Fillimi | Kultura shqiptare | Poezi e identitetit kulturor dhe nacional

Poezi e identitetit kulturor dhe nacional

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image Poezi e identitetit kulturor dhe nacional

Sintagma “Anija e humbur” e Bajram Mjekut ta kujton poezinë “Anija e dehur” të Arthur Rimbaud (1854 –1891). Përderisa “Anija...” e poetit frëng shtegton katrahurave të dallgëve të jetës dhe e rrëfen dramën e saj, “Anija...” e Bajram Mjekut është një himn për frymëzimin, dashurinë e krijimin

I pranishëm në letrat tona që në vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar, poeti Bajram Mjeku para lexuesit me librin e parë doli në vitin 1990. Libri titullohet “Mashtrimi i Argusit” dhe asokohe është nderuar me çmimin “Hivzi Sulejmani”, që jepej për autorët të rinj nga redaksia e gazetës “Zëri i rinisë” që botohej në Prishtinë. Ky libër tash vjen brenda kopertinave bashkë me një vëllim tjetër të ri të këtij autori, me titull “Anija e humbur”.

Libri i parë, i këtij vëllimi paraprihet nga poezia programatike me titullin homonim të librit, “Anija e humbur”, ndërsa pjesa tjetër është strukturuar në këto cikle poetike: Kalorësi këmbëprere, Zogjtë e pikëlluar, Ditët më të lumtura të jetës sonë, Vjershat skandaloze, Dielli i mesnatës.Ndërkaq, libri i dytë, brenda vëllimit të përmendur, “Mashtrimi i Argusit” hapet me poezinë në formë prologu, “Vdekja e Bajramit”, ndërsa materia tjetër poetike është organizuar në këto cikle poezish: Kërkim ndër shekuj, Triptik, Gjymtyrët e kullës, Epikë moderne, Pas kaq shekujsh, Gjaku i shprishur.

“Poezia fillon si një nyjë në fyt, si një ndjesi gabimi, si një përmallim, si një rënie në dashuri. Poezia fillon si dëfrim dhe mbaron si zgjuarsi. Poeti nuk mban kurrë shënime. Njeriu nuk mban kurrë shënime në një aferë dashurie”, thotë poeti Robert Frost. Ndoshta këto “shkaqe”, “shkase” e përkufizime mund t’i atribuohen edhe poezisë së Bajram Mjekut.Sintagma “Anija e humbur” e Bajram Mjekut ta kujton poezinë “Anija e dehur” të Arthur Rimbaud (1854 –1891). Përderisa “Anija...” e poetit frëng shtegton katrahurave të dallgëve të jetës dhe e rrëfen dramën e saj, “Anija...” e Bajram Mjekut është një himn për frymëzimin, dashurinë e krijimin.

Poezitë e këtij libri mund të thuhet se kryekëput i shquan preokupimi tematiko-motivor i identitetit nacional.
Që në poezinë “Fusha e Mëllenjave”, subjekti lirik zbret spirales së kujtesës historike, në një fushë ku ishte predestinuar fati ynë, i zi apo i mirë. “Asgjë s’ka ndryshuar nga viti 1389” jep kumtin poeti që në fillim të poezisë së përmendur, për ta përmbyllur me vargjet: “Princët dhe sulltanët janë ende aty/ Vojvodët, heshtat, shpatat e përgjakura/ Dhe vaji i lahutarëve që gjëmon tradhti”, (fq. 5).
Ndërkaq, më tej me ekspresivitet shpërfaqet disponim i ngrysur i subjektit lirik: “Harta jote u pre si lëkura e dhisë/ U gozhdua për t'u tharë në mur/ Në Londër të rropën për së gjalli/ Me këmbët tua të mos ecësh kurrë”, (“Shqipëria”, fq. 6).

Kjo lidhje a frymë poetike te ky autor vërehet që nga libri pararendës i tij, te i cili bëhet risemantizimi i temave e miteve të historisë kombëtare në kontekst të periudhave të caktuara historike dhe të përditësisë. 
Mitet, si burim i nëndheses psikike, ushqejnë edhe motive poetike, qoftë me rrezatimet semantike fillestare, qoftë me përmbysjet e kuptimeve të para të tyre. Autori krijon imazhet e një historie poetike për të mos thënë të një poetizimi të historisë (poezitë e llojit: Monologu i Isës, Kalorësi këmbëprerë, Klithma e fundit për Kosovën etj.).

Në kuintesencën e kumteve poetike janë përçuar, siç u theksua në krye të herës, shenjat e identitetit shqiptar, por edhe brengat e zhgënjimet e subjektit lirik në raport me pritjet e gjakimet e tij. Ky identitet nacional (jo) vetëm te ky autor mund të vështrohet e të përjetohet edhe nëpërmjet imazheve të identitetit kulturor, siç janë krijimet e triptikut: Pjetër Bogdani, Naim Frashëri, Eqrem Çabej, por edhe ato të mitologjisë kombëtare, krijimet e ciklit Gjymtyrët e kullës etj. 
Ndonëse libri i parë “Mashtrimi i Argusit” është vendosur si vazhdim i të dytit, ndërsa i dyti, “Anija e humbur”, është vendosur para të parit, konsideroj se i dyti është vazhdim i të parit dhe këso mënyre krijon lidhje të brendshme edhe tematike edhe stilistike. 
Mjeku për model e ka poezinë më të mirë shqipe, ndërsa mentor – poetin Ali Podrimja. Duket se, ai shpeshherë është udhërrëfyes i tij sikurse Virgjili për Dante Aligierin në udhëtimin e tij krijues e imagjinativ.
Duke qenë poezi e identitetit kulturor dhe nacional, si nxitje nga shqetësimi krijues dhe intelektual, kjo e librit a e librave poetikë, “Anija e humbur”, mund të quhet poezi e rezistencës kulturore, e luftës kundër harresës dhe e mëkimit të kujtesës, si rezervuar i energjive të lirisë, si përmbushje dhe domethënie më e bukur e jetës njerëzore.
Në shikim të parë, poezia e mjekut duket qëllimore, por e tillë mund të jetë vetëm estetikisht; po ashtu ajo mund të duket edhe misionare, por e tillë mund të jetë a mund të quhet për aq sa ka ose aq sa i lejohet misioni një poezie të realizuar në konditat e një arti të dëshirueshëm sa për vetë autorin po aq edhe për lexuesin, për të cilit shkruhet a dedikohet, gjithashtu.
Librin “Anija e humbur” e botoi SHB “Rozafa”, Prishtinë, 2013 dhe ka 136 faqe.  Ragip Sylaj/KultPlus.com

Shtoni në: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg

Komente (0 dërguar):

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
OPINION
image

Universiteti i Kombit dhe Kombi i Universitetit

Selam Sulejmani Universiteti i Tetovës për shqiptarët e vendit tonë dhe më gjerë paraqet “Atdheun” e ...
 Më tepër
FOTOGALERI
PROFILE
image

Krijimtaria e të parit kompozitor të muzikës së kultivuar shqiptare

Kompozitori i veprave të para të muzikës së kultivuar shqiptare dhe i sa e sa ...
 Më tepër
image

Dua Lipa: Femrat do ta udhëheqin botën

Dua Lipa është një ndër këngëtaret më të famshme shqiptare në arenën ndërkombëtare. Krahas shumë ...
 Më tepër