Fillimi | Opinione | PROF. DR. NEBI DERVISHI: QENI MOLOS, DELTARI ILIR, QENI I SHARRIT NË TRADITËN KULTURORE DHE HISTORIKE SHQIPTARE

PROF. DR. NEBI DERVISHI: QENI MOLOS, DELTARI ILIR, QENI I SHARRIT NË TRADITËN KULTURORE DHE HISTORIKE SHQIPTARE

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image

Prej kohësh e kam bërë objekt studimi “Qenin e Sharrit”, qenin Molos apo  qenin - Deltarin Ilir, i cili është autokton në trojet etnike shqiptare, në Ilirinë antike. Ky qen njihet prej shumë kohësh dhe se përmendet në historinë e Ilirisë, ku njihet me emrin edhe Qeni Dardan. Qeni është kafshë gjitar shtëpiak e mishngrënës e familjes së qenve (Canida) me trup mesjetar e të mbuluar me qime, nuhatje të mprehtë. Qeni është e para kafshë e zbutur nga njeriu. Ka raca e e lloje të përhapura , kudo. Si p.sh. 1. Qentë kufitar të gjahut; 2. Qentë hibridë; 3. Qentë e artë të gjahut; 4. Qentë Labrador të gjahut; 5. Spanjelët lavalierë; 6. Qentë me hundë të shtypur; 7. Qentë ujqër  irlandez; 8. Gjahtarët skocez të dhenve; 9. Spanjelët annglez veshërënë; 10. Languat; 11. Qentë skocez të stanit; 12. Dachshundës; 13.Spanjesët anglezë kërcyes; 14. Zagarët; 15. Pastorët gjermanë; 16. Qentë kufitar me qime të butë ngjyrë gruri; 17. Njufaundlendët; 18. Qentë hybrid të pastër; 19. Bichon Frise; 20. Maltezët etj.  Thuhet se qeni është miku më besnik i njeriut. Këtë s’do të kishte guxim ta diskutonte askush me adhuruesit e qenve, prandaj po e marrim sit ë vërtetë.  Dashamirësit e qenve flasin me orë të tëra për bëmat e kafshëve që  mbajnë në shtëpi, ndërsa ata që nuk i kanë shumë qejf mendojnë se kush e di sa të vetmuar ndihen njerëzit përderisa kalojnë kaq kohë me ta, madje edhe flenë me ta. Ekspertët thonë se ekzistojnë 109 raca të ndryshme, pa përmendur me qindra raca hibride të tyre. (FESH, 1985, Tiranë, 891 – 892). Në relievet ilire, të gjetura gjatë gërmimeve arkeologjike, pranë Zanës (Dianës, hyjneshë  e gjuetisë) ka figura Qeni për gjueti. Për gjuetinë e shpendëve sot përdoren zagarët që janë qenë me trup të fuqishëm e të hijshëm, me nuhatje shumë të zhvilluar (“punuar”, “Seter”, “brak”, etj.). Për gjuetinë e kafshëve (lepujve, derrave, kaprojve, dhelpër, etj), përdoren zagarët ndjekës, të cilët quhen ndryshe “langonj” e që janë vrapues të shkathët me këmbë të gjata dhe turi të mprehtë. Si udhërrëfyes e ruajtës i tufave të gjësë së gjallë përdoren qentë bagëtish: A. me trup të vogël, që kryesisht ishin për paralajmërim dhe B. me trup të  madh e të fuqishëm sulmues, si qeni i barinjve ose i stanit, (Po aty). Deltari Ilir është plot fuqi, i madh, kënddrejtë, qimegjatë, deltar i pazëvendësueshëm dhe ruajtës i mirë i kopeve, i fuqishëm, me pamje të vendosur, me kokë masive, ndërtim të thukët, me këmbë të fuqishme dhe muskulore. Ka shikim të zjarrtë, inteligjent dhe është i guximshëm. Ka karakter të pa djallëzuar, është i ashpër kur e kërkon nevoja, por jo agresivë (Dhimitër Pilika, Pellazgët – Origjina jonë e mohuar, Tiranë, 2006, f. 242). Qeni i bardhë ka qenë simbol i mirëfilltë i Molosëve. Për cilësitë e tij të veçanta racore, si qen mbrojtës stani, madje edhe kundër ujkut, si langua ose bashkëluftëtar,  ai ka hyrë në mbarë gjuhët e botës, deri më sot, me emrin QENI MOLOS, bile shpesh herë vetëm “MOLOS” (po aty).

Duke shfletuar Enciklopedinë “Mi – An – Ova”, në zërin “Qeni i Sharrit”, do të shënojmë se: “Qeni i Sharrit – nga Maqedonia, është i lartë më shumë se 60 cm, me qime të gjata. Ngjyra e qimeve mund të jetë e bardhë e murrme dhe si krem e kombinuar, deri edhe me ngjyrë kafeje të mbyllur, e cila shndritë  edhe te këmbët. Konsiderohet si pasardhës i drejtpërdrejtë i qenit të bagëtive (staneve) të Epirotëve të lashtë të quajtur sipas një fisi ilir, Molos. Si lloji i veçantë ndërkombëtarisht është njohur në vitin 1939, me emrin “QENI ILIR – Mi – An – Ova” Enciklopedia, Tom. IV, Skopje, 2006, str 1956).

Për këtë mik besnik të njerëzve, vetitë e larta të të cilit qenë arritur nga stërgjyshërit tanë, pas përzgjedhjes shekullore shprehen shumë autorë të lashtë helenë, romak e bizantinë, si: Apollodori, Apiani, Aristofani, Aristoteli, Aleksi, Alkifoni, Atheneu, Diogjeni, Learti, Eliani, Enea, Taktiku, Horaci, Kyti i Miletit, Poluksi, Nikandri, Seneka, Suda, Virgjili, Varroni e të tjerë. (“Ilirët e Iliria, Burimet e autorëve antik”, Prishtinë 1979). Filozofi i madh Aristoteli thekson  posaçërisht se “QENI MOLOS ISHTE I BARBARTË ME BISHAT PËRSA I PËRKET TRIMËRISË”. “Ndërkaq përvijon luftën midis Paionëve pellazgo – ilirë dhe perintasve trakas, Herodoti ndalet te këto hollësi: “… U NDESHËN BURRË ME BURRË, KALË ME KALË, E QENË ME QENË…”  Edhe Aristofani në veprën “Gratë në festë e Tesmoforive”, në mes tjerash përmend “Qenët Molos mbanin për të trembur ato që donin të shkelnin besnikërinë bashkëshortore”. (Dh. Pilika, “Pellazgët, origjina e mohuar, faqe 242). Shumica e autorëve antikë, theksojnë se “TË PËRMENDUR ISHIN NË ATË KOHË QENTË E GJAHUT TË MOLOSISË. POR AKOMA MË TË SHQUAR ATA QË RUANIN KOPETË E BAGËTIVE”. Këta të fundit, sipas burimeve të shkruara, ua kalonin qenëve të tjerë për trupine  tyre të lartë dhe guximin e madh në kacafytje me bishat e egra” (Historia e popullit shqiptar, Vëll.I, Tiranë, 2002, faqe 47).  Pra, nga qindra raca të ndryshme të cilat janë shpërndarë në gjithë botën, edhe shqiptarët e kanë racën e tyre autokton që njihet me emrin DELTARI ILIR ose QENI I SHARRIT. Raca autoktone “Diletari Ilir” – është racë e vjetër, që vjenë nga thellësia e shekujve dhe mijëvjeçarëve, e cila daton më shumë se 3 mijë vjetë, për të cilin ka dokumente të shkruara, duke filluar prej kohëve të pellazgëve, të cilët i kanë quajtur si ruajtës të kopeve dhe bashkësive territoriale që kanë jetuar njerëzit në bashkësinë primitive në fazën e shthurjes të rendit gjinor. Ndërkohë, më vonë sipas gjuhës që është folur në Ilirikun Jugor apo në atë Verior kanë pasur emrat e tyre karakteristik.  Filozofi Platon i ka quajtur qenët e Epirit ruajtës,ndërsa më vonë në Epirin e Jugut i kemi Qentë Molos dhe qentë e Epiros. (Emrin e ka marrë sipas Mbretit Pirro).

Deltari Ilir ose Qeni i Sharrit është racë Ilire e krijuar në Gadishullin Ilirik (Ballkanik) para mijëra viteve. Rreth krijimit të kodit gjenetik të kësaj race ekzistojnë dy teori: E para thotë se kanë prejardhje nga qentë e Kaukazit para 2500 viteve, teori e cila nuk qëndron dhe teoria e dytë thotë se kanë prejardhje nga dega Indisë (Tibetit, e cila ka ardhur para mijëra viteve në kohën e Lekës (Aleksandërit të Madh) në Gadishullin Ilirik, rreth viteve 334-323 p.e.s., në trojet ilire ku është kryqëzuar me qentë vendas dhe në këtë mënyrë janë krijuar QENTË MOLOS.  Në ato troje ka banuar fisi i njohur ilir Molosët, të cilët janë marrë me bujqësi ekstensive dhe kanë kultivuar qentë autoktonë, prej të cilëve e ka prejardhjen dhe ekziston raca autoktone Deltari Ilir. Në njëqind vitet e fundit si në aspektin morfologjik të emërtimit, ashtu edhe në atë të karakterit (tipareve) është prezantuar në mënyrë të shtrembëruar para opinionit botëror. Edhepse prezantohet se kjo racë është e njëjtë me racën e cila është regjistruar në FCI (Federata e Kinologëve Internacionale), së pari me emrin Deltari Ilir (Ilirski ovçar) në vitin 1939, pastaj me insistimin e Federatës Kinologjike të Jugosllavisë të Titos, në vitin 1957, për qëllime të caktuara politike, që neve shqiptarëve të na mohojnë çdo gjë autoktone, është ndryshuar emërtimi në Jugosllovenski ovçarski , Sharplaninac”.

 Deltari Ilir në mënyrë absolute ndryshon si në aspektin morfologjik, ashtu edhe për nga karakteri me “Sharplanincin”. Është me rëndësi të themi se nga ky lloj i qenve janë marrë ekzemplarë dhe janë shpërndarë nëpër Jugosllavinë e atëhershme dhe nga kinologët e ndryshëm si dhe nga ushtria jugosllave (APJ) janë bërë eksperimente me ta duke i përzier me raca të tjera dhe e kanë krijuar racën të cilin e njohin dhe është e pranuar në FCI me emrin “Jugosllovenski Ovcarski, Sharplaninac” dhe parametrat e standardit të cilat i ka sot “Sharplaninci” nuk përputhen me parametrat e standardit të cilat i ka Deltari Ilir.

Se si dhe ku i kanë marrë ato parametra kinologët jugosllavë dhe si kanë ardhur deri tek ai standard i tyre, vetëm ato e dinë. Në Kosovë, këtë racë e quajnë Deltar (QENI I DHËNËVE), kurse në Shqipëri po ashtu e kemi një racë të ngjashme, por për nga madhësia janë më të vegjël diku nga 65 cm – 70 cm, rreth 45 kg, janë qime shkurtër dhe quhen “qenë stanesh”, por janë të pa standardizuar.  Deltari ilir ose Qeni i Sharrit prej shumë kohësh njihet dhe përmendet në historinë e Ilirisë edhe me emrin QENI DARDAN. Deltari ilir është plot fuqi, i madh, kënddrejtë, qimegjatë, është rojtar i mirë, deltar i pazëvendësueshëm, efektiv në shërbimet e ndryshme në polici dhe roje e fortë e kufijve. Është i fuqishëm, me pamje impozante, me kokë masive, me lëkurë e trup të shtrënguar, me trup të fuqishëm dhe të ashpër, ndërtim të thukët, me këmbë të fuqishme dhe muskulozë.  Me këto karakteristika lenë përshtypjen e qenit impozant dhe aspak të ngathtë. Me shikimin e zjarrtë tregon inteligjencën dhe guximin. Është me karakter të padjallëzuar, por i ashpër dhe jo agresivë. Është i arsyeshëm e krenar, i mençur dhe i vendosur. Ka talent të drejtë - peshueshëm dhe është zemërmirë. Ka aftësi për mbrojtje, për luftë, i ashpër kur e kërkon nevoja, është qen i shërbimeve të ndryshme, ka harmoni trupore dhe mund të aklimatizohet në kushte të ndryshme klimatike, si te ne, po ashtu edhe në viset e tjera. Kinologët serbë, plasojnë gjithnjë e më shumë tezën se prejardhja e qenit është serbe, madje qentë e anës tjetër të Sharrit, asaj serbe (!) (Dikur, se sot është e Kosovës), janë më të shumtë në numër dhe më të mirë sesa të Sharrit të Maqedonisë. Nga ana tjetër, kinologët maqedonas dyshtetësinë me të cilin është regjistruar qeni e argumentojnë me faktin se kompromisi i bërë në vitin 1995 në FNK erdhi si pasojë e frikës që kishin serbët në rast të anëtarësimit të Kosovës në këtë federatë, me çka Serbia do të humbte racën e QENIT TË SHARRIT, pasi kjo pjesë ku rritet ky qenë, gjendet në territorin Kosovar. Agjencia serbe e lajmeve “tanjug: shkruan se qeni, pas regjistrimit në vitin 1939 si “QENI BARI I ILIRISË”, tetëmbëdhjetë vite më pas (1957), propozimit të Lidhjes Jugosllave të Kinologëve, mori edhe emrin që e mban tani. Por, Jugosllavia nuk ekziston më, u zhbë. Edhe deri tani kemi pasur konteste lidhur me faktin se si do të quhet maqedonas apo serb, emri tij zyrtar nuk ka ndryshuar. Megjithatë, Serbia e ka argumentuar se Qeni i Sharrit është i saj, duke pasur parasysh faktin se kjo racë gjendet në numër më të madh në territorin e saj” – ka deklaruar Mahmud al Dagistani, sekretar i Lidhjes së Kinologëve të Serbisë. Por, sipas homologut të tij nga Maqedonia, Sllobodan Milloshovskit, “kjo race i takon Maqedonisë, pasi është i përhapur jo vetëm në Malin Sharr, por edhe në ato të Korabit, Jakupicës dhe Bistrës”.

Një kultivues serb, Nenad Stojmenoviq,  insiston se kjo racë i takon Serbisë, pasi vetëm qentë serbë, janë më cilësorë dhe më të shumtë në numër sesa ato të Maqedonisë. “Madje, edhe pse Kosova njihet si shtet, shqiptarët e kanë pagëzuar si DELITARI ILIR, qenin që është i ngjashëm me atë të Sharrit, dhe si të tillë e kanë dorëzuar në FNK, me standard të ri”, thotë Stojmenoviqi. Qeni i Sharrit dhe origjina e tij ka qenë në fokusin edhe të medieve të huaja. Gazetarja Suzana Blau, për revistën “In Motion”, që merret me kafshët shtëpiake, të realizuar në Shqipëri, thotë se “Maqedonasit janë të çmendur pas këtij qeni të bukur. Ata e kanë atë si një qen emblemë dhe e kanë përfshirë në monedhën denar të tyre dhe në pulla postare”.  Natyralisti britanik Tomas Braun, si dhe ata francezë: Xhosh Kuvje dhe Pir Andre Latrej, e lidhin ekzistencën e kësaj kafshe të rrallë me Molosinë dhe Spartën. Në studimet e tyre theksohet se kjo racë haset në disa zona, por  më së shumti në Shqipëri.  Me një përjashtim të vogël, të gjithë e anashkalojnë faktin se kjo racë qeni, që në Kosovë quhet Deltari Ilir ndërsa në Shqipëri “Qen Stani”. Madje kohëve të fundit mediumet kosovare shkruanin se maqedonasit po e vjedhin këtë racë qeni”. E para gjë që vërehet te Deltari Ilir, është koka e madhe dhe tepër e dukshme. Ajo përfshin 40 % të lartësisë trupore. Lartësia e qenit është 60 -65 cm, kurse gjatësia 110 – 120 cm. Perimetri i gjoksit shkon nga 85 cm deri 95 cm, kurse gjerësia në shpatullat 30 – 35 cm. Pasha trupore rreth 40 – 50 kg, por edhe më shumë. Pra,rezulton se ai ka një trup masiv dhe të fuqishëm,që shoqërohet me një kokë të madhe pra,pikërisht ky është edhe tipari më karakteristik i kësaj race qeni. Forma e kokës së qenit Molos është mesatare “mezocefal” /as e ngushtë,as e shkurtër e as e gjerë, por e fuqishme. Ballin e ka të gjerë dhe pak të rrumbullakët, kurse sa i përket tipit të kokës ,ajo është “LUPOIDO-MOLLOSOIDE”. Theksojnë se termi “mollosoid”, është huazuar pikërisht nga emërtimi i tillë i qenve që mbanin fiset ilire të Mollosisë (në Epir) në antikitet dhe që përdoret sot në shkencën kinologjike, për të treguar qentë me trup të madh dhe shumë të fuqishëm. Edhe një tipar tjetër i veçantë i këtij qeni, është forma dhe pozicioni i veshëve. Ata janë relativisht të gjatë, kanë formën e trekëndëshit të varur, janë të puthitur mirë, mbulojnë vrimat e veshëve dhe janë të përqendruar larg njëri - tjetrit. Me gjatësinë e tyre ata arrijnë gati në nofullën e poshtme, por zakonisht priten pjerrtas. Ndryshe ndodh p.sh. me Deltarin Ilir, të cilit përgjithësisht nuk i priten veshët. Prerja e veshëve të qenit është një traditë e barinjve në Jug të Shqipërisë. Ajo bëhet me qëllimin, që edhe në gjumë veshët të mos pengojnë dëgjimin, e qeni të jetë sa më vigjilent. Ky qen është shumë i shkathët, i zgjuar dhe shumë besnik ndaj padronit, i dëgjueshëm, roje i shkëlqyer i bagëtive, aq sa është në gjendje të njoh bagëtinë që ruan dhe të larguar nga tufa, çdo krerë tjetër që futet në tufë. Tradita na tregon se barinjtë përpara se të blejnë bagëti të tjera për shtesë, i marrin ato  dhe i mbajnë veç me qentë e kopesë, me qëllim që kafshët të ambientohen me ta për disa ditë, e më pas i fusin në tufën e madhe.

 Po të tentosh ta qëllosh, qeni është mjaft i egër dhe nuk tërhiqet mbrapa po nuk të kafshoi, aq sa thonë që “MOS E NGACMO SE AI NUK DI TË MBAJ SHKOP”. Ka edhe shumë autorë të tjerë që flasin për qentë molos, duke filluar këtu nga Mesjeta me Stefan Bizantinin duke vazhduar me një autor britanik. Delebare Blaine e cilëson gjenetikisht shqiptar”), e që vazhdon deri në ditët e sotme me autorë si: Obrad Skipic – V. Bojovic – Marina Mojovic “Sarplaninci”; Prof. Dr.A.Pavlovi,’’Zapostavljen karakter’’,ZOV,Beograd ,1987.e tj. Shpesh, kohëve të fundit tentohet me qëllime të caktuara të ngatërrohen dy raca autentike shqiptare dhe për fatin e mirë tonin ato janë dy e jo një sikurse bëhen përpjekje viteve të fundit. Qeni i Sharrit dhe Qeni Molos,që të dy tipat kanë identitet të njëjtë,por kanë diferencat e tyre qe mund të dallohen nga ekspertët e kinologët, por  ajo çka është më e rëndësishme edhe pse deri sot ka ngelur e pa trajtuar dhe mbrojtur siç duhet, është se “TË DY LLOJËT JANË SHQIPTARË” dhe QË TË DY TË ARDHUR NGA LASHTËSIA.

Kjo duhet mbrojtur si një vlerë historike dhe të etnologjisë kombëtare.

 Trajtesë e mbajtur më 22 nëntor 2016 në Kumanovë, në Konferencën shkencore ndërkombëtare:“RËNDËSIA E MBLEDHJES DHE STUDIMIT TË FOLKLORIT DHE ETNOGRAFISË”

 

 

Shtoni në: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg

Komente (0 dërguar):

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
OPINION
image

Hamdi Mediu: Arkitektura e urave të Pollogut-Tetovës

Studimi u prezantua në Tribunën shkencore, me temë: “Roli i monumenteve historike në zhvillimin e ...
 Më tepër
FOTOGALERI
PROFILE
image

Krijimtaria e të parit kompozitor të muzikës së kultivuar shqiptare

Kompozitori i veprave të para të muzikës së kultivuar shqiptare dhe i sa e sa ...
 Më tepër
image

Dua Lipa: Femrat do ta udhëheqin botën

Dua Lipa është një ndër këngëtaret më të famshme shqiptare në arenën ndërkombëtare. Krahas shumë ...
 Më tepër