Kosova dhe Shqipëria, "shkëmbejnë" monumentet e kulturës

Shqipëria dhe Kosova do të njihen me trashëgiminë kulturore përmes një ekspozite të përbashkët që do të zhvillohet në Tiranë dhe Prishtinë. Në fakt dy kryeqytete do të shkëmbejnë në një ditë fotot e objekteve të trashëgimisë për ti ekspozuar për publikun. Do të jenë fotografi të objekteve të vjetra që janë ndërtuar dekada e shekuj më parë, kryesisht shtëpi banimi dhe monumente të trashëgimisë fetare, do të ekspozohen në Tiranë. Së bashku me këto objekte do të ekspozohen edhe monumentet e vjetra që janë restauruar, apo fotografi të këtij procesi dhe konservuar. Ekspozitë e njëjtë do të hapet edhe në Prishtinë, por në kryeqytetin e Kosovës do të shfaqen fotografi që pasqyrojnë trashëgiminë e Shqipërisë. Në këtë mënyrë qytetarët do të kenë mundësi të njihen me arkitekturën, me objektet e vjetra dhe me monumentet e kultit të të dyja vendeve, të cilat, në shumicën e rasteve gëzojnë mbrojtje ndërkombëtare. Kjo është ideja e dy drejtuesve të Institutit të Monumenteve të Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht Agim Gërguri dhe Ara Dollani. Kjo është vendosur pas takimit të realizuar në kuadër të bashkëpunimit kulturor mes Ministrive të Kulturës të të dyja vendeve ku u shpall dhe kalendari i aktivitete të përbashkëta mes Kosovës dhe Shqipërisë. Siç konfirmon për Kultplus, Drejtori i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës, Agim Gërguri, fillimisht është biseduar për ligjin (Ligji për trashëgiminë kulturore), për të mirat edhe mangësitë që ka ai si në Kosovë dhe në Shqipëri. Gjithashtu në këtë takim me Dollanit dhe Gërgurit është iniciuar edhe ideja për të hapur ekspozitën e përbashkët me foto të monumenteve të trashëgimisë. Sigurisht ajo çka ofron Kosova për Shqipërisë janë kryesisht shtëpitë e vjetra në Prizren, Gjakovë dhe Prishtinë ku kanë mbetur në fakt fare pak shtëpi tradicionale, ashtu si edhe në Tiranë në fakt. Ndërkohë Instituti ynë i monumenteve do mund të “mburret” me shtëpitë karakteristike të Gjirokastrës, Beratit, Korçës, Shkodrës etj. Ekspozita do të vijojë me foto të kishave dhe xhamive të vjetra të shpallura dhe monument kulture. Por ekspozita nuk do të jetë vetëm ekspoze. Një dritare do ti dedikohet edhe punës restauruese që është bërë në gjithë këto vite nga dy institucionet. Pra përveç fotove të shtëpive, do të ekspozoheshin edhe planet e shtëpive të ndryshme si kanë qenë dhe si janë restauruar. Ky është projekti i parë i bashkëpunimit mes dy instituteve që do të vijojë edhe me projekte të tjera kulturore. Një nga këto projekte që është dhe pjesë e kalendarit të përbashkët mes ministrave të dy vendeve është dhe organizimi i kurseve të veçanta trajnimi nga specialistë të UNESKO-s në Tiranë ku është hapur dhe shkolla për konservim dhe restaurim që përgatit specialistë në fushën e konservimit dhe restaurimit. Kjo do të vijojë me konferencën vjetore që do të mbahet në Prishtinë dhe në Tiranë për trashëgiminë kulturore me tematika të veçanta. (mapo.al)
Komente (0 dërguar):
Dërgoni komentin