Fillimi | Kultura shqiptare | Dimitri Vassilakis, pianisti grek interpreton veprën e Aleksandër Peçit

Dimitri Vassilakis, pianisti grek interpreton veprën e Aleksandër Peçit

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image Dimitri Vassilakis, pianisti grek interpreton veprën e Aleksandër Peçit

Nuk mund të vihej në dyshim asnjë heshtje, asnjë tingull, asnjë gërryerje tingëllore, asnjë teknikë e re e gjuhës muzikore në "Constellation-in" e djeshëm. Pas mbarimit të pjesës së parë, do të mbërrinim në një "ngjarje" muzikore për publikun dhe për kompozitorin Aleksandër Peçi, i cili solli nëpërmjet Vassilakis premierën botërore të sonatës së parë për piano, të shkruar prej tij, "Skeletoidet fluturuese".

Gjithmonë e kam menduar sesi komunikojnë emocionet dhe sesi përcillen ato nga njëri tek tjetri. Kur mbushesh plot me emocione ke dëshirë që t'i shpërndash anekënd edhe pse më pas mund të mbetesh "bosh". Një situatë e tillë i ndodh artistit sa herë që ai ngjitet në skenë. Është një marrëdhënie e çuditshme, gati e një dashurie të fshehtë që krijohet mes interpretit dhe publikut. Në të njëjtën frekuencë kohe tingulli del nga shpirti, mendja, trupi, fryma, gishti dhe hyn në shpirt, mendje, trup, shndërrohet në frymë, në ajër dhe e thithin të gjithë ata që janë të pranishëm aty, ku heshtja thyhet me tinguj. 
Krijuesi e ka ndjerë gjatë çastit të krijimit, interpreti e përcjell sa herë ndodhet përpara dëgjuesit dhe publiku ngarkohet plot e përplot, e kështu qarkullojnë emocionet nga hera në herë… Disa net më parë isha në "pozicionin" e dëgjuesit në skenën e Universitetit të Arteve, në Festivalin Ndërkombëtar të Pianos -"Pianodrom". Mbrëmje pas mbrëmje të Pianodromit kanë qarkulluar tek unë këto tipe emocionesh: herë prej krijueseje, e herë prej një dëgjueseje mes shumë e shumë të tjerëve. 
"Tingujt e ferr-parajsës" quhej koncerti recital i Dimitri Vassilakis, i ardhur menjëherë pas një koncerti të tij në sallën e "La Scala". Kish zgjedhur një program që lidhej me jetën e tij, me lindjen, rritjen e shkollimin (Vassilakis është me origjinë greke, por më pas shkollohet e formohet në Francë). Kish zgjedhur të luante një vepër që na kujtonte ngjizjen e tij në tokën greke, veprën e Dimitris Mitropolous (kompozitor grek, por i njohur më tepër si dirigjent, për aktivitetin që ai kreu kryesisht në Amerikë, ku edhe jetën e humbi aty në skenë duke dirigjuar) e shkëputur nga opera "Motra Beatrice". Të linte pa frymë. Gjithçka rridhte (nëpërmjet modeve) si një ujëvarë, thyhej në grimca të kristalta, mblidheshin e rridhnin sërish. Me një delikatesë të tejskajshme pianisti Vassilakis ndjente në çdo grimë përcjelljen e tingullit në tingull, përkëdheljen me një butësi (ku shpesh tingujt i vishte me sordinën e përdorur) nga një pasazh në tjetrin. 
Më pas vinte një rrymë tjetër valësh, një erë franceze (ja ku pianisti na solli në mendje se ku u formua si muzikant). Sepse në program do të interpretoheshin tre kompozitorë emblematikë të historisë muzikore franceze të fillimshekullit XX e më pas. Debussy, Messiaen, Boulez -përkatësisht të lindur më 1862, 1908, 1925. 
Debussy, si novator i gjuhës harmonike, kërkues i tingujve të natyrës, njeriu i emocioneve të thella, poeti i muzikës, erdhi mbrëmë me 3 veprat e zgjedhura nga Vassilakis: "Reviere", "Clair de Lune"," L'isle joyeuse", ku me të tria kombinimet na çoi drejt tingujve qiellorë -parajsës. Me një koncept të ri për tonalitetin, me akordet paralele, "Clair de Lune" nuk mundi edhe mbrëmë të mos impresiononte çdokënd. Një mënyrë gati e vonuar e prekjes së çdo tingulli, legatoja që dukej se nuk kishte fund e nisje, përshfaqnin gradualisht "dritën e hënës" që binte ngadalë. Emocion i paqtë, që u shua me frymëmarrjen e thellë e të gjatë të Vassilakis, sa që edhe duartrokitjet t'i detyronte t'ia dhuroje të zbutura. 
Një tjetër vepër, "L'alouette Lulu", e shkëputur nga "Katalogu i zogjve" (libri i tretë) i Oliver Messiaen (edhe ky kompozitor revolucionar e modal francez) ruante tingujt e natyrës. Tingëllimet e ashpra që përftohen nga përplasja e krahëve të zogut nga një natë e errët, në një tjetër të paqtë, u realizuan me aq mjeshtëri nga basi i thellë e deri në tingujt e sipërm, të përsëritur, me pjesën virtuoze që Vassilakis e tregonte me modesti artistike. 
Si një nxënës i Messiaen, Pierre Boulezi nuk mund të mungonte në programin e recitalit me veprën "Constellation", si një nga përfaqësuesit kontemporanë francezë të Pasluftës së Dytë Botërore. Ndihej në mënyrën e interpretimit të Vassilakis gjuha "negative" ndaj ç'ishte shkruar më parë në muzikë: Tonaliteti i shndërruar në jotonalitet, tema në jotemë dhe ritmi në aritmi. I fokusuar në këtë lloj koncepti loje, Vassilakis, siç e thashë edhe më lart, vinte pikërisht nga koncerti i projektuar - i pianistit të madh italian Maurizio Pollini (në La Scala) dhe pikërisht nga interpretimi i veprave të Pierre Boulez me Ansamblin Intercontemporain, ku ai bën pjesë prej 20 vjetësh. Ka bashkëpunuar me Boulez-in, i cili i ka besuar edhe premierën e "Incises". Nuk mund të vihej në dyshim asnjë heshtje, asnjë tingull, asnjë gërryerje tingëllore, asnjë teknikë e re e gjuhës muzikore në "Constellation-in" e djeshëm. 
Pas mbarimit të pjesës së parë, do të mbërrinim në një "ngjarje" muzikore për publikun dhe për kompozitorin Aleksandër Peçi, i cili solli nëpërmjet Vassilakis premierën botërore të sonatës së parë për piano, të shkruar prej tij, "Skeletoidet fluturuese". 
Koha e parë quhet nga autori "Drama e zogjve", si një simbolikë e vetë dramës njerëzore. Peçi rikthehet në gjuhën e tij të viteve '70-të dhe e përpunon atë me ngjyrë të re, me harmoni e timbrikë të re. Kabaizmi shoqëron të gjithë konceptin e ndërtimit të formës dhe shumëfishohet me shtresa polifonike në ngjitje e zbritje. Vassilakis këndonte mjaft bukur mbrëmë melosin e "Bilbilit me vesë". Në kohën e dytë, "Kaba e ferr-parajsës" (e hedhur në poetikë fillimisht nga Xhevahir Spahiu) tingujt krijonin marrëdhënie dhimbjeje midis tyre (nëpërmjet septimës) ku "OI-ja" rënkuese qëndronte "stoike" në ostinaton e vazhdueshme. Koha e tretë, "Skeletoidet fluturuese", - sipas autorit mbështetet në mitin "Hip mbi krahët e mia, - i tha shqiponja njeriut, - të të çoj në botën e ëndërruar", shfaq tiparet e konceptit të marrëdhënies midis kohës dhe muzikës. Një udhëtim mitik, i cili mbylli edhe mbrëmjen e përhumbjes mes emocionesh e tingujsh në ferr-parajsën e Dimitri Vassilakis. Pa e pyetur aspak pianistin, kuptojmë që duhet të jetë inspiruar nga tingujt e Sonatës së Peçit (koha e dytë) për ta titulluar të gjithë recitalin e tij në Pianodrom: "Tingujt e ferr-parajsës". 
Na ndodh shpesh të përjetojmë emocione, por emocione të fuqishme rrallë. Teknika brilante, interpretimi kaq individual (që unë do e quaja "loja sordinë"), marramendja e tingëllimeve plot ngjyrë, më ngjitën shpesh mes tingujve hyjnorë të parajsës…, por disa herë më çuan edhe poshtë, thellë në errësirën ku askush nuk do donte të mbërrinte.  Kompozitore, pedagoge në UA, Tiranë . (er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Shtoni në: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg

Komente (0 dërguar):

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
OPINION
image

Universiteti i Kombit dhe Kombi i Universitetit

Selam Sulejmani Universiteti i Tetovës për shqiptarët e vendit tonë dhe më gjerë paraqet “Atdheun” e ...
 Më tepër
FOTOGALERI
PROFILE
image

Krijimtaria e të parit kompozitor të muzikës së kultivuar shqiptare

Kompozitori i veprave të para të muzikës së kultivuar shqiptare dhe i sa e sa ...
 Më tepër
image

Dua Lipa: Femrat do ta udhëheqin botën

Dua Lipa është një ndër këngëtaret më të famshme shqiptare në arenën ndërkombëtare. Krahas shumë ...
 Më tepër