Fillimi | Aktuale | ANILA MULLAHI: PENGU I KASËM TREBESHINËS , DORËSHKRIMET E PABOTUARA

ANILA MULLAHI: PENGU I KASËM TREBESHINËS , DORËSHKRIMET E PABOTUARA

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image

 Kasem Trebeshinën pata fatin ta takoj nga afër në shkurt 2010, në një intervistë të gjatë, ku ai vazhdimisht theksonte shqetësimin e tij që t’i botoheshin dorëshkrimet. Unë nuk mundem t’i botoj- theksonte shkrimtari,- duke iu referuar pamundësisë ekonomike. Deri në ’90 nuk i lejohej botimi. Pas ’90 ka ardhur koha që vepra e tij e plotë të shohë dritën e botimit”. Kështu tha dje për “Gazeta Shqiptare”, prof. dr. asoc. Anila Mullahi. Ajo kujtoi madje, edhe se në vitin 1998, në auditorët e universitetit, bashkë me studentët e tjerë, kishte pasur mundësinë e një bisede të gjatë me Kasëm Trebe-shinën. “Ne vazhdimisht e pyesnim për kohën e burgut dhe për diktaturën që i kishte penguar lirinë, për censurën etj. Atëherë më kishte bërë shumë përshtypje këmbëngulja e tij për të mos pranuar diktaturën dhe mungesën e lirisë në jetën e tij. Unë kam qenë gjithmonë i lirë. Asnjëherë askush nuk më ka detyruar të shkruaj, siç donin ata. Unë kam qenë i lirë në botën time, diktatura ka qenë jashtë meje”,-rrëfeu Mullahi të ketë thënë Kasem Trebeshina.

Shkrimtari i njohur ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare në Ankara të Turqisë, ku jetonte prej disa vitesh me të bijën. Trupi i tij i pajetë ka mbërritur dje në Shqipëri dhe është përcjellë në orën 14.00 për në banesën e fundit në Tiranë, krejt në heshtje nga familjarët.
Ministria e Kulturës, përmes një postimi në Facebook, shënoi se “Ndahet nga jeta një shkrimtar rebel dhe simbol i disidencës. Pa zhurmë, ashtu siç ishte mësuar dhe të jetonte e të krijonte, u largua nga kjo jetë shkrimtari Kasem Trebeshina”.Kasëm Trebeshina ka bërë burg politik për shkak se doli hapur kundër  regjimit komunist duke shkruar një “Promemorje” për Enver Hoxhën, më 5 tetor 1953. Ai denonconte vendosjen e pushtetit “njëpartiak” dhe instalimin e Metodës ideologjike. Meqëveprat e tij të para u censuruan në diktaturë, pjesa më e madhe e librave të Trebeshinës u botuan pas 1990-ës.
1926 – 2017
Kasëm Trebeshina lindi në Berat më 5 gusht 1926. Filloi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, por i ndërpreu më 1942, kur u aktivizua gjallërisht në Luftën Nacionalçlirimtare. Trebeshina ndërpreu edhe studimet e larta në Institutin e Teatrit “Ostrovski”, të Leningradit dhe iu kushtua tërësisht krijimtarisë letrare. Në vitin 1961 arrin të botojë poemën “Artani dhe Min’ja ose hijet e fundit të maleve” dhe një përkthim pa emër të Garsia Lorkës. Veprat e Trebeshinës kanë nisur të botohen në fillim të viteve ’90 fillimisht në Prishtinë: “Stina e stinëve” (1991); “Mekami, melodi turke” (1994); “Histori e atyre që nuk janë” (1995) dhe në Tiranë: “Legjenda e asaj që iku” (1992); “Koha tani, vendi këtu” (1992); “Qezari niset për në luftë” (1993); “Rruga e Golgotës” (1993); “Lirika dhe satirë” (1994); “Hijet e shekujve” (1996); “Ëndrra dhe hije” drama (1996) etj. Megjithatë pjesa më e madhe e veprës së Kasëm Trebeshinës është ende në dorëshkrim: 18 vëllime me poezi, 42 pjesë teatrore, 21 romane e vëllime me tregime etj. Kasëm Trebeshina u njoh si shkrimtar në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit 20. Ky fakt lidhet fillimisht me rebelimin e tij të hapur politik, e më pas me disidencën letrare. Pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare që në moshë fare të re, ai nuk u pajtua me politikën moniste të numrit një të partisë ku bënte pjesë; e kundërshtoi atë në mënyrë të drejtpërdrejtë, veçanërisht, për orientimin që po i jepte letërsisë dhe arteve. Për këtë qëndrim u burgos dhe veprat i mbetën në dorëshkrim.
“Stina e stinëve”, është vepra më përfaqësuese (e atyre që janë botuar deri më sot) e Kasëm Trebeshinës, e cila ka tërhequr vëmendjen e kritikëve dhe të studiuesve të letërsisë. Në këtë vëllim janë përfshirë tri novela: “Stina e stinëve”, e cila ka dhe një titull të dytë “Këngë fëmijërie”, “Odin Mondvalsen” me titull të dytë “Një histori dashurie” dhe “Fshati mbi shtatë kodrina” apo “Kapriçio shqiptare”. Sipas kritikës serioze vepra e Trebeshinës qëndron ndërmjet traditës kuteliane dhe surealizmit.
Homazh për Kasem Trebeshinën!
Mirela Kumbaro: Njohja ime me Trebeshinën kur e përktheja
E kam njohur shkrimtarin Kasem Trebeshina, në vitin 1992, e kam njohur me kureshtjen e zbulimit të personazhit për të cilin të gjithë flisnin, por pak e njihnin. Ende s’e kisha lexuar. Fati prej përkthyeseje ma solli që ta lexoja për së pari si lexuese shumë e vëmendshme. Përktheva në frëngjisht një prej pjesëve të tij teatrale, “Historia e atyre që s’janë”. Për disa muaj punuam bashkë për çdo faqe, ku njoha shkrimtarin që vinte shpesh në dyshim krijimin e vet si në një proces të komplikuar autopsie tekstuale, duke qëmtuar shkronjat, fjalët, rreshtat. Njohje e çuditshme dhe komunikim me retrospektivën, që e kishte bërë Trebeshinën të shkruante një tekst që nuk ta rrokte mendja se mund të shkruhej në vitet e diktaturës. Më pas, në po atë vit, “L’histoire de ceux qui ne sont plus” u vu në skenë në Paris në teatrin e Shkollës së Lartë të Teatrit “Pierre Debauche”. Ministria e Jashtme franceze ftoi autorin dhe përkthyesen e tij në Francë për të marrë pjesë në premierë dhe për një vizitë kulturore në Paris. Njoha në atë javë njeriun Kasem Trebeshina, i thjeshtë dhe befasues në mënyrën se si vëzhgonte ngultas veprat e artit në muzetë e famshëm të kryeqytetit frëng, të cilit ia njihte fort mirë historinë. Më vonë i lexova veprën ndryshe, ndërsa njeriu pa bujë që na la sot, më mbet në mendje përherë.

Biblioteka Kombëtare: Veprat e dorëshkrimet që ruajmë prej Kasëm Trebeshinës
 
Krijimtaria e botuar e Kasëm Trebeshinës zë fill në 1953 me botimin e dramës historike “Kruja e çliruar” dhe më pas në vitin 1961 poemën “Artani dhe Minja ose hijet e fundit e maleve”, dy vepra këto të cilat ruhen në fondin e arkivit së Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Krahas tyre janë edhe veprat e tjera të shkrimtarit, të cilat janë botuar pas gati 40 vjetësh nga vepra e parë, si “Legjenda e asaj që iku” (1992) “Qezari niset për luftë” (1993), “Rruga e Golgotës: një përrallë dimri” (1993), “Mekami melodi turke” (1994), “Lirika dhe satira: shfletim i paqëllimtë kujtimesh” (1994), “Historia e atyre që s’janë: komedi tragjike” (1995), “Ëndrra dhe hije” (1996), “Hijet e shekujve” (1996), “Nata para apokalipsit: triptik” (1999), “Ku bie Iliria?” (2000), “Kënga shqiptare – 5 vëllime” (2001) dhe “Më përtej kohërave” (2004). E shtrirë në kohë, e larmishme për nga gjinitë dhe llojet letrare të lëvruara, e pasur dhe origjinale, vepra e Kasëm Trebeshinës, në një pjesë të saj ka mbetur ende e pabotuar, përbën një nga zërat më interesantë të letërsisë shqipe të pas luftës, thotë BK, në një njoftim drejtuar mediave. Po aty, vihet në dukje se me kujdes të veçantë në fondin e vlerave të rralla të Bibliotekës Kombëtare ruhet edhe dorëshkrimi i shkrimtarit “Historia dhe njerëzit e saj: bisedë në mbrëmje vonë” në të cilën Trebeshina, përmes një proze politike, ka shpalosur pikëpamjet e tij politike e shoqërore, shkruar në Ankara në vitin 1997. Krahas krijimtarisë letrare, një vend të veçantë zënë edhe studimet e shumta mbi veprën letrare të Trebeshinës, por edhe mbi jetën e tij të trazuar, në gjuhën shqipe ose të huaj, si “Dosja Trebeshina dhe prapaskenat e lidhjes” (2006); “Trebeshiniana: studime, artikuj, ese” (1998); “Allori seçhi = Dafina të thara: romani i jetës sime” nga studiuesi Edmond Çali botuar në Romë në vitin 2007; “Trebeshina, një jetë para gjyqit”, nga gazetari Nuri Dragoj (2007); “Albanian” dhe “Kasem Trebeshina, prophet” (1992), nga albanologu dhe studiuesi Robert Elsie; “Trebeshina-ajsbergu i letrave shqipe” (2005) i studiuesit Behar Gjoka; “Miti i Metamorfozës në prozën e Mitrush Kutelit, Ismail Kadaresë, Kasem Trebeshinës”, nga Elvira Lumi (2006) “Intervistë me Kasëm Trebeshinën”, nga prof. Edmond Çali (2006), “Disidentët e rremë” i studiuesit Sadik Bejko (2007), “Shkolla e disidencës dhe Trebeshina” nga Gjovalin Kola (2012), “Veçori të poetikës në prozën romanore të Kasëm Trebeshinës” nga prof. Anila Mullahi (2013) si dhe “Disidenca në letërsinë e realizmit socialist shqiptar: Kasëm Trebeshina, Zef Pllumi dhe Ismail Kadare” me autor prof. Edmond Çali (2015).
Ai filloi studimet e larta në Institutin e teatrit “Ostrovski” në Leningrad, por nuk i përfundoi ato. Kundërshtimi i vazhdueshëm i drejtimit që synohej t’i jepej letërsisë dhe arteve gjatë viteve të regjimit e çuan Trebeshinën më se njëherë në burg, si edhe i hoqën të drejtën e botimit. Veprat e tij nisën të botohen pas viteve ’90. Në homazh dhe nderim kushtuar prozatorit Kasëm Trebeshina, i cili u nda nga jeta në moshën 91- vjeçare, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, çeli më datë 7 nëntor, ekspozitën “Kasëm Trebeshina (1926-2017)”.
Behar Gjoka: Nëse në gjallje nuk e kuptuam, madje e përgojuam Trebeshinën…
Në moshën 91 vjeç shuhet shkrimtari Kasëm Trebeshina, njeriu që nuk pa një ditë të bardhë, në jetën e shtrirë në dy shekuj, pjesëmarrës në Luftën e Dytë Botërore, ndonëse me komunizmin u vu në luftë të ashpër. Jeta e tij ishte një betejë me botën e mashtrimit, me hipokrizinë e kohës ku të gjithë spiunonin, e prandaj dënohet disa herë duke bërë 17 vite burgim e vite të tëra persekutim. Letërsia qe atdheu i Trebeshinës, me të gjithë kuptimin e fjalës. Ai shkëlqeu në të gjitha gjinitë dhe zhanret letrare, në poezi, prozë, dramatikë. Pena magjike e Trebeshinës erdhi me mijëra faqe letërsisë të përkorë, ndonëse ende vijon që të mbetet, ajsbergu i letrave shqipe, sepse pjesa e dërrmuese e veprës letrare vijon të mbetet në sirtar. Nga pjesa e botuar, tekstet të tilla, si “Kënga shqiptare”, “Odin Mondvalsen”, “Tregtari i skeleteve”, “Çezari niset për luftë”, Trebeshina ka endur surrealizmin. Në dramaturgji, për vlerat e shumëfishta, Trebeshina, mbetet Shekspiri i letrave shqipe. Nëse në gjallje nuk e kuptuam, madje e përgojuam, tani në amshim, kemi shansin të lexojmë universin letrar të Trebeshinës. Fati i shkrimtarëve të mëdhenj, është i njëjtë, nuk kuptohen nga bashkëkohësit, sepse vepra e tyre, pra vepra e Trebeshinës i përkon gjithkohësisë…
Paqe mjeshtër, në amshim!
Shtoni në: Add to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg

Komente (0 dërguar):

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
OPINION
image

Hamdi Mediu: Arkitektura e urave të Pollogut-Tetovës

Studimi u prezantua në Tribunën shkencore, me temë: “Roli i monumenteve historike në zhvillimin e ...
 Më tepër
FOTOGALERI
PROFILE
image

Krijimtaria e të parit kompozitor të muzikës së kultivuar shqiptare

Kompozitori i veprave të para të muzikës së kultivuar shqiptare dhe i sa e sa ...
 Më tepër
image

Dua Lipa: Femrat do ta udhëheqin botën

Dua Lipa është një ndër këngëtaret më të famshme shqiptare në arenën ndërkombëtare. Krahas shumë ...
 Më tepër