike, kulturore, fetare, administrative, përmes së cilës do të mund të impononte zgjidhjen përfundimtare të bashkimit kombëtar.  

 

Shtoni në: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg

Komente (0 dërguar):

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
OPINION
image

Hamdi Mediu: Arkitektura e urave të Pollogut-Tetovës

Studimi u prezantua në Tribunën shkencore, me temë: “Roli i monumenteve historike në zhvillimin e ...
 Më tepër
FOTOGALERI
PROFILE
image

Krijimtaria e të parit kompozitor të muzikës së kultivuar shqiptare

Kompozitori i veprave të para të muzikës së kultivuar shqiptare dhe i sa e sa ...
 Më tepër
image

Dua Lipa: Femrat do ta udhëheqin botën

Dua Lipa është një ndër këngëtaret më të famshme shqiptare në arenën ndërkombëtare. Krahas shumë ...
 Më tepër