Fillimi | Aktuale | Shoqata „Tradita“ e promovoi librin „Të persekutuarit dhe të burgosurit politikë shqiptarë në Republikën e Maqedonisë“

Shoqata „Tradita“ e promovoi librin „Të persekutuarit dhe të burgosurit politikë shqiptarë në Republikën e Maqedonisë“

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image Shoqata „Tradita“ e promovoi librin „Të persekutuarit dhe të burgosurit politikë shqiptarë në Republikën e Maqedonisë“

Shoqata për kulturë dhe art Tradita, më 14 nëntor 2018, në amfiteatrin e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës e promovoi librin Të persekutuarit dhe të burgosurit politikë shqiptarë në Republikën e Maqedonisë. Ky aktivitet i radhës i Shoqatës Tradita u zhvillua bashkërisht me Komunën e Tetovës, në kuadër të manifestimit kulturor dhe artistik Tetova feston Nëntorin.

Në promovimin e librit u tha se, 2018 – ta, Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, i 140 – Vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i 110 – Vjetorit të Kongresit të Manastirit, i 50 – Vjetorit të Demonstratave të ’68 –tës, ngritjes së Flamurit kombëtar në Tetovë, e simbolizon historinë e lavdishme të popullit shqiptar. Të gjitha këto data dhe jo vetëm, dëshmojnë se edhe përkundër masave represive, vrasjeve dhe burgosjeve nga pushtetet më të egra të kohëve, kombi shqiptar kurrë nuk rreshti në betejat e tij epike për t’i realizuar synimet e tij kombëtare. Duke e çmuar lartë veprën patriotike të veprimtarëve të kombit, përtej falënderimit vëllazëror dhe mirënjohjes së përjetshme për vendosmërinë dhe guximin e tyre atdhetar e të pashoq në organizimin e lëvizjeve çlirimtare kombëtare, Shoqata Tradita, vitin e kaluar organizoi  Konferencën shkencore, me temë: Të persekutuarit dhe të burgosurit politikë shqiptarë në Republikën e Maqedonisë. Në këtë konferencë morën pjesë rreth 20 punonjës shkencorë, njohës të mirëfilltë të proceseve shoqërore që janë zhvilluar në vendin tonë,  të cilët me autoritetin dhe integritetin e  tyre intelektual iu qasën  temës së lartpërmendur. Këto punime, shoqata jonë i ka botuar në një përmbledhje të veçantë dhe të njëjtën e promovojmë sot para Jush” – theksoi Selam Sulejmani, kryetar i Shoqatës për kulturë dhe art Tradita. Ai, po ashtu u shpreh se libri pasqyron vuajtjet, sakrificën, rezistencën e popullit shqiptar në Maqedoni, përpjekjet e tij për realizimin e të drejtave themelore kombëtare.

Ky libër me karakter shkencor i referohet të kaluarës së dhimbshme të kombit shqiptar, luftës për liri; dhunës së pushtetit ndaj arsimit shqip dhe intelektualëve shqiptarë, e risjell në vëmendjen e lexuesit vrasjen e dyfishtë të Sadudin Gjurrës, reflektimin në vendin tonë të demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, kalvarin shqiptar ndër shekuj; i ofron lexuesit përjetime nga burgjet, rezistencën e të burgosurve shqiptarë përballë maltretimeve e torturave, nxjerrë në pah veprimtarinë patriotike të lëvizjeve kombëtare të udhëhequra nga figurat emblematike të kombit, si: Adem Demaçi, Rafi Halili, Memet Gega e shumë e shumë idealistëve të tjerë shqiptarë; i kushton rëndësi të veçantë demonstratave të vitit 1968, parë nga distanca historike 50 – vjeçare, që këtë ngjarje ta shohim nga një kontekst më i gjerë, duke u shërbyer me shënime  dhe  dokumente të  ndryshme arkivore. Libri “Të persekutuarit dhe të burgosurit politikë”, prek edhe çështje të tjera të ndjeshme, por për këto tema më me kompetencë flasin redaktori dhe recensentet e tij dhe falë punës së tyre profesionale kjo përmbledhje shkencore e ka parë dritën e botimit”- deklaroi Selam Sulejmani.

Promovimin e librit e përshëndeti edhe kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, e cila e vlerësoi  veprimtarinë që e zhvillon Shoqata për kulturë dhe art Tradita dhe duke iu referuar librit tha se kjo shoqatë, sot e vendosi mes fletëve, sakrificën, bindjen, dhe luftën e të parëve tanë.

Tetova feston Nëntorin“, sonte për të gjashtën herë radhazi ngriti siparin e kurajës me ngjyrë toke e gjaku, që të parët tanë e vizatuan në flamurin ngjyrë plagësh me shqiponjë amaneti në mes! Ishin ata, që me forcën e shembullit të tyre, mes dhimbje gjymtyrësh të dërmuara plot grushte dhe shuplakë tiranësh, gjithmonë të huaj, vendosën të besojnë dhe thonë mes shkronjash atë histori, të cilën po nuk e përjetoje në mish e kocka, të vërtetë nuk e rrëfeje kurrë! Sot shoqata për kulturë dhe art Tradita vendosi mes fletëve të një libri, sakrificën, bindjen dhe luftën e të parëve tanë, të cilët në kohë sikleti të ekzistencës tonë kombëtare i shtruan rrugët plot kocka me kalldrëme shprese, këtë ditë që sot jetuam, e që nesër sërish do ta jetojmë! “Kur një njeri, mu ai burrë apo ajo grua, privohet të jetojë jetën që beson, nuk ka mundësi tjetër veçse të veprojë jashtë ligjesh e normash! Ata mësuan se kuraja nuk është mungesë e frikës, por vetë triumfi mbi të! Trim nuk je kur nuk ndjen frikë, por kur mëson ta mposhtësh atë!” - theksoi Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës.

Në emër të Qendrës PEN nga Republika e Shqipërisë, të pranishmëve iu drejtua me fjalë rasti, presidentja Entela Kasi, e cila u shpreh se ndjehet e nderuar që është pjesë e kësaj veprimtarie, e cila organizohet në qytetin e Tetovës, qytetet i cili luan rol tejet të rëndësishëm në afirmimin e identitet tonë kulturor. Ajo bëri thirrje që të intensifikohet bashkëpunimi mes intelektualëve, institucioneve dhe subjekteve kulturore, me të vetmin qëllim, forcimin dhe promovimin e vlerave tona kombëtare para botës së qytetëruar.

Prof. Dr. Zeqirja Idrizi, redaktor i këtij libri, vlerësoi se këto ditë historiografia shqiptare po pasurohet edhe me një vepër shkencore nga Shoqata Tradita, andaj, nuk ka dyshim se problematika e cila shtjellohet në këtë libër është pjesë e përpjekjeve shekullore të popullit shqiptar për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare në aspektin global, po ashtu edhe në aspektin rajonal dhe parcial. Nga kjo vërehet fare mirë se ana metodologjike është në nivel të lartë shkencor nga shkaku se autorët kanë ditur fare mirë ta ndajnë dhe ta analizojnë atë që është globale, e përgjithshme (kontributi i intelektualëve dhe patriotëve shqiptarë) dhe atë që është e veçantë (kontributi i trevës së Maqedonisë në zgjidhjen e çështjes  kombëtare). Autorët, në mënyrë profesionale e trajtojnë një problem që është pjesë organike e trupit etnik shqiptar, e cila ishte brengë e të gjithë atyre të cilët flijuan gjithçka që patën duke mos kursyer edhe jetën e tyre. Në qendër të vëmendjes së këtyre kumtesave është nxjerrja në shesh, në dritë, apo zbardhja e një faktografie që ndërlidhet me kontributin e patriotëve shqiptarë, të persekutuarëve dhe të burgosurve politikë shqiptarë në Maqedoni, si pastërtia e saj, raportet me faktorin ndërkombëtar dhe disa opinione të bashkësisë ndërkombëtare, shtypi shqiptar në Shqipëri për të persekutuarit e të burgosurit politikë, lufta e tyre për liri e paqe, të nxitur nga shembulli i Adem Demaçit”, theksoi mes tjerash, Prof. Dr. Zeqirja Idrizi.

Në fjalën e tij, redaktori i librit vuri në dukje se nga ky historik i shkurtër që na ofrohet nga ky libër nënvizohet zbardhja në mënyrë shkencore e një dimensioni relevant të historisë sonë politike të kohës më të re, ku martirët e kombit kurrë nuk u pajtuan që trojet shqiptare të copëtohen në gjashtë pjesë, kështu të pamposhtur dhe të pagjunjëzuar u ndeshën me spiunë, me policë, hetues, me procese gjyqësore, si dhe me dëshmitarë të rrejshëm, me dënime drakonike, me tortura çnjerëzore nëpër kazamatet sllave.

Ndërkaq recensentët, Prof. Xhelal Zejneli dhe Prof. Dr. Salajdin Salihu, dhanë mendimin e tyre se kjo vepër është një pasqyrë tronditëse e kalvarit të shqiptarëve, të cilët u ballafaquan me politikën kolonialiste të boshtit të krimit: Shkup-Beograd-Titograd.

“Libri Të persekutuari dhe të burgosurit politikë shqiptarë në Republikën e Maqedonisë, i botuar nga Shoqata për kulturë dhe art Tradita është një pasqyrë tronditëse e kalvarit të shqiptarëve, të cilët u ballafaquan me politikën kolonialiste të boshtit të krimit Shkup-Beograd-Titograd, që nga koha e luftërave ballkanike, e deri në shpërbërjen e amalgamës jugosllave, kësaj kreature artificiale të Versajit dhe të AVNOJ-it, të quajtur burg i popujve. Duke ecur prore nëpër tehun e shpatës, duke kërkuar lirinë gjatë tërë një shekulli, bijtë më të shtrenjtë të këtij populli të pandalur u përplasën si rrufe me politikën e gjenocidit, të zbatuar nga Pashiqi dhe karagjorgjeviqët, nga Rankoviqi dhe Millosheviqistët. I rrallë, në mos unik për nga përmbajtja, libri i sipërpërmendur është dëshmi tronditëse e sakrificës biblike të një populli, në rrugën e tij drejt lirisë. Popull ky, që përballë ideologjisë së Garashaninit, të Megali idesë dhe të Shën-Stefanit, si një mal i vetmuar, i patundur qëndroi”- u shpreh para auditorit, profesor Xhelal Zejneli.

“Unë e çmoj përkushtimin e shoqatës Tradita që po e mbron këtë frymë. Falë saj u botua ky libër, i përgatitur për botim me nismën e Selam Sulejmanit. Studiuesit i bashkon mendimi se të persekuturait dhe të burgosurit politikë në Maqedoni kishin një kauzë të fisme dhe humane për liri, barabarësi kombëtare dhe qytetare në këtë rajon. Studiuesit nuk fokusohen vetëm te pasojat, por edhe te shkaqet që çuan në rebelimin kundër pushtetit totalitar, i cili  ndoqi politikë të egër në raport me shqiptarët dhe kulturën e tyre. Ky libër është një formë homazhi për ata që sakrifikuan në ruajtjen e zjarrit të dyshimit, ashtu si Prometheu i veprës së Eskilit, i cili nuk e ndërroi mendimin e vet me mjerimin e atyre që i shërbenin pushtetit totalitar, apo ishin mekanizma të atij pushteti. Ky libër që e promovojmë sot, le të kuptohet edhe si një klithje në hon apo si zë në shkretëtirë për ta ruajtur frymën e cila herët apo vonë do të triumfojë përfundimisht mbi shpatën”- deklaroi Prof. Dr. Salajdin Salihu.

Promovimi i librit u përmbyll me një pikë muzikore në violinë dhe piano, të realizuar nga artistët e njohur, profesorët e artit muzikor, Shkëlzen Pajaziti dhe Shkëlzen Baftjari. 

Në këtë aktivitet morën pjesë profesorë të Universitetit të Tetovës, drejtues të arsimit dhe të kulturës në Komunën e Tetovës dhe më gjerë, punonjës shkencorë, veprimtarë të çështjes kombëtare, të cilët me pjesëmarrjen e tyre përcollën porosinë se, e kaluara jonë dhe orientimi drejt së ardhmes i obligojnë institucionet përkatëse, por edhe subjektet kulturore, që të të ngrihen në lartësinë e duhur të përgjegjësive që bartin, në funksion të bashkërendimit të proceseve dhe forcimit të unitetit mbarëkombëtar.


Shtoni në: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg

Komente (0 dërguar):

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
OPINION
image

Universiteti i Kombit dhe Kombi i Universitetit

Selam Sulejmani Universiteti i Tetovës për shqiptarët e vendit tonë dhe më gjerë paraqet “Atdheun” e ...
 Më tepër
FOTOGALERI
PROFILE
image

Krijimtaria e të parit kompozitor të muzikës së kultivuar shqiptare

Kompozitori i veprave të para të muzikës së kultivuar shqiptare dhe i sa e sa ...
 Më tepër
image

Dua Lipa: Femrat do ta udhëheqin botën

Dua Lipa është një ndër këngëtaret më të famshme shqiptare në arenën ndërkombëtare. Krahas shumë ...
 Më tepër