Fillimi | Kultura shqiptare | XHELAL ZEJNELI: POEZIA - MBRETËRI E PAVDEKSHME E SHPIRTIT

XHELAL ZEJNELI: POEZIA - MBRETËRI E PAVDEKSHME E SHPIRTIT

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image

Shkrimi u lexua me rastin e manifestimit Dita botërore e poezisë, organizuar nga Klubi letrar Metafora të mbajtur te Oda më 21.03.2017 – Tetovë.

Kur HegeliEstetikën e vet i renditi artet për nga thelbi artistik i tyre, muzikën e vuri në krye të vendit. Por, menjëherë pas saj e vendosi poezinë. Llojet e tjera të artit i mori për më pak artistike se dy të parat, ndaj i renditi pas tyre. Sipas filozofit të madh, sa më shumë lëndë të ketë një art, aq më pak artistike është. Muzika është më artistikja ngase lënda e krijimit të saj është tingulli dhe jo materia. Poezia është po kaq artistike, ngase komponenti krijues i saj është, jo materia por fjala. Në rastin e poezisë ajo është fjalë apo shprehje artistike.

Por, sumerët i kushtuan rëndësi shprehjes artistike, që kur u shpik shkrimi para 5000 vjetësh në Mesopotami. Gjuhë të figurshme hasim, jo vetëm te Gilgameshi i asiro-babilonasve, por edhe te Epi i Kadeshit i egjiptianëve të lashtë. Vlera poetike në lashtësi krijuan edhe kretasit, hititët, hebrenjtë, kinezët. Dashuri dhe pikëllime hasim te Mahabharata e indianëve.   

Që nga koha homerike e këndej, poezia e mirëfilltë ka pasur një qëllim të vetëm – t’i këndojë të bukurës. Aedët parahomerikë, edhe kur u thurnin vargje heronjve të Trojës, në qendër kishin të bukurën. Po kështu edhe homeridët e ishullit Hios. Himne bukurie krijuan sidomos lirikët e lashtë grekë – Arkiloku, Alkeu, Pindari dhe poetesha e dashurisë, Safo, të cilën Platoni e quajti muza e dhjetë. Shtigjet e tyre poetike i ndoqën edhe poetët aleksandrinë. Në himne, ode, ditirambe, epitafe, epigrame, idile, elegji letrarët e antikitetit shprehën ëndrrën e njeriut për drejtësi, luftën kundër tiranisë së hyjnive të Olimpit, luftën kundër padrejtësive. Ata thurnin vargje vetëm kishin pranë muzat – Polihimninë, Eratën apo Euterpën.  

Qysh në lashtësi krijimet letrare do të studiohen edhe nga pikëpamja letrare teorike. Studimet pararendëse në këtë lëmë, Aristoteli i përmblodh në Poetikën e tij, duke vënë kështu themelet e shkencës mbi letërsinë. E ndoqi poeti latin, mik i Virgjilit - Horaci, i cili për natyrën e poezisë do të flasë te Letra Pizonëve. Në këtë varg studimesh poetike në shekullin XVII, bën pjesë edhe Nikolla Bualo me Artin poetik të tij.

Që në Romën e lashtë, stili lirik shquhej me bukurinë e formës, me shprehjen e lëmuar. Që atëherë hasim hermetizëm konstant. Poeti adhuronte jetën, kënaqej me bukuritë e saj, synonte që entuziazmin e vet ta bënte të përjetshëm. Adhuronte atdheun, të vërtetën, traditën, natyrën, lulet, por edhe vetminë. Që atëherë Horaci luftoi kundër gënjeshtrave dhe josinqeritetit. Te brezi i ri shihte ardhmërinë dhe shpresën. U këndoi motiveve të përhershme, përkohshmërisë,   dashurisë, të sotmes së vet dhe jo njëfarë të nesërmeje. Që në lashtësi u krijuan vargje që janë himn për poezinë. Poetët dëshmuan se poezia është përmendore që do të jetojë deri në pafundësi. I krijuan himn jetës, dashurisë, bukurive të peizazheve.

Poetët ndikoheshin nga njëri-tjetri. E kush nuk ndikohej nga lirizmi i Pindarit. Pushkini ndikohej nga bajronizmi, njashtu sikundër lirikët evropianë krijonin nën ndikimin e lirikëve latinë.

Midis poezisë dhe muzikës kishte relacione të ngushta. Poetët ngazëlleheshin edhe nga muzika. Bodleri entuziazmohej nga muzika e Vagnerit. Nëpërmjet cante jondo Lorka i gjeti metaforat e veta, simbolet dhe ritmet. Por, ishte edhe piktor, ngase poezia është në lidhje të ngushta edhe me pikturën. Por, edhe kompozitorët, me interpretimet e veta e kanë shprehur thellësinë e odeve të poetëve të mëdhenj.

Në kohë të caktuara, krijimet poetike kanë ngritur edhe pluhur. Lulet bodleriane trazuan parisienët. Ka poetë që për artin e fjalës, u censuruan, u ndaluan, u burgosën, humbën pa gjurmë, u ekzekutuan. Të vlerësuar me kritere jashtëletrare, poetët akuzoheshin për fyerje të moralit publik. Tiranët ndërkaq, kërkonin që arti poetik të vihet në shërbim të tiranisë. Por kjo s’ndodhi kurrë. Teofil Gotje, larpurlartistët dhe parnasistët u shprehën prerë se arti nuk është ideologji, as filozofi dhe as religjion. Nuk është në shërbim të politikës apo të asaj që e quajnë ide e madhe. Arti i fjalës është sferë specifike që i ka mjetet shprehëse specifike. Është autonom dhe i mjafton vetes. Dhe thanë: Asgjë s’është më e bukur se ajo që nuk ekziston. Malarmeja dhe poetët e nëmur do të krijonin poezi të kulluar (poesie pure). Për t’iu shmangur banales, meskines, provincializmit dhe mediokritetit poetit i duhej të mbyllej në kullë të fildishtë, të krijonte edhe vargje hermetike. Por, hermetizmi njihej edhe nga lirikët e Romës së lashtë. Artisti nuk e pranon mesataren, nuk duron kompromis, nuk lidh pakt me djallin, me demonët. Asgjë në poezi nuk është relative. Ajo nuk njeh gradacion, është në maje të Olimpit. Krijimi artistik mund të vlerësohet vetëm me kritere estetike dhe jo me parime zhdanoviste. Shumë artistë të mëdhenj qenë të papranuar, të pakuptuar nga mjedisi, të privuar nga afirmimi shoqëror. Autori i Albatrosit, i cili nga lulja e fishkur krijonte të bukurën artistike, ishte i huaj edhe për të ëmën. Tiranët deshën që t’i shihnin të thyer, të përfundojnë si desperaterë.

Poezia është protestë edhe atëherë kur poeti i ka pranë, perëndeshat e bukurisë dhe të dashurisë - Afërditën dhe Venerën. Edgar Allan Poe shfaqte revoltë edhe Anabel Lee dhe vdiq nga delirium trimens. Dante shprehte revoltë edhe në tingëllimat kushtuar Biçes, siç e quante poeti Beatriçen e ëmbël. U dënua me vdekje, përfundoi larg vatrës. Petrarka ishte i urryer nga kleri edhe kur i këndonte Laurës. Shekspiri tha: Vdekjen do t’ua sjelli në skenë. Katër shekuj pas tij, poezia e Nerudës i trazoi shpirtrat e despotëve.     

Pas së bukurës dhe së vërtetës në art rendi edhe Tagore, format e metrit të të cilit, të rimës, të vargut, të strofësEpin e flijimit (Gitanxhali) i çmonte lartë Ezra Paundi. Pas lirisë rendi edhe Pushkini, por rrallë kush si Bajroni e ndjeu dhimbjen e mallit për vendlindjen. Poeti që krijoi figurën e Tatjanës, u tha krijuesve: Poetë, qëndroni përmbi rrëmujën e jetës ekskluzive mondane!

Poeti andaluzian – Lorka, për poezinë u shpreh: E kam zjarrin në duar, e ndjej. Do ta digjja Partenonin natën, që në mëngjesin e së nesërmes të fillojë ta rindërtojë sërish dhe kurrë të mos e përfundoj.

Për të treguar se ç’është poezi dhe çka nuk është poezi, poeti anglo-amerikan Tomas Stërnz Elliët botoi në vitin 1909 esenë Tradita dhe talenti individual. U quajt ese e shekullit.

Para katër shekujve, Matrënga e shkroi të parën poezi në gjuhën shqipe - Këngë e përshpirtshme (Canzona spirituale). Sikur ua çeli rrugën vargjeve të De Radës, mbi drithërimat e Rinës dhe të Milosaut, paralajmëroi epitetet dhe apostrofat naimiane mbi botën shqiptare, hapi shtigjet për malin që s’bëzan dhe për netët pa gjumë të Migjenit. Ushtoi melodia bodleriane e lirikut tragjik – Lasgushit:

Fluturoi dhe shtërg i fundit, madhështor, me shpirt të gjorë

Duke shkuar që me natë sipër malesh me dëborë...

Poetët kanë shpirt prometean, zbresin në paradhomën e ferrit dhe sërish ngjiten në yje. Për mision kanë zhbërjen e territ, të ferrit, të tmerrit. Metaforat e vargut të tyre ngërthejnë në vete zjarrin hyjnor, këtë dritë të amshueshme të njerëzimit.

  

 

    

Shtoni në: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg

Komente (0 dërguar):

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
OPINION
image

STUDIM / Bashkimi kombëtar shqiptar sfidë serioze për diplomacinë e Fuqive të Mëdha

Ky punim shkencor është prezantuar në Konferencën shkencore me temë: “LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT DHE ...
 Më tepër
FOTOGALERI
PROFILE
image

38 vjet nga ndarja e çmimit Nobel për Nënë Terezën

38 vite më parë, më 17 tetor 1979, humanistja më e madhe në botë me ...
 Më tepër
image

Film në Londër dedikuar sopranos Ermonela Jaho

Opera Mbretërore e Londrës do të nis xhirimet për një film dokumentar për sopranon shqiptare ...
 Më tepër