Fillimi | Arsimi | Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, Doktor nderi i shkencave i Universitetit të Tetovës

Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, Doktor nderi i shkencave i Universitetit të Tetovës

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, Doktor nderi i shkencave i Universitetit të Tetovës

Universiteti i Tetovës, më 14 tetor 2016, Presidentin e Republikës së Kosovës, shkëlqesinë e tij Hashim Thaçi, e laureoi me titullin Doktor nderi i shkencave (Doctor honoris causa). Akademia solemne u mbajt në amfiteatrin e Rektoratit të Universitetit të Tetovës, ku morën pjesë personalitete të larta nga jeta akademike, diplomatike, politike dhe shoqërore nga vendi, Republika e Kosovës, Republika e Shqipërisë, Lugina e Preshevës, si dhe nga të gjitha trevat etnike shqiptare.
Këtë titull të lartë shkencor, Universiteti i Tetovës e ndan për personalitete të njohura, të cilët kanë punuar fuqishëm në avancimin e shkencës në përgjithësi dhe kanë kontribuar për lirinë, demokracinë dhe të drejtat, si dhe kanë shënuar rezultate të jashtëzakonshme për të mirën e njerëzimit.
Të pranishmëve në këtë ceremoni me fjalë rasti ju drejtua Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, i cili edhe zyrtarisht e shpalli të hapur këtë manifestim. “Kam kënaqësinë e veçantë që në emër të Universitetit të Tetovës t’Ju uroj mirëseardhje në këtë ceremoni solemne me rastin e shpalljes së Presidentit të Republikës së Kosovës, zotëri Hashim Thaçi, Doktor nderi i shkencave (Doctor honoris causa) i Universitetit të Tetovës. Këtë titull, Universiteti ynë ua ndan personaliteteve më të njohura, për rezultate të jashtëzakonshme të arritura në shkencë dhe për të mirën e njerëzimit. Universiteti i Tetovës i ndan zotëri Hashim Thaçit, titullin Doctor honoris causa për angazhimin ushtarak dhe politik për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, për pasionin dhe dashurinë për ndërtimin e paqes së përhershme në Ballkan, për krijimin e kushteve më të mira për jetë dhe avancimin e të drejtave themelore njerëzore për të gjitha bashkësitë e Republikës së Kosovës, për kontributin e çmuar për arsimin, kulturën dhe shkencën shqiptare dhe për mbështetjen e parezervë të Universitetit të Tetovës. 
Ngjarja e sotme për të gjithë ne, për studentët, profesorët dhe stafin administrativ të Universitetit tonë, është e veçantë, jo vetëm për arsyen se nderohet një nga personalitetet historike të kombit, por prezenca e Presidentit Thaçi mes nesh është një nder i madh që i bëhet universitetit tonë. Presidenti me veprimtarinë e Tij të bujshme në shërbim të kauzës sonë kombëtare, me angazhimin intensiv shoqëror e politik, ka dhënë prova të pakontestueshme se është lider i denjë për tërë popullin shqiptar”, tha Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti. 
Ai, më tej theksoi: “Zotëri President, ne në Universitetin e Tetovës u jemi mirënjohës për punën dhe përkushtimin në afirmimin e kauzës sonë kombëtare dhe kontributin Tuaj në promovimin e vlerave akademike dhe shkencore. Për kombin tonë dhe kombet tjera, emri dhe figura e Hashim Thaçit është e lidhur ngushtë me zhvillimet politike dhe gjeostrategjike në Ballkanin Perëndimor, zhvillime këto që i paraprinë zgjidhjes së çështjes së Kosovës, avancimin e të drejtave dhe lirive të kombit tonë në trojet etnike në Republikën e Maqedonisë, Luginë të Preshevës dhe më gjerë. Autoriteti ushtarak dhe politik, kontributi shumëdimensional për forcimin e shtetësisë së Kosovës, ka bërë që figura e politikanit Thaçi të vlerësohet dhe nderohet nga institucione vendore dhe ndërkombëtare. Kontributi jetik i Hashim Thaçit edhe në sferën arsimore dhe shkencore, angazhimi i tij në jetën politike dhe shoqërore, angazhimi dhe kontributi i tij për lirinë, paqen dhe stabilitetin, janë porosia më e madhe se si duhet të kontribuojnë intelektualët për të ardhmen e kombeve të tyre. Në këtë ceremoni të rëndësishme në veprimtarinë arsimore dhe shkencore për institucionin tonë, me lejoni t’Ju njoftoj me rritën, zhvillimin dhe historikun e Universitetit të Tetovës, i cili përfaqëson vlerat më pozitive të arsimimit të lartë në gjuhën shqipe në vendin tone.”, theksoi Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë të pranishmëve në auditor me fjalë përshëndetëse ju drejtua zv/Kryeministri i Maqedonisë, Doc. Dr. Festim Halili, i cili tha se ky çmim që po i jepet Presidentit të Kosovës, z.Hashim Thaçi është një mesazh i fuqishëm i shprehjes së mirënjohjes për kontributin e këtij burrështetasi. “Personalisht jam i nderuar që marr pjesë në këtë ceremoni historike për Universitetin tonë, pasi konsideroj që ka një ngjashmëri të madhe krijimi i shtetit të Kosovës me hapjen e Universitetit të Tetovës. Të dyja i lidh, me njëqind fije, fati dhe fatkeqësia e njëjtë. U ngritën nga hiri, nga pushi i asgjësë, që sot pas sfidave të mëdha, pas luftërave dhe gjakut të rënë të dëshmorëve, Kosova të ngrihet në një shtet modern, dhe UT-ja në një institucion modern të arsimit sipëror në Maqedoni. Sot, UT-në nuk e rrënojnë as njëqind eskavatorë, sot Kosovën s’mund ta kontestojë askush.
Të nderuar të pranishëm, ky akt i sotëm i shpalljes së Presidentit Thaçi, Doktor nderi i shkencave i Universitetit të Tetovës është mesazh i fuqishëm i shprehjes së mirënjohjes për kontributin e këtij burrështetasi në krijimin e historisë dhe në kurorëzimin e ëndrrave tona të kamotshme, që një ditë të mund të vendosim raporte të këtilla diplomatike si të gjitha dhe me të gjitha shoqëritë e zhvilluara evropiane”, deklaroi zv/Kryeministri i Maqedonisë, Doc. Dr. Festim Halili.
Më pas, në emër universiteteve nga Republika e Shqipërisë foli Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Mynir Koni. Ai u shpreh se personaliteti i Presidentit të Kosovës, z.Hashim Thaçi do të mbahet mend në memorien e kombit shqiptar. “Ky është një nga ato momentet e rralla në jetë për të cilin çdo shqiptarë do të ndjehej krenar. Them do të ndjehej krenar sepse i tillë është kontributi i Presidentit Hashim Thaçi, jo vetëm për Kosovën por edhe për të gjithë kombin shqiptar, të tilla personalitete për të cilat librat e historisë do të shkruajnë kapituj të tërë dhe do të mbahen mend në memorien e kombit shqiptar për shumë shekuj”, u shpreh Prof. Dr. Mynir Koni.
Në emër të universiteteve nga Republika e Kosovës të pranishmit i përshëndeti Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Marijan Dema. Ai vlerësoi se në rrugën tonë të ecjes universitetet shërbyen si tempuj për të përçuar mesazhet e tokës dhe të qielli për liri dhe drejtësi për të gjithë popujt përfshirë edhe popullin tonë. “Nga universitetet tona bëhen plejada dhe gjenerata vajzash dhe djemsh për t’u vënë në ballë të proceseve e pastaj për t’i udhëhequr ato. Universitetet këndej e andej nxorën burrat që do të kalojnë nëpër sfida të pashembullta e shumë të vështira për të nxjerr dritë dhe për të ndritur rrugën tonë të ecjes përpara. Shkëlqesia e tij, Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi i nominuar për titullin Doctor honoris causa i Universitetit të Tetovës është një shembull i kësaj rruge, është një shembull i njeriut që mbi supet e veta mori peshën e udhëheqjes së luftës për liri, pavarësi dhe demokraci”, vlerësoi Prof. Dr. Marijan Dema.

Kryetari i Komisionit recensues, prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar i UT-së, Prof. Dr. Arbër Çeliku e lexoi referatin për Presidentin e Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, ku mes tjerash theksoi: “Z. Hashim Thaçi është një emër i njohur për të gjithë ne qysh nga Lufta e Kosovës, si luftëtar dhe drejtues politik UÇK-së, por edhe si anëtar i grupit negociues kosovar në Rambuje, ai ka luajtur një rol kyç në arritjen e paqes dhe vënies së bazamentit të shtetit kosovar. Si anëtar i Ekipit të Unitetit (2005-2007), ai dëshmoi për një atribut të lartë politik, i cili u kurorëzua me shpalljen e pavarësisë së shtetit të Kosovës më 17 shkurt 2008. Edhe si kryeministër i Republikës së Kosovës (2008-2014), z. Hashim Thaçi dëshmon për një syçelësi dhe maturi të pashembullt politike, duke kontribuar tullë pas tulle në sendërtimin e shtetit të ri të Kosovës, por edhe duke kontribuar në relaksimin e marrëdhënieve ndërshtetërore në hapësirën e gjithmbarshme të Ballkanit. Edhe tani, në rolin e tij si President, ai nuk rresht së punuari për shtetin e Kosovës, për zhvillimin ekonomik dhe politik të vendit, për kohezionin e brendshëm të shtetit të Kosovës, si në rrafshin etnik ashtu edhe në atë ndëretnik dhe, mbi të gjitha, ai është një promotor i flaktë i çështjes shqiptare si në rrafshin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar, prandaj, profili i tij intelektual-politik është një garanci e fuqishme për të ardhmen e popullit shqiptar në familjen e madhe euroatlantike”, nënvizoi mes tjerash Prof. Dr. Arbër Çeliku. 
Vendimin e Senatit për ndarjen e titullit Doktor nderi i shkencave për Presidentin e Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi e bëri publik promotori, Prorektori për Arsim i UT-së, Prof. Dr. Reshat Qahili. Ai, gjatë leximit të vendimit tha: ,,Në bazë të nenit 144 të Ligjit për arsimin e lartë të Republikës së Maqedonisë dhe nenit 268 të Statutit të Universitetit të Tetovës, Senati i Universitetit të Tetovës, në mbledhjen e rregullt të mbajtur më 24 qershor të vitit 2015, solli: V E N D I M, Për dhënien e titullit Doctor honoris causa të Universitetit të Tetovës, z. Hashim Thaçit. Ky titull, z.Hashim Thaçit, i jepet për angazhimin ushtarak dhe politik për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, për pasionin dhe dashurinë e tij në ndërtimin e paqes së përhershme në Ballkan, për krijimin e kushteve më të mira për jetë dhe avancimin e të drejtave themelore njerëzore për të gjitha bashkësitë e Republikës së Kosovës, për kontributin e çmuar për arsimin, kulturën dhe shkencën shqiptare dhe për mbështetjen e parezervë të Universitetit të Tetovës”, potencoi promotori, Prof. Dr. Reshat Qahili.

Më pas, Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti, Presidentit të Republikës së Kosovës i ndau diplomën Doktor nderi i shkencave, si dhe flamurin dhe logon e madhe të Universitetit të Tetovës. 
Pas marrjes së diplomës, Presidenti i Republikës së Kosovës, z.Hashim Thaçi tha se Universiteti i Tetovës është pikë e patejkalueshme e trekëndëshit akademik Prishtinë-Tiranë- Tetovë. “Universiteti Shtetëror i Tetovës sot më nderoi me titullin Doctor Honoris Causa. Universiteti i Tetovës është pikë e patejkalueshme e trekëndëshit akademik Prishtinë-Tiranë- Tetovë. Lidhja e Prishtinës me Tetovën, Shkupin, Prizrenin, Kërçovën, Gjakovën, Dibrën dhe me qendra të tjera urbane ku jetojnë shqiptarët është një lidhje historike, kulturore, arsimore, familjare e kombëtare dhe mbi gjitha vëllazërore. Si qendër e rëndësishme e trekëndëshit akademik Prishtinë–Tiranë–Tetovë, ky universitet gjithnjë e më shumë po i shërben forcimit të lidhjes sonë historike, kulturore e arsimore, familjare e kombëtare dhe mbi gjitha vëllazërore. Por, ndërtimi i autostradës ,,Arbën Xhaferi” do të na lidhë edhe më shumë. Ndërtimi i autostradës ,,Arbën Xhaferi” është infrastrukturë e ofrimit të qendrave tona. Prishtina, Shkupi dhe Tetova janë gjithnjë e më afër njëra-tjetrës. I lidhë historia, e sotmja dhe e ardhmja. Liria e njërës është produkt i tjetrës dhe e kundërta. Liria jonë është produkt i yni i përbashkët. Shqiptarët, kudo që gjenden, asnjëherë s’kanë qenë më mirë se që jemi. Ne, asnjëherë nuk kemi qenë më të bashkuar se sot dhe kështu së bashku do të bëhemi edhe pjesë e familjes evropiane. Në Tetovë kam qenë tash e sa decenie në kapacitete e kohëra të ndryshme dhe se kujtimet e tij për këtë hapësirë janë të llojllojshme. Në fakt, nga ky vend sot mund të përkujtojmë shumëçka që ka të bëjë me ne, si gjeneratë dhe si popull. Dikur elita e shqiptarëve në Maqedoni, sikurse e gjithë shqiptarëve tjerë në ish Jugosllavi, formohej në Universitetin e Prishtinës. Mu aty, në ambiente universitare ka lind dhe është zhvilluar ideja e një gjenerate që do të di t’i mbrojë interesat kombëtare, në thyerje kohësh dhe sfidash me përmasa historike. Kjo elitë edhe sot udhëheq me jetën politike, akademike dhe kulturore të shqiptarëve në Maqedoni. Nga kjo retrospektivë mund të evokojmë situata nga më të ndryshmet për këtë rrugëtim të përbashkët dhe të suksesshëm. Para, disa dekadave ishim aktorë dhe dëshmitarë të një procesi të madh ndryshimesh historike”, ka thënë ai, duke shtuar se ,,rruga për të ardhur këtu sot është produkt i sakrificës së madhe edhe të kësaj gjenerate, si vazhdimësi e pandërprerë e përpjekjeve të gjeneratave para nesh. Synimet e përbashkëta, si të Kosovës, ashtu edhe të Maqedonisë, përputhen me aspiratën reale për të qenë së bashku pjesë e familjes euroatlantike. Titullin Doctor honoris causa e ndjej si çmim për gjeneratën time, për gjithë ata studentë nga Kosova e Tetova, që së bashku sakrifikuan gjithçka për lirinë dhe emancipimin e shqiptarëve kudo ku ata gjenden”, tha me këtë rast laureati, Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi. 
Kjo akademi solemne u begatua edhe me një program të pasur artistik, i përgatitur nga profesorët dhe studentët e Programit studimor të muzikës, të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shtoni në: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg

Komente (0 dërguar):

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
OPINION
image

STUDIM / Bashkimi kombëtar shqiptar sfidë serioze për diplomacinë e Fuqive të Mëdha

Ky punim shkencor është prezantuar në Konferencën shkencore me temë: “LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT DHE ...
 Më tepër
FOTOGALERI
PROFILE
image

38 vjet nga ndarja e çmimit Nobel për Nënë Terezën

38 vite më parë, më 17 tetor 1979, humanistja më e madhe në botë me ...
 Më tepër
image

Film në Londër dedikuar sopranos Ermonela Jaho

Opera Mbretërore e Londrës do të nis xhirimet për një film dokumentar për sopranon shqiptare ...
 Më tepër