Fillimi | Kultura shqiptare | Sotir Capo, mjeshtri profesionist i ngjyrave

Sotir Capo, mjeshtri profesionist i ngjyrave

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image Sotir Capo, mjeshtri profesionist i ngjyrave

Sotir Capo u lind në qytetin e Beratit më 1934, ku mori dhe mësimeve e para në vizatim në shkollë nga mësuesi i vizatimit skulptori Dhimitër Çani dhe më pas në kursin e pikturës në Shtëpinë e Kulturës nga artisti shkodran Vladimir Jani. Capo ashtu si edhe shokët e tij të fëmijërisë Llazar Myzeqari, Grigor Ikonomi dhe Yzedin Shelegu mund të konsiderohen me fat, pasi kanë pasur për mësues vizatimi dy mjeshtrat që kishin studiuar në akademitë italiane të artit, Dhimitër Çanin dhe Vladimir Janin.

Një vit më parë qytetarët e Beratit do të mësonin lajmin për ndarjen nga jeta të piktorit Sotir Capo, emri i të cilit renditet ndër ato personalitete të artit, të cilët nuk u mjaftuan kurrë me talentin, por u ritën profesionalisht në një kohë të vështirë, duke sfiduar realitetin. Capo, pasi krijoi bazat e forta profesionale, punoi në Berat për të kontribuar në zhvillimin e jetës artistike të qytetit të tij. Krijmtaria e tij plotë art shtrihet në kohë kohë të ndryshme, por ato i bashkon pasioni i tij i pamat për pikturën. Në veprat e tij Berati zë vendin kryesor, jo vetëm se ishte qyteti i tij, por ishte dhe frymëzimi artistik për të. Capo do të mbyll sytë larg Beratit, muzës së tij, të cilin nuk mundi ta shoh për shumë vite, por që e kishte padyshim burim frymëzimi në momentet ku hidhte ngjyrat në telajo. Me arritje të mëdha profesionale Capo nuk do të mund të mësojë dot kurrë lajmin se qyteti që aq shumë e deshi do ta vlersojë me titullin më të lartë që mund ti jepet një personaliteti.

Me propozim të drejtorit të galeris, Edwar Lear në Berat, Agron Polovina dhe me miratimin e të gjithë këshilltarëve, këshilli bashkiak në Berat vendos që mjeshtrit të ngjyrave ti jepet tituli “nderi i qytetit”. Në emër të komisionit të kulturës në Këshillin Bashkia, Yzedin Hima u prezantoi në mbledhjen e radhës këshiltarëve vlerat e mëdha të Capos, të cilat kanë rritur imazhin e qytetit në art. Kontributi i tij në kohë të ndryshme ka ndikuar në vlerat artistike të Beratit, duke u renditur ndër ata emra që më shumë kanë dhënë se kanë përfituar. Capo në vitet e tij të punës në Berat, por dhe jashtë tij ku e fokusoi qytetin në krijmtari kish pritur të vlersohej me këtë titull, por nuk arriti kurrë ta mësoj këtë gjë. Ai mbylli sytë përjetë duke marë me vete burimin e tij të frymësimit, Beratin.

Sotir Capo u lind në qytetin e Beratit më 1934 ku morri dhe mësimeve e para në vizatim në shkollë nga mësuesi i vizatimit skulptori Dhimitër Çani dhe më pas në kursin e pikturës në Shtëpinë e Kulturës nga artisti shkodran Vladimir Jani. Capo ashtu si edhe shokët e tij të fëmijërisë Llazar Myzeqari, Grigor Ikonomi dhe Yzedin Shelegu mund të konsiderohen me fat, pasi kanë pasur për mësues vizatimi dy mjeshtrat që kishin studiuar në akademitë italiane të artit, Dhimitër Çanin dhe Vladimir Janin.

Në vitet 1949 -1953 ai kreu Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, në atelierin e pikturës nën drejtimin e Artistëve të Popullit Sadik Kaceli, Nexhmedin Zajmi dhe Abdurahim Buza. Në formimin e tij fillestar kishte mësues Dhimitër Çanin dhe Vladimir Janin në Berat dhe në lice Zajmin, Buzën dhe Kacelin, avanguardën e artitsëve shqiptarë Kjo ishte një mundësi e madhe për artistin e ri Sotir Capo, në formimin e tij akademik.

Pas studimeve në Liceun Artistik, Capo punoi për pak kohë Tiranë. Por, nevojat në qytetin e lindjes për specialist, e kërkuan të rikthehej në Berat ku punoi deri në vitin 1961, vit në të cilin filloi studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe i përfundoi në vitin 1965. Pas studimeve ai punoi në Berat në Pallatin e Kulturës si skenograf dhe mësues vizatimi në shkollat tetëvjeçare të qytetit. Në vitet 80 punoi si mësues i pikturës në Shkollën e Mesme Artistike “Ajet Xhindole” deri në vitin 1989, ku edhe doli në pension. Që prej vitit 1996 ai jetoi me familjen e tij në Philadelphia, SHBA ku më 3 Mars 2012 u nda nga jeta.

Krijimtaria e Sotir Capos është e lidhur ngushtë me qytetin e Beratit. Për më shumë se 40 vite ajo u formua dhe u zhvillua tërëisht aty duke i dhënë tipare thellësisht personale krijimtarisë së tij. Krijimtaria e tij i prek që të gjitha zhanret e pikturës, por ai u investua më shumë në kompozimet. Temat që ai ka trajtuar janë të shumëllojshme si tema patriotike, ndërtimi i socializmit, mbrojtja, puna etj. Në rrethet artistike të kohës Capo njihej si portretist mjaft i aftë.

Krahas krijimtarisë artistike Capo ka edhe një kontribut mjaft të vyer në qytetin e Beratit. Si mësues vizatimi, në disa shkolla tetëvjeçare e në rrethet e pikturës së asaj kohe, si mësues i pikturës në Shkollën e Mesme Artistike “Ajet Xhindole”, që nga krijimi i saj në vitin 1981, deri në daljen në pension personalisht ndikoi në inkurajimin dhe rritjen e një brezi artistësh që do të bëheshin të rëndësishëm jo vetëm në qytetin e Beratit. Sotir Capo është protagonist në ngritjen e shkollës së mesme artistike në qytetin e Beratit në vitet 1981, dhe së bashku me kolegë të tjerë artistë i dha një drejtim serioz duke e bërë një nga më të rëndësishmet në vend. Gjithashtu Sotir Capo është një nga artistët protagonist në ngritjen e galerisë së arteve figurative të qytetit të Beratit në vitin 1994. Capo në këto 35 vjet kishte shkëlqimin e tij dhe nga kjo periudhë do të ngelet si një nga artistët mjaft të rëndësishëm shqiptar. Vepra dhe jeta e Capos ndahet në tre periudha të rëndësishme: Vitet 1955 -1990, periudha e demokracisë 1991-1995 dhe periudha e Amerikës 1996 - 2012

Vitet 1955 - 1990

Duke filluar që nga viti 1955 e deri më 1995 plot 40 vjet nuk ka artikull për problemet, ngjarjet apo ekspozitat e arteve vizive në Berat që të mos përmëndet Sotir Capo. Plot 40 vjet në qytetin e Beratit, është kariera e artistit dhe mësuesit të vizatimit në arsimin tetëvjeçar dhe të pikturës në shkollën e artit, Sotir Capo.

Aktivitetin e tij artistik në Berat, Sotiri e fillon menjëhere pas mbarimit të Liceut, në mes të viteve 50, duke krijuar dhe punuar në përgatitjen e dekoreve, organizimin e aktiviteteve kulturore artistike dhe si mësues vizatimi në shkollat tetëvjeçare të Beratit. Më 13 tetor 1957 ai organizoi hapjen e ekspozitës së parë në Berat. Pas hapjes së ekspozitës së parë në vitin 1957 në Berat fillon të intesifikohet aktiviteti artistik. Po në këtë vit bashkë me artistin Llazar Myzeqari realizojnë skulpturën “Gruaja me shtamë” e cila u vendos në lulishten e qytetit. Ai vazhdon të punojë me intesitet të lartë dhe nga kjo kohë kemi edhe portretin e kompozuar “Fyelltari”. Në vitin 1961 fillon studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Në pesëvjetorin e ILA-së hapet ekspozita e studentëve ku marrin pjesë dhe studentët beratas Hasan Nallbani dhe Sotir Capo, i cili merr pjesë me “Portret plaku”. Më 1965 diplomohet për pikturë në ILA në Tiranë.

Pas mbarimit të studimeve më 1965 rikthehet në qytetin e tij të lindjes në Berat ku për 30 vjet vazhdon me intesitet aktivitetin e tij krijues si figura kryesore e arteve vizive në Berat. Gjatë kësaj periudhe Capo merr pjesë dhe organizon jetën artistike në qytetin e Beratit në vitet e para së bashku me Hasan Nallbanin, Dhimitër Budën, Yzedin Shelegun, Vangjel Papën, Odise Lakuriqin etj.

Pas studimeve merr pjesë në të gjitha ekspozitat që hapen në qytetin e Beratit, njëkohësisht është dhe organizatori kryesor i tyre. Krijimtaria artistike të Capos përshkruhet nëpërmjet veprave më të rëndësishme të realizuara në vite. Në vitin1967 ai realizon kompozimin “Skënderbeu mbi kalë” dhe e ekspozoi në ekspozitën “500 vjetori i Skënderbeut” në Berat. Po në këtë vit, ai realizon portretet e heronjve të punës “Muhamet Shehu dhe Myrteza Kepi”. Në vitin 1968 realizoi grup portretin “Bilal Sina me shokët”, vepër me të cilën fiton edhe Çmimin e Parë në ekspozitën “25 vjet Ushtri Popullore” në Berat dhe po me këtë vepër fiton Çmimin e Dytë Kombëtar në Tiranë.

Vitet 60-të janë vitet e formimit të plotë akademik si dhe vitet e njohjes në rang kombëtar të veprës së tij. Ai fillon të bëhet një piktor mjaft i rëndësishëm duke kaluar nga portretet e kompozuar në realizimin e kompozimeve me shumë figura. Duhet pasur parasysh se Sotiri është një piktor që finalizon çdo vepër me mjaft rigorozitet dhe me mjaft vlerë profesionale.

Po në vitin 1969 ai realizon kompozimin “Babë Dudë Karbunara”, vepër e cila gjendet në fondin e Galerisë së Arteve “Edward Lear”, e vetmja vepër e Capos në fondin e galerisë së bashku me portretin e Margarita Tutulanit që gjendet në hollin e Pallatit të Kulturës, Berat.

Në vitin 197 ai ekspozon kompozimin “Shkolla partizane”, në fondin e Galerisë Kombëtare dhe portretin “Gjithmonë pranverë”. Në vitin 1972 ai hapi të parën ekspozitë vetjake në Pallatin e Kulturës në Berat dhe ekspozoi 20 vepra. Kjo mbetet e vetmja ekspozitë vetjake e hapur nga Sotiri në Berat.

Në vitin 1974 ai realizon kompozimin “Shpallja e Qeverisë së parë Demokratike” si dhe portretin “Mjelsja” me të cilën fitoi Çmimin e Parë në Berat. Kjo vepër është fondin e Galerisë Kombëtare në Tiranë.

Në vitin 1976 realizoi kompozimin “Drita e Partisë” dhe në 1978 portretin “Dëshmori” me të cilin fitoi Çmimi i II-të Kombëtar në ekspozitën “35 Vjet Ushtri Popullore” në Galerinë Kombëtare në Tiranë. Po këtë vit ai realizoi portretin “Partizania”. Në vitin 1979 në ekspozitën “35 Vjet Çlirim” në Berat, ekspozon kompozim “Godasim në shenjë” dhe fiton Çmimin e Parë.

Gjithë ky sukses lokal dhe kombëtar, finalizohet me titullin e lartë më 28 maj 1979 “Artist i Merituar”. Në vitin 1980, Capo fiton Çmimin e Parë me kompozimin “Nafta çan Bllokadën” në Berat. Në vitin 1982 realizon portretin e Bab Dudë Karbunarës dhe e ekspozon në ekspozitën “70 vjet pavarësi” në Berat dhe në Tiranë.

Në vitin 1984 në Berat hapet për herë të pare Galeria e Arteve e Beratit. Në fondin e saj krahas artistëve të tjerë beratas dhe nga Shqipëria janë edhe veprat e Capos: Tablotë kompozicionale “Gjatë operacionit të dimrit” dhe “Naftëtarët”, portretet “Nëna”, “Dëshmori Kristaq Capo”, “Portret Vajze”, “Mjelsja”, “Malësori”, “Portreti i Laurës”,Veterani”, “Natyrë e qetë” etj. Vepra “Mjelsja” është padyshim vepra më e mirë e Capos në vitet 70-të. Në vitin 1984 realizon në muzeun e Sinjës muralen “Beteja partizane” dhe po në këtë vit realizon kompozimin “Onufri dhe i Biri”. Kjo vepër ka qënë në fondin e Galerisë së Arteve të Beratit por në vitin 1991 pas shkatërimit të galerisë kjo vepër ju kthye autorit si dhe të gjitha veprat e tjera të Capos që ishin në fondin e saj.

Në gusht të vitit 1985 vizituan qytetin e Beratit pesë piktorë nga Republika Federale Gjermane. Pikturuan për disa ditë në qytetin e Beratit së bashku me artistët Sotir Capo e Fatmir Thaçi. Kjo ka qënë nga të paktat përvoja dhe kontakt me artistë të huaj e Capos. Johanna Schubert realizoi vizatimin e portreteve të Capos dhe Thaçit.

Gjatë vitit 1986 në Hamburg dhe Mynih të Gjermanisë u hapën ekspozita me veprat që realizuan në Shqipëri dhe në Berat. Ekspozita u titullua: “Njerëzit dhe natyra e Shqipërisë”. Në to u ekspozuan edhe disa vepra të disa piktorëve shqiptarë, si dhe të piktorit beratas Sotir Capo.

Peisazhi i Beratit me vlerat arkitektonike dhe momentet më të bukura me borë, natën, në vjeshtë dhe pranverë si dhe peisazhi i Himarës dhe Vlorës kanë qenë më të preferuarit e Capos. Të shumta janë kompozimet e përmasave të një boceti, te cilat ai i realizonte vazhdimisht si variante. I tillë është edhe kompozimi `“Vjelsët e domateve”, ky është një nga kompozimet më të bukur të Capos plot ngjyrë, dritë, emocion, shprehje dhe lirizëm, mund të themi se largohet nga kompozimet skematikë të realizmit socialist, ku këndvështrimi është mjaft intersant.

Ai ka marrë pjesë në të gjitha ekspozitat kombëtare në Tiranë, deri në fillim të viteve 90. Temat që ai ka trajtuar janë të shumëllojshme si tema patriotike, ndërtimi i socializmit me punën në të gjitha fushat e jetës me portrete të kompozuar, kompozime të përmasave të mëdha si dhe temat lirike dhe peisazhi Shqiptar, veçanërisht ai i Beratit. Krijimtaria e tij është tipike e realizmit socialist. Capo i përket brezit më të rëndësishëm të artistëve të realizmit socialist në Shqipëri, titulli i lartë “Artist i Merituar” është medalja që ju dha për nivel të lartë artistik por padyshim edhe si artist rigoroz i realizmit socialist. Në ekspozitën e vitit 2011, Çmimi “Onufri 2011”, nga koleksioni i Galerisë Kombëtare në Tiranë u përzgjodh portreti i Sotir Capos “Punonjësia e telave” dhe u ekspozua si vepër përfaqësuese e realizmit socialist.

Periudha e demokracisë, 1991 - 1995

Periudha e demokracisë në Berat, është periudha që e kthen Capon në dashurinë e tij të parë, në gjinitë e portretit dhe të peisazhit, por këtë radhë i zhveshur nga metodologjia e realizmit socialist. Ai pikturon Beratin me mjaft lirizëm dhe ekspresion dhe ato qe paraqesin Urën e Goricës dhe Kalanë janë padyshim pjesa më me dritë dhe kolor e veprës së tij. Herë herë ai bëhet romantik, por në formë është ekspresionist. Ai transformon elementë të peizazhit në simbole të fantazisë si ëngjëj, si femra nudo duke i rënë kitarës, për të ilustruar bukurinë poetike të Beratit. Ai largohet nga paraqitja reale e natyrës duke kombinuar fantazinë me pjesë të realitetit. Ai realizon portrete të qytetarëve të thjeshtë beratas duke vendosur si gjithmonë peisazhin e Beratit në sfond.

Periudha e Amerikës 1996 – 2012

Në fillim të vitit 1996 Capo emigron në Amerikë dhe vendoset në Filadelfia së bashku me familjen e tij. Plot 15 vitet e fundit të jetës ai i kaloi në Amerikë ku dhe krijon sërisht natyra të qeta, peizazhe nga Berati dhe tema të cilat ai i ka lëvruar edhe në Shqipëri. Në një interviste të vitit 2008 Capo do të shprehet: “Eshtë bërë një kohë e gjatë që ndodhem larg Beratit por, kur të shkoj do të punoj gjithë ditën duke mos lënë asnjë vend të Beratit pa pikturuar”.

Kjo pjesëz e vogël e intervistës tregon se sa shumë i mungonte qyteti. Ai ishte i lidhur pazgjishmërisht me të, vepra e tij nuk mund të kuptohet pa elementin e Beratit. Sotir Capo mbylli sytë më 3 mars 2012, në moshën 78 vjeçare duke marrë me vete mallin për muzën e tij për rreth 60 vjet, Beratin, qytet që i dha titullin e merituar.

(ekspres.al)

Shtoni në: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg

Komente (0 dërguar):

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
OPINION
image

Hamdi Mediu: Arkitektura e urave të Pollogut-Tetovës

Studimi u prezantua në Tribunën shkencore, me temë: “Roli i monumenteve historike në zhvillimin e ...
 Më tepër
FOTOGALERI
PROFILE
image

Krijimtaria e të parit kompozitor të muzikës së kultivuar shqiptare

Kompozitori i veprave të para të muzikës së kultivuar shqiptare dhe i sa e sa ...
 Më tepër
image

Dua Lipa: Femrat do ta udhëheqin botën

Dua Lipa është një ndër këngëtaret më të famshme shqiptare në arenën ndërkombëtare. Krahas shumë ...
 Më tepër