Fillimi | Aktuale | USHT e shënoi 105 vjetorin e Kongresit të Manastirit

USHT e shënoi 105 vjetorin e Kongresit të Manastirit

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image USHT e shënoi 105 vjetorin e Kongresit të Manastirit

Akademinë solemne e shpalli të hapur, Rektori i USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, i cili me këtë rast tha se 22 Nëntorit të vitit 1908 i parapriu një periudhë e gjatë e shoqëruar me sakrifica të panumërta të dhjetëra rilindësve tanë, të patriotëve shqiptarë të pushkës dhe penës, të cilët edhe përkundër rrethanave skajshmërisht të vështira, në vitin 1908, prej 14 deri 22 nëntor organizuan Kongresin e Manastirit, në të cilin morën pjesë 50 përfaqësues nga 26 qytete, shoqëri e klube nga të gjitha anët e Shqipërisë, përfaqësues të fesë islame, katolike, ortodokse, të gjithë të bashkuar rreth idealit kombëtar, për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe.

Me Akademi solemne, të organizuar në amfiteatrin e Rektoratit, Universiteti Shtetëror i Tetovës, e shënoi 105 vjetorin e Kongresit të Manastirit, në të cilin u vendos për njësimin e Alfabetit të Gjuhës shqipe.

Akademinë solemne e shpalli të hapur, Rektori i USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, i cili me këtë rast tha se 22 Nëntorit të vitit 1908 i parapriu një periudhë e gjatë e shoqëruar me sakrifica të panumërta të dhjetëra rilindësve tanë, të patriotëve shqiptarë të pushkës dhe penës, të cilët edhe përkundër rrethanave skajshmërisht të vështira, në vitin 1908, prej 14 deri 22 nëntor organizuan Kongresin e Manastirit, në të cilin morën pjesë 50 përfaqësues nga 26 qytete, shoqëri e klube nga të gjitha anët e Shqipërisë, përfaqësues të fesë islame, katolike, ortodokse, të gjithë të bashkuar rreth idealit kombëtar, për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe.

Referate lidhur me rëndësinë dhe zhvillimin e punimeve të Kongresit të Alfabetit, mbajti edhe  Dekani i Fakultetit Filologjik, Doc. Dr. Fatmir Sulejmani, i cili në mes tjerash theksoi se Alfabeti i gjuhës shqipe - njërës ndër gjuhët më të vjetra të kontinentit evropian, ndër më të veçantat e trungut gjenealogjik të Indoevropianishtes, ka bërë udhë të gjatë dhe të mundimshme, udhë identike me atë të etnisë shqiptare, deri  në konsolidimin e saj në Kongresin e Manastirit, të vitit 1908. Në fjalën e tij, para pjesëmarrësve në këtë akademi, profesori i Katedrës së Historisë, Doc. Dr. Zeqirja Rexhepi, deklaroi se gjuha dhe shkrimi shqip janë kategori kulturore që na bëjnë të ndihemi shqiptarë. E gjithë lufta e popujve kaherë është zhvilluar për njohjen e gjuhës dhe shkrimit, sepse kjo do të thotë njohje e identitetit kulturor të një kombi – ose më thjesht njohje të kombit

Ky aktivitet në USHT, u përcoll edhe me një program artistik të përgatitur  nga mësimdhënësit e Programi studimor të Artit muzikor, Nita Lumani – Zenuni dhe Shkëlzen Baftijari.

 

Fjala e Rektorit të USHT-së, Prof. Dr.Vullnet Ameti, në Akademinë solemne me rastin e përvjetorit të Kongresit të Manastirit, 21.11.2013 

-Të nderuar prorektorë, dekanë, shefa të programeve studimore, profesorë dhe studentë,

-Të nderuar pjesëmarrës e mysafirë,

 Të dashur studentë,

Në këto ambiente akademike të Universitetit tonë, shpesh herë jemi takuar në promovime librash, jemi takuar bashkë për të përkujtuar personalitete dhe ngjarje të rëndësishme të historisë sonë, mirëpo dita e  sotme paraqet ngjarjen më madhore të kombit tonë, shënon ngjarjen më kulmore të përpjekjeve të intelektualëve të kombit tonë, për një alfabet të përbashkët të gjuhës shqipe.

Siç na rrëfen historia jonë, 22 Nëntorit të vitit 1908 i parapriu një periudhë e gjatë e shoqëruar me sakrifica të panumërta të dhjetëra rilindësve tanë, të patriotëve shqiptarë të pushkës dhe penës, të cilët edhe përkundër  rrethanave skajshmërisht të vështira, në vitin 1908, prej 14 deri 22 nëntor organizuan Kongresin e Manastirit, në të cilin morën pjesë 50 përfaqësues nga 26 qytete, shoqëri e klube nga të gjitha anët e Shqipërisë, përfaqësues të fesë islame, katolike, ortodokse, të gjithë të bashkuar rreth idealit kombëtar, për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe.

Ne, sot përulemi para veprës së këtyre intelektualëve e patriotëve pjesëmarrës në  punimet e Kongresit të Alfabetit, si  Mit’hat Frashëri, Gjergj Fishta, Parashqevi Qeriazi dhe shumë e shumë intelektualëve të tjerë të kolonive shqiptare. 

Të nderuar  profesorë, të dashur studentë

Kjo ngjarje madhore, e cila për nga rëndësia historike paraqet të arriturën më madhore në shekullin e kaluar, arriti të hartojë një alfabet të përbashkët për mbarë kombin tonë, dhe ta paraqesë atë para botës së qytetëruar si popull me një alfabet të vetëm dhe gjuhë të vetme me identitet të plotë, duke i mënjanuar pengesat e komunikimit mes shqiptareve dhe i tejkaloi mospajtimet eventuale, por ajo që është më e rëndësishme, krijoi mundësinë e shtypjes së materialeve në gjuhën shqipe në të gjitha shtypshkronjat e shteteve të Evropës Perëndimore.

Me këtë alfabet, gjuhësia shqiptare sot ka njohur zhvillimin e saj  kolosal, tanimë janë ngritur institucione shkencore të specializuara, dhe me këtë gjuhë e me këtë alfabet sot të gjithë shqiptarët mësojnë e studiojnë në shkolla, institute dhe universitete.

Më lejoni të theksoj se Kongresi i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, mbetet pikënisja dhe themeli i të gjitha të arriturave tona kombëtare, të cilat duhet t’i mbrojmë e kultivojmë, sidomos institucionet tona që përgatitin gjuhëtarë, historianë e letrarë të ardhshëm.

Në fund, më lejoni që në emër të stafit drejtues, të gjithë të punësuarve, profesorëve dhe studentëve të Universitetit Shtetëror të Tetovës, dhe në emrin tim, të gjithëve t’ua uroj Ditën e Alfabetit.

Gëzuar përvjetorin e shkronjave shqipe! Gëzuar festat e Nëntorit! Ju faleminderit!

 

 

Referati i Dekanit të Fakultetit Filologjik të USHT-së, Doc. Dr. Fatmir Sulejmani, në Akademinë solemne me rastin e përvjetorit të Kongresit të Manastirit, 21.11.2013 

I nderuari Rektor i Universitetit Shtetëror të Tetovës - profesor Vullnet Ameti,

të nderuar prorektorë,

i nderuar sekretar i përgjithshëm,

të nderuar dekanë, senatorë, kolegë mësimdhënës, studentë dhe mysafirë…

 

Alfabeti i Gjuhës shqipe - njërës ndër gjuhët më të vjetra të kontinentit evropian, ndër më të veçantat e trungut gjenealogjik të Indoevropianishtes, ka bërë udhë të gjatë dhe të mundimshme, udhë identike me atë të etnisë shqiptare, gjer në konsolidimin e saj në Kongresin e Manastirit, të vitit 1908.

Shtrohet pyetja: si u bë që gjuha e vendit fqinj me grekët antikë, në gjirin e të cilit u shkruajtën të paktën 3 prej 7 Kodikëve të purpurt të kohës së Krishtit; vendit që Renesansës evropiane i dha vepra autorësh të kalibrit të Marin Barletit, Marin Beçikemit, Mikel Marulit, Mikel Markianoit, Gjin Gazullit…, të heqë të zinjtë e ullirit dhe vetëm pas shekujsh e mileniumesh të tërë ta zgjidhë çështjen e ABC-së së vet?

Përgjigjen e kësaj pyetjeje na e jep akademiku Mehmet Kraja me romanin “Udhëzime për kapërcimin e detit”, ku, përmes shtresave të nëntëshme, flet për zhbërjen e arkivave vendase në kohët e mugëta mesjetare, nga ana e pushteteve të huaja… Kjo e vërtetë letrare ngjan e gjasshme, sepse pushtuesit, kushdoqofshin ata, të cilësdo kohë dhe të çfarëdo feje e etnie, menjëherë pas pushtimit të territoreve të tjetrit, një gjë të vetme bëjnë: djegin mbamendjen e arkivuar të popujve të nënshtruar, duke zhdukur kësisoj Prometejtë, që të mos mbetet kush t’ia japë popullit zjarrin e ta vetëdijësojë për statusin mjeran në të cilin është katandisur dhunshëm…

Por, ta lëmë historinë e largët dhe t’i kthehemi kohës dhe rrethanave në të cilat nisi të realizohet njëra prej ëndrrave më të mëdha të rilindësve shqiptarë: përcaktimi për një alfabet të vetëm që u dha fund synimeve shkombëtarizuese nga ana e armiqve dhe lakmuesve të tokave tona.

Në aso rrethanash, natyrshëm lindën shumë projekte dhe u gjurmuan shumë udhë të mundshme për dalje nga situata e palakmueshme, po e gjitha kishte një synim të përbashkët: të vetëdijësohet populli, ta njohë fillimisht vetveten e ta dijë cili është, kur dhe nga erdhi në këto troje dhe nga e ka ndërmend t’ia mësyejë në shekujt e ardhshëm?

Në vazhdën e projekteve në fjalë u gjend dhe kryefjala e çështjes shqiptare: projekti për një komb, për një gjuhë dhe për një shtet, tamam sipas modelit të cilin e kishte ndjekur Evropa vite e dekada më parë.

Po kjo gjë nuk mund të realizohej nga kombi i mbetur në terrin e prapambetjes, nga kombi analfabet, nga kombi i ndarë simos më keq e me plot plagë në shtat që mund të shndërroheshin sa ora në varrin e tij.

Shi për këtë, Rilindësit hodhën idenë e emancipimit dhe u vunë pas gjurmimit të një alfabeti të përbashkët, që do të rezultonte me unifikimin e kombit dhe ndritjen e shpirtit të tij. Ata iu kthyen udhës së ndërprerë të shkrimit të shqipes dhe sfiduan numrin e stërmadh të alfabeteve në të cilët ndërkohë kishin nisur të shtypen libra dhe gazeta të shumëllojshme.

Përdorimi i 3 alfabeteve të ndryshme (latin, grek dhe turko-arab) me variantet e panumërta të tyre i kishte çorientuar shqiptarët, aq sa nuk ekzistonte shkrim që mund të lexohej më shumë se në një krahinë të ngushtë, më shumë se në një kolini shqiptare.

Janë me qindra emra të shquar që u përpoqën për një alfabet të vetëm, por, duhet thënë, pa mashtruar vetveten, se, mjerisht, janë dhe me qindra emërfikur që e bënë të kundërtën, që u shdërruan në masha të huaja dhe luftuan çdo nismë përparimtare. Kjo duhet pranuar hapur, pavarësisht në u pëlqen apo jo pasardhësve eventualë të kësaj mendësie të prapë antihistorike. Kjo duhet thënë jo për të problematizuar të sotmen, por për të shmangur mundësitë e përsëritjes së fatkeqësirave, sepse: një komb që nuk merr mësimet e duhura nga dështimet e tij rrezikon t’i përsëriten ato tim për tim, tamam si në baladat popullore me kuçedra shumëkokëshe dhe bajlozë të zinj katran.

Përveç përpjekjeve individuale, janë dhe shumë shoqëri kulturore e atdhetare, që i kontribuan çështjes së alfabetit të shqipes, në mesin e të cilave shquhen: “BASHKIMI” i Gjergj Fishtës, “AGIMI” i Ndre Mjedës dhe “SHOQËRIA E SHKRONJAVE SHQIPE”, me seli në Stamboll e vëllezërve Frashëri.

Shtrohet pyetja: përse Rilindësit insistonin për një alfabet Latin?

Sepse, për alfabetin latin të librave shqip dëshmon murgu francez Brokardi, që në vitin 1332; sepse në alfabetin latin u shkruajtën librat e autorëve shqiptarë të kohës së humanizmit dhe rilindjes evropiane, kur i gjithë kontinenti në atë alfabet e gjuhë i shkruante letërsitë nacionale; në alfabetin e moçëm latin të krijuesve të veriut u shkruajt dokumenti i parë i shqipes: Formula e pagëzimit e Pal Engjëllit; libri i parë shqip “Meshari” i Gjon Buzukut; veprat e njohura të Bogdanit, Budit e Bardhit; me këto shkronja u shkruajt vepra madhore e Naimit dhe rilindësve të tjerë; kryevepra e letërsisë së Rilindjes “Këgët ë Milosaos” e Jeronim de Radës, për të cilën folën fjalë të mëdha titanët e letërsisë evropiane: Hygoi, Lamartini, Aleksandar Dyma e shumë të tjerë… Me një fjalë, alfabeti latin heq vijë që nga kohët ilire e këndej…, në dallim prej atij grek e turko-arab që u imponoheshin shqiptarëve me arsyetime të paargumentuara shkencërisht as dje as sot.

Anarkia e alfabeteve që përdoreshin në vigjilje të Kongresit të Manastirit e bëri gjuhën, jo vetëm mjet shpëtimi të kombit, po dhe element që nisi të rrezikojë seriozisht ekzistencën e tij… Ishte momenti i fundit për ta kuptuar se dezintegrimi i gjuhës nënkuptonte dhe dezintegrimin e etnisë.

Përpjekjet për dalje nga ky qorsokak, u bënë masive dhe të gjithanshme. Fillimisht, ishin vetë shpikësit e disa alfabeteve që hoqën dorë nga projektet e tyre në favor të një alfabeti të vetëm për të gjithë shqiptarët. Kështu, nisi qartësimi i gjërave dhe pranimi, fillimisht i heshtur, pastaj dhe i hapur i alfabetit të “Bashkimit”, i përpiluar prej njerëzish që, për momentin e dhënë, garantonin më shumë neutralitetit krahinor, dialektor e fetar…

Më në fund, kur 32 delegatët e Kongresit të ABC-së, të ardhur nga 26 qytete shqiptare arritën në Manastir, disponimi anti alfabetit latin u kreshpërua tej mase, por kthim prapa nuk kishte. Luigj Gurakuqi propozoi përzgjedhjen e alfabetit më të përshtatshëm që nuk do të thente asnjë zemër pjesëmarrësi, rrethi e krahine shqiptare. Vendimi ishte ky: ”Të merret ABC-ja e Stambollit e bashkë me të një ABC thjesht latine që së bashku të përdoren nga shqiptarët…” Më vonë e dëshmoi koha se alfabeti pastër latin rezultoi më i miri për shqiptarët e të gjitha krahinave.

Vendimet e Kongresit u sfiduan ashpër nga njerëzit që e kishin gëlltitur pamendueshëm grepin e huaj… Pasuan kundërshtime të dirigjuara nga më shumë anë: nga politika greke, sllave e xhonturke, gjë që paralajmëroi mbajtjen e një Kongresi paralel në Dibër, më 1909, me në krye Rexhep Vokën.

Kongresi në fjalë u ideua për të pamundësuar përdorimin e alfabetit latin, por, për çudi, pjesa dominante e pjesëmarrësve i kuptoi tendencat politike që shkonin në dëm të çështjes shqiptare. Kështu, në pamundësi për të përkrahur vendimin e Kongresit të Manastirit të vitit 1908, u soll një vendim i ndërmjetëm, që gjithsesi ishte dëshmi e dështimit të përpjekjeve për luftimin e alfabetit latin. Vendimi kërkonte që të mos imponohet alfabeti turko-arab, por të lihet i lirë gjithsecili të përdorë alfabetin që preferon.

Kjo, ashiqare, nënkuptonte vazhdimin e situatave anarkike të para Kongresit të Manastirit të vitit 1908 dhe sërish rrezikonte integritetin shpirtëror të shqiptarëve…

Pas kësaj ngjarjeje, Klubi i Manastirit, si amë e gjithë klubeve të tjera, inicoi Kongresin e dytë të Manastirit (1910), që u mbeshtet fuqishëm pothuajse nga të gjitha viset shqiptare dhe nga gjithë kolonitë rilindëse. U bënë demondstrata, debate pa fund, shkrime gazetash, vepra letrare…, gjë që i trimëroi shqiptarët që u zotuan se, nëse e do nevoja, alfabetin e tyre do ta mbrojnë deri në pikën e fundit të gjakut.

Mjerisht, atëherë kur pritej që të uleshin gjakrat dhe të niste një epokë e re respekti e mirëkuptimi mes njerëzish, kulturash dhe etnishë, në Vilajetin e Kosovës shpërthyen demonstratat kundër alfabetit latin të shqipes, kundër librave e gazetave të shkruara në këtë alfabet, kundër shkollave shqipe, kundër shoqatave e intelektualëve kriujes që e përkrahnin atë. Protestat ishin masive, sepse u instrumentalizua dhe feja për të rebeluar turmat e painformuara rreth asaj që realisht po ndodhte. Manipulatorët thonin se alfabeti latin është antifetar, gjë që s’kishte të bëjë fare me të vërtetën, sepse, me sa dihet, për ata që besojnë sinqerisht, Zoti, veç tjerash, është dhe krijues i gjithë gjuhëve të botës dhe i njeh ato një për një.

Fatmirësisht, koha si arbitër më i mirë i ndodhive historike dëshmoi se të tillët e kishin gabim. Po të mos ishte kësisoj, sigurisht që Turqia moderne do të mbante për vete alfabetin që ua preferonte dikur shqiptarëve.

Parë nga distanca e sotme kohore, duhet thënë se Kongresi i alfabetit të Gjuhës shqipe përfaqëson njërën prej fitoreve të mëdha historike e kulturore që ka korrur kombi ynë. Pa të nuk do ta kishim as standardin e sotëm të gjuhës, që edhe përkundër vërejtjeve që mund t’i bëhen, na përcolli gjer këtu ku jemi si një komb i vetëm, duke sfiduar fuqishëm, pikërisht përmes SHQIPES, ndarjet tragjike që na i bënë të tjerët.

Falë këtij monumenti që përbën vijën kyçe identitare të shqiptarëve, paraardhësit tanë bënë të pamundurën për të krijuar nga hiri qytetërimin shqiptar. Ne na mbetet vetëm të kujdesemi mos të shkelim turpshëm mbi djersën dhe gjakun e tyre.

 Faleminderit

 

Referati i Profesoroti të Katedrës së Historisë, Doc. Dr. Zeqirja Rexhepi, në Akademinë solemne me rastin e përvjetorit të Kongresit të Manastirit, 21.11.2013

 

Të nderuar pjesëmarrës, kam nderin e veçantë t’u falënderoj për pjesëmarrjen t’uaj në këtë Akademi solemne që organizohet në kuadër të USHT-së, për nder të 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit Shqip.

Në mënyrë të veçantë, më lejoni të përshëndes stafin drejtues të Universitetit Shtetëror të Tetovës, në krye me Rektorin Prof. Dr. Vullnet Ahmetin.

Të nderuar studentë, të nderuar profesor, zonja dhe zotërinj, gjuha dhe shkrimi shqip janë kategori kulturore që na bëjnë të ndihemi shqiptarë. E gjithë lufta e popujve kaherë është zhvilluar për njohjen e gjuhës dhe shkrimit, sepse kjo do të thotë njohje e identitetit kulturor të një kombi – ose më thjesht njohje të kombit.   

Është për t’u theksuar se, gjuha shqipe është ndër gjuhët më të lashta të familjes indoevropiane. Në këtë cep të Evropës i emërtuar si “Ballkan”, gjuha shqipe u bart nga njeri brez tek tjetri, për më shumë se tremijë vjet, pra nga koha parahelene (pellazge) për të arritur deri në ditët tona. Në këtë ecejake historike, gjuha e banorëve më të vjetër të Ballkanit, shqipja, u përball me dy sfida të jashtëzakonshme:

e para, ishin sistemet e ndryshme shoqërore, të cilat u vendosën në trojet tona dhe e ndaluan përdorimin e shqipes dhe

e dyta, qendrat e ndryshme religjioze, të cilat e “mallkonin” gjuhën dhe shkrimin shqip.

Megjithatë, shqipja, e cila i kishte rrënjët të thella po aq sa ekzistonte njerëzimi në Ballkan dhe në Evropë, me sukses i përballoi të gjitha sfidat e jashtëzakonshme. Për qindra dhe mijëra vjet gjuha shqipe u ruajt, ashtu siç e flasim sot - pushtuesit e huaj ndër shekuj, edhe pse e penguan kultivimin e saj, nuk e ndalën dot.

Të ndodhur nën sundimin e huaj dhe nën ndikimin e religjioneve të ndryshme,  shqiptarët nuk patën mundësi të ngrenë institucione të pavarura të kulturës, të cilat do të merreshin edhe me çështjen e Alfabetit.

Hapja e shkollave shqipe - entuziazmi për të mësuar në gjuhën amtare, e shtroi nevojën e për përpilimin e një alfabeti të vetëm që do të përdorej për mësimin dhe shkrimin e gjuhës shqipe. Për këtë qëllim, njëri nga klubet shqiptare që do të luajë rolin më të rëndësishëm gjatë tërë kohës së pushtetit të xhonturqve, Klubi i Manastirit, i krijuar menjëherë sapo u shpallë Kushtetuta, e mori për obligim përgatitjen e një Kongresi në Manastir, i cili kishte për qëllim të unifikonte shkrimin e gjuhës shqipe. I njohur në histori si Kongresi i Alfabetit, ai i zhvilloi punimet midis 14-22 nëntor 1908. Në Kongres morën pjesë 32 delegatë të dërguar nga klube dhe shoqëri shqiptare.[1] Edhe pse Kongresi, për të ruajtur unitetin ndër shqiptarët, aprovoi dy alfabete: njëri ishte Alfabeti Stambollit, i cili ishte shfrytëzuar nga koha e Lidhjes së Prizrenit dhe me të cilin ishte shkruar letërsia shqipe dhe tjetri ishte Alfabeti me Shkronja Latine, i cili me kalimin e kohës do të bëhej alfabeti i vetëm i gjuhës shqipe.

Për të penguar mësimin e shqipes me Alfabetin Latin, me iniciativën e xhonturqve në Stamboll u formua “Shoqëria për mësimin dhe shkrimin e gjuhës shqipe me shkronjat turqishte (arabe)”, të përbërë kryesisht nga klerikë myslimanë që merreshin me shpërndarjen e abetareve shqipe me shkronja arabe. Kështu, xhonturqit organizuan edhe mitingje të shumta, në të gjitha rajonet e vilajeteve, duke shfrytëzuar objektet fetare islame, kundër përdorimit të alfabetit latin.

Xhonturqit luajtën edhe në kartën e ndasisë fetare të shqiptarëve, i shfrytëzuan të gjitha format e propagandës kundër shkrimit të gjuhës shqipe me alfabetin latin, duke propaganduar se shkronjat latine janë të të pafeve.

Së fundi, në kundërshtim me vendimin e Kongresit të Manastirit, Ministria e Arsimit të Perandorisë Osmane, në fund të vitit 1908 lëshoi urdhëresën sipas të cilës, gjuha shqipe në Vilajetin e Kosovës do të mësohej me shkronjat arabe. Në fillim të vitit 1909, po ky urdhër u lëshua edhe për prefekturën e Elbasanit, Janinës e gjetiu.

Pa kaluar gjashtë muaj, nga shpallja e Kushtetutës, xhonturqit i braktisën premtimet se, do të njohin të drejtat kulturore të kombësive të Perandorisë. Ata kaluan në kërcënime dhe presione të ndryshme. Gjatë kësaj faze pushteti i xhonturqve mbylli shumë nga klubet shqiptare, burgosi atdhetarë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ndaloi përdorimin e shkronjave latine për gjuhën shqipe, duke preferuar alfabetin turko-arab...! Pas këtyre masave, xhonturqit kaluan në veprime ushtarake kundër Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Përkundër pengesave të pushtuesve të huaj, të dhënat historike, deri në kohën tonë, dëshmojnë se gjuha shqipe është shkruar para disa shekujsh. Ndër dëshmitë e para përmendet ajo e fratit dominikan, Brochart, i cili në vitin 1332 i paraqiti mbretit francez, Philippe de Valois një raport për vendet e ndryshme që i kishte vizituar. Në këtë raport Brochart, në mes tjerash shruan: “...sado që shqiptarët kanë një gjuhë krejt të ndryshme nga ajo e latinëve, ata i përdorin shkronjat latine në librat e tyre”. Ndërkaq, Pal Engjëlli, në periudhën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, në vitin 1462, përmes “Formulës së pagëzimit”, sjell dëshminë tjetër mbi shkrimin e gjuhës shqipe në mesjetë. 

Zyra për informim

 

 



[1] Kristo Frashëri, f. 56.

Shtoni në: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg

Komente (0 dërguar):

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
OPINION
image

Universiteti i Kombit dhe Kombi i Universitetit

Selam Sulejmani Universiteti i Tetovës për shqiptarët e vendit tonë dhe më gjerë paraqet “Atdheun” e ...
 Më tepër
FOTOGALERI
PROFILE
image

Krijimtaria e të parit kompozitor të muzikës së kultivuar shqiptare

Kompozitori i veprave të para të muzikës së kultivuar shqiptare dhe i sa e sa ...
 Më tepër
image

Dua Lipa: Femrat do ta udhëheqin botën

Dua Lipa është një ndër këngëtaret më të famshme shqiptare në arenën ndërkombëtare. Krahas shumë ...
 Më tepër