Fillimi | Kultura shqiptare | Ali Asllani: HAKËRRIM

Ali Asllani: HAKËRRIM

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image

Këtë poezi Ali Asllani e ka shkruar më 1942. Në të flitet për politikanët dhe për tregtarët e tjerë të flamujve – të shoqërisë shqiptare që abuzojnë në kurriz të popullit të varfër. Shumëçka në këtë krijim letrar-artistik është aktuale edhe sot, në të gjitha trojet shqiptare. 

             * * *               * * *                  * * *

Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë,
nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë!
Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças,
Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ . deli ras’!

Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepa, mbushni arka,
të pabrek’ ju gjeti dreka, milioner’ ju gjeti darka!
Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepa
gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!

Ai rron për zotërinë tuaj, pun’ e tija, djers’ e ballit,
është kafshatë për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit!
Shyqyr zotit, s’ka më mirë, lumturi dhe bukuri,
dhe kur vjen e ju qan hallin, varni buz’ dhe turi!

Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjve;
hani, pini e rrëmbeni, është botë e maskarenjve;
Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith’ aksione, monopole,
ekselenca dhe shkëlqesa, turi quanti come vole!

Nënshkrim i zotris suaj nëpër banka vlen milion,
i shkëlqen në kraharuar dekorata ‘Grand Cordon’!
Dhe kërkoni me ballëhapur (!) komb i varfër t’ju thërres’
gjith me emrin tingëllonjës: ekselencë e Shkëlqesi
Dhe të quheni përherë, luftëtarë e patriotë,
në ka zot dhe do durojë, posht ky zot, ky palo zot!

Grand Cordon i zotërisë sate, që në gji të kanë vendosur,
ësht’ pështyma e gjakosur e atdheut të vermosur,
dhe kolltuku ku ke hipur, duke hequr nderin zvarrë,
është trekëmbëshi ku përditë, varet kombi në litar!
Dhe zotrote kullurdise, diç u bëre e pandeh,
kundër burrit të vërtetë zë e vjell e zë e leh!

e na tunde, na lëkunde, nëpër salla shkon e shkunde,
mbasi dora e armikut, ty me shokë të heq për hunde.
Rroftë miku yt i huaj, që për ditë loz e qesh,
të gradoi katër shkallë, pse i the dy fjalë në vesh!

Koha dridhet e përdridhet, do vij’ dita që do zgjidhet
dhe nga trasta pem’ e kalbur doemos jasht’ do hidhet!
Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë
nuk do mbetet gjë në dorë, veçse vulë e zezë në ballë!

Mirëpo, ju që s’keni pasur as nevojë, as gjë të keqe,
më përpara nga të gjithë, ju i thatë armikut: ‘Peqe’!
Që të zinit një kolltuk, aq u ulët u përkulët,
sa në pragun e armikut, vajtët si kopil u ngulët!
As ju hahet, as ju pihet, vetëm titulli ju kihet...
Teksa fshat’ i varfër digjet... kryekurva nis e krihet!

Sidomos ju dresharakë, ju me zemra aq të nxira,
ju dinakë, ju shushunja, ju gjahtar’ në errësirë!
Ç’na pa syri, ç’na pa syri!!... Hunda juaj ku nuk hyri:
te i miri, te i ligu, te spiuni më i ndyri!

Dallavera nëpër zyra, dallavera në Pazar,
dallavera me të huaj, dallavera me shqiptarë.
Vetëm, vetëm dallavera dhe në dëm të këtij vëndi
që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dëndi!

Nëse kombi vete mbarë, nesër ju veproni ndryshe,
dylli bëhet si të duash, kukuvajkë dhe dallëndyshe...
Kukuvajka gjith’ me lajka, nesër silleni bujar,
nën dorë nën maska, shkoni jepni një kapar!

Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera
kukuvajka do përtypi zog e zoga si përherë...
Ja, ja grushti do të bjerë përmbi krye të zuzarëve,
Koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqiptarëve!

edhe ju të robëruar, rob në dorë të metelikut,
fshini sofrat e kujtdo, puthni këmbën e armikut!
Që ta kesh armikun mik, e pandehni mençuri,
mjafton bërja pasanik, pasanik dhe ‘bej’ i ri,
dhe u bëtë pasanik, me pallate, me vetura,
kurse burrat më fisnikë, japin shpirtin në tortura!

Vëndi qenka sofr’ e qorrit, vlen për goj’ e për lëfyt,
bëni sikur veni vetull, shoku shokut nxirrni sytë...
Dhe për një kërkoni pesë, po mirë njëzet e pesë.
Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë!

Po një ditë që nis vërtetë, do mbaroj’ me bubullimë,
ky i sotmi zë i errët, bënet vetëtime
dhe i bije rrufeja pasurisë dhe kësi lloj 
nuk ju mbetet gjë në dorë, vetëm një kafshatë për gojë!

A e dini që fitimi brenda katër vjet mizor
nuk është yti, nuk është imi, është i kombit arbëror,
ësht’ i syrit në lot mekuar, ësht’ i vëndit djegur, pjekur,
Ju do thoni si të doni... po e drejta dërmon hekur!

Shtoni në: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg

Komente (0 dërguar):

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
OPINION
image

Universiteti i Kombit dhe Kombi i Universitetit

Selam Sulejmani Universiteti i Tetovës për shqiptarët e vendit tonë dhe më gjerë paraqet “Atdheun” e ...
 Më tepër
FOTOGALERI
PROFILE
image

Krijimtaria e të parit kompozitor të muzikës së kultivuar shqiptare

Kompozitori i veprave të para të muzikës së kultivuar shqiptare dhe i sa e sa ...
 Më tepër
image

Dua Lipa: Femrat do ta udhëheqin botën

Dua Lipa është një ndër këngëtaret më të famshme shqiptare në arenën ndërkombëtare. Krahas shumë ...
 Më tepër