Fillimi | Kultura shqiptare | Abdulla Mehmeti: Simpoziumi shkencor që e krijoi platformën kombëtare për të ardhmen e shqiptarëve

Abdulla Mehmeti: Simpoziumi shkencor që e krijoi platformën kombëtare për të ardhmen e shqiptarëve

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image Abdulla Mehmeti: Simpoziumi shkencor që e krijoi platformën kombëtare për të ardhmen e shqiptarëve

 Bashkësisë Kulturore Shqiptare deri në kohën kur u mbajt ky simpozium i ishte refuzuar disa herë kërkesa për regjistrim nga organet përkatëse, por vendosmëria për organizimin e këtij simpoziumi dhe vullneti i mirë për bashkëpunim i subjekteve shqiptare gjatë asaj kohe nuk mungoi, sidomos për realizimin e projekteve të këtilla me rëndësi të veçantë kombëtare. (1) 

 Vendimi për mbajtjen e këtij Simpoziumi është marrë në mbledhjen e rregullt të Kryesisë së BKSH-së, e cila u mbajt më 30 qershor 1991, në Tetovë. Mbledhjen e udhëhoqi Abdulla Mehmeti, ndërsa përveç anëtarëve të Kryesisë në këtë mbledhje morën pjesë edhe disa intelektualë të tjerë nga Tetova dhe publicisti Qani Mehmedi, nga Prishtina, në cilësi të mysafirëve. (2) 

 Në këtë mbledhje, pikë e parë e Rendit të ditës ka qenë organizimi i Simpoziumit shkencor, me temë: ,,Shqiptarët dhe maqedonasit, dje, sot dhe nesër”, duke marrë parasysh se shqiptarët e Maqedonisë dhe në përgjithësi shqiptarët në Kosovë dhe viset tjera shqiptare, në kohën e hapjes së proceseve të reja demokratike dhe me fillimin e shthurjes së ish Jugosllavisë, nuk ishin të përgatitur për përballimin e sfidave të reja që i imponoi koha, prandaj të gjitha veprimet e subjekteve politike dhe jopolitike duhej patjetër të mbështeteshin në një Platformë të studiuar mirë dhe të mbështetur mbi baza shkencore. Prandaj, në lidhje me këtë çështje e cila ishte debatuar një kohë të gjatë në Kryesinë e BKSH-së dhe më gjerë, u vendos: 1. Të organizohet Simpoziumi shkencor, me temë: ,,Shqiptarët dhe maqedonasit, dje, sot dhe nesër”, 2. Të mbahet një takim me përfaqësuesit e partive politike dhe subjekteve jopolitike të shqiptarëve në Maqedoni, me qëllim të përfshirjes sa më të gjerë në Këshillin organizues të këtij simpoziumi, si dhe u propozua lista e anëtarëve të mundshëm për Këshillin organizues, përfshirë edhe anëtarë nga subjekte të tjera dhe intelektualë e punonjës shkencorë të dalluar. Po ashtu u vendos edhe për subjektet e mundshme të cilat do të jenë bartës formal të këtij aktiviteti, duke e përjashtuar mundësinë që subjektet politike të jenë bartëse të këtij aktiviteti shkencor.  

 Në konsultimet e mëvonshme të Kryesisë së BKSH-së dhe Këshillit organizues me studiues eminentë nga Shqipëria dhe Kosova, dhe sidomos me insistimin e profesor Masar Kodrës, tema e Simpoziumit u caktua përfundimisht të jetë: ,,Shqiptarët e Maqedonisë”. 

Në ballinë të Programit të Simpoziumit shkencor ,,Shqiptarët e Maqedonisë”, janë shënuar emrat e subjekteve, si organizues formal, Shoqata e Arsimtarëve të Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe”, me seli në Tetovë dhe Bibliotekës ,,Isa Beu” e Medresesë në Kondovë të Shkupit, ndërsa në mes është vendosur emblema e atëhershme dhe akronimi i Bashkësisë Kulturore Shqiptare, BKSH. (3) 

Lista e pjesëmarrësve me kumtesa në Simpoziumin shkencor ,,Shqiptarët e Maqedonisë”, 20-22 dhjetor 1991, Shkup:  

Më 20 dhjetor 1991: 1. Dr. Ali Vishko,2. Prof. Ibrahim Hoxha, 3. Dr. Shukri Rahimi,4. Dr. Remzi Nesimi,5. Dr. Kristaq Prifti, 6. Dr. Ramiz Abdyli, 7. Dr. Spiro Shkurti, 8. Mr. Latif Berisha,9. Dr. Jani Thomaj, 10. Mr. Sami Ibrahimi, 11. Dr. Petrika Thëngjilli, 12. Dr. Drita Halimi-Statovci, 13. Kand. shken. Ferid Duka, 14. Dr. Agim Vinca, 15. Dr. Reshat Nexhipi, 16. Dr. Tefik Basha, 17. Dr. Fehmi Rexhepi, 18. Mr. Nexhat Abazi,19. Halim Muka, bashkëpunëtor i vjetër shkencor, 20. Hamdi Islami, 21. Dr. Rahmi Tuda, 22. Ibrahim Krosi, 23. Abedin Krosi, 24. Kand. shkenc. Zamir Shtylla, 25. Dr. Haki Kosumi, 26. Kand. shkenc. Lefter Nosi,27. Vehbi Bexheti. 

 

Më 21 dhjetor 1991: 28. Dr. Muzafer Kërkuti, 29. Dr. Mahmud Hysa, 30. Dr. Asllan Selmani, 31. Dr. Fadil Sulejmani,

32. Dr. Xhelko Maksuti, 33. Mr. Nexhat Abazi, 34. Dr. Hysni Myziri, 35. Mr. Ismail Ahmedi, 36. Mr. Halim Purellku, 

37. Kand. shkenc. Fatmira Rama, 38. Dr. Engjëll Sedaj, 39. Mr. Ukshin Hoti, 40. Dr. Yzber Hoti, 41. Mr. Sefedin Haruni, 

42. Mr. Vehbi Xhemaili, 43. Dr. Gazmend Shpuza, 44. Dr. Gjyltekin Shehu, 45. Dr. Feti Mediu, 46. Dr. Shefqet Pllana, 

47. Mr. Tahir Zajazi, 48. Dr. Muhamet Pirraku, 49. Kand. shkenc. Ana Lalaj, 50. Teuta Arifi, 51. Behixhudin Shehapi, 

52. Blerim Reka, 53. Mr. Iljaz Rexha, 54. Milaim Fejzi, 55. Mr. Shaban Prevalla, 56. Samet Hyseini.



Më 22 dhjetor 1991: 
57. Prof. Dhimitër Dishnica, 58. Dr. Masar Kodra, 59. Mr. Ramadan Sinani,60. Dr. Qemal Murati, 

61. Dr. Fadil Sulejmani, 62. Dr. Avzi Mustafa, 63. Kand. shken. Marenglen Verli,64. Dr. Ali Vishko, 65. Dr. Xhelal Gjeçovi, 66. Dr. Liman Rushiti, 67. Kand. shken. Lumnie Berati, 68. Dr. Rexhep Doçi,69. Dr. Bahri Beci, 70. Dr. Nuhi Vinca,  71. Mr. Hamit Xhaferi, 72. Ejup Mahmuti, 73. Dr. Veli Veliu, 74. Dr. Paskal Milo, 75. Mr. Mehmet Halimi,

76. Edibe Osmani, 77. Mr. Mersel Bilalli, 78. Mr. Ejup Gashi, 79. Gazmend Kadriu  

(disa autorë, si Dr. Ali Vishko dhe Dr. Fadil Sulejmani kanë paraqitur nga dy kumtesa. Shënimi im). 


Në këtë simpozium u ftuan të marrin pjesë: 
- Akademia e Shkencave e Shqipërisë,Universiteti i Tiranës Instituti i Historisë,Instituti i Gjuhës dhe i Letërsisë,Instituti i Studimeve Pedagogjike,Arkivi i Shtetit,Biblioteka Kombëtare,Muzeu Kombëtar,Radiotelevizioni Shqiptar dhe institucione të tjera nga Republika e Shqipërisë,Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës,Universiteti i Prishtinës,Instituti Albanologjik i Prishtinës,Instituti i Historisë i Kosovës,institucione të tjera, punonjës shkencorë, studiues dhe veprimtarë të shquar nga e gjitha hapësira shqiptare.  

Përveç pjesëmarrjes me kumtesa shkencore, në punimet e Simpoziumit kanë marrë pjesë edhe shumë studiues të tjerë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Rumania, Bullgaria, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, dhe diaspora, të cilët kanë marrë pjesë aktive në diskutime dhe debate të cilat janë zhvilluar gjatë tri ditëve sa kanë zgjatuar punimet e këtij simpoziumi, në të cilat është biseduar gjerësisht për çështjet aktuale politike, kulturore dhe shkencore dhe për veprimet e mëtejshme në nivel kombëtar. (4) 

Ndër pjesëmarrësit, kanë qenë të pranishëm, liderë të partive politike, drejtues institucionesh, ministra, deputetë, intelektualë dhe punonjës shkencorë, si Kristë Frashëri, Adriatik Kallulli, etj.  

Punimet e këtij Simpoziumi i kanë ndjekur me dhjetëra gazetarë nga vendi dhe nga jashtë, ndërsa ekipi i Radiotelevizionit Shqiptar (RTSH), i udhëhequr atë kohë nga drejtori i tij, Skënder Buçpapaj, e ka bërë incizimin tonik dhe xhirimin komplet të punimeve të këtij Simpoziumi.

KËSHILLI ORGANIZUES I SIMPOZIUMIT: 

- Dr. Masar Kodra (kryetar i Këshillit, BKSH),  Dr. Fadil Sulejmani (BKSH), Dr. Remzi Nesimi (gjuhëtar),Dr. Ali Vishko (BKSH),  Mr. Nexhat Abazi (pedagog),  Mr. Ramadan Sinani (BKSH),  Dr. Asllan Selmani (gjeograf), Dr. Xheladin Murati (PPD), Teuta Arifi (gjuhëtare), Gjylimsere Kasapi (Forumi i Gruas Shqiptare, PPD), Mr. Vehbi Xhemaili (historian), 

 Dr. Rahmi Tuda (BKSH), Xhemil Daci (PDP),  Qerim Arifi (veteran i arsimit),Hasie Ramadani (PDP),Beqir Bajrami (PDP), Vehbi Bexheti (SHAGJLSH), Bahri Aliu (Medreseja ,,Isa Beu”), Nexhmedin Abdiu (SHAGJLSH),Osman Sulejmani dhe Vehbi Kadriu (SHAGJLSH). (5) 

Në vazhdim, për rëndësinë e këtij Simpoziumi, peripecitë rreth botimit të librit me të njëjtin titull, me punimet e këtij Simpoziumi dhe çështje të tjera lidhur me këtë çështje, kemi shkëputur disa pjesë nga shkrimi i autorit Agron Vojnika, ku përfshihen edhe deklaratat e kryetarit të Bashkësisë Islame në RM, Sulejman ef. Rexhepi, i cili ka qenë kryetar i Këshillit botues të librit ,,Shqiptarët e Maqedonisë” dhe deklarata e kryetarit të Shoqatës së Historianëve Shqiptarë në Maqedoni, Prof. Dr. Nebi Dervishi. (7)

Agron Vojnika: SHQIPTARËT E KANË VËRTETUAR AUTOKTONINË E TYRE

 ,,Më kujtohet se në vitin 1994, nga një grup intelektualësh shqiptarë (emra të njohur) u botua një libër ballinën me ngjyrë të kuqe: “Shqiptarët e Maqedonisë” dhe asokohe ishte shumë aktual. Fillimisht në vitin 1991 u mbajt një simpozium katërditor, i cili theu akullin dhe nxori nga gjumi historianët shqiptarë, e më pas në vitin 1994, të gjitha veprat shkencore u përmblodhën dhe u botuan në një vepër të vetme. Si libri i parë që fliste për autoktoninë e shqiptarëve në Maqedoni, i botuar në gjuhën shqipe dhe angleze, nxiti shumë reagime të errëta të nëntokës shtetërore të Maqedonisë së asaj kohe. Pushteti i atëhershëm bëri çmos që ai libër asnjëherë të mos e shohë dritën. Por falë vullnetit të palëkundur të atyre patriotëve dhe intelektualëve shqiptarë, ai libër u botua për të dëshmuar sot kundër gënjeshtrave të akademikëve sllavë të Maqedonisë. 

Ky libër u botua nga Meshihati (sot Rijaseti) i Bashkësisë Islame në RM, dhe si pjesëtarë të redaksisë nuk mund të mos i përmendim emrat e njohur si: Prof. Dr. Masar Kodra, Prof. Dr. Kristaq Prifti, Dr. Jani Thomaj, Dr. Muzafer Kërkuti, Prof. Dr. Remzi Nesimi, Dr. Ali Vishko, Bahri Aliu dhe Mr. Ramadan Sinani. Ndërsa, Këshilli botues i kësaj vepre madhështore udhëhiqej nga Sulejman efendi Rexhepi si Kryetar dhe anëtarëve, Prof. Dr. Masar Kodra, Prof. Dr. Remzi Nesimi, Dr. Ali Vishko, Dr. Xheladin Murati, Bahri Aliu, Prof. Dr. Fadil Sulejmani, Mr. Vehbi Xhemaili, Vehbi Bexheti, Qerim Arifi, Gjylimsere Kasapi dhe Xhemil Daci.  

Të gjitha referatet e botuara në atë libër janë studime të mirëfillta e të argumentuara në mënyrë shkencore dhe pretendojnë të japin një histori të plotë opinionit të gjerë shoqëror dhe shkencor, në lidhje çështjet e jetës shpirtërore e të kulturës materiale të popullit shqiptar të Maqedonisë, që nga kohërat e lashta e deri në ditët tona. Një theks i veçantë u vihet gjetjeve arkeologjike dhe të dhënave historike si dhe gjuhës dhe kulturës së lashtë ilire dhe arbërore në trevat e Ohrit, në Pelagoninë e lashtë, në zonën e Shkupit e vise të tjera që përbëjnë një dëshmi të palëkundshme të autoktonisë së popullit shqiptar të Maqedonisë së sotme, si pasardhëse e ilirëve dhe të lidhjeve të saj me kulturën ilire të viseve perëndimore bregdetare e me popujt e tjerë fqinj”.  

        KUSH U MUNDUA TA PENGONTE LIBRIN ,,SHQIPTARËT E MAQEDONISË” 

Kryetari i këshillit botues të librit “Shqiptarët e Maqedonisë”, Sulejman Rexhepi që në atë kohë ishte Kryetar i Bashkësisë Fetare Islame, i cili edhe aktualisht është në postin e njëjtë, kujton ato ditë të mbushura plot me ankth.  

Reis ul Ulema Sulejman efendi Rexhepi: “Kujtoj ato ditë kur po bënim përgatitjet që kjo vepër të dalë në dritë. Ai ishte libri i parë i këtij lloji që dëshmonte për autoktoninë e shqiptarëve të Maqedonisë dhe tërë punimet ishin të natyrës shkencore. Por nga ana e Qeverisë së Maqedonisë të asaj kohe, me të cilën udhëhiqte Kryeministri Nikolla Klusev, u bë çmos që me çdo kusht të pengohet dhe ndalohet botimi i kësaj vepre. Sapo Qeveria e Ekspertëve, që ishte kryekëput Qeveri politike, mori vesh për këtë libër, i aktivizoi të gjitha instancat shtetërore, që ta bllokojnë botimin e këtij libri. Ky libër kishte për qëllim që t’i bashkëngjitet Enciklopedisë Islame në Institutin e Enciklopedisë Islame në Stamboll, por për shkak se kreu i atij instituti u keqinformua dhe u gënjye se gjoja, ky libër qenka kryekëput anti periudhës Osmane, teksti i tij u kthye në vendlindje. Madje kujtoj një medium i gjuhës shqipe, i cili ishte servil i qeverisë, pat dalë me një titull spektakular: “Mbeti shara në gozhdë”. 

Por, falë vullnetit tonë të pathyeshëm dhe rezistencës pa kompromis, me peripeci marramendëse, kjo vepër u botua në vendin tonë dhe sot shërben si një argument ndaj të gjitha të pavërtetave të thëna dhe atyre që do të thuhen në të ardhmen.

Qeveria e atëhershme për ta shprehë mllefin e madh pas botimit të veprës, nxitën disa individë - instrumente të tyre, të pakicave fetare në Maqedoni, kryesisht turq dhe boshnjakë dhe të cilët punonin në gazetat e gjuhës turke ,,Birlik” dhe ,,Zaman”, që të më akuzojnë për gjoja racizëm dhe nacionalizëm, si dhe akuza absurde të tipit: ,,Me paret e vitrave është botuar libri shqip”. Kjo nuk ishte e vërtetë, pasi miku im, Sherifi nga Reçica e Vogël e Tetovës dhe disa të tjerë e financuan tërësisht botimin e këtij libri. Kur këto akuza nuk dhanë efekt, atëherë u tentua që ta destabilizojnë tërësisht Bashkësinë Fetare Islame. Por edhe atëherë dështuan. Duke mos pasur rrugëdalje tjetër, më ftuan në bisedë informative”, kujton Sulejman Rexhepi. 

 

AKADEMIKU BLLAZHE RISTOVSKI NË ROLIN E POLICIT 

“Ishte pikërisht Bllazhe Ristovski i cili më mori në pyetje”, thotë Sulejman Rexhepi duke shtuar më tej: “Ai në atëkohë mbante postin e Zv/kryeministrit të Qeverisë dhe kryetar i Komisionit për çështje fetare. Me të kisha një dialog shumë të ashpër, sepse pikërisht ishte prekur nga pjesa ku e kemi shkruar se jemi popull autokton në Maqedoni. Sapo hyra në zyrë më pyeti me fjalët: 

 Çfarë nënkuptoni ju me fjalën Autokton?  

Ndërsa unë iu përgjigja se ju jeni vetë akademik dhe dukeni njeri i shkolluar, prandaj këtë pyetje do ta marr si provokim, e nuk do tu përgjigjem, sepse ju e dini mirë këtë përgjigje. Ai me një ton tepër nervoz, mu drejtua me pyetjen:  

Ç’kërkoni ju shqiptarët në Maqedoni?  

I thashë se shqiptarët parimisht kërkojnë status të barabartë si popull me popullin maqedonas. Ndërsa Bllazhe mjaft i skuqur në fytyrë mu përgjigj me fjalët: ,,A bën t’u bësh selam shqiptarëve se ata janë pakicë dhe duhet të pajtohen me atë status, përndryshe nuk kanë vend këtu dhe duhet t’i bëjnë çare vetes”. 

Po mirë, i thashë unë atëherë, unë nuk jam ai që mund t’u bëj selam sepse nuk kam mandat për këtë punë, por pasi që ti kërkon prej meje një gjë të tillë, atëherë unë kam më tepër të drejtë të kërkoj prej teje si nënkryetar i Qeverisë, a bën ti t’u bësh selam maqedonasve se shqiptarët statusin e pakicës më tutje nuk e durojnë dhe nëse nuk realizohet përcaktimi dhe kërkesat e popullit shqiptar për barazi me maqedonasit, atëherë shqiptarët do të kërkojnë opsion tjetër, e ai është lëvizja për rikthim të Shqipërisë Etnike dhe në moment kur të realizohet projekti i Shqipërisë Etnike, atëherë është mirë ta paramendoni statusin tuaj ku mbeteni. Por unë kam bindje se atëherë ju përfundimisht do të përfundoni në tendencat e historisë tuaj. Por për atë nuk do të jenë fajtorë shqiptarët por ju, sepse ju me qëndrimet tuaja politike diskriminuese do ta detyroni popullin shqiptar të kapet për një projekti të tillë. Pas këtyre fjalëve e lëshova tavolinën dhe nisa të dal. Atëherë ai u çua dhe mu afrua, më tha se ka një lutje për mua. ,,Ju lus që me çështje politike, ju personalisht nuk është mirë të merreni dhe mund t’i shihni thjesht vetëm punët fetare”. 

Unë iu përgjigja se: jam shumë i vetëdijshëm se çka duhet të punoj dhe veproj dhe për çka kam përgjegjësi, por ju më detyruat që lirisht mund të them se, prej sot në mënyrë ekskluzive do të merrem me politikë”. Dola nga zyra dhe prej atëherë me atë nuk kam pasur asnjë kontakt”, thotë Sulejman Rexhepi.

 

SIMPOZIUMI QË NGRITI NË KËMBË KOMBIN  

Nga ana tjetër edhe Prof. Dr. Nebi Dervishi, Kryetar i Shoqatës së Historianëve Shqiptarë në Maqedoni dhe ligjërues në Universitetin Shtetëror të Tetovës, për librin ,,Shqiptarët e Maqedonisë” vlerëson se është libri i parë voluminoz i këtij lloji, si dhe manual jo vetëm për historianët por edhe për linguistët, pasi që ky libër ndërthur në vete tema të ndryshme të cilat e vërtetojnë autoktoninë e shqiptarëve të Maqedonisë. 

Prof. Dr. Nebi Dervishi: “Unë kisha fatin të jem pjesëmarrës në atë simpozium që u mbajt katër ditë me radhë si mysafir i ftuar personalisht nga profesori im i respektuar Dr. Masar Kodra dhe dua të theksoj se të gjitha punimet që u lexuan në këtë simpozium, ishin të bazuara dhe argumentuara në mënyre studimore dhe shkencore, të cilat hedhin dritë mbi aspektet më të rëndësishme të historisë politike, etnike e kulturore të popullsisë shqiptare në trevat e tyre amtare. Më pas këto punime u përmblodhën dhe në redaktimin e Prof. Dr. Kristaq Priftit dhe Prof. Dr. Masar Kodrës dhe të tjerëve, u përmblodhën dhe u botuan në një vepër të vetme voluminoze, e cila jo vetëm atëherë, por edhe sot na shërben si një manual i vërtetë historik dhe linguistik”, thotë z. Dervishi, i cili më tej shton: “Është i patjetërsueshëm roli i Reis ul Ulemasë së atëhershëm Sulejman efendi Rexhepit, i cili jo vetëm që hapi zemrën dhe ambientet e Medresesë ,,Isa Beu”, për katër ditë rresht, por pa përkrahjen e tij si financiare ashtu edhe morale, kjo vepër asnjëherë nuk do ta shihte dritën e bardhë”. Prof. Dr. Nebi Dervishi gjithashtu kujton edhe peripecitë nëpër të cilat kaloi botimi i kësaj vepre. 

“Me vetë faktin se ky ishte simpoziumi i parë pas ardhjen së sistemit pluralist në vendin tonë, disa qarqe shprehën frikën e tyre dhe reaguan menjëherë për të vënë stërkëmbëzat e tyre. Vetë fakti se në këtë vepër u trajtuan argumente nga sferat e arkeologjisë, antropologjisë, gjuhës, etnologjisë dhe trashëgimisë kulturore të shqiptarëve, nga periudha të ndryshme kohore, duke u nisur nga lashtësia e deri më sot, ishte një pengesë për ata që përpiqeshin t’i paraqitnin shqiptarët ndryshe, apo si ardhacakë. Vetë fakti që fliste se kishat dhe manastiret e ndërtuara në kohërat e mesjetës në Maqedoninë Perëndimore janë edhe shqiptare, sepse para se të islami të vinte në Ballkan, ne shqiptarët kemi qenë të krishterë, bëri që në atë kohë të vihen në lëvizje shumë qarqe për ta penguar këtë gjë. Madje në libër janë trajtuar edhe argumente të cilat flasin qartë se para se Islami të vinte në Ballkan, shqiptarët rritet e tyre fetare i kanë kryer pikërisht nëpër ato kisha e manastire. Dikujt nuk i pëlqen kjo gjë dhe përpiqet t’i fsheh këto të vërteta. Rasti më i fundit është edhe djegia e Manastirit Mbigur, në të cilin nuk u dogj material me vlerë prej pesë milionë euro, por u dogj material vlera e të cilit nuk mund të përcaktohet me para. Shumë libra që kanë vërtetuar historinë e popullit të rajonit të Dibrës, kanë shkuar në pakthim me atë zjarr”, shpreh shqetësimin e tij profesor Dervishi. 

 PËRFUNDIM 

Shtoni në: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg

Komente (0 dërguar):

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
OPINION
image

Hamdi Mediu: Arkitektura e urave të Pollogut-Tetovës

Studimi u prezantua në Tribunën shkencore, me temë: “Roli i monumenteve historike në zhvillimin e ...
 Më tepër
FOTOGALERI
PROFILE
image

Krijimtaria e të parit kompozitor të muzikës së kultivuar shqiptare

Kompozitori i veprave të para të muzikës së kultivuar shqiptare dhe i sa e sa ...
 Më tepër
image

Dua Lipa: Femrat do ta udhëheqin botën

Dua Lipa është një ndër këngëtaret më të famshme shqiptare në arenën ndërkombëtare. Krahas shumë ...
 Më tepër