Fillimi | Opinione | Prof.Dr. Klara Kodra: "Perandorët", romani realisto-postmodern që solli risi

Prof.Dr. Klara Kodra: "Perandorët", romani realisto-postmodern që solli risi

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image Prof.Dr. Klara Kodra: "Perandorët", romani realisto-postmodern që solli risi

Romani është lloji më i paparashikueshëm, më dinamik dhe më proterform.  Zakonisht, një autor arrin tek ai pas një pjekurie relative krijuese, kështu edhe Majlinda Rama arriti te romani pas dy vëllimesh me poezi dhe një përmbledhjeje me prozë dhe eseistikë. 

Romani i sotëm shqiptar zhvillohet në mes të vazhdimësisë dhe jovazhdimësisë, modernizimit, postmodernizmit dhe realizmit, qartësisë dhe errësirës. Shumë autorë në romanet e tyre i drejtohen një realiteti që tashmë ka hyrë në histori dhe është kristalizuar, sic është realiteti i kohës së diktaturës. 

Majlinda, përkundrazi, ka pasur guximin krijues, t’i drejtohet problematikës aktuale, një realiteti në zhvillim me linjën e gjithanshme shoqërore, politike dhe morale. Gjithashtu, mund të themi se romani i Majlindës nuk u takon atyre romaneve që privilegjojnë kohën në dëm të mesazhit. Romani i saj përmban një mesazh, ajo, autorja, ka shkruar duke qenë e bindur për atë që thotë. Pol Kli ka thënë se arti nuk e rijep të dukshmen, por e bën dicka të dukshme. Lënda e zakonshme e realitetit i takon gazetarit; shkrimtari e merr këtë lëndë, i jep formë dhe krijon një realitet të ri, më bindës se realiteti konkret. 

Romani i Majlindës qëndron midis realizmit dhe postmodernizmit. Majlinda i ka dhënë romanit të vet titullin unik ‘Perandorët’. Perandorët e kohës sonë janë biznesmenët e mëdhenj që kanë vënë në qendër të jetës paranë, duke eliminuar të gjitha vlerat morale dhe duke i shndërruar në antivlera. 

Paradoksalisht, autorja nuk ka vënë në plan të parë në romanin e vet një personazh me të cilin lexuesi mund të identifikohet a të ndiej dashuri, ajo ka vënë në qendër të këtij romani një personazh negativ,Tristanin, të cilin e vështron me lenten zmadhuese të krijuesit, ashtu si një shkencëtar sheh qelizat e gjalla me mikroskop, në mënyrë që të zbulojë të gjitha tiparet e tjera negative që burojnë nga tipari kryesor, sic janë etja për pushtet dhe për para. Jo më kot, autorja ka zgjedhur si epigraf të romanit të vet një thënie të Linkolnit ‘’Dëshiron ta njohësh karakterin e njeriut, jepi pushtet’’. Në fakt, pushteti është një gur prove që nxjerr në dritë gjithcka që ishte fshehur në thellësi të vetëdijes dhe nënvetëdijes. Dhe c’është e vërteta, pak janë ata që i bëjnë ballë kësaj prove. Dhe, protagonistin e këtij romani, pushteti dhe paraja, jo vetëm e bëjnë të shpërthejë në vese, si lakmia dhe imoraliteti, por e shndërrojnë në sadist dhe në vrasës, pra, në një përbindësh moral. 

Autorja i zbulon personazhet e romanit të vet, kryesisht nëpërmjet veprimit, se, pikërisht, veprimi largon cdo veti hipnotizuese që lidhet me fjalët dhe nxjerr në dritë thellësinë e vertetë të njeriut, po edhe nëpërmjet dialogjeve, ku ai shpreh botën e vet të errët. Personazhet negativ vijnë me një fjalor të egër, vulgar dhe arrogant që nuk respektojnë ndjenjat e të tjerëve dhe dinjitetin e tyre. 

Me zotësi, autorja zbulon më vonë një plasaritje në murin e përbindshëm të ligësisë dhe mbjell në këtë ligësi, të Tristanit p.sh, bërthamën e një ndjenje njerëzore, dashuria ndaj nënës që s’e ka njohur kurrë, një ndjenjë që e con në një fillim të ri, fillim ndërgjegjësimi, por nuk arrin të përcaktojë një kthesë morale, vec e con drejt një fundi tragjik të paralajmëruar, në një cast kur ai arrin të provojë atë ndjenjë që kishte përbuzur tek të tjerët dhe gjithashtu, e sjell atë në të vetmin katarsis të mundshëm, pra, në vdekje. 

Romani ‘Perandorët’ ka shenja rrëqethëse që të kujtojnë një film horror. Ky roman është i llojit social-psikologjik, por mund ta përfshijmë në një nënlloj, në ‘Romanin e Zi’, të cilin, një studiuese franceze e ka zbuluar tek shfaqet në romanin e sotëm shqiptar. 

Romani i Majlindës qëndron pranë disa romaneve të këtij lloji të Fatos Kongolit dhe Virion Gracit. Por, ajo që duhet përmendur, është fakti që në romanin ‘Perandorët’ ka edhe zëra më të celura kur shfaqen personazhe që i kanë ruajtur vlerat njerëzore si Leoja, Heldora apo Magda. 

Romanin e përshkon patosi tragjik, por jo një pesimizëm i pashpresë. Ky roman ka dicka nga baladat popullore me motivin e vëllavrasjes në linjën kryesore, ku protagonisti midis krimeve të veta, arrin pa e ditur, në vrasjen e të vëllait. Sigurisht, ajo mungesë njohjeje e së vërtetës, nuk e zbut dhe as e justifikon krimin e tij, se ai e ndjen tmerrin e veprimit të tij vetëm kur njeh lidhjen e gjakut, edhe pse duhej ta kishte respektuar viktimën e vet, në radhë të parë, si qenie njerëzore. 

Autorja di të ndërtojë me zotësi intrigën, duke përdorur me efektshmëri një procedim të tillë narrativ, si procedimin e vrasësit.

 Shkrimtarja e vonon njohjen e birit me nënën, ndërsa lidhjen e gjakut midis dy vëllezërve e zbulon vetëm gjatë katastrofës finale; kështu përdor në fillim ngadalësimin dhe më vonë precipitimin e ngjarjes drejt katastrofës.

 Majlinda shfrytëzon me mjeshtëri hiperbolat e subjektit për të përforëcuar mesazhin e vet dhe për të hedhur një dritë më të fortë mbi personazhet. 

Një nga personazhet, Alekoja, arrin një fazë kthese morale në sajë të dashurisë erotike. Kjo kthesë të bind deri në një farë pike, prandaj autorja e ka motivuar më tepër nga ana psikologjike. Ajo mund edhe ta përdorte më tepër ndjenjën e masës në dhënien e efekteve si dhe mund t’i lëmonte më tepër frazat ose gjuhën e personazheve, ndonëse lënda që ka në dorë është padyshim tragjike, por synimi final i saj, nuk është thjesht të shokohet lexuesi, por të bëhet të reflektojë. 

Në thelb, romani ‘Perandorët’ është një arritje në letërsi me strukturën e vet, dialogjet, vizatimin e personazheve, tensionin emocional. Pra, romani ‘Perandorët’ është një hap përpara në rrugën e prozës që premton hapa të sigurt krijues.

Fjala e Prof.Dr. Klara Kodrës, mbi romanin "Perandoret" të shkrimtares Majlinda Nana Rama

 

                                    

Shtoni në: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg

Komente (0 dërguar):

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
OPINION
image

Universiteti i Kombit dhe Kombi i Universitetit

Selam Sulejmani Universiteti i Tetovës për shqiptarët e vendit tonë dhe më gjerë paraqet “Atdheun” e ...
 Më tepër
FOTOGALERI
PROFILE
image

Krijimtaria e të parit kompozitor të muzikës së kultivuar shqiptare

Kompozitori i veprave të para të muzikës së kultivuar shqiptare dhe i sa e sa ...
 Më tepër
image

Dua Lipa: Femrat do ta udhëheqin botën

Dua Lipa është një ndër këngëtaret më të famshme shqiptare në arenën ndërkombëtare. Krahas shumë ...
 Më tepër