Fillimi | Kultura shqiptare | Valter Memisha: Paradigma e gjuhës shqipe në veprën e Rexhep Qosjes

Valter Memisha: Paradigma e gjuhës shqipe në veprën e Rexhep Qosjes

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image Valter Memisha: Paradigma e gjuhës shqipe në veprën e Rexhep Qosjes

Personaliteti kombëtar e shkencor i akademikut R. Qosja nuk perceptohet i plotë pa paradigmën e gjuhës shqipe, paradigmë që shpërfaqet pandashëm në gjithë veprën e veprimtarinë e tij. Kjo vërehet në dy prerje: Rexhep Qosja për gjuhën dhe gjuha e veprës së tij. Brenda këtyre prerjeve mund të bësh kundrime nga më të ndryshme, sa dhe një konferencë e veçantë nuk do të sillte të plotë ndihmesën shkencore të profesorit në këtë fushë. Sepse ai, si rrallë kush në botën shkencore, kulturore e qytetare shqiptare, është marrë në mënyrë tërësore me shqipen e me problemet që lidhen me të.
Përmes një konceptimi filozofik akademiku ndalet te rëndësia e gjuhës dhe pohon se “Gjuha është biografi e popujve, sepse në gjuhën dhe me gjuhën më mirë se në çdo dokument material, ruhet historia e tyre intelektuale, sociale dhe morale. Dhe më tej të çon në vlerësimin e gjuhës amtare: “Me strukturën gramatikore dhe me thesarin e pasur leksikor, gjuha shqipe është dëshmia më e mirë e prirjes, e fuqisë krijuese, e pasurisë shpirtërore dhe emocionale të popullit tonë. Gjuha, në të vërtetë, është pasuria jonë më e madhe.” 
Nuk ka vepër e segment të veprimtarisë së akademikut në funksion të çështjes kombëtare ku të mos jetë e pranishme paradigma e shqipes. Ajo del si domosdoshmëri e si nevojë për të pohuar e luftuar. Mjafton t’u referohesh studimeve të tij për romantizmin shqiptar, për ta vërejtur e vlerësuar këtë përmasë. Prof. Qosja nxjerr në pah punën titanike të rilindësve për t’u identifikuar e mëvetësuar kombëtarisht përmes shqipes. Ai shkruan se “Duke u marrë me gjuhën si emanacion i shpirtit kombëtar, romantikët mirren njëkohësisht edhe me gjuhën si faktor vendimtar i arsimit i dijes, i kulturës, domethënë i emancipimit shpirtëror të kombit. Faktor themelor i identitetit kombëtar, gjuha është faktor prej të cilit varet plotësisht ardhmëria historike e shqiptarëve. Për romantikët, dëshmon edhe historia e shqiptarëve se gjatësia e hapave kulturorë të një kombi, ashtu dhe ekzistimi i tij, varen plotësisht prej gjuhës. Romantikët shqiptarë do të nënshkruanin njëzëri mendimin e Herderit, që e citon Mitko në parathënien e Bëletës Shqipëtare: Një komb nuk mund me asnjë mënyrë tjetër të dalë nga barbaria, përveç se duke punuar gjuhën e vet.
Paradigma e shqipes në konceptimin e vlerësimin e akademikut shpërfaqet veçan kur i referohet shqipes standarde. Ai identifikohet si luftëtar i radhëve të para për të pohuar përhershëm e pandërprershëm, arsyetueshëm e bindshëm, misionin bashkues, homogjenizues e identifikues të saj. Ai është sa racional, aq realist, sa aktual, aq largpamës kur thekson se “Gjuha standarde është një prej fitoreve më të mëdha kulturore, shoqërore, por dhe politike e popullit shqiptar. Kjo fitore është historike.” Ai njëjtësohet si sfidues e i paepur për të treguar e orientuar, edhe përmes veprës dhe veprimtarisë së vet, pranimin, shtrirjen e nxënien e kësaj gjuhe në të dy hapësirat: gjeografike e sociale. 
R. Qosja është pjesëmarrës në Kongresin e Drejtshkrimit, si përfaqësues i pjesës më luftarake e më misionare të inteligjencies shqiptare në Kosovë e më gjerë. Nuk ka përvjetor e veprimtari përkujtuese për këtë ngjarje madhore që akademiku të mos thotë fjalën e vet të mençur, të peshueshme e të çmueshme. Ja si shkruan në vitin 2002: “Para tridhjetë vjetësh isha pjesëmarrës në punimet e këtij Kongresi dhe ndihesha krenar, pse, si delegat, edhe unë do të vija nënshkrimin në Rezolutën që do të miratonte ai, me të cilën ligjësohej gjuha letrare gjithëkombëtare. Dhe, si të mos ndihesha ashtu krenar? Isha pjesëmarrës në Kongresin, që shënon njërën nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kulturës shqiptare, madje në jetën e popullit shqiptar në përgjithësi, pjesëmarrës në Kongresin që popullit shqiptar, të ndarë në katër shtete, i sillte faktorin themelor të njësisë kombëtare dhe, njëkohësisht, dëshminë më të sigurt të shkallës së arritur të qytetërimit.” 
Akademiku i mëshon pranimit, vlerësimit dhe përvetësimit të shqipes standarde duke theksuar se kjo është shenjë zhvillimi, emancipimi e prestigji. Ai shprehet se “Është me rëndësi vetëdija e krijuar se gjuha jonë letrare shpreh vullnetin e të gjithë atyre që këtë gjuhë e flasin dhe e shkruajnë; se është kurorëzim i një procesi të natyrshëm historik të shqipes, të afrimit të dialekteve të saj, që e kanë ndihmuar dhe e kanë nxitur praktikisht edhe krijuesit më të vetëdijshëm dhe më të shquar të kulturës shqiptare prej fillimeve të Rilindjes e këndej. Mbi të gjitha është me rëndësi vetëdija se gjuha e standardizuar është shprehje domosdo e nivelit të zhvillimit kulturor të popullit shqiptar.”
E pandashme në veprimtarinë shkencore, kulturore e kombëtare të akademikut mbetet mbrojtja e standardit. Standardi është një nga çështjet më të diskutueshme në rrethet akademike e jo vetëm, që përmes debateve, shpesh jo konstruktive, ka njohur qëndrime nihiliste ndaj tij e mosvlerësim, kohëhumbje e harxhim të panevojshëm energjish, grindje të pabukta e aventura të pashembullta si në asnjë vend tjetër, të paktën evropian, me mendësinë se me standardin dhe për të, mund të flasë kush e si të dojë, kur e ku të dojë, të nëm e të mburrë, edhe pa pasur formimin e duhur e tagrin për të vendosur për të. Të thuash se kjo çështje e shqetëson akademikun, thua pak. Zëri i tij është dhimbje, revoltë, protestë. Ai shkruan se “Shqipëria shtetërore dhe Kosova janë shtetet e vetme kombëtare në Europë sot, domethënë shqiptarët janë kombi i vetëm në Europë sot, në gjirin e të cilit paraqiten intelektualë, gazetarë, gjuhëtarë, zyrtarë politikë, që gjuhën letrare kombëtare, e kritikojnë apo, madje, e mohojnë me argumente politike e ideologjike dhe krahinore e dialektore.”Ky zë ngrihet fuqishëm ndaj atyre që, tinëzisht a drejtpërdrejt, kërkojnë të krijojnë dy standarde, e pashmangshëm krijimin e kombit kosovar, krahas atij shqiptar. Shqetësimi i tij, si mishërim kahut më kombëtar të kësaj çështjeje, është konkret, pasojat e qëndrimeve të tilla janë tejvajtëse. Ai shkruan se “politikat separatiste në jetën e një populli në shumicën e herëve kanë çimentuar themelet e ndarjeve apo të shpërbërjeve të tyre. Rrjedhimisht del përfundimi se përpjekjet për ndryshimin e parimeve të gjuhës së njësuar apo për krijimin e dy gjuhëve letrare përfaqësojnë konkretizimin e politikës dhe të ideologjisë së shpërbërjes në fushën më integruese të jetës kombëtare, në fushën e kulturës.
Përmirësime apo ndryshime në standard? Duke e pranuar standardin si proces, akademiku në frymën e Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit, ngrihet kundër ndërhyrjeve të pastudiuara, amatore, joshkencore, politike, në këtë gjuhë dhe pranon se “Në përgjithësi mund të bëhen diskutime për përmirësime aty ku ka vend dhe të jetë e nevojshme në gjuhën letrare kombëtare. Nuk ka gjë që nuk mund të përmirësohet, por ato duhet të jenë përmirësime që në asnjë mënyrë nuk rrezikojnë bazën, themelet, tërësinë e gjuhës standarde. 
Një nga çështjet më të rrahura prej prof. Qosjes mbetet pastërtia e shqipes dhe pastrimi i saj nga huazimet e panevojshme, një problem në shekuj i shqipes e që për shqipen sot, në kohën e globalizmit e të globalizimit del një nga çështjet më parësore. Ai shkruan se “Qëndrimi i tij ndaj fjalëve të huaja në gjuhë dëshmon bindjen se shkalla e mëvetësisë kombëtare të një populli më së miri mund të shihet e të njihet përmes shkallës së zhvillimit e të përsosjes së gjuhës në të cilën flet dhe shkruan ai. Gjuha e përzier me fjalë të huaja sqaron fatin historik të popullit dhe gjendjen në të cilën gjendet kultura e tij.” Akademiku modelin punës për pastërtinë e gjuhës e për përkujdesjen gjuhësore e merr te Rilindja. Ai shkruan se “Shembulli gjuhësor romantik, së paku në veprat më të mira dhe tek autorët më të prirur, do të mbetet shembull i gjuhës së kujdesur në letërsinë shqipe... Patosi i përpjekjeve për pastërtinë e gjuhës e, në kuadrin e tyre, edhe patosi purist, sado dukuri gjuhësore ekstreme, bëhet faktori i integritetit kombëtar, kurse integriteti kombëtar faktor efikas i luftës për konstituimin e shtetit të pavarur shqiptar.” 
Ndër çështjet e rrahura prej akademikut është dhe ajo e marrëdhënieve të standardit me dialektet. Pa u ndalur te roli pasurues i dialekteve, po veçoj qëndrimin e tij ndaj gegërishtes: Gjuha standarde është e hapur ndaj gegnishtes. Unë jam njëri nga ata autorë që fus shumë fjalë, sepse jam rritur ku flitet e folmja më e bukur dhe më e pasur e gegnishtes, në malësi. Fus mjaft fjalë, edhe ata që kanë bërë gjuhën standarde kanë thënë se: gjuha letrare kombëtare është e hapur ndaj fjalëve, leksikut të dialekteve të të folmeve. Kurrkush nuk ka vënë pengesë dhe nuk vë. E përsëris që gjuha standarde është e hapur ndaj gegnishtes dhe ndaj të folmeve të tjera. Kot bëhet betejë, por çelen dyert që janë të çelura.”
Akademikun e shqetëson kultura e ulët gjuhësore dhe kujdesi i paktë qytetar e shtetëror ndaj gjuhës si institucion. Ai shtron pyetje “Ai që nuk ka së paku një kulturë të domosdoshme të gjuhës amtare, ç'mund të ketë tjetër?” Dhe më tej parashtron se “Gjuha dhe letërsia që janë kultura dhe identiteti ynë, duan kujdes e përkushtim të veçantë nga shteti, që nuk e kanë sot, mjerisht. Si mund t'u rezistojë shqipja standarde sfidave të kontestimit dhe të globalizimit?” Ai kërkon politika të reja shtetërore për gjuhën, kërkon planifikim gjuhësor që të ndihmohet shqipja për të përballuar sfidat dhe dukuritë e ndryshme shfytyruese. Ky planifikim, sipas akademikut duhet të mbështetet në parimin që ka theksuar Xhevat Lloshi: shqipja standarde duhet të jetë gjuhë e hapur: e hapur, në radhë të parë ndaj gjuhës popullore - dialekteve, të folmeve të saj. Gjuha popullore është thesar që vjen duke u shtuar dhe që kurrë nuk mund të shfrytëzohet deri në fund; ajo ishte dikur liria jonë e vetme dhe në të kemi mundur të tregojmë të gjitha dhuntitë krijuese. Në saje të konceptit të gjuhës standarde të hapur bëhet e mundshme që ndikimi i kundërnormës të vihet në shërbim të normës, që ndikimi afatshkurtër shpërbërës të bëhet ndikim afatgjatë qëndrueshmërie.”
Akademiku është për modernizimin e standardit, për ngritjen e prestigjit të tij kombëtar e ndërkombëtar dhe shprehte se “Epoka jonë është epokë e ngritjes historike të popullit shqiptar; dhe epokat e ngritjes historike të popujve janë epoka të pasurimit dhe të forcimit të identitetit të tyre, sepse, në radhë të parë, janë epoka të mëdha të kulturës e të gjuhës së tyre. Ta ruajmë e ta modernizojmë gjuhën tonë standarde, sepse ashtu do ta ruajmë e do ta pasurojmë identitetin kombëtar në këtë botë të globalizmit.
Një fushë që shpërfaq paradigmën e shqipes në veprën e akademikut, është ajo e marrëdhënieve gjuhë - letërsi - shkrimtar. Krijimtaria letrare artistike është mjedisi ku standardi latohet, zhdërvjelltësohet, pasurohet, vitalizohet. Pa komentuar, se fjala e tij flet vetë, citoj: “Përgjegjësia gjuhësore e shkrimtarit shqiptar është një përgjegjësi e dyfishtë: historike dhe artistike. Këto nuk janë të veçuara prej njëra-tjetrës; ato plotësohen reciprokisht dhe janë në lidhje të ngushtë dialektike. Një shkrimtar që nuk do të përpiqet të përmbushë përgjegjësinë artistike, nuk do të mund ta përmbushë as përgjegjësinë historike. Përgjegjësia historike mund të quhet parimisht, por vetëm parimisht, e plotësuar në qoftë se shkrimtari është i gatshëm të përqafojë gjuhën e njësuar letrare dhe në qoftë se shkrimet e veta i boton në këtë gjuhë. Përgjegjësia artistike mund të quhet e plotësuar në se shkrimtari, mbasi ta ketë pranuar në parim përgjegjësinë historike, të gjitha përpjekjet e tij si krijues i shtrin në drejtim të zbatimit të saj sa më besnik dhe të shprehjes gjuhësore sa më të përsosur.”
Ndër rrugët, mjetet e subjektet që pasurojnë standardin, akademiku veçon rolin e shkrimtarëve e të vetë letërsisë. Ai shkruan: “Shkrimtari që e njeh gjuhën popullore dhe që e ka të fortë ndjenjën e gjuhës, kujdeset që ta zgjerojë fondin e vet leksikor. Ai kërkon fjalë te gjuha popullore dhe i nxjerr harrese ato fjalë apo fraza të rralla, të cilat, për një arsye ose tjetër, kanë mbetur jashtë komunikimit të përditshëm. Shkrimtari i mirë, e pasuron gjuhën edhe me terminologjinë që gjithnjë e më shumë po hyn në përdorim. Kontributin më të madh gjuhës, shkrimtari ia jep me krijimin e lidhjeve të reja të fjalëve, me fërkimet e papritura të tyre, me zbulimin e aspekteve të reja gjuhësore. Ai i vë fjalët nëpër pozita të reja, u krijon gjendje të reja semantike; ai, pra, bën aso manovrimesh gjuhësore çfarë gjuha nuk ka përjetuar përpara tij. Shkrimtari mund të jetë novator në pikëpamje gjuhësore po aq sa mund të jetë novator edhe në pikëpamje të prosedeut krijues, të ideve dhe formave të reja të shprehjes.” Dhe modelin e jep përmes veprës së N. Frashërit, D. Agollit e dhjetërave të tjerë.
Gjuha dhe njerëzit e gjuhës. Janë me dhjetëra personalitet e vlerësuar prej akademikut. Profesori vlerëson punën e tyre, por edhe ata, që janë në krye të punës, e kanë për ndër që i vlerëson akademiku.
Gjithë sa parashtruam do të ishte e paplotë nëse nuk ndalesh te gjuha e veprës së akademikut. Vepra mishëron në mënyrën më të mirë të mundshme marrëdhëniet me shqipen. Prof. Qosja shkruan në disa stile, që shpërfaqen në krijimtarinë e mirëfilltë letraro-artistike, në produktin shkencor e kritikën shkencore, në krijimtarinë eseiste e polemizuese, në shkrimet si politikan e si qytetar e me radhë. Ai trysnon me forcën dhe bukurinë e stilit, me aftësinë për t’i dhënë peshë, për ta dimensionuar e për ta bërë shumëfunksionëshe fjalën shqipe. Në çdo faqe e rresht vëren mjeshtrin e përdorimit e të ngritjes së fjalës në art, mjeshtrin e shprehjes së saktë e të përpiktë, simbolin e pastërtisë së të shprehurit dhe të elokuencës sintaksore.
Akademiku në një intervistë shprehet se “Unë jam njeri i lirë. Gjithë pasuria ime është biblioteka.” Por duke shprehur edhe mendimin tuaj, them se vetë vepra e akademikut formon një bibliotekë të mirëfilltë. Dhe kushdo, në këtë rast edhe gjuhëtari, gjen aty lëndë për të punuar me vite. Sepse R. Qosja me punën për shqipen e me shqipen është kthyer në misionar.

 

 

 Autori është Drejtor i Institutit i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, ASA, Tiranë.

Shtoni në: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg

Komente (0 dërguar):

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
OPINION
image

Hamdi Mediu: Arkitektura e urave të Pollogut-Tetovës

Studimi u prezantua në Tribunën shkencore, me temë: “Roli i monumenteve historike në zhvillimin e ...
 Më tepër
FOTOGALERI
PROFILE
image

Krijimtaria e të parit kompozitor të muzikës së kultivuar shqiptare

Kompozitori i veprave të para të muzikës së kultivuar shqiptare dhe i sa e sa ...
 Më tepër
image

Dua Lipa: Femrat do ta udhëheqin botën

Dua Lipa është një ndër këngëtaret më të famshme shqiptare në arenën ndërkombëtare. Krahas shumë ...
 Më tepër