Fillimi | Opinione | PROF. DR. EMIN KABASHI: LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT DHE SHKOLLA KOMBËTARE

PROF. DR. EMIN KABASHI: LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT DHE SHKOLLA KOMBËTARE

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image

Përpjekjet e shteteve fqinje, si të atyre që kishin fituar pavarësinë, si rasti i Greqisë, si të atyre që kishin shprehur hapur kërkesat e tyre për tokat shqiptare, si Serbia dhe Bullgaria, por edhe të atyre shteteve evropiane që kishin vënë ndikimin e tyre mbi pjesën katolike të Shqipërisë së Veriut, siç ishin Italia dhe Austria, lidheshin edhe me pengimin e përhapjes së mësimit në gjuhën shqipe, pra me pengimin e hapjes së shkollave shqipe.

 

Përballë këtyre rreziqeve për shqiptarët, ideja e shkollimit në gjuhën shqipe u hodh së pari nga Naum Veqilharxhi. Ai përgatiti dhe botoi një alfabet në vitin 1844. Veqilharxhi thoshte se në vend të shkollave greke, latine ose turke, shkollimi duhej të bëhej në gjuhën shqipe. Shoqata Kulturore Shqiptare e themeluar në Rumani në vitin 1850 shkaktoi reagimin, si të Perandorisë Osmane, ashtu dhe të Kishës Ortodokse. Veqilharxhi u helmua nga kisha ortodokse më 1854. Më 1864 intelektuali shqiptar Kostandin Kristoforidhi përgatiti dhe botoi gjithashtu një alfabet shqip me qëllim që të përdorej në shkollat në gjuhën shqipe. Burra të mençur shqiptarë nuk mundën më 1871 të merrnin ndonjë premtim nga takimi me Vezirin Ali Pasha në lidhje me lejimin e hapjes së shkollave shqipe.

 

Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe programi kombëtar i shkollës

 

Ngjarja më e ndritur e historisë moderne shqiptare, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, duke krijuar njësinë e tërësisë kombëtare, kishte marrë për barrë të krijonte edhe shkollën kombëtare dhe të mbronte me gjak tërësinë e njësisë kombëtare. Këto dy kahe të veprimit historik të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit janë të pashembullta në historinë e përparme dhe të pastajme të popullit shqiptar. Pse mund të thuhet kështu?

Ka disa arsye madhore, por ne po i zëmë në gojë vetëm dy. Që nga kjo kohë, mungon tërësia e njësisë territoriale kombëtare. Po ashtu, që nga kjo kohë, mungon edhe programi i shkollës kombëtare.

Këto janë dy çështjet që kërkojnë argumentim historik, por edhe kulturologjik, ngase nëse mungon njëri, nuk del i plotë tjetri. Argumenti historik ndonjëherë nuk është i mjaftueshëm vetëm për vetveten. Mungesa e trajtimit kulturologjik i jep dorë vetëkënaqësisë, sa asnjëherë nuk na ka rënë ndërmend të pyesim se në cilin nivel të shkollës shqipe, kudo që ekziston ajo, në Shqipërinë politike, në Kosovë, në tokat shqiptare nën Maqedoninë, në Kosovën Lindore, në tokat shqiptare në Mal të Zi, pa marrë parasysh në janë asimiluar shqiptarët apo është shkretuar faktori shqiptar nga përzënia, pa marrë parasysh faktin se cilën e kanë gjuhë të parë shqiptarët, amtaren apo gjuhën e shtetit ku jetojnë, si dhe pa marrë parasysh se nën çfarë qeverish jetojnë - të djathta apo të majta - pra le të më bindë kush se në cilin nivel të shkollimit të shqiptarëve mësohen shkrimet publicistike, paraqitjet publike, diskutimet parlamentare të Abdyl Frashërit. E dini si mësohet për Ëvetarin e Naum Veqilharxhit apo për atë të Kristoforidhit, njësoj si për librat e parë shkollorë të arumunëve apo të vllehve, njësoj si për librat e klasave të para të pakicave greke, apo turke, serbe, apo boshnjake. Nëse ato vlera të krijuara nga njeriu që i ka prirë krijimit të njësisë së tërësisë kombëtare nuk i njohim sa duhet, atëherë del se ato thuajse nuk ishin pjesë e njësisë kombëtare të shkollës shqipe dhe në fund të fundit, thuajse ato nuk ishin pjesë e njësisë kombëtare të popullit shqiptar, të cilën njësi nuk e kishte kurrë historia jonë kombëtare, sidomos që nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, më 1913 e këndej.

Një çështje tjetër shumë e rëndësishme, në të gjitha dokumentet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në raport me Fuqitë e Mëdha të Evropës, por edhe me fqinjët, ishte përkufizimi i saktë i kërkesave që ruanin njësinë e tërësisë kombëtare, por asnjëherë nuk është harruar edhe ruajtja e njësisë së shkollës kombëtare.

 

Shkolla kombëtare në shërbim të çështje së pazgjidhur kombëtare

 

Rilindja Kombëtare e cila kishte vënë në lëvizje mendjet më të ndritura të shqiptarëve të kohës, duke përkundur dhe rritur edhe mendimin politik, filozofik dhe shoqëror të kohës, ishte bërë frymëzim për gjithë veprimtaritë atdhetare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila kërkesave të Rilindjes sonë kombëtare ia kishte shtuar edhe luftën me armë, për të mbrojtur njësinë e tërësisë së atdheut, në mënyrë që brenda kësaj tërësie të lirë të ngrihej e të zhvillohej shkolla kombëtare.

Kur plasi e ashtuquajtura Krizë Lindore, veprimtarët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit qartësuan jo vetëm qëndrimin ideologjik, por edhe përkufizimin historik të ekzistencës së atdheut, andaj në veprimtaritë e tyre u përshinë të gjitha sferat e jetës kulturore të vendit dhe ato u kthyen, më shumë se në të kaluarën, në një lëvizje atdhetare. Si të tilla, ato u frymëzuan nga lufta politike, diplomatike e ushtarake që zhvilluan shqiptarët nën udhëheqjen e Lidhjes së Prizrenit.

Edhe pse ndonjëherë historia moderne shqiptare, disa nga çështjet që kishte definuar dhe i kishte vënë në veprim Lidhja Shqiptare e Prizrenit, i trajton si hapa të gabuar apo të ngadalshëm, ajo në synimet e saj ishte brenda frymës historike të kohës, kurse kërkesat që shtronte ishin të përmasës kombëtare.

Pak muaj pas daljes në skenën e historisë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, me gjithë programin e saj historik e kulturor, pra çlirimtar dhe arsimues, Evropa ende i jepte vetes të drejtë të vendoste në dëm tonin, qoftë edhe për të mos i prishur interesat e saj me fqinjët tanë të cilët i lakmonin tokat e atdheut tonë. Megjithëkëtë, prijësit e Lidhjes, jo vetëm që iu kundërvunë me armë synimeve grabitqare të fqinjëve ballkanikë, por bënë përpjekje t’ia sqaronin mendësisë evropiane se cilat ishin themelet e një kombi modern.

 

Kombi dhe shteti si njëjtësues të shkollës kombëtare

 

Nëse lexuesi i sotëm merr mundimin për të shfletuar historinë e një shekulli më parë, qoftë edhe vetëm të përpjekjeve për të hapur dhe për të mbajtur gjallë shkollën shqipe, do të bindet që në hapat e parë të kërkimit të tij, për ekzistencën e njësisë së tërësisë kombëtare, ku duhej të hapeshin shkollat shqipe. Në të vërtetë kështu kishte ndodhur. Nuk janë shumë me rëndësi vitet se ku dhe kur është hapur akëcila shkollë e kohës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që ishte e frymës së Rilindjes Kombëtare shqiptare, por ishte me rëndësi se ato preknin të gjitha pikat e shtrirjes së tërësisë gjeografike të atdheut, që quhet Shqipëri etnike.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit kishte vënë në lëvizje, jo vetëm organizimin ushtarak për të mbrojtur tërësinë e atdheut, pra edhe njësinë e kombit, por edhe mendjet e ndritura të kohës, duke krijuar kështu një superstrukturë intelektuale.

Në artikujt e botuar në pranverë të vitit 1878, rilindësit e shihnin si përbërës të kombit gjuhën e përbashkët, territorin e përbashkët, historinë e përbashkët dhe jetën shpirtërore të përbashkët (të cilën ai e kërkonte jo në fenë e përbashkët, por në fushën e dokeve, të zakoneve, të tregimeve, të këngëve, të valleve dhe të virtyteve të përbashkëta) dhe mbi të gjitha, aspiratën për të formuar një shtet të përbashkët. Kështu, lëvizja kulturore shqiptare, në fushën ideologjike përvetësoi njërën nga konceptet filozofike më të përparuara të shek. XIX. Lëvizja kulturore shqiptare e shtriu këtë koncept të përparuar edhe në truallin e veprimtarisë politike.

Thirrje të tilla si ajo e Pashko Vasës: E mos shikjoni kisha e xhamia / Feja e shqyptarit asht shqyptaria! - u bënë shumë popullore në Shqipëri. Ky laicizim i ndërgjegjes kombëtare, i cili gjatë viteve të Lidhjes së Prizrenit përparoi me hapa të shpejtë, pushtoi pothuajse të gjitha fushat e jetës kulturore të vendit.

Ndërmjet traktateve politike të këtyre viteve, vendin kryesor e zë vepra ”E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”, e cila u botua më 1879 frëngjisht, anglisht e gjermanisht, kurse një vit më vonë u përkthye turqisht e greqisht. Me këtë vepër autori kishte për qëllim, sikurse shkruante vetë, ta bënte të njohur popullin shqiptar para botës së qytetëruar “me cilësitë, me të metat, me nevojat dhe me shpresat e tij”, të tregonte origjinën e tij si një nga popujt më të lashtë të Evropës, të përshkruante fazat që ai kishte kaluar gjatë shekujve, ta mbronte nga armiqtë keqdashës që e kishin përbuzur dhe të argumentonte të drejtat kombëtare që i takonin, duke përfshirë edhe atë të bashkimit të vilajeteve shqiptare në një vilajet të vetëm, që do të shënonte një hap drejt autonomisë së Shqipërisë.

Në rast se Shqipëria do të copëtohej midis fqinjëve të saj, Gadishulli Ballkanik nuk do të kishte kurrë qetësi, pasi shqiptarët nuk do hiqnin asnjëherë dorë nga lufta për të fituar të drejtat e tyre kombëtare. Përkundrazi, theksonte Abdyl Frashëri, në rast se Shqipëria i fiton të drejtat e saj, “do të vijë dita kur Evropa do të bindet se shqiptarët i shërbejnë çështjes së njerëzimit dhe të qytetërimit, më mirë se çdo popull tjetër i Lindjes”.

Nismën për zgjidhjen e këtyre dy detyrave e mori drejtpërdrejt Komiteti i Stambollit. Për këtë qëllim, ai formoi qysh në fillim të vjeshtës së vitit 1878, një komision të gjerë prej 25 vetësh, i cili ngarkoi një komision të ngushtë prej 7anëtarëve (Sami Frashëri, Jani Vreto, Pashko Vasa, Hoxha Tahsini, Koto Hoxhi, Ibrahim Bërzeshta, Said Toptani), për të zgjidhur çështjen e alfabetit të përbashkët. Sikurse shprehej disa ditë më vonë Thimi Brandi në një letër që i drejtonte Jani Vretos, formimi i Komisionit kulturor u përshëndet si një hap i rëndësishëm që “do të vinte themelet e gjuhës shqipe”.

Në qershor të vitit 1878, në ditët e themelimit të Lidhjes së Prizrenit, u botua në Aleksandri të Egjiptit vepra madhore e Thimi Mitkos “Bleta shqiptare”, në të cilën qenë përfshirë mjaft këngë popullore historike të krijuara gjatë dhjetëvjeçarëve të mëparshëm nga poetët anonimë të krahinave të ndryshme të Shqipërisë.

 Ky punim shkencor është prezantuar në Konferencën shkencore me temë: “LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT DHE ÇËSHTJA KOMBËTARE SOT”,  të organizuar nga Shoqata për kulturë dhe art ,,Tradita”, në Tetovë, më 10 qershor  2015.

 

Shtoni në: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg

Komente (0 dërguar):

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
OPINION
image

Hamdi Mediu: Arkitektura e urave të Pollogut-Tetovës

Studimi u prezantua në Tribunën shkencore, me temë: “Roli i monumenteve historike në zhvillimin e ...
 Më tepër
FOTOGALERI
PROFILE
image

Krijimtaria e të parit kompozitor të muzikës së kultivuar shqiptare

Kompozitori i veprave të para të muzikës së kultivuar shqiptare dhe i sa e sa ...
 Më tepër
image

Dua Lipa: Femrat do ta udhëheqin botën

Dua Lipa është një ndër këngëtaret më të famshme shqiptare në arenën ndërkombëtare. Krahas shumë ...
 Më tepër