Fillimi | Opinione | Struktura e dialektit të shqipes, çfarë po ndodh sot?

Struktura e dialektit të shqipes, çfarë po ndodh sot?

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image Struktura e dialektit të shqipes, çfarë po ndodh sot?

Një ndërmarrje shkencore e vështirë, e guximshme dhe me përgjegjësi, akademiku Bahri Beci kështu e cilëson botimin e tij të ri, të sapodalë nga shtypi “Struktura dialektore e gjuhës shqipe”, botimet “UET PRESS”. Duke e vlerësuar si një tentativë për të shmangur mangësitë e trajtimeve përgjithësuese të derisotme në këtë fushë, por dhe për të krijuar kushtet për një përqasje të re, Beci na jep këtë vështrim kritik për të njohur jo vetëm gjendjen e sotme të strukturës dialektore të gjuhës shqipe, po edhe të historisë së formimit të saj. “Në qoftë se kam arritur diçka në këtë drejtim, ky do të ishte një lehtësim për mua që kam jetuar me këtë shqetësim”, thotë gjuhëtari.

Profesor Beci, përse ky studim i ri për strukturën dialektore të shqipes, cila është vlera e prurjeve të tilla?

Disa studiues të huaj, duke sjellë «argumente» edhe nga dialektologjia shqiptare, kanë mbrojtur pikëpamje që e zhvendosin vendbanimin e hershëm të shqiptarëve nga territoret e tyre të sotme diku në lindje ose në veri të Ballkanit ose e ngushtojnë atë në maksimum diku në veri të Shqipërisë së sotme. Kështu për shembull, G. Bonfante, duke u nisur nga dukuritë gjuhësore të përbashkëta shqiptaro-rumune, ndër të cilat edhe dukuria e rotacizmit në toskërishte dhe në dialektet veriore rumune, e zhvendos atdheun origjinal të shqiptarëve në territorin e Dakisë, në pjesën perëndimore të saj. Sipas tij, shqiptarët janë të ardhur nga Dakia, ndoshta me një infiltrim të ngadalshëm, pasi e kishin okupuar sllavët atë territor (shek. V i erës sonë).

  1. S. Shtatmüler, në veprën «Hulumtime për historinë e hershme të Shqipërisë», të botuar më 1942 e të ribotuar me plotësime më 1966, hapësirën jetësore të popullit shqiptar në kohën romake e bizantine të hershme e ngushtonte në katërkëndëshin midis fushës bregdetare të Shqipërisë së Ulët, luginës së Drinit të Zi dhe luginës së Drinit të Bashkuar, me krahinën e Matit si qendër. Sipas tij, «vetëm në këtë kanton malesh, që është gati i paarritshëm nga jashtë nuk janë vërtetuar as relikte emrash latinë vendi, as gjurmë vendbanimesh romane».
  2. Polak më 1957, duke folur për historinë e formimit të dy dialekteve të shqipes, ka shkruar se «gjatë kërkimit të shkaqeve të diferencimit të dialekteve shqiptare të tërheq vëmendjen rrethana që lumi Shkumbin ndan gjithashtu afërsisht nomenklaturën gjeografike shqiptare në dy zona (në veri të Shkumbinit më pak emra sllave dhe në jug të tij më shumë emra sllave). Prandaj, shkruan ai, është e mundur të gjykojmë se Shqipëria e Veriut ka të ngjarë të jetë djepi historik i shqipes prej nga dolën lëvizjet e vërtetuara historikisht të grupeve të barinjve shqiptarë për në jug deri në zonën e Toskërisë së sotme, e cila akoma edhe sot paraqet një përbërje interesante joshqiptare: sllave, greke dhe rumune». Sipas tij «elementi shqiptar këtu (në Toskëri B.B.) padyshim u grumbullua sidomos mbi substratin sllav, adstratin grek, që nga fillimi». Konkluzioni në të cilin arrin është se ka patur influencë serbe, sidomos në Veri, në anë tjetër influencë maqedone-bullgare në Jug dhe, sipas tij, kjo është një rrethanë jashtëzakonisht e rëndësishme për lindjen e dy tipeve të dialektit.

Më 1963, po ky autor shkruante se «Veriu, me sa duket paraqet territorin nga barinjtë shqiptarë kanë depërtuar në shek. XIV drejt jugut në territorin toskë. Sipas K. Jireçekut, vazhdon ai, shqiptarët duken në jug gjatë shek. XIV… që nga ky moment shqiptarët (në jug B.B.) do të paraqesin një shtresë speciale, krahas sllavëve, grekëve, dhe rumunëve. Sipas tij, kjo simbiozë e fundit me këta popuj ka kontribuar në dallimin dialektor në krahasim me shqipen e gegëve të Veriut. Nga kjo rrjedh që ndarja dialektore dysh e shqipes është përfundim i lëvizjes së shqiptarëve drejt jugut… Të folmet toske e kanë origjinën e tyre në ndërveprimin gjuhësor të krijuar në territorin jugor të Shqipërisë. Nga pikëpamja gjuhësore është fjala për ndikim të një shtrese substrati, e cila ka provokuar ndërrime të karakterit dialektor në adstratin shqiptar… .; vëzhgimet tona, vazhdon ai, konfirmohen nga kronologjia, sepse tiparet dialektore toske duken afërsisht një shekull pas ardhjes së shqiptarëve në Jug (pra në shek. XV B.B.), kur ata kanë mundur të vendosin tanimë lidhje me fqinjët e tyre sllavë, grekë e rumunë… Konkluzioni në të cilin arrin është se simbioza e shqiptarëve, grekëve, sllavëve dhe rumunëve në jug të Shqipërisë ka përcaktuar kështu, me sa duket, karakterin e zhvillimit fonetik të ndryshëm në toskërishte po të krahasohet me gjendjen e gjërave në gegërishte». Pra, studiues të huaj, duke iu referuar të dhënave dialektore, mohojnë autoktoninë e shqiptarëve në territoret e tyre të sotme.

Që këtej vetëkuptohet rëndësia e studimit të shqipes dialektore, e njohjes së dukurive dialektore të shqipes, e vjetërsisë së tyre, si edhe e strukturës dialektore të shqipes dhe e historisë së formimit të saj. E. Çabej më 1957 shkruante se “historia e shqipes fillon në vitin 1555, me Mesharin e Gjon Buzukut ose me dokumentet përpara saj. Po kjo nuk është e mjaftueshme, prandaj duhet të përpiqemi të zbresim edhe në periudhat përpara shkrimit të shqipes. Për këtë duhet të mbështetemi në gjuhën që flitet sot në popull, në dialekte e nëndialekte…”. Sipas tij “Gurrë e gjallë për të gjurmuar historinë e gjuhës është gjuha vetë: gjuha siç flitet sot në popull … . Kjo gjuhë e gjallë pra, ashtu si flitet më një anë sot, dhe sikundër e gjejmë më anë tjetër të shkruar në monumentet e saj që prej Buzukut e këtej, kjo gjuhë përbën bazën, nga e cila do të nisemi për të ngrehur ndërtesën e historisë së gjuhës” … .

Si është situata e studimeve për strukturën dialektore të shqipes, referuar dhe para ’90?

Studimet për veçoritë dialektore dhe njësitë dialektore të shqipes janë të shumta dhe relativisht të hershme. Gjurmimi dhe studimi i tyre ka nisur më 1854 dhe ka vazhduar deri në ditët tona. Ai ka kaluar në dy faza. Faza e parë përfshin periudhën deri në vitin 1944, kurse faza e dytë periudhën pas vitit 1944. Gjatë fazës së parë njohja e të folmeve të gjuhës shqipe në trojet ballkanike është bërë përmes gramatikave të gjuhës shqipe me bazë dialektore si ajo e J. G. Hahnit për të folmen e Rrëzës së Përmetit, e A. Dozonit për të folmen e Përmetit dhe të Zagorisë, e K. Kristoforidhit për të folmet e toskërishtes, e J. Piskos për të folmet e veriore të Shqipërisë së Veriut, e G. Vaigandit dhe e Gj. Pekmezit për të folmen e Elbasanit.

Pas tyre vijnë kontributet e disa studiuesve të tjerë të huaj si ai i H. Pedersenit për të folmet e Çamërisë, i N. Joklit dhe i S. Mladenovit për të folmet verilindore të shqipes së Veriut, i P. Skokut për të folmen shqipe të rrethinave të Shkupit dhe i K. Taliavinit për të folmet që ai i quan “gegërishte lindore”. Si vijim i kësaj etape duhet vlerësuar edhe botimi më 1951 nga V. Cimohovski i monografisë “Dialekti i Dushmanit, përshkrim i njërës prej të folmeve të Shqipërisë së Veriut”, mbi bazën e të dhënave të grumbulluara prej tij në Dushman më 1937.

Pra, punimet e mirëfillta dialektologjike para vitit 1945 janë të pakta. Madje edhe ato që janë, japin të dhëna të pjesshme dhe mbulojnë në pjesë të vogël të territorit të folmeve të shqipes në trojet ballkanike. Në periudhën pas vitit 1944 dhe, më konkretisht, në vitet ‘50 nisi një punë sistematike dhe e organizuar për grumbullimin e materialeve dialektore dhe studimin e të folmeve të shqipes brenda territorit të Shqipërisë.

Në themel të punës për grumbullimin e materialeve për fonetikën, morfologjinë, sintaksën dhe leksikun e shqipes dialektore në periudhën pas viteve ‘50 ka qenë pyetësori i hartuar nga S. Floqi më 1956. Me pyetësorin e S. Floqit janë grumbulluar të dhëna dialektore në më shumë se 300 qendra të banuara nga J. Gjinari (Berat, Opar, Myzeqe, Skrapar, Devoll, Mallakastër, Krasniqe, Gash e Bytyç, Krujë e Malësi e Krujës, Bregu i Bunës), B. Beci (Mat, Reç-e-Dardhës, Shkrel, Grykë e Madhe, Luzni, Mirditë, Shkodër), nga M. Çeliku (Dumre, Peqin, Kërrabë, Shpat, Kavajë, Durrës), nga M. Totoni ( Zagori, Bregdeti i Poshtëm, Muzinë, Gjirokastër, Kurvelesh), nga Gj. Shkurtaj ( Kastrat, Bregu i Matës, Ishulli i Lezhës, Ishulli i Shëngjinit, Hot, të Kelmend, Rranxate Mbishkodrës, shqiptarët e Malit të Zi), nga Xh. Gosturani (Çerem, Elbasan, Rragam), nga S. Floqi (Danglli); nga J. Thomai (Seman), nga E. Lafe (Nikaj-Mërtur), nga Q. Haxhihasani (Sulovë, Lurë, Polis, Çamëri), nga Xh. Topalli (Pukë), nga J. Kastrati (Theth), nga T. Osmani (Shirokë), nga M. Gecaj (Krasniqe) nga Sh. Hoxha (Vilë-e-Kalis, Arrën, Lumës), nga F. Luli (Postrripë), nga F. Muça (Konispol), nga Ç. Petriti (Strelcë), nga H. Xhaferri (Tomorricë), dhe nga N. Sotiri (Qeparo), dhe nga Xh. Belushi (Vermoshi)

Në vitet 60-70 të shekullit XX, dhe më pas, u hartuan studime edhe për trevat shqiptare në ish-Jugosllavi. U botuan të dhëna për të folmet e Rugovës (M. Begolli), të Kaçanikut (F. Raka), të Gjakovës (M. Nagavci dhe H. Agani), të Shalës së Bajgorës (L. Mulaku); të Peshterit (L. Mulaku e Mehdi Bardhi), të Preshevës e Bujanovcit (I. Ajetit, R. Ismajli), të Moravës së Epërme , të Moravës së Poshtme, të Kabashit, të fshatrave Mramuer dhe Marec, të Anamarovës, të Karadakut (M. Halimi), të Vuçiternës (R. Mulaku), të Balincës (T. Kelmendi), të Turiçevcit (H. Kelmendi), të Opojës dhe të Lugut të Drinit (A. Zyberi); të Tetovës, të Dervenit (R. Nesimi), të Zajasit (A. Selimi); të Plavës e të Gucisë (M. Ahmetaj), të Kaçanikut (B. Hysa), të Kërçovës (A. Zenku), të Dervenit (I. Hyseni), të Rugovës (A. Hajdaraj), të qytetit të Dibrës (N. Basha), të Klinës (Sh. Berani), të fshatit Tërpezës (Y. Krasniqi), të Gollakut (Z. Munishi), të Tuhinit (Q. Murati), të Prespës, të Manastirit ( Z. Osmani), të katundit Ratkoc, të Opojës dhe të Anadrinit (N. Pajaziti), të Reçanit, të Pollogut (F. Reçani); të Malësisë së Sharrit(F. Sulejmani), të Kumanovës, të Markova Rekës, të Karshiakës (H. Ymeri), të Zajazit e të Manastirit (L. Jusuf)i.

Krahas monografive përshkruese diferencuese për të folme të veçanta, janë hartuar dhe mjaft punime përgjithësuese për dukuri ose grupe të folmesh nga J. Gjinari, B. Beci, M. Çeliku, Xh. Gosturani. Është botuar teksti i “Dialektologjia shqiptare” në pesë variante më 1963, 1969, 1975, 1988 dhe 1989 nga J. Gjinari dhe dy variante të tjera më 1997, 2000 (ribotuar më 2003, 2009, 2013) nga J. Gjinari-Gj. Shkurtaj. Janë botuar librat “Të folmet veriperëndimore të shqipes dhe sistemi fonetik i së folmes së Shkodrës”, “Dialektet e shqipes dhe historia e formimit të tyre”, “Të folmet qendrore të gegërishtes” nga B. Beci; “Grupi dialektor i gegërishtes qendrore në Maqedoni” nga L. Jusufi dhe teksti “Dialektet e shqipes” (2012) nga Gj. Shkurtaj. Për të folmet shqipe në trojet ballkanike studimet dialekto­logjike të autorëve të huaj janë të pakta. Do të veçonim këtu librin e A. V. Desnickajas “Gjuha shqipe dhe dialektet e saj” (1968). Ndërkohë është botuar nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Tiranës seria “Dialektologjia shqiptare”, ku janë publikuar punime e materiale dialektore nga të gjitha trevat ku flitet shqipja. Po kështu edhe nga Instituti Albanologjik i Prishtinës është botuar për­mbledhja “Studime gjuhësore” (dialektologji), ku përfshihen përgji­thësisht studime për të folmet shqipe në Jugosllavi. Mbi të gjitha është botuar Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe (Napoli, 2007). Në këto botime, po veçanërisht variantet e tekstit të dialektologjisë shqiptare, janë bërë përpjekje të vlefshme për një paraqitje të përgjithësuar të tipareve dalluese fonetike, gramatikore e leksikore të të folmeve të gjuhës shqipe, të ndarjes dialektore të saj, si edhe të veçorive dalluese të njësive dialektore të pranuara.

Cilat janë çështjet që trajtohen në këtë vështrim kritik mbi dialektet e shqipes?

Libri ka tri pjesë themelore. Në pjesën e parë shqyrtohen dukuritë dialektore të shqipes, vihen përballë të dhënat e punimeve përgjithësuese të derisotme me të dhënat e ADGJSH-së dhe mbi këtë bazë parashtrohen pikëpamjet a përfundimet tona. Në pjesën e dytë shqyrtohen pikëpamjet e derisotme për strukturën dialektore të shqipes dhembi bazën e të dhënave të Atlasit dialektologjik të gjuhës shqipe jepet pikëpamja jonë për këtë problematikë. Në pjesën e tretë shqyrtohen pikëpamjet e derisotme për tiparet dalluese të njësive dialektore të shqipes dhe jepen tiparet dalluese për secilën nga njësitë dialektore të pranuara prej nesh. Po në studimet përgjithësuese të derisotme për strukturën dialektore të shqipes, sipas nesh, krahas arritjeve vihen re edhe disa probleme që lidhen me metodën e studimit dhe të parashtrimit të dukurive dialektore të shqipes, me ndarjen dialektore të shqipes dhe me tiparet e vlerësuara si dalluese për njësitë dialektore të shqipes.

A keni hasur vështirësi që lidhen me metodën e studimit dhe të parashtrimit të dukurive dialektore të shqipes?

Në studimet dialektore për të folmet e shqipes si edhe në tri variantet e para të tekstit të dialektologjisë shqiptare të botuara më 1963, 1969, 1975 është zbatuar metoda tradicionale në përshkrimin dhe klasifikimin e dukurive dialektore. Në katër variantet e dyta të tekstit të dialektologjisë shqiptare të botuara më 1988, 1989, 1997,2000 (ribotuar më 2003, 2009, 2013) në përshkrimin dhe klasifikimin e dukurive fonetike të shqipes dialektore është zbatuar metoda funksionale a strukturore. Kjo metodë është zbatuar edhe në fushën e morfologjisë në variantin e tekstit të botuar më 1989. Këtu lind pyetja: a është e saktë shkencërisht që të dhënat e studimeve dialektore të studiuara me metoda tradicionale, të përshkruhen e të klasifikohen në katër variantet e tekstit të dialektologjisë të botuara në vitet 1988, 1989, 1997, 2000 (ribotuar më 2003, 2009, 2013) sipas kriteresh strukturore a funksionale? Po kështu a është e mundur që, duke u mbështetur në studimet dialektore të bëra me metoda tradicionale, të kërkohet që të arrihet në përfundime e klasifikime strukturore e funksionale? Për ne, është e gabuar që të dhënat e studimeve dialektore të bëra me metoda tradicionale, të përshkruhen e klasifikohen në tekstet e dialektologjisë të viteve 1988-2016 sipas kriteresh strukturore a funksionale. Analiza që i kemi bërë p. sh. inventarit të fonemave zanore të gegërishtes të parashtruara në katër variantet e tekstit të dialektologjisë të botuara në periudhën 1988-2016 dëshmon se ato janë të gabuara. E njëjta gjë vihet re në përshkrimin dhe klasifikimin e dukurive dialektore morfologjike në variantin e tekstit të dialektologjisë të botuar më 1989.

Cilat janë problemet që lidhen me ndarjen dialektore të shqipes?

Në shtatë variantet e tekstit të dialektologjisë shqiptare, po jo vetëm aty, është pranuar një ndarje e njëpasnjëshme a suksesive e shqipes dialektore fillimisht në dialekte (dialekti verior ose gegërishtja dhe dialekti jugor ose toskërishtja), e dialekteve në nëndialekte (gegërishtja veriore dhe gegërishtja e Shqipërisë së Mesme në dialektin gegë dhe toskërishtja veriore e toskërishtja jugore në dialektin toskë), e nëndialekteve në grupe të folmesh (gegërishtja veriperëndimore dhe gegërishtja verilindore në nëndialektin verior dhe gegërishtja qendrore dhe gegërishtja jugore në nëndialektin e Shqipërisë së Mesme). Për toskërishten është shkruar se “grupe të mëdha të folmesh dallohen vetëm në nëndialektin jugor të tij, dallohen aty labërishtja dhe çamërishtja” (shih hartën)”. Po, a është e mundur të përligjet një ndarje e njëpasnjëshme e hapësirës dialektore të shqipes, nga njësi më të mëdha në njësi më të vogla, kur dihet se shkaku i formimit njësive dialektore është prania brenda territorit të secilës prej tyre, për një kohë pak a shumë të gjatë, e lidhjeve politike, ekonomike e kulturore që kanë favorizuar komunikimin e popullsisë së atij territori? A ka mundësi që lidhjet politike, ekonomike e kulturore që kanë favorizuar formimin e njësive dialektore të jenë shfaqur në mënyrë të njëpasnjëshme (suksesive), pra, fillimisht në territoret e dy dialekteve të shqipes, pastaj në territoret e nëndialekteve të tyre dhe së fundi në territoret e grupeve të të folmeve? Sipas nesh, nuk ka mundësi që lidhjet politike, ekonomike e kulturore të jenë shfaqur në mënyrë suksesive, fillimisht në territoret e dy dialekteve të shqipes, pastaj në territoret e nëndialekteve të tyre dhe së fundi në territoret e grupeve të të folmeve. Kjo do të nënkuptonte që edhe tiparet dalluese të tyre të jenë shfaqur në mënyrë suksesive, pra, fillimisht tiparet dallues të dialekteve, pastaj ato të nëndialekteve dhe pas tyre ato të grupeve të të folmeve. Sipas nesh nuk ka mundësi që tiparet e njësive dialektore të jenë shfaqur në mënyrë suksesive, pra, fillimisht tiparet dallues të dialekteve, pastaj ato të nëndialekteve dhe, pas tyre, ato të grupeve të të folmeve.

Edhe të dhënat e ADGJSH-së nuk e përligjin ndarjen e shqipes dialektore në mënyrë suksesive nga njësi më të mëdha në njësi më të vogla. Kështu për shembull tiparet e vlerësuara si dalluese për të folmet e “nëndialektit të gegërishtes jugore” dhe të “nëndialektit të toskërishtes veriore” të para në dritën e të dhënave të ADGJSH-së, nuk na rezultojnë si dukuri specifike për këto njësi dialektore. Për këtë arsye ato nuk mund të vlerësohen si njësi dialektore më vete siç është pretenduar nga hartuesit e shtatë varianteve të tekstit të dialektologjisë shqiptare.

Sipas E. Çabejt “zhvillimi që solli gjer më gjendjen e sotme të dialekteve nuk ka kaluar në një vijë të drejtë. Një prerje vertikale në shtresimin historik të dialekteve na tregon se procesi i formimit të tyre ka qenë shumë më laraman e i komplikuar nga sa mund të dalë nga një vështrim që do t’i hidhnim planit të rrafshët që duket sot”.

Po për çështje të tilla si të folmet “kalimtare” çfarë mund të thuhet?

Në shumë studime është pohuar se në zonën poshtë Shkumbinit shtrihen një brez të folmesh a ligjërimesh kalimtare që kanë të përziera tiparet kryesore që dallojnë toskërishten dhe gegërishten, sidomos dy më kryesoret: nazalitetin dhe rotacizmin. Për ne të folmet, të cilat shtrihen në skajin e një njësie dialektore dhe që kanë këto ose ato shfaqje të një njësie tjetër dialektore fqinje me të nuk duhet të konsiderohen apriori si të folme “kalimtare”. Për ne, në jug të Shkumbinit, në brezin e të folmeve të ashtuquajtura “kalimtare”, shtrihet një grup të folmesh, që janë të ndryshme nga njëra tjetra, një palë janë gege me ndikime toske, një palë janë toske me ndikime gege. Për pasojë nuk formojnë një njësi dialektore më vete që nuk i përket as njërit dialekt as tjetrit. Edhe A. V. Desnickaja ka pranuar se “në çdo rast të veçantë mund të përcakto­jmë bazën e të folmes – toske ose gege – dhe të gjurmojmë rrugët dhe kushtet, në të cilat është bërë përhapja e veçorive dialektore prej dialekteve etj.” Edhe hartat e ADGJSH-së e dëshmojnë këtë. Atje në asnjë rast nuk veçohen të folmet e ashtuquajtura kalimtare.

Çfarë sjell ndryshe botimi juaj, si risi nëpër çështjet dialektore të shqipes, strukturën?

Duke pasur si kriter bazë shtrirjen territoriale të dukurive dialektore a të tipareve dalluese në hapësirën ballkanike të shqipes, ndryshe nga studimet e derisotme, për herë të parë kemi pranuar një ndarje të shqipes dialektore në njësi dialektore josuksesive ose të pavarura nga njëra tjetra, të cilat i kemi emërtuar: krahina dialektore, zona dialektore dhe rajone dialektore.

Krahinat dialektore janë njësitë më të mëdha të strukturës dialektore të shqipes.

Duke analizuar dukuritë dialektore të shqipes kemi konstatuar a vërtetuar praninë e dy krahinave dialektore, krahina dialektore e Veriut dhe krahina dialektore e Jugut.

Zonat dialektore janë njësi dialektore përgjithësisht më të vogla se krahinat dialektore të shqipes, që mund të shtrihen në hapësirat e secilës krahinë dialektore, po edhe në hapësira të përbashkëta të tyre. Themelore është që edhe ato, si krahinat dialektore, kanë të bëjnë me ndarjen dialektore të shqipes në përgjithësi e jo me ndarjen e krahinave dialektore dhe kanë tiparet e tyre specifike që i veçojnë si njësi dialektore më vete të shqipes dialektore.

Duke analizuar dukuritë dialektore të shqipes kemi konstatuar se përcaktimi i zonave dialektore paraqet vështirësi. Gjithsesi, në territorin që shtrihet në veri të rrugës automobilistike Vau i Dejës – Pukë – Kukës, të Drinit të Bardhë, të maleve të Sharrit dhe të Malit të Zi të Shkupit, veçohet një grup të folmesh që kanë disa tipare të veçanta që i dallojnë nga të gjitha të folmet e tjera të shqipes. E kemi emërtuar zona dialektore veriore. Edhe të folmet që në të majtë të Vjosës deri në Prevezë të Greqisë së sotme, janë vërtetuar disa tipare të veçanta që i dallojnë nga të folmet e tjera të shqipes dhe që na shtyjnë, ndonëse jo pa rezervë, t’i veçojmë si një zonë dialektore më vete që e kemi emërtuar zona dialektore jugore. Më shumë problem nga kjo pikëpamje paraqesin të folmet që shtrihen poshtë rrugës automobilistike Vau i Dejës-Pukë-Kukës, Drinit të Bardhë, malit të Sharrit dhe Malit të Zi të Shkupit deri tek lumi Vjosë në jug. Edhe në këtë hapësirë janë dëshmuar disa dukuri dialektore të përbashkëta. Në këtë kontekst nuk mund të përjashtohet a apriori mundësia e pranisë në territorin e këtyre të folmeve e një zone të tretë dialektore, të cilën me rezervë e kemi emërtuar zona dialektore qendrore, po siç bëhet e qartë në libër, kjo do të duhet të argumentohet më tej me të dhëna konkrete nga të folmet e këtij territori. Rajonet dialektore janë njësi dialektore më të vogla si krahinat dhe zonat dialektore që kanë tiparet e tyre specifike që i dallojnë nga të folmet e tjera të shqipes në përgjithësi. Duke analizuar dukuritë dialektore të shqipes kemi konstatuar a vërtetuar praninë e katër rajoneve dialektore: të rajonit dialektor veriperëndimor, verilindor, qendror dhe jugor.

Rajoni dialektor veriperëndimor përfshin të folmet që fliten në pjesën veriperëndimore të Shqipërisë. Rajoni dialektor verilindor përfshin të folmet që fliten në pjesën verilindore të Shqipërisë, në Kosovë dhe në Medvegjë, Preshevë e Bujanovc. Rajoni dialektor qendror përfshin të folmet që fliten në pjesën qendrore të Shqipërisë së Veriut, në Mirditë, Mat, rrethi i Peshkopisë dhe Maqedoni perëndimore. Një problem më vete përbëjnë të folmet që shtrihen në pjesën jugore të Shqipërisë, duke filluar nga lumi i Shalësit deri në Gjirin e Prevezës në Greqi. Është fjala për të folmen e Çamërisë. Në këtë hapësirë janë dëshmuar disa dukuri dialektore të veçanta. Në këtë kontekst rajonin dialektor jugor mund ta veçojmë si një rajon dialektor më vete, po prania e këtij rajoni dialektor të shqipes do të duhet të argumentohet më tej me të dhëna nga të folmet e këtij territori.

Po të dhënat dialektore dhe ato të ADGJSH-së a e përligjin ndarjen tuaj dialektore në rajone, zona dhe rajone dialektore?

Të dhënat dialektore, sidomos ato të ADGJSH-së, përligjin ndarjen e shqipes dialektore në krahina, zona dhe rajone dialektore si njësi më vete, të pavarura nga njëra-tjetra. Kjo provohet edhe nga tiparet e vlerësuara si dalluese për secilën prej tyre. Tiparet e vlerësuara si dalluese për çdonjërën njësi dialektore i kundërvënë secilën prej tyre me mbarë të folmet e shqipes dhe jo me këtë ose atë “njësi” të kësaj ose asaj krahine, zone a rajoni dialektor. Duke u mbështetur në të dhënat e studimeve të derisotme, po sidomos në ato të ADGHSH-së, kemi evidentuar për secilën krahinë, zonë a rajon një numër të caktuar tiparesh dalluese, që shkon nga katër deri në tridhjetë tipare për njësi dialektore. (mapo.al)

Shtoni në: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg

Komente (0 dërguar):

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
OPINION
image

Universiteti i Kombit dhe Kombi i Universitetit

Selam Sulejmani Universiteti i Tetovës për shqiptarët e vendit tonë dhe më gjerë paraqet “Atdheun” e ...
 Më tepër
FOTOGALERI
PROFILE
image

Krijimtaria e të parit kompozitor të muzikës së kultivuar shqiptare

Kompozitori i veprave të para të muzikës së kultivuar shqiptare dhe i sa e sa ...
 Më tepër
image

Dua Lipa: Femrat do ta udhëheqin botën

Dua Lipa është një ndër këngëtaret më të famshme shqiptare në arenën ndërkombëtare. Krahas shumë ...
 Më tepër