Fillimi | Opinione | SELAM SULEJMANI: NJË AGJENDË KOMBËTARE PËR NËNTORIN TONË

SELAM SULEJMANI: NJË AGJENDË KOMBËTARE PËR NËNTORIN TONË

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image SELAM SULEJMANI: NJË AGJENDË KOMBËTARE PËR NËNTORIN TONË

Kryeministri i parë i shtetit shqiptar, Ismail Qemali, pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 1912, për ministër të Luftës, përkatësisht ministër të Mbrojtjes, e emëroi  Mehmet Pashë Derallën nga fshati Gradec i Pollogut. Shteti amë - Shqipëria, në nëntor të këtij viti do të shënojë 105-vjetorin e mëvetësisë së saj. Në rrugëtimin njëqindvjeçar, Shqipëria ka njohur ngritje-uljet e saj në të gjitha fushat dhe veprimtaritë shtetërore. Faktorizimi i kombit shqiptar në Ballkanin perëndimor, sigurisht se ka kaluar përmes faktorizimit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Sot Shqipëria nga “sytë” rajonalë dhe botërorë shihet si një nga shtetet që luan një rol të rëndësishëm në zhvillimet  e përgjithshme gjeopolitike dhe gjeostrategjike.

Me Shqipërinë - anëtare të NATO-s, kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pjesëmarrëse e rregullt në misionet ndërkombëtare krah për krah me miqtë tanë amerikanë  dhe evropianë krenohen dhe mburren  të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë dhe veprojnë.

Mirëpo, njëra nga pyetjet që duhet t’ia shtrojmë vetvetes apo njëri-tjetrit, është: Sa bashkëpunojnë shqiptarët  në lëmin e politikës, të ekonomisë, të arsimit, të kulturës, të sportit….?

Debati politik aktual që zhvillohet sot në shtetet, përkatësisht në trojet shqiptare lë për të dëshiruar dhe hap dilema të caktuara, kur vërehet qartë një “krisje” marrëdhëniesh mes politikanëve, partive apo grupeve të ndryshme politike.

Mosdarkordimi midis aktorëve politikë, sigurisht  ka “dhënë” efektet  edhe në lëmenjtë e tjerë, si: në arsim, në kulturë, në sport, etj, etj. Hartimi i AGJENDËS KOMBËTARE është imperativ i kohës, aq më tepër kur dihet mirëfilli se pjesa dërmuese e shqiptarëve  e presin një angazhim të tillë nga përfaqësuesit e vet. S’ka dyshim se çështja shqiptare në tërësinë e saj ka ecur përpara dhe si e tillë është e pakthyeshme.

Historikisht, arsimi ka luajtur rolin kryesor në ruajtjen dhe në zhvillimin e një kombi.  Sidomos elitat akademike nga mbarë trevat etnike shqiptare e kanë kryer detyrën ndaj kombit në periudhën e Rilindjes Kombëtare, në kohën e Pavarësisë si dhe në periudhat e mëvonshme.

E kaluara jonë historike dëshmon se, pavarësisht rrethanave të vështira të kohës, reprezaljeve, presioneve më çnjerëzore nga pushtuesit, nga sunduesit dhe nga armiqtë tanë, kokat e ndritura të kombit kanë ditur të veprojnë me mençuri dhe me vizion për të ardhmen e brezave.

 Me këtë rast mjafton të përmendim:

- Vendimin e Ministrit të Arsimit të shtetit shqiptar - Ernest Koliqit për t’i dërguar pishtarët e arsimit në pjesën etnike shqiptare, pra në këtë pjesë të trungut të atdheut – Shqipërisë, për të përhapur arsimin në gjuhën amtare;

- Themelimin e Universitetit të Tetovës më 1994;

- Luftërat e lavdishme shqiptare, të UÇK-së në Kosovë në 1999, të UÇPMB-së në Kosovën lindore në vitin 2000, të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në vitin 2001;

- mobilizimin mbarëkombëtar në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, etj.

Fryma e bashkëpunimit vëllazëror ka rrënjë të hershme, pavarësisht ndërprerjes në periudhën komuniste. E njëjta sot kultivohet, edhe pse jo në format e duhura institucionale.

Sot, komunikimin dhe bashkëpunimin zyrtar institucional e respektojnë më shumë institucionet e shkencës, të arsimit të lartë, sidomos universitet publike shqiptare, si: Universiteti i Tiranës, Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Tetovës dhe disa universitete të tjera të cilat, pavarësisht zhvillimeve në periudha të ndryshme, kanë arritur rezultate të rëndësishme për gjuhën, për letërsinë, për etnokulturën dhe për historinë shqiptare.

Universitetet tona organizojnë sesione të shumta shkencore. Si një ndër më të rëndësishmet mund ta veçojmë Seminarin Ndërkombëtar të Albanologjisë i cili ndër vite përcjell mesazhe bashkëpunimi dhe respekti për të gjithë ata që e vlerësojnë arsimin, shkencën dhe kulturën.

Praktikat e tilla dhe kjo histori suksesi duhet të merret si  model  edhe nga institucionet e tjera shqiptare. Shoqëritë demokratike dhe institucionet, te udhëheqësit dhe te inteligjencia e vet  shohin zhvillimin kombëtar dhe të ardhmen e  gjeneratave të reja.

Ne tashmë kemi hyrë në NËNTORIN TONË dhe shqiptarët gjithandej kanë filluar përgatitjet për shënimin e Ditës së Alfabetit dhe të Ditës së Flamurit. Sigurisht se duhet përgëzuar ato pak institucione që do t’i shënojnë festat e nëntorit, por do të ishte më kombëtare dhe më madhështore që këto data historike të tubonin PARINË E KOMBIT, si dikur kur kuvendonin Mithat Frashëri, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Gjergj Qiriazi, Nikollë Kaçorri,  Shahin Kolonja, Fehim Zavalani, Mati Logoreci, Ndre Mjeda dhe shumë të tjerë, të cilët sakrifikuan veten dhe e shkrinë pasurinë e tyre për unifikimin  e kauzës kombëtare.

 E kaluara jonë dhe orientimi drejt së ardhmes, e obligojnë Qeverinë e Shqipërisë, atë të Kosovës si dhe përfaqësuesit legjitimë në mbarë hapësirën shqiptare, të ngrihen në lartësinë e duhur të përgjegjësive institucionale, në funksion të bashkërendimit të proceseve dhe unitetit mbarëkombëtar.

Autori është kryetar i Shoqatës për kulturë “Tradita” - Tetovë  

 

 

Shtoni në: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg

Komente (0 dërguar):

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
OPINION
image

Universiteti i Kombit dhe Kombi i Universitetit

Selam Sulejmani Universiteti i Tetovës për shqiptarët e vendit tonë dhe më gjerë paraqet “Atdheun” e ...
 Më tepër
FOTOGALERI
PROFILE
image

Krijimtaria e të parit kompozitor të muzikës së kultivuar shqiptare

Kompozitori i veprave të para të muzikës së kultivuar shqiptare dhe i sa e sa ...
 Më tepër
image

Dua Lipa: Femrat do ta udhëheqin botën

Dua Lipa është një ndër këngëtaret më të famshme shqiptare në arenën ndërkombëtare. Krahas shumë ...
 Më tepër